Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Përshpirtje për Imzot Luigj Bumçin
E merkure, 10.03.2021, 09:54 PM
Përgatitë nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XI)
8 MARS 1945 :
Në Kishen e Jezuitëve të Tiranës...
Përshpirtje për Imzot Luigj Bumçin:
Marrë nga gazeta “Bashkimi”, organ i Frontit
Nacional-Çlirimtar, botue me datën 8 mars 1945, ditë e enjtë:
Dje në mëngjez, në kishën famullitare katolike, u bë një
përshpirtje për ditën e shtatë të vdekjës së Imz. Luigj Bumçit, Ipeshkvit të
Lezhës.
Mirrnin pjesë: Gjeneral Major Spiro Mojsiu, Kolonel
Ramadan Çitaku, Ministër i Financave Manol Konomi, Ministër i Drejtësisë, Kolonel
Petar Killër i Misionit Ushtarak Jugosllav, Major Wisdorff, Shef i Misionit
Ushtarak Francez, Ing. Lazër Treska, Kryetar i Këshillit të Qarkut, Ali Bakiu,
Kryetar i Këshillit të Qytetit, Përfaqësia e Kishës Orthodhokse dhe
Përsonalitete e miqë të familjës së Imz.Bumçit.
Foli edhe Padër Pjetër Mëshkalla për jetën e ndritur të
këtij apostulli të kishës. Përmendi me një theksim me të vërtetë të ndieshëm
përpjekjët e këtij patrioti në ditët e zeza të jetës sonë rilindëse. Fjala e
Padër Meshkallës lidhi veprën e Imz. Luigj Bumçit me historinë tonë.”
Nga shpjegimi i zotni Pjetër Topallit, që në vitin 1946
ndodhej në Tiranë, dij se At Mëshkalla asht arrestue me 21 nandor 1946, mbasi
atë ditë që ishte festa e madhe fetare e Krishtit Mbret, Pader Mëshkalla kishte
predikue për të fundit herë në Kishën Famullitare të “Zemrës së Krishtit”, para
dreke, në një meshë solemne ku merrnin pjesë shumë vetë. Në fund të fjalës së
Tij, zotni Pjetër Topalli, edhe pse kishin kalue shumë vite (ishte viti 1994),
kujtonte saktësisht mbylljen:
“Sot asht dita e Krishtit Mbret! Ka
prej atyne që mendojnë se munden me ia hjekë Krishtit Kunorën e Mbretnisë së
qiellës e të tokës, por gabojnë, gabojnë, gabojnë!..”.
E martë, 21 gusht 1945 (Po nga gazeta “Bashkimi”)
“Në një kishë katolike të kryeqytetit është shkruar ky
program për të luturat: “Të lutemi, që popujt e Lindjës, që u shkëputën nga
kisha e jonë, të bashkohën prap, siç kanë qenë më parë.”
Gjithënjë lutjet e besnikëve, në çdo kishë, jane drejtuar
për problemët e ditës, për hallët, për rreziqet e për aspiratat e popullit...
Gjynahet dhe krimët e fashistave, që dikur bëhëshin “më Papë se Papa”, e shkatrruan njerëzimin
dhe Evropën dhe na hodhën në një katastrofë, që kurrë s’e ka parë historia. Dhe
tani, besnikët tanë, në vent që të lutën ashtu siç lutët populli që të çfarosen
këta fashista, që të çfarosët politika e tyre dhe të vijë lumturia e paqa në
botë.
Në vent që të shohin me sy gjendjën tonë dhe rrugën që
kemi zenë, të bekojnë ata që prunë këte paqë e liri, dhe që përpiqën t’i mbajnë
këto, hidhën në disa lutje si ajo “për bashkimin e popujve të Lindjës me Kishën
tonë.”
Ku është qellimi e ç’duan të thonë këto lutje?
...Por Përëndia nuk i do luftrat, prandaj, nuk besojmë
t’ua dëgjojë lutjën besnikëve të Kishës Katolike të kryeqytetit.”
E enjte, 13 shtator 1945, (gazeta “Bashkimi”).
“...Është e vërtetë se trafiletisti ka bërë gabime
datash...po nuk mund të rrimë pa thenë, se pikën e shtatë të shpjegimeve z.
Pjetër Meshkalla e ka kuptuar keq, dhe se në pikën gjashtë ka fshehur një pjesë
të së vërtetës, që del në shesh po të kujtohet lufta kundër Abisinisë dhe
fushata e sotme kundër politikës antifashiste të Bashkimit Sovjetik. Ajo që
dëshrojmë është që të gjithë pjestarët e klerit katolik të bashkohën me
përpjekjët e gjithë popullit shqiptar...
Disa shpjegime që jep At Pjetër
Mëshkalla:
Në datën 21 gusht, të k.v. në gazetën “Bashkimi” u duk
një trafilet, që u-akuzohej “një kishë katolike e kryeqytetit...”
