Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Shqipnia ime, qendro!
E enjte, 22.04.2021, 08:15 PM
Nga Fritz RADOVANI:
SHQIPNIA IME, QENDRO..!
“Historia endè nuk e ka
njohtë até që ka ngja në Shqipni...”
Shqipni, qendro në
naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Bota po rrotullohej ndaj
një Ylli ndriçues polak me emnin Karol Vojtila, i njohun si Papë në Vatikan me emnin e Shenjtë Gjon Pali II,
edhe Atdheu i Shqipeve ndriçohej me lutjet e Tija të vazhdueshme dhe me një
perkushtim të veçantë. Janë uratët e një bashkvuejtësi si na nën zgjedhen e
pashpirtë të diktaturës komuniste. Janë thirrjet e Atij Burri të njohun e trim,
që ka lanë në fletët e historisë me emnin Papa Gjon Pali II, tri fjalë: “Mos
keni frikë!”
Ky ishte Papa Polak
Karol Vojtila, që ndryshoi Historinë e mbarë Botës!
Ra Muri i Berlinit! Ra
sistemi komunist terrorist nderkombtar! Ra perjetë tirania! U rrëzuen
pergjithmonë diktatorët bashkë “përmendoret” e tyne!
Me 25 Prill 1993, kur
Papa Gjon Pali II, po hynte fitimtar në Katedralen e rindertueme të Shkodres,
ditë në të cilen Ai puthi Token Shqiptare, Token e rijtun me shekuj me gjakun e
Shenjtë të mija Martirëve Shqiptarë, e së fundit të ramë nën shpaten komuniste
e barbare, na dukej e pabesueshme se jemi tue pa me sy Burrin ma të madh të
Shekullit që me doren e Tij, po na bekonte e po na ringjallte Fenë në zemrat tona!
Ishte po, Ai Papë, që në
qershorin e vitit 1991, Burrnisht kishte refuzue kerkesen e tradhëtarit dhe
zbatuesit tiran të “Revolucionit Kultural” Ramiz Alia, vraastarit të vitit 1967
në Shkoder, me vizitue Vatikanin, me shpresë mashtrimi per me ruejtë postin e
presidentit.
Ai Papë ishte që porsa
mërrijti i dhuroi Qytetit të Shkodres Fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë dhe
e vendosi me doren e Tij, tue e bekue Gurin e rindertimit të Kishës së Zojës
brijë Kalasë Rozafat, për të treten herë e shkatrrueme mbas 1967 nga
anadollakët. Mesazhi i Tij ishte: “T’i kthehet vendit dhe Popullit Tuej paqa,
një jetë ma e mirë dhe zhvillimi social simbas traditave njerzore e fetare të
kësaj tokë” (26 Prill, Vatikan).
Ky ishte Polaku Vojtila,
që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për lëvizjet demokratike atje
deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të
çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue atje për Lirinë e Atdheut tim!”
Papa Gjon Pali II asht
njohësi ma i saktë i Shqipnisë robnueme komuniste dhe per këte t’i referohemi
Atij: “Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllazënor edhe komunitetëve
të ndryshme fetare që bashkjetojnë këtu prej shekujsh: Komunitetit Kristjan
Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve, u sjellë një përshëndetje të
përzemërt...
Kam ardhë për me i
shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit
historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore e shpirtnore.
Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju
asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur
edhe vetë ky shesh na e kujton u shque
Figura e naltë e të Krishtenit Gjergj
Kastriotit – Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i
gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar...
Ju keni vuejtë për
Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë. Populli i juej kaloi
një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste. Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës
njerzore nën rregjimet totalitare
si ai që ju keni njohtë, ku njeriut i mohohej një nga të drejtat ma
thelbësore: Liria e shfaqjes së
mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të
tmershme. A ka gja ma të randë
sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë, vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u
përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat? Në
vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e
thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane dhe t’arenave ku,
dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një
luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor e
politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste...
Ajo që
ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë
e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe
në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por
atëherë ishte fjala për shtet i cili në emën të një feje, asaj pagane, luftonte
ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit. Kurse këtu, shteti asht përpjekë me
shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një
sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur
askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerzoria”, liria e tyne...
Drama e Juej Shqiptarë
të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Evropian dhe asht e domosdoshme që Evropa mos t’ Ju harrojë!
Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue për me shikue përpara. Pikëpamje kjo,
që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo
që ngjau në të kaluemen. Në të
vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu
ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë. Por, kjo liri besimi fetar
të cilën Ju, ma në fund po e shijoni,
nuk asht vetëm një dhuratë e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e Fesë,
por asht një dhuratë për të gjithë,
sëpse ajo, asht thëmeli i garancisë
për çdo shprehje tjetër të
lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të
padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe
fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.
Nga një liri e tillë, e
trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka përshka ti trembemi asnjë shrregullimi
njerzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i
bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një
Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja,
asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar
për një vllaznim human...
Shqipni, qendro në
naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Endè ka plagë të pambylluna.
E kaluemja lé të
shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti
asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës.
E madhe asht detyra që
të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdrueshëm. Në
përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’ u
garantohët puna e, ajo që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet, lé ti
bashkohët edhe vullneti për t’ a konsolidue demokracinë tuej të ré.
Kjo nuk arrihët pa çmue
si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës
njerëzore. “Një demokraci pa vlera, -kam shkrue n’ Encilklikën Centesimus
Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të
fshehtë, si po na e tregon edhe historia... ” (25 Prill 1993, Në sheshin
Skenderbeu, Tiranë).
Dhe unë, po persëris, a
duhet Europa të kujtojë në këte 25 Prill 2021.., thanjet aktuale të Shen Gjon
Palit II-:
“Historia endè nuk e
ka njohtë até që ka ngja në Shqipni... Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon
interesin e mbarë Kontinentit Evropjan!.. ”
Melbourne, 22 Prill 2021.