E enjte, 10.10.2024, 02:39 PM (GMT+1)

Mendime

Adil Fetahu: 'Libri i kaltër' tentativë për tkurrjën e autonomisë së krahinave

E diele, 12.12.2021, 09:48 PM


“LIBRI I KALTËR” TENTATIVË PËR TKURRJËN E AUTONOMISË SË KRAHINAVE

Shkruan: Adil FETAHU

Pozita  kushtetuese-juridike e Kosovës në ish-Jugollavi

Krahinat autonome (Kosova dhe Vojvodina)  që ishin  në ish-Jugosllavi, në periudhën 1945 deri më 1992, kanë pësuar ndryshime në statusin dhe pozitën e tyre kushtetuese-juridike, të përcaktuar me kushtetutat e Jugosllavisë dhe të Serbisë: me Kushtetutën e RDFJ (1946), me Ligjin Kushtetutes të RFPJ (1953), me Kushtetutën e RSFJ (1963), me Amandamentet  në Kushtetutën e RSFJ të vitit 1963, të miratuara në vitin 1967, 1968 e 1971, dhe me Kushtetutën e RSFJ (1974), me Kushtetutën e RSFJ (1988), dhe me Kushtetutën e RS të Serbisë (1989). Kushtetutën e të ashtuquajturës Republika Federale e Jugollavisë (Serbi + Mali Zi), të vitit 1992, nuk ia vlenë ta përmendim, sepse sipas saj Kosova i kishte humbur të gjitha atributet e autonomies, dhe sepse Kosova e kishte miratuar Kushtetutën e vet më 7.09.1990, me të cilën ishte proklamuar Kosova shtet i pavarur, anëtare e bashkësisë së Jugosllavisë, varësisht nga përcaktimi se do të jetë federatë apo konfederatë.

Statusi dhe pozita kushtetuese e Kosovës ka oscilua prej një kushtetute në tjetrën. Sipas Kushtetutës së RFDJ (1946), Kosova kishte statusin e provincës autonome, që ishte një shkallë më e ulët e autonomisë, sesa Vojvodina e cila kishte status të krahinës autonome. Dallimi qëndonte në përfaqësimin e Kosovës në organet e republikës së Serbisë dhe në ato të Federatën jugosllave.  Në Dhomën e Kombeve të Kuvendit Federativ, republikat kishin nga 30 përfaqësues, krahina (Vojvodina) 20, ndërsa provinca (Kosova) 15 Organi më i lartë i krahinës (Vojvodinës) ishte kuvendi popullor i krahinës, ndërsa organi më i lartë i provincës (Kosovës) ishte këshilli popullor i provincës autonome. Akti më i lartë juridik i autonomive ishin statutet, në të cilat e jepte pëlqimin kuvendi i republikës  (Serbisë).

Ndonjë përmirësim i statusit të Kosovës nuk u bë as me Ligjin Kushtetues të vitit 1953, që kishte një emërtim të gjatë: Ligji kushtetues mbi rregullimin shoqëror dhe politik të Republikës Federative Popullore tëJugosllavisë dhe të Organeve të Pushtetit Federativ.

As Kushtetuta e RSFJ, e vitit 1963, nuk e përmirësoi  pozitën Kosovës, përveç asaj që e barazoi me Krahinën Autonome të Vojvodinës, por që të dy kahinat ishin këmbë e krye të lidhura e të gozhduara në Republikën e Serbisë. Nuk përfaqësonin kurrëfar elementi të Federatës. Në dispozitën e nenit 2 të Kushtetutës, përmendën vetëm gjashtë republikat të cilat e përbënin Jugosllavinë, Delegacionet e krahinave (nga 5 delegatë) të cilat i dërgonin në Kuvendin Federativ, ishin delegacione të Republikës së Serbisë, të zgjedhura në kuvendet e krahinave. Në nenin 111 par.3, ishte përcaktuar se: Në Repubikën Socialiste të Serbisë ekzistojnë krahina autonome e Vojvodinës dhe e Kosovë-Metohisë, të cilat janë themeluar në vitin 1945 me vendim të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Serbisë, në bazë të vullnetit të shprehur të popullsive të atyre rajoneve (sic).

