Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Optimizmi ishte i tij!
E merkure, 26.05.2021, 09:32 PM
OPTIMIZMI ISHTE I TIJ !
Nga
Fritz RADOVANI: Pjesa e II.
Një ditë na shpjegoi një
ngjarje të ndodhun në një nga dhomat e burgut Burrelit, aty nga viti 1954, me
dy të burgosun gjerman të luftës, njeni kapiten i I “SS” dhe, tjetri toger
“SS”. Ata flisnin gjuhën shqipe me nëndialektin e Dukagjinit, mbasi atje kishin
shërbye disa kohë. Nuk trazonin asnjë të burgosun edhe pse ndonjeni mund ti
randonte me fjalë. Nuk pranonin asnjë dhuratë përveç cigarës dhe, në raste
ngushllimi për vdekje pranonin me pi një kafe. Nuk mund të kuptonte njeriu ndër
fëtyrat e tyne asnjë shenjë merzije nga humbja ndoshta e përjetëshme në Shqipni
dhe, aq ma shumë nga moslidhja prej 9 vjetësh me familjet e tyne. I vetmi njeri
që komunikonin me té ishte Bajraktari i Dukagjinit, që ngryste vitët e fundit
të pleqnisë në atë burg i dënuem përjetë. Kur gratë e familjes i vinin
Bajraktarit (se Burrat i ishin vra të gjithë nga komunistët), ato i sillnin
duhan të mjaftueshëm për llullën e Tij, që nuk shuhej kurr, vetëm kur flente
dhe, Ai Burrë, dy grushta ua jepte dy gjermanve. Ruente miqësinë me ta që në
kohën e luftës, madje edhe kishte deklarue në gjyq se i njihtë dhe se asnjeni
nuk kanë shprazë një pushkë ndër banorët dukagjinas. Kur prokurori e kishte
pyet po kundër komunistëve a kanë shti? – Bajraktari asht përgjegjë, nuk e
di!.. Prokurori e ka pyet prap se pse nuk e di ti nëse kanë shti apo jo kundër
komunistëve?.. Bajraktari i asht përgjegjë: “Nuk kam ku me e ditë se në
Dukagjin nuk kemi pasë asnjë komunist derisa unë kam ra në burg!”.
Kjo i kishte lidhë edhe ma
shumë, ndonse të dy ishin dënue si “kriminelë të luftës”, kapiteni 25 vjet dhe
togeri 20 vjetë heqje lirije.
Një diversant i ramë ato ditë
të vitit 1954, dhe i kapun nga forcat e sigurimit, ju kishte tregue se në
Gjermani Demokratike, tashti mbas vdekjes së Stalinit, ka pasë demostrata...
Të dy gjermanët kishin ndryshue
pamje, dukeshin disi ma ndryshej, tregonte daja Pjetër, daja madje, kishte
qeshë me ta, tue i thanë: “Nuk e keni mësue mirë gjuhën shqipe, atje ku keni
kenë ju dy, fshatarët thonë: Sa asht fryma asht uzdaja (shpresa)!..”. Mbas pak
ditësh të ardhjes së këtij lajmi nga diversanti, një natë kah e vona, të dy gjermanët
i kishin kërkue policit një letër dhe lapsë. Ishin ulë në dyshekun e tyne dhe
krye në krye kishin shkrue atë letër, që heret në mengjes e kanë dorzue tek
polici i dhomës. Askush nuk dinte asgja rreth
përmbajtjes së asaj letrës së tyne.
Mbas pesë gjashtë javësh, një
polic në mengjez i njofton të dy gjermanët, se në ora 10 duhët me kenë të
veshun, të rrumë dhe të pastër. Filloi diskutimi dhe hamendjet, por gjithmonë
për mirë mbasi për të keqe nuk të lajmëronin por, të merrnin si shtatëqind
dreqen pa ditë njeri i gjallë ku perfundojshe. Erdhi ora 10, i mori polici dhe
mbas 15 minutash të dy u këthyen. Filluen me qeshë. Treguen: “Na njoftoj një
nëpunës i Ambasadës së R.D. Gjermane, se Presidenti e ka marrë letrën Tuej. Kaq
për njoftim dhe iku.”.
Pa kalue as dy muej, në një
mbasdreke, drejtori i burgut i thrret të dy dhe i kërkon mendim: “A doni me ikë
sande apo nesër, se do të vijë ambasadori gjerman me ju marrë. Pjesën tjetër të
dënimit do ta kryeni në Republikën Demokratike Gjermane?” Të dy kishin kërkue
atënatë me fjetë në burg me shokët e dhomës së 9 vjetve. Një gëzim i madh për
të gjithë. Askush nuk kishte mbyllë sy atënatë tue pi kafe e tue ndrrue cigare
ndoshta, per të fundit herë...
Në një kohë kapiteni gjerman ka
lanë një porosi: “Kini kujdes, këtu ka politikan dhe Burra të mendshëm, por
dinje një gja që asnjë nga këta Burra nuk e di. Komunistët për 50 vjet do ta
mbajnë pushtetin, se kështu asht vëndosë nga Aleatët në Jalta. Edhe nëse ju do
të keni shëndetin e delni, ruenju mos me ra prap në burg sesa, t’ju dënojnë do
ti bani kokërr në kokërr. Këte porosi jepjani edhe fëmijve të tuej. Mos pritni
as ma të voglen mëshirë nga këta. E keqja ma e madhe ka me kenë mbas 50 vjetve,
kur trashigimtarët tuej do të sundohën nga fëmijët e këtyne kriminelave, mbasi
pushtetin këta nuk e dorzojnë pa dhunë, ashtu si e morën kur ua dhurune!”