“Nuk mungojnë në këte trafilet insinuacione të pavend dhe
pohime historike të gjymta.
Prandaj e ndjejmë detyrën me dhanë disa shpjegime...
Kisha Katolike e Kryeqytetit për të cilën bahet aluzion
asht Kisha e re e “Zemrës së Krishtit”, në rrugën e Kavajës.
Ai program të lutunash nuk kje shpikun në Tiranë. Janë
programe për tanë Botën që formulohen njëherë në vjetë prej Drejtorisë së
Përgjithshme të Apostullimit të Uratës, për sejcilin muej të vjetit dhe i
paraqitën Papës për aprovim.
Të njejtin program e kemi botue në fletëzën mujore të
Apostullimit të Uratës, për muejn gusht, tue pasue me një koment plot simpati e
lavdi, për Kishat e Lindjës. Fletëza u botue me aprovimin e Ministrisë së
Shtypit e Prop. K.P.
Dhe, ta dijë trafiletisti, se na nuk pushojmë tue u lutë,
edhe grishim besimtarët me u lutë për problemët dhe hallet e ditës...
Nuk besojmë t’u vijë keq popujve e Kishave të Lindjës pse
na lutemi për bashkim, kurse ata vetë në Liturgjinë e tyne, luten përherë për
bashkimin e Kishave, simbas dëshirit të Krishtit, i cili, don që të bahet një
grigjë e vetme me një Bari të vetëm. Tek e mbramja, gjithkush ka të drejtë me u
dishrue të tjerëve një të mirë që e beson se e ka ai vetë.
Nuk e kuptojmë “ku asht qellimi e ç’duen me thanë:
“...insinuacionet për gjynahët e krimet e fashistave, që dikur bëhëshin “më
Papë se Papa”. Gabime janë ba shumë, në të kaluemën e largët e të afërt, edhe
në lamën Kishtare. Këto gabime të gjithë njerëzit e drejtë i kanë vajtue e
dënue. Por duhet kërkue e vërteta në shpirtin e së vërtetës. Na nuk njohim kush
asht “ma Papë se Papa”. Na njohim
Papën ! Gjithkush e din shka ka
ba Papa Piu i XII për me largue prej Botës rrezikun e luftës, për me shpejtue
paqën, o, së paku, për me lehtësue mjerimet e saja materiale e morale. Ndër
çastët ma delikate e kritike, me guximin ma heroik. Ai ka demaskue e dënue trathtitë,
mizoritë, krimet barbare kundër popullsive të pafajshme, kundra çifutënve,
mizoritë ndër fushat e përqendrimit të Gjermanisë...
Sa për insinuacione politike fashiste e për nostalgji për
Përandorinë e Romës, ta dijë trafiletisti, se ka gabue destinacion. Por ka
shkrue ndoshta, pa dijtë mirë, se me ke po flet!..
Ai ban mandej një konfuzion të madh, kur shkruan: “Siç
dihet, në Sinodhin e 1050-ës, që u bë në Konstantinopol, në kohën e Patrikut
Foti, Kisha e Romës u nda vetë, siç u nda edhe Përandoria e Romës...” .
Përandoria Romane kje nda definitivisht në vj. 395.
Ndërsa Kisha mbeti e bashkueme për 500 vjet të tjera...
Në kohën e Patrikut Foti u ba të ndamit e parë zyrtar i Kishës së
Konstantinopolit prej Kishës së Romës. Por Foti vdiq kah 891, prandej asht e
pamundun që Sinodhi i vj. 1054 (jo, 1050), të jetë bamun në kohën e tij. Ky
Sinodh u ba në kohën e Patrikut Mihajl Cerularit, kur u ndanë definitivisht të
dy Kishat. Me insistue se cila u nda
prej tjetrës, asht lojë fjalësh sofistike. Edhe arësyenat e ndamjës janë të
shumta e komplekse.
As aluzioni i Luftës 30 vjeçare nuk tregon seriozitet e
kompetencë. Na besojmë se nuk asht kjo rruga për bashkimin e zemrave.
Sa për Përendinë, ai që beson në Té ka të drejtë me e
lutë si të duen. Mjaft që të ketë qellimin e mirë e t’u bindet urdhnave të
Tija. Përendia din vetë sesi me ia ndigjue lutjen, pa kenë nevoja me ba presion
mbi Té e me e sugjestionue!
Pjetër Meshkalla
S.J.”
Shenim F.Radovani: Në tekst nuk janë përsëritë vetëm
fjalët e gazetës “Bashkimi”, mbasi ato janë në tekstin e gazetës së masipërme
të pandryshueme.
Dy artikuj të tjerë të At Meshkallës, që i dërgoi asaj
gazetë nuk u botuen asnjëherë me gjithë kambnguljën e At Meshkallës për me i
botue. Arësyeja asht e kuptueshme nga cilido lexues.
Melbourne, 10 Mars 2021