Natyrisht se me pozizën e tillë të Kosovës shqiptarët nuk mund të ishin pajtuar, por duhet pasur parasysh regjimin diktatorial të Serbisë dhe Jugosllavisë në kohën e persekutimeve që bënte OZNa/UDBa, e kryesuar nga A.Rankoviqi, prandaj kuadrot e pakta shqiptare të asaj kohe nuk kanë mund të bëjnë asgjë më tepër. Pas rënies së Rankoviqit (korrik 1966), kur shqiptarët mund të “merrnin frymë” më lirisht, u shfaqën paknaqësitë me pozitën kushtetuese dhe statusin e Kosovës e të shqiptarëve në Jugollavisi dhe u artikuluan kërkesa për ndryshime e përmirësime. Kërkohej statusi i republikës për Kosovën dhe të drejta të plota për shqiptarët në republikat e tjera.  Edhe republikat tjera, Kroacia e Sllovenia kërkonin ndryshime në drejtim të decentralizimit të pushtetit federativ,  që ishte i dominuar nga Republika e Serbisë, me përkrahjen e Malit të Zi, Maqedonisë e her-herë edhe të Bosnje-Hercegovinës. varësisht se cilat kuadra ishin në udhëheqjene asaj republike.

Reforma dhe amandamentet kushtetuese

Gjashtë  amandamentet e para (I – VI) në Kushtetutën e Jugosllavisë, të vitit 1963, u  miratuan në Kuvendin Federativ më 26 prill 1967. Ato amandamente kishin të bënin kryesisht me  përbërjen dhe autorizimet e organeve federative.

Amandamentet që përmirësuan  dukshëm pozitën kushtetuese-juridike të krahinave autonome ishin ato të vitit 1968 e 1971, e pastaj Kushtetuta e RSFJ (1974). Me kushtetutën e RSFJ (1974), Kosova fitoi statusin e subjektit konstiuiv të Federatës. Ndonëse nuk ishte e barabartë me njësitë e tjera (6 republikat), të cilat e kishin statusin e shtetit,si njësi në Federatën jugosllave, megjithatë, në territorin e vet edhe Kosova i kishte të gjitha elementet e shtetësisë: organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, tërë organizimin e njëjtë sikur republikat, dhe ishte e përfaqësuar drejtpërdrejt në të gjitha organet, organizatat dhe strukturat politike dhe shtetërore të Federatës: në Kryesi, në Kuvend, në Këshillin Ekzekutiv Federativ, në Gjykatën Kushtetutese e në Gjykatën dhe Prokurorinë Federative,  me numër më të vogël përfaqësuesish se sa që kishin republikat, por me efekt të njëjtë të votës paralizuese (aty ku vendimet merreshin me consensus, me pëlqimin e delegacioneve apo të kuvendeve të të gjitha republikave dhe krahinave). Tashmë  Kosova kishte kushtetutën e vet (1974) si akt më i lartë juridik, Gjykatën Kushtetuese, Kryesinë e Krahinës.  Me qenë se ishte në kuadër të Republikës së Serbisë, kishte përfaqësuesit e vet edhe në organet dhe strukturat e asaj republike, ndërsa Serbia nuk kishte përfaqsues të saj në organet as strukturat tjera të Kosovës. Për të arritur atë pozitë, është dashur shumë angazhim, punë politike e profesionale të kuadrove të atëhershme, por edhe sakrifica dhe gjak në protestat dhe demonstratat e vitit 1968. Kërkesat e Kosovës të paraqitura në procesin e diskutimit për amandamentet i përkrahnin kuadrot e Republikës së Kroacisë. Funksionari i lartë i asaj Republike, Mika Tripallo, haptas përkrahte kërkesën për Kosovën republikë.

Se si ka ardhur deri te miratimi i atyre amandamenteve dhe asaj kushtetute, këtu nuk do të zgjatemi, sepse fjalën e kemi për “Librin e Kaltër” (të Kryesisë së Serbisë), që synonte revidimin e Kushtetutës së vitit 1974 dhe kthimin e krahinave atonome vetëm në kuadër të Serbisë, pa status as elemente përbërëse të federatës dhe pa asnjë element  të shtetësisë.

