Mendime
Florim Zeqa: Republika e Hashimit, Zajednica e Isës apo Republika e tretë e Albinit?!
E hene, 13.12.2021, 07:07 PM
Republika e Hashimit, Zajednica e Isës apo Republika e tretë e Albinit?!
Shkruan:
Florim Zeqa
Marrëveshjet
ndërkombëtare për Asociacionin të viteve 2013 dhe 2015 të nënshkruara nga dy
ish kryeministrat e Kosovës (Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa), janë marrëveshje të
plotfuqishme ndërkombëtare. Na pëlqeu apo s'na pëlqeu “Zajednica” u projektua
në Beograd, u nënshkrua në Bruksel dhe u miratua në Kuvendin e Kosovës.
“Zajednica” e Isës dhe
Hashimit, patate e nxehtë në duart e Albin Kurtit
Marrëveshja
e parë, e 19 prillit 2013 e nënshkruar nga Hashim Thaçi është miratuar edhe në
Kuvendin e Republikës së Kosovës. E dyta, e 25 gushtit 2015 e nënshkrruar nga
Isa Mustafa, për shkak se Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues me
shkelje të 23 neneve të Kushtetutës mbeti e pa aprovuar në Kuvend, megjithatë
vlerëshmëria e saj mbetët e njëjtë tek ndërkombëtarët!
Edhe
përkundër dëshirës së Isa Mustafës për ta shfajësuar veten për nënshkrimin e
marrëveshjes së 25 gushtit 2015 për “Zajednicën” apo Asociacionin e Komunave
Serbe (AKS), një gjë e tillë është e pamundur!
Ngase,
për shfuqizimin e këtij vendimi nga ana e Kuvendit të Kosovës, siq po propozon
Isa Mustafa, duhet që Lista Serbe të voton me 2/3 për zhvlerësimin e vendimit
të Asociacionit, dhe pa e dhënë një miratim me këtë përqindje nga ana e
deputetëve serb assesi nuk mundë të zhvlerësohet Asociacioni serb.
E
njëjta gjë vlenë edhe për Albin Kurtin, i cili po mundohet ta anashkaloj
çështjen e Asociacionit në dialogun e Brukselit. Obligimet ndërkombëtare në të
cilat e kanë futur Kosovën qeveritë paraprake, jo qeveria e Albin Kurtit, por
asnjë qeveri tjetër nuk mund t’iu ikë obligimeve ndërkombëtare pa pasoja fatale
për shtetin e Kosovës, per shkak se Kosova ka marrë zotime për zbatimin e
marrëveshjeve të Asociacionit edhe në marrëveshjen e Washingtonit në fund të
vitit 2020.
Pendesa e vonuar e Isa
Mustafës, hipokrizi e kulluar
Të
gjithë kemi të drejtë t’i bëjmë presion Albin Kurtit që të mos e pranoj
Asociacionin, por këtë të drejtë nuk e ka Isa Mustafa ish-kryeministër i
Kosovës dhe ish kryetar i LDK-së, nënshkrues i marrëveshjes së asociacionit të
komunave në ditën e 25 gushtit 2015, i cili po kërkon me ngulm nga Albin Kurti
që të merr vendim të shpejtë dhe të prerë lidhur me këtë çështje, që ua la në
dorë si patate të nxehtë të gjithë kryeministrave pasues.
Kjo
lojë plot hipokrizi e monstrumit politik i cili pasi është liruar nga
përgjegjësia politike dhe institucionale, fajësinë dhe gabimin e vet historik,
po mundohet ta hedh tek pasuesit e tij, duke i akuzuar për papërgjegjësi dhe
paaftësi politike për dhënjën fund të çështjes së asociacionit serb.
Pavarësisht
epilogut të Asociacionit, prokuroria e Kosovës duhet të ngritë aktakuzë për
tradhti shtetërore, ndaj atyre që nënshkruan marrëveshje, të cilat e cenojnë
sovranitetin dhe rrezikojnë shkatërrimin e shtetit në plotni!
Marrveshjet
e nënshkruara në Bruksel, ajo e 19 prillit 2013 dhe 25 gushtit 2015, e kanë
futur edhe legalisht Serbinë brenda Kosovës. Prandaj, e ka të vështirë, do të
thoja të pamundur Albin Kurti t’i bind serbët e veriut (mbarë Kosovës) që ta
pranojnë Republikën e Kosovës si shtet të tyre!
“Zajednica” kancer për
shtetin e Kosovës
Nënshkrimi
i marrveshjes së 25 gushtit 2015 nga Isa Mustafa është goditja më e rëndë për
shtetin e Kosovës në këto 22 vjetët e fundit.
Me
këtë marrëveshje AKS do të ketë kompetenca ekzekutive, do të ketë president,
zëvendës-president, kuvend, stemë, flamur. AKS do të financohet dhe
kontrollohet drejtëpërdrejt nga Serbia, do të ketë kompetenca të gjera
ekzekutive dhe lidhje direkte me Serbinë.
Zajednica"
nuk është OJQ, siq po mundohen ta minimizojnë rolin e saj liderët e dështuar
politik të Kosovës. Zajednica shënon kurorëzimin e ndarjes etnike të territorit
të Kosovës, duke e lënë këtë të fundