Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 6 Prill 1911
E marte, 06.04.2021, 08:22 PM
6 PRILL 1911
Nga
Fritz RADOVANI
Burrat
e Pavdekshem si Dedë Gjo’ Luli, kujtohen sa herë kujtojmë Shqipen me dy krena.
Edhe pse po punohet me ia këputë njenen kokë Shqipes Gjergj Kastriotit, Ajo
thotë se: “Edhe Dedë Gjo’ Luli, një kokë kishte atë ditë me 6 Prill 1911”...
Po,
Hotnjanët kur Deda ishte në Maje të Deqiçit, Deden e kujtojnë me “Dy krena...”
Kishte kohë që Deda kishte fillue lidhjet me Fretnit Shqiptarë At Mati
Prennushi dhe At Buon Gjeçaj, me të cilët pa pikë frike Ai vendosi me ngritë
Flamurin e Shqipnisë së Kastriotit...
Me
shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në
Traboin, Deçiq dhe Greçë, aty ku kishte edhe damart e zemres.
Tue
pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, ai preku me dorë gjanë ma
të çmueshme që e karakterizon Shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty
ishte burrnia, bujaria e besa!
Në
çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit
fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht
lidhë njëherit me kërthizën e tij.
Prova
ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe
binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti.
Ishin
Françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male, mbasi me ndôre të
këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin.
Ishte
besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë
atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve,
nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste:
“Çonju
burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!...”
E,
mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!
Më
24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i
tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të
pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i
vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri,
me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e Të
Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte
shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E
SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i
Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në
atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e
bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për
pesë shekuj priti këte lumni: AGIMIN E LIRISË...
Po,
po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për
këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj
kohe, fotografive etj., në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj., shkruen
edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150,
University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed
eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of
Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of
Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan
Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më
24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit
Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit
Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra,
Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.”
Me
daten 6 Prill 1911, Flamuri u ngrit nga Dedë Gjo’ Luli në Bratilë.
At
Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e Malëve mbasi atje liria pothuej nuk
ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim
i luftës së vazhdueshme të Malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të
gjithë vendin.
Asht
kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe
organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm:
“Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të
Pavarësisë Kombtare në Vlonë.
Shqiptarët
e vertetë i kujtojnë këto ngjarje, se në Hot filloi jeta e Atij Flamuri, që
nder shekuj do të valvitet i Lirë në Shqipninë e të Madhit Hero Gjergj
Kastrioti Skenderbeu.
Melbourne, 6 Prill 2021.