Libri i kaltërt  ishte tendencë për këthim prapa

Edhe në procesin e reformave dhe miratimit të amandamenteve (1968 e 1971) dhe gjatë procesit të miratimit të Kushtetutës së RSFJ-së (1974), udhëheqja politike dhe shtetërore e Serbisë, të prirur nga politika hegjemoniste serbomadhe, me këmbëgulje ishin kundër atyre ndryshimeve, sidomos kundër avancimit të pozitës së krahinave që ishin në përbërje të saj.  Mirëpo, me qenë se Jugosllavia ishte shtet njëpartiak, e udhëhequr nga LKJ, vetëm disiplina partiake dhe autoriteti i pakontestueshëm i Titos, që ishte kryetar i Partisë dhe i shtetit, ka ndikuar që të arrihet miratimi i amandamenteve dhe i Kushtetutës. Miratimi i tyre shkaktoi edhe përçarje në radhët e udhëheqësve të Serbisë, të ciët u ndanë në dy grupe: njëni grup që ishte kundër reformës dhe tjetri që përkrahte reformën, ndoshta jo nga bindjet e veta, por në bazë të disiplinës partiake. Kundër amandamenteve dhe kushtetutës, ndër të tjerë ishin udhëheqësit më të lartë të Serbisë: Dragosllav Markoviq, Petar dhe Ivan Stambolliq, Dushan Çkrebiq, Gjorgje Llaziq, etj. Në përkrahje të ndryshimeve ishin Millosh Miniq, Mirko Popoviq, Zhivan Vasileviq, Momçillo Dugaliq. Dragosllav Markoviq, që ishte kryetar i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit Kushtetues në kohën e miratimit të amandamenteve, edhepse ishte kundër tyre, me disiplinë partiake u detyrua të jepte miratimin në Kuvend.

Kushtetuta e RSFJ, me përfshirjen e amandamenteve të  viteve 1968 dhe 1971, u miratua më 19 shkurt 1974. Të pakënaqur me avancimin e pozitës kushtetuese të krahinave autonome, qysh në dhjetor të atij viti, në Komitetin Qendror të LK të Serbisë u debatua për pozitën kushtetuese të Serbisë, kurse më 16 janar1975, Kryesia e RS të Serbisë  pas një debati  dhe vlerësimi për mosfunksionimin e Serbisë si tërësi dhe si shtet i popullit serb, caktoi një grup punues të ekspertëve, për të hartuar një matreial (analizë me konkluzione e sugjerime)  mbi statusin dhe problemet e funksionimit të Serbisë. Në atë grup punues u caktuan ekspertë të së drejtës kushtetuese: Najdan Pashiq, Radosllav Ratkoviq-Era, Velko Markoviq, Miodrag Zeçeviq, Nikolla Staniq, etj. Nuk është e vërtetë ajo kanë pohuar dhe shkruar disa autorë shqiptarë, madje edhe në Wikipedia  shkruan, se “librin e kaltër” e ka përgatitur Akademia e Shkencave të Serbisë.  Akademia e Shkencave, tek dhjetë vjet më vonë e hartoi Memorandumin famëkeq (1986), që u bë udhërrëfyes për politikën nacionaliste e hegjemoniste serbe, deri në shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë.

Iniciator kryesor për hartimin e “librit të kaltër”,  mbi problemet e funksionimit të Republikës si tërësi unike, ishte Dragosllav Markoviq, kryetar i Kryesisë së Serbisë. Ai u kishte rekomanduar  edhe krahinave të hartonin analizat e tyre, por ato ishin kundër kësaj iniciative dhe nuk e përfillën sugjerimin e Kryesisë së Serbisë.

Grupi punues punoi intensivisiht, hartoi një material voluminoz, të titulluar:”Republika Socialiste e Serbisë dhe krahinat autonome në pëbërjën e saj (pozita kushtetuese dhe praktika)”. Materiali i grupit punues u bë në formë të librit, dhe pasi që libri kishte kopërtina të kaltra dhe titull të gjatë, shkurtimisht  e quanin “Libri i kaltër”. “Libri i kaltër” ishte me karakter intern, si material bazë, platformë, për të hapë diskutimet politike e kushtetuese mbi problemet e mosfunksionimit të Republikës së Serbisë, duke pasur parasysh ekzistimin e dy krahinave në kuadër të saj.  Pasi nga fundi i dhjetorit 1976, u shqyrtua në mbledhjen e Kryesisë së Serbisë,  iu dërguar strukturave të caktuara udhëheqëse të Republikës dhe të Federatës, pesë republikave tjera dhe atyre të krahinave autonome.

