Mendime » Radovani
Fritz Radovani: ‘’Ndergjegja, e verteta dhe e mira’’
E hene, 01.11.2021, 07:11 PM
Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XLVIII)
“NDERGJEGJA, E VERTETA
DHE E MIRA...”
Në rreshtin e fundit të letres që i dergoi kryeministrit Pader Mëshkalla, shkruen: “Nuk me ka shty
me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi por vetëm
ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” Asht e vështirë me pranue se lexuesi të cilit
i drejtohët letra ka mujtë me kuptue se Pader Mëshkalla, me këto pak fjalë, ka
thanë një të vërtetë aq të madhe, që nuk mund të kuptohet nga diktatorët,
tiranët a terroristët, të cilëve u drejtohej letra. Ata lloj diktatorësh që
kishte mbi kokë Populli Shqiptar, nuk mund të dijnë me kuptue asnjëherë se
çdo vërejtje që bahet nga një njeri nuk ka qellim kryesor urrejtje, ambicion
apo interes kundrejt tyne, e sidomos nga një kundërshtar i tyne, sepse të
gjitha këto kushte janë ideja, mendimi e vepra e tyne, që gjithmonë tek ata
janë te lidhuna me krimin e organizuem, sepse, vetëm ashtu ata mendojnë se
sigurojnë pushtetin personal të “plotfuqishëm e të përjetshëm” dhe, pa
asnjë kufizim moral apo njerzor, ashtu siç ishte sistemi totalitar komunist në
Shqipni, që kërkonte me çdo mënyrë përjashtimin e Zotit nga historia. Pikërisht
aty ku asht urrejtja, ambicioni, interesi, aty asht egoizmi. Ku asht
egoizmi, asht kriza shpirtnore. Kriza shpirtnore asht pjesë e pandame e jetës
dhe veprës së diktatorëve, tiranëve vrastarë dhe terroristëve të popullit, si
dhe shërbëtorëve të tyne.
Për ata monstra, fjalët e Pader Mëshkallës: “...vetëm ndërgjegja, e
vërteta dhe e mira.”, as nuk ekzistojnë, janë jashtë botkuptimit të
tyne, dhe jo vetëm ata nuk dijnë me i shpjegue, po as nuk dijnë me i kuptue.
Ata nuk veprojnë me ndërgjegje asnjëherë, sepse vetë ky “Revolucion
Kultural”, zhvillohet nga “një pakicë e pandërgjegjeshme”. E vërteta dhe
e mira janë prap dy cilësi që nuk mund të bashkjetojnë me gënjeshtrën dhe të
keqën, me hipokrizinë dhe servilizmin, me torturën dhe vrasjen e kundërshtarit
tyne të pafajshem.
Ndersa, ajo që asht edhe ma keq në këta raste, asht inferioriteti moral,
edukativ dhe kulturor i një klase pseudointelektuale e terroriste të pashpirtë,
kundrejt dijetarëve që kanë vu themelët e kulturës së një shteti
përparimtar, dhe që nuk munden me kenë kurrë trathtarë të
Atdheut, sepse pabesia dhe trathtia ndaj Popullit dhe Atdheut, janë
themelët mbi të cilat asht i ndërtuem sistemi totalitar komunist. Te trija këto
cilësi: Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira, shkatrrohen dhe
shpartallohen në mënyren ma mizore, kur
“Një popull asht i lidhun për kafshatën e bukës.” Pra, kur
një popull jeton në kushtet e një kafshës së lidhun tek huni i grazhdit të barit të thatë, e do të pijë ujë vetëm kur
“kujtohët” diktatori, ndryshej, po kërkoj me zgjidhë litarin, e pret vuejtja,
mjerimi e plumbi.
Kjo e vetem kjo, ishte jeta “e lumtur” e Popullit tonë!
“Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”, janë e drejta,
pikërisht, ajo që mungon gjithmonë aty ku mungon Zoti. e në
sistemin komunist asht e padiskutueshme mungesa e Zotit.
Anasjelltas, ku mungon Zoti mungon e drejta. Kjo asht edhe një ndër
arësyet që ky sistem nuk pranon të drejtën e kritikës ndaj së
keqës, që asht pjesë e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Pader Mëshkalla asht i vetdijshëm se tek komunistet jo vetem mungon e
drejta, po aty mungon edhe dashnia e vllaznimi, e tue mungue të
gjitha këto, shpejt do të mungojë edhe uniteti kombëtar, që asht
përfundimi ose shkatrrimi i pashmangshëm i Atdheut. Mosnjohja e këtyne vityteve
shpirtnore asht shkatrruesi i kushedi sa kombeve e shteteve që sot kanë humb
gjithshka, e jo larg kësaj katastrofe asht sot edhe shteti Shqiptar.
Në sistemin komunist “kafshata e bukës”, asht
kenë dhe vazhdon me kenë piksynimi i diktatorëve barbar e shpartallues të
virtyteve kombtare, të ruejtuna në gjak dhe në shpirt persa shekuj tue
sakrifikue edhe jeten.
Pikrisht këta virtyte naltësuen figurat e pavdekshme të
Shqiptarve Gjergj Kastrioti-Skenderbe’ e Nanë Tereza.
Melbourne,
1 Nandor 2021.