Mendime » Radovani
Fritz Radovani: At Meshkalla - Art e moralitet
E merkure, 14.07.2021, 09:00 PM
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e XXVII.)
Për
me mbërrijtë sadopak e me kuptue se kush ishte Pader Mëshkalla në art, mjafton
me lexue një artikull të Tij që kishte titullin: “Art e moralitet”, botue në
gazetën e përdyjavëshme “Tomorri i vogël”, në Tiranë, me 15 gusht 1942.
Artikullin e përfundon kështu: “Kush mbjellë erë, korrë stuhi, thotë një
proverb i huej!”. Ai që e lexon tashti atë artikull asht zor me e kuptue se
Pader Mëshkalla artikullin nuk e ka shkrue sot.
Nuk
fliste kurrë gjatë për kohën e shkueme. Piksynimi ishte tek e ardhmja. Parashikimi
i saktë për kohën që vjen asht veti e figurave të mëdha, pikërisht ajo që sot
na e quejmë aktualitet e që gjithmonë asht thirrë: “Pavdeksi”.
ART’ E
MORALITET
Arti
nuk bazohet (identifikohët) me moralitet, as nuk mjafton me kenë njeri i
ndershëm, për me kenë artist.
Nuk
mund të gjykohët vlera e bukurisë me kritere të një rendi tjetër, as nuk mund
t’i rëzervohët nënshtetësia vetëm atij frymëzimi, që vehët në sherbim të një
ideali jashta artit.
Nuk
mjafton për shembull që romani, drama, vjerrsha, të kenë një përmbajtje
patriotike, për me u quejtun vepra arti.
Një
atdhetar i mirë, mundët me kenë një shkrimtar i keq: si, dhe, një moralist i
mirë, mundët me kenë një stilist i keq.
Arti
për me kenë art duhët me kenë ma sëpari, shprehje e gjallë e bukurisë. Në këte
vështrim (pozitiv dhe jo eskluziv), mund të pranohët teoria “art për art”.
Megjithkëte, arti, simbas natyrës së vet, nuk gëzon një pavarësi absolute prej
çdo ligje jashtë-artistike, nuk asht amoral.
Po
të ishte prodhimi artistik vetëm një tubë shkëndijash të lëshueme prej zhenive
të vetmuem në hapsinat e vetmueme ndoshta, nuk do të kishte pasë nevojë për
termometrin e ligjit moral. Por, në fakt arti jep e merr gjithshka prej
shoqnisë njerëzore, e cila, natyrisht mbështetët mbi bazat e këtij ligji moral
prandej, nuk ka art të vërtetë që ai me kenë në kundërshtim me ligjin e natyrës
dhe pa një përmbajtje (mbrendsi) morale.
I
famëshmi profesor i letërsisë në Universitetin e Napolit, Fr. D. Ovidio, edhe pse
pranon teorinë “art për art”, e shpjegon teorinë e vet pa rezerva kur
shkruente: “Nuk do me thanë se gjykimi mbi një vepër arti do të jetë
ekskluzivisht estetik.
Nuk
duhët përzi elementi i thjeshtë estetik me elementët tjerë por, as nuk do të
qendrohët indiferent ose kryelartë, përballë këtyne elementëve të tjerë. Arti
nuk zhvillohët (JETON) jashtë botës por, asht i lidhun me të gjitha lëvizjet
tjera njerëzore, me të gjitha manifestimet (shfaqjet) e tjera të jetës shoqnore
madje, edhe me një njeri të vetëm. Aftësia artistike nuk asht një cilësi krejtë
e veçueme, por asht e gërshetueme me cilësi të tjera të shpirtit”.
B.Croce,
teoricien italian i estetikës në ditët tona shkruen: “Moralisti, me plot të
drejtë kritikon disa vepra që esteti kërkon ti miratojë. Porse, arti në kulm,
sikurse i afrohët përkryemjës (përsosjes), ashtu edhe i afrohet së mirës; dhe
përçamja ndërmjet moralit e estetikës, vërtetohët vetëm në veprat që rradhitën
ndër shkallët ma të ulta në hjerarkinë e bukurisë”. Dhe, prap në një vend tjetër
thotë: “Në kjoftëse, arti gjindët përtej kufinit të moralit, artisti “si njeri”
nuk asht as përtej, as këndej por, nën sundimin e tij dhe nuk mund t’i shmangët
detyrave si njeri”.
Kur
vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të larta njerëzore, jo
vetëm shumëfishohët ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrimjes së
idealeve të larta morale, me ata thjeshtë estetike) por, edhe artisti vetë
fuqizohët në cilësitë artistike që ka prej natyre.
Në
kundërshtim të haptë me këta parime asht ajo rrymë gati e përgjithëshme, e cila
mbron teorinë e emancipimit të plotë të aktivitetit artistik prej moralit. Kjo
rrymë prej lartësive të kthjellta, pak nga pak e ka ulë artin me i sherbye
spekulimeve tregtare mbi andjet e turmave, me prodhime të ashtuquejtuna
“artistike”. Prej shkëputjes nga ligjët
morale, sot triumfon gjanë e gjatë dhe e patrazueme ndër të gjitha degët e
lamit artistik, paraqitja sistematike pornografike-seksuale.
Bukë
e përditëshme asht ngallnjimi (triumfi) i shkeljes së kunorës, mbështetun mbi
evolucionizmin dhe determinizmin fatal Ibseman e Zolian. Shija e shndoshtë e
bukurisë mbetët shumë e shtypun nën peshën e épshit dhe, kërkohët me u
zëvendsue me drogat e impresionizmave të errta të sensacioneve violente të
grushtave mahnitës.
Shtrembnimi
(prishja, turbullimi) i ndjesive dhe i karakterit të turmave, i frynë vetë
zjarrit që ka ndezun në to propaganda e pandërgjegjëshme. Të gjitha klasat
shoqnore edhe ma të pazhvilluemet, i kërkojnë sot artit sorogate (mjete fitimi
falso) të lehta.
Ndër
shfaqjët e filmave të dinamizueme (fuqizueme) prej sonoritetit, në vërshimin e
romaneve, revistave të ilustrueme etj., turmat gjejnë një mjet dëfrimi shumë
ekonomik e të përdorshëm.
Çka
mund të mendohët ma e tërbueme ose e bastardhueme, ma kriminale ose ma
gjaksore, pranohët, shfaqët e përhapët prej këtij pseudo-arti, tue nxitë e
ndezë dëshira të shfrenueme, sidomos ndër zemra që porsa kanë fillue me bulue,
tue polarizue vëmendjen e tyne kah objektët seksuale.
Kjo
ndodhë sepse mosha e ré asht ajo që e
ndjen shumë ma të fuqishme tërheqjen dhe shijen kah bukuria, ajo asht préja ma
e afërta e këtyne pusive.
Bukuria
dhe dashnia janë dhe kanë me kenë gjithmonë, gurra e pashterrshme e frymzimit
artistik. Por, frymzimi mundët me kenë bujar ose shtazor; i njajti objekt
mundët me kenë edukues për një mendje të pjekun dhe shkrumues apo shpartallues,
për një zemër të njomë, për një mendje të pandritun ende.
Kjo
asht afër mendësh. Dhe, për me e prue edhe ma afër mendësh këte të vërtetë unë
pyes përgjegjësit (prodhuesa, lejuesa ose reklamuesa) e propagandës së artit
amoral (e imoral): A kishit me pranue ju, që fëmijët tuej e mbarë familja e
juej me zbatue parimet që proklamohen e poshtersitë që përshkruhën e zhvillohën
para syve të tyne ditë për ditë, ndër libra, revista, ilustrime, piktura,
filma, etj.?!..
Porse,
ta pranoni o mos ta pranoni, ata kur ta kenë mësue rrugën njëherë, kurrë
kurrgja ma nuk i ndalë!
Frytet
shihën por asht kot me kja!..
Kush
mbjellë érë, korrë stuhi thotë një proverb
i huaj!
Marrë nga gazeta e
përdyjavëshme “TOMORRI I VOGËL”
Tiranë, 15 gusht 1942.
Shenim nga F. Radovani:
“Kur
vepra artistike merr gjallni prej frymës së idealeve ma të nalta njerëzore, jo
vetëm shumfishohet ndikimi i saj mbi lexuesa apo shikuesa, (prej shkrimjes së
idealeve të nalta morale me ato thjeshtë estetike), por edhe artisti vetë
fuqizohet në cilsitë artistike që ka prej natyre.”
Sejcili
Shqiptar le të pyesin veten: Po sot, a mund të pranohet “rilindja” e realizmit
socialist me pasojat e tij amorale, antikulturore e antiartistike?
Po,
per Ata shkrimtarë e artistë që u varen dhe u pushkatuene, kush guxon sot me ua
dhanë “pafajsinë” vrasësve të tyne barbar’ e terrorista?!
Melbourne, 13 Korrik
2021.