Në Kuvendin e Serbisë, të mbajtur më 8 janar 1977, ekspozenë lidhur me problemet e trajtuara në “LIbrin e kaltër” e paraqiti Dragosllav Markoviqi, kryetari i Kryesisë së Serbisë. Pas shqyrtimit të “Librit të kaltër” në Kuvendin e Serbisë, Dragosllav Markoviq dhe Tihomir Vllashkaliq kishin biseduar me Eduard Kardelin, ideatorin dhe promoterin e Kushtetutës së Jugosllavisë të vitit 1974, dhe thonë se kishin marrë pëlqimin e Kardelit për disa sugjerime nga “Libri i kaltër”, gjoja se Kardeli iu paska thënë: “Nuk mund të lejojmë që krahinat autonome përmes derës së ngushtë të shndërrohën në republika”!

Duke parë rrezikun që kanosej për këthimin prapra të statusit të Kosovës, udhëheqja e atëhershme, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli etj, pasi e njoftojnë Titon për këtë, ai e dërgon Eduard Kardelin për të biseduar me udhëheqjen e Kosovës. Kardeli kishte shtruar si kusht ardhjen e tij, që takimi dhe biseda të zhvillohet pa praninë e mediave, pa procesverbal as inçizim. Takimi është mbajtur në Brezovicë dhe nuk është publikuar asnjë përfundim nga takimi. Sidoqoftë, nga njoftimet e mëvonshme të pjesëmarrësve të atij takimi, udhëheqja kosovare i ka kundërshtuar ashpër argumentet dhe sugjerimet e “Librit të kaltër” për revidimin e Kushtetutës dhe kthimin prapa të pozitës së Kosovës, duke theksuar udhëheqja dhe populli i Kosovës nuk tërhiqen prapa për asnjë “milimeter”nga të drejtat e fituara e të garantuara me Kushtetutën e vitit 1974.

Në “Libri i kaltër”, autorët përpiqen të argumentojnë se krahinave autonome u janë dhënë autorizime shtetërore, të cilat nuk përkojnë me karakterin e autonomisë dhe se krahinat gjithnjë e më tepër po komunikojnë drejtpërdrejt me organet e Federtës dhe po distancohen e veprojnë kundër interesave të Serbisë. Në kapituj të veçantë janë analizuar dispozitat e kushtetutës së RSFJ-së dhe asaj të Serbisë, të cilat shpeshherë, sipas autorëve të “Librit të kaltër”, interpretohen gabimisht dhe në praktikë zbatohen në dëm të Serbisë. Marrin shembuj nga funksionimi i organeve të Federatës dhe të Republikës, në të cilat delegcionet dhe përfaqësuesit e krahinave paraqitën të pavarura sikur të mos ishin në përbërje të Serbisë. Vështirësitë e Republikës së Serbisë për të miratuar ligje unike për tërë Republikën, pasi që krahinat nuk e japin pëlqimin dhe e bojktojnë  zbatimin e tyre: në lëmin e mbrojtjes popullore, punëve të brendshme e sigurisë, të shtetësisë, të  marrëdhënieve ndërkombëtare,  të sistemit ekonomik, të arsimit e kulturës, të drejtësisë penale, të veprimtarisë informative, të politikës së kuadrove, të sportit, të  pjesëmarrjes në organet e Federatës, e kështu me radhë. Sipas konkluzioneve të autorëve  të “Librit të kaltër”,  të miratuara në Kryesinë dhe në Kuvendin e Serbisë, në të gjitha fushat e përmendura, krahinat autonome veprojnë të pavarura dhe për këtë po e kanë përkrahjën e organeve të Federatës, ashtu që në Republikën e Serbisë janë krijuar tri sisteme të pakoordinuara, të  paharmonizuara dhe  të distancuara midis tyre dhe se për këtë shkak duhet të fillojnë bisedime politike dhe kushtetuese-juridike  për revidimin e zgjidhjeve të dhëna në Kushtetutën e vitit 1974. “Duke marrë parsysh tendencën e shfaqur të dezintegrimit të Serbisë si tërësi dhe diferenimin gjithnjë më të madh të tri rajoneve (lexo: dy krahinave dhe “Serbisë së ngushtë”), me një lidhje reciproke të dobët apo vetëm formale, shtohet pyetja: a mund t’i realizojë populli serb të drejtat e veta në mënyrë të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë, ta realizojë të drejtën ev et historike që ta ketë shtetin kombëtar në  kuadër të federates jugosllavie, e cila mbështet në parimin e vetëvendosjes”, shtohej në “Librin e kaltër”.

Vlerësimet, konstatimet, argumentet dhe konkluzat e shtruara në “Librin e kaltër” i kundërshtuan përfaqësuesit e krahinave autonome, dhe bisedimet për to nuk i pranuan as udhëheqja e republikës së Kroacisë e Sllovenisë. Baza ideo-politike e materialit të shtruar në “Librin e kaltër” ishte hegjemonizmi, etatizmi, unitarizmi dhe nacionalizmi serbomadh, me aspirata për të dominuar jo vetëm mbi krahinat autonome, por edhe mbi republikat e tjera. Si e tillë, “Libri i kaltër” u refuzua dhe nuk u pranua të bisedohet për te si një platformë bisedimesh për funksionimin e Serbisë. Në një mbledhje të përbashkët të KQ të LKJ dhe KQ të LKS, e pastaj në mbledhjen e KQ të LK të Serbisë (më 11 e 12 korrik 1977), “Librin e kaltër” e kishin gjykuar si përmbajtje nacionaliste, etatiste, përfaqësuesit e krahinave autonome, por edhe disa kuadro të larta të Serbisë, si Millosh Miniqi, Mirko Popoviq, Zhivan Vasileviq, Momçillo Dugaliq, të cilët edhe kishin kërkuar përgjegjësi politike, veçmas kundër Drgosllav Markoviqit, Dushan Çkrebiqit, Gjorgj Lllaziqit dhe Ivan Stambolliqit. Për çudi, kundër “Librit të kaltër” krahas përfaqësuesve tjerë nga Kosova, kishin qenë edhe Dushan Ristiqi dhe Kolë Shiroka!

Problemi i kërkesave të Serbisë për revidimin e Kushtetutës së RSFJ (1974), ishte temë e bisedimeve të zhvilluara  te kyretari Tito, në Brione (më 27 korrik 1977), në të cilën kanë marrë pjesë krerët e LK të Serbisë dhe të krahinave autonome: Tihomir Vllashkaliq, Mahmut Bakalli dhe Dushan Alimpiq, ku është marrë vendimi që për “Librin e kaltër” të mos hapen kurrëfar bisedimesh dhe libri të mos përhapet. Pyetjes së Vllashkaliqit lidhur me problemin e mosfunksionimit unik të Serbisë as në lëmin e mbrojtjës popullore, si një problem delikat, Tito i ishte përgjigjur: “Në këtë fushë krahinat duhet të kenë të njëjta të drejta sikur republikat. Për këtë nuk ka përse të bëhet fjalë. Komanda supreme (në krye të së cilës ishte vet Tito) është ajo që koordinon punën në tërë territorin e vendit”.

Në një mbledhje të zgjëruar të KQ LKS, mbajtur më 10 e 11 shtator 1977, pas një polemike  të bujshme,  përsëri u vlerësuan si të papranueshme  dhe u refuzuan qëndrimet e shtruara në “Librin e kaltër”.

Përkundër refuzimit të “Librit të kaltër”, aktiviteti në organet partiake dhe shtetërore  të Serbisë, për të dominuar mbi krahinat autonome nuk ka pushuar asnjëherë, dhe ai aktivitet u intensifikua e mori format më të vrazhda pas vdekjes së Titos (1980), pas demonstratave studentore në Kosovë (1981), pas Memorandumit të AShAS (1986), pas ardhjes së S.Millosheviqit në krye të LK, inicimit dhe miratimit (1988) të amandamenteve  në Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974,  dhe atyre në Kushtetutën e RS të Serbisë (1989), e pastaj luftërave të përgjakshme në shpërbërjen e Jugosllavisë, deri te lufta e fundit në Kosovë dhe intervenimit të NATO-s.

Kështu, “Libri i kaltër”, mund të vlerësohet vetëm si  një nga dokumentet e shumta zyrtare të pushteteteve të Serbisë, për hegjemonizëm, unitarizëm e dominim mbi popujt e tjerë, të projektuara qysh prej “Naçertianies” (1844) e deri te programet e dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Aspiratat e Serbisë për realizimin e tyre nuk kanë pushuar asnjëherë. Janë ndërruar vetëm akteret dhe metodat për arritjen e atyre synimeve, duke ua përshttur kushteve e rrethnave të reja dhe konstelacionit të marrëdhënieve ndërkombëtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora