Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Dritarja asht e mbyllun edhe sot!
E hene, 24.05.2021, 09:00 PM
DRITARJA ASHT E MBYLLUN EDHE SOT !
Nga
Fritz RADOVANI
Këte artikull modest ia kushtoj “dajës” Pjetër!..
Ishte
viti 1946 kur Pjeter Gjini me grupin e vet antikomunist po dënohej në një
kinema në Tiranë, në piken e zhegut. Nxehtësia të merrte frymen. Pjetri kerkoi
me hapë një dritare nga “Perëndimi”, po prokurori aq desht që me i tregue se:
“Dritaret nga Perëndimi janë mbyllur pergjithnjë!..”
Dhe,
ashtu ngjau me të vertetë! Edhe sot janë ato dritare të saldueme...
Shoku
i fëminisë e ma vonë miku i em shumë i dashtun Luigj Zef Gjeka, ishte bash nipi
i Pjetër Gjinit dhe, prej Tij të gjithë na shokët z.Pjetrin e thirrnim “daja”
Pjetër! Jo se nuk e përdornim fjalën “zotni”, por dajës i pelqente ma shumë me
na njohtë për nipa të vet. Ky kjé që në ditët e para kushti i vumë prej Burrit
të ardhun nga burgu i Burrelit. Porsa pat mërrijtë në Shkoder, Luigji na çoj
fjalë se “ka ardhë daja Pjetër nga Burreli!”. Nuk vonume me shkue me pi kafen e
lirimit nga burgu. Kishim ndigjue shumë nga fragmentet e jetës së Tij, për
punësimin në radio “Tirana” para vitit 1944, për “Orën gazmore” që kishte
drejtue në atë radio, për humorin e Tij në kafe “Splendit” të vëllazënve Rasku,
por nuk dinim asgja se cili ishte Ky Burrë në burgun famkeq të Burrelit.
“Daja
lot edhe shah!..”, ishte ndër paraqitjet e para të Luigjit. Shahu ishte një
lojë shumë e dashtun për krejtë rrethin tonë shoqnor, se me atë lojë kalonim
shumë orë bashkë dhe, me pak biseda të shkurta e të kandshme... Nuk shkoi gjatë
dhe daja bleu edhe një fletore kampjonati për shahun. U mundonte që në ata
kushte të ngushta jetese të asaj familje aq mikpritëse të të ndjerit Zef Gjeka,
me na krijue knaqësi për me evitue qendrimet jashtë apo në kafe, ku rreziku për
ne ishte i madh në ato rrethana politike që ndodheshim pothuej të gjithë. Kush
ma pak e kush ma shumë, të gjithë ishim buka e një mielli.
Për
pak ditë Ai na e kuptoi edhe natyrën tonë, së cilës me shumë marifet daja ju
adaptue aq shumë sa, për pak muej Ai ishte “shok” dhe “dajë” me né. Vërtetë që
ishim shumë të rinjë, rreth 17 – 18 vjeç, por ishim “paksa” ma të moshuem se
vitët që kishim... Koha kishte ba të veten!
“Amanetin
e mban edhe toka!”, thohej dikur. Mbas pak kohe nje mik i dajës kishte mërrijtë
në Shkoder dhe i kishte sjellë me vedi “kitarronin” e ruejtun në kllef, ashtu
si ia kishte lanë amanet daja para arrestimit të vet. Ishte kjo vegel e Tija
përsonale që ruente në zgavrren e sajë të gjitha kujtimet e Pjetër Gjinit, që
nga rinia e Tij. Ajo ishte kapitali i jetës së Tij...
Mbas
pak muejsh, erdhi nata e vitit të ri 1959. Ardhja e dajës atë vit na ftonte me
e kalue atë natë tek Luigji. Aty u mblodhëm të gjithë shokët dhe të gjithë
familjet që banonin në shtëpinë e Gjon Çobës me qera. I kaluem të tridhetë
vetët dhe dhoma kishte vend për me kërcye, me bisedue dhe tepronte edhe një
rryp ku, nuk u afronim se rrezikonim shembjen e murit anësor...Kur filloi me
dalë drita e datës 1 janar 1959, daja Pjeter na urdhnoi me vue batanija ndër
dritare, për me vazhdue mbramjen me bejtat e Tija që nuk shterrnin për asnjë
çast.
U
ndamë dikur tue i urue njenitjetrit: “U mbajtë mend kjo natë!..”. Ashtu ndodhi.
Ajo natë u pësërit edhe vitët tjera, por edhe gjatë vitit për karrnivale e
festa tjera të paharrueshme. Duhet thanë një fakt se shpejtë këto mbramje na
miqësuen edhe me komshinjtë e asaj shtëpi, sa edhe sot jemi miq me ato familje
të nderueme, ku pleqtë ishin në moshat tona sot, por e tham me bindje se,
asnjeni nuk kishte as ma të voglen ndrojtje me folë e me bisedue pa as ma të
voglen frikë me nè, mbasi shpesh edhe kalohej caku politik... Ishim pothuej, të
gjithë me një biografi njeni ma të bukur se tjetri, tue fillue prej organizatorit,
dajës Pjetër.
Daja
fliste pak për burgun e mnershëm që kishte kalue. Një natë sesi mu dha me e
pyet: “A kishte çaste gëzimi për Ju që kalojshi vite e vite në atë vend?...” –
Ai mu përgjigjë shumë shpejtë “po!”, por një po të plotë dhe jo me më ba qejfin
mue. Filloi e shpjegoi sesi njëditë kishin mbledhë policët 34 vetë nga dhomat e
burgut dhe i kishin rrasë në një dhomë të gjithë bashkë. Rrinin vetëm në kambë.
Për mue, thonte daja se nuk ishte shumë e vështirë, mbasi unë dhe Baltasar
Benussi që ishin të çalaman, kur u lodhnim në një kambë e ndrronim me kambën
tjetër... Edhe aty gjeti vendin me qeshë. Një përson flente dy orë përtokë në
dysheme çimentoje dhe mbas dy orësh ndrrohej me një përson tjetër të këputun
nga gjumi. Në një qoshe kryheshin nevojët përsonale...Enët e ndyta nxireshin
jashta dhome vetëm njëherë në 24 orë. Hanim bukë të thatë të racionueme dhe
pinim tri herë në ditë një safë ujë të qelbun Burreli...Ky ujë shpesh edhe
harxhohej kur ndonjenit i binte të fikët nga mungesa e ajrit ose lodhja e
pagjumsisë. Po çasti i gëzimit ku ishte, mund të pyes dikush? Po, në atë dhomë
ishin grumbullue të gjithë politikanët e Shqipnisë së para 1944, ambasadorët që
kishin shetitë në të gjitha vendët e Botës e avoketnit që ishin të burgosun.
Ndër tre muej në atë “dhomë” kam ndigjue barceleta e ngjarje humori nga të
gjitha skutat ma të paimagjinueshme të skajeve të gjithë globit,sejcili mund të
shpjegonte vetëm ngjarje të gëzueshme, ishte e ndalueme rreptësisht me folë aty
për ngjarje të mjerueshme apo të trishtueshme nga ato vende, për mos me ra në
pesimizëm...Kjo kohë tre mujore asht kenë koha ma e gjatë e ma e lumtun e
gjithë jetës seme, e përfundonte bisedën daja Pjetër... (Vazhdon Pjesa e dytë).
Melbourne, 23 Maji 2021.