Të nesërmen ora 11.00 paradite
janë përshëndetë me të gjithë dhe janë largue përgjithmonë nga burgu i Burrelit.
Pak ditë mbas vitit të ri 1955,
kanë mërrijtë dy kartolina: “Mos harroni miq të dashtun: Sa asht fryma asht
uzdaja!”...nga kapiteni me banim tashti në Këln, ndërsa togeri me banim në
Drezden, të dy pranë familjeve të veta të riatdhesueme mbas sa vitësh nga
Siberia.
Ky tregim i dajës Pjetër ishte
një leksion i plotë universitar për gjithë jetën... Porosia e dajës lidhej me
shpresen po jo me budallallekun.
Ishte viti 1959... Gjithë
Shqipnia ishte çue në kambë per me pritë udhëheqsin e kampit komunist Nikita
Hrushovin... Ndersa sigurimi i shtetit punonte edhe naten... Një muej perpara
daja Pjeter kishte shkue me ble buken. Sa ka hy me strajca të rruga e Kafes së
Madhe ka ndigjue një za: Pjeter, Pjeter, dhe asht kthye: I asht afrue shefi i
sigurimit Hilmi Seiti dhe i ka thanë: “Nuk dua të shoh as në Kafe të Madhe as,
në rrugë per një muaj, degjove?... Dhe ka ikë në punen e vet. Edhe daja Pjeter
ka shkue në shtëpi e asht ndrye mbrendë...
Qeshej, sa keq, më duket se po
mes pa e pa Hrushovin?!..
Në vitin 1988, pikërisht në
kryqzim të Perashit, aty e takova dajën me biçikletë perdore si gjithmonë. U
përshëndetëm dhe ndrrueme pak bisedë, ku, unë i kujtova atë “porosinë” e
dikurshme. Po, më tha, po kam frikë se po e kalojnë stafetën në duert e
trashigimtarve të vet, mbasi orta e jonë nuk ka intelektual të pregatitun tash
50 vjet për me drejtue Shtetin Shqiptar në rrugë demokratike... Jam optimist,
më tha, se me ramjen e Murit Berlinit e bashkimin e Gjermanisë, besoj se mori
fund njëherë e përgjithmonë ai dreq traktatit i Jaltës. E bashkë me ate don
Zoti, po ha dreqi edhe ate të Varshavës, mbasi edhe komunizmit i erdhi fundi,
ndonse né na xuni të plakun... Le të shpetojnë rinia... Me gjithate, ma mirë
vonë se kurr!
Unë e pyeta se nuk e dij as sot
sesi mu dha, i cilës datlindje jè ti dajë? – Ai mu përgjegjë, i vitit 1908!
Fillova me qeshë dhe u afrova
afer: Edhe asnjëherë nuk ke diftue se ti paske pasë datlindjen me shokun
Enver!..
Ai qeshi e atypëraty, e më tha:
“Po, por me një ndryshim, se ai ka shkue.... n’ate të s’amës, (po nuk mund ta
shkruej si e tha daja)... E, unë jam këtu shyqyr, tue i pa si po e ha dreqi
komunizmin e tij!..”
Nuk mund ti harroj kurr fjalët
e të Ndjerit Ndoc Naraçi, bashkvuejtes në burgun e Burrelit, ish minister i
telekomunikacionit para vitit 1944, tue u kthye mbas funeralit të dajës Pjetër,
u ndalue për një çast dhe, i zhytun në merzi më tha: “Asnjëherë nuk ka me ju
ditë vlera e fjalës Këtij Burri që humbi Shkodra sot! Rinia shqiptare duhet me
kenë mirënjohse e madhe ndaj Tij. Se sa vlerë kishte fjala e Tij e dëshmonë ajo
brezni që ishte ndër burgje e vuejtje me Té në Burrel, ku sa e sa vetë kanë shpetue
nga vetvrasja e ramja në telat rrethues të burgut nga mërzia e dishprimi prej
jetës nder kthetra të siguriit.”
Ishte po, Ky Burrë, që me gaz e
optimizëm i ngrinte nalt moralin tue i ringjallë në zemër shpresën, shpresën
për ditë ma të mira që do të vijnë, pikërisht, atëherë, kur as në horizont nuk
shihej asnjë shenjë shpetimi se jo ma shprese apo lirije.
Duhet t’jeni Optimista,
jeni të rij. Optimizmin mendoni, ai asht jeta!
Optimizmi ishte gjithmonë porosia e të
Madhit Pjetër Gjini!
Këta pak rreshta në shenjë
nderimi per të paharrueshmin Pjeter Gjini. Shkodres shokët e Tij do ti mungojnë
pergjithmonë!
Gjithnjë e kujtoj thanjen e
Burrave të vjeter per Dajen Pjeter:
“Sot Shqipnia ka humbë një nder
Njerzit ma të mëdhaj të Saj...”
Kujtimi i Tij kjoftë i Perjetshem!
Melbourne, 26 Maji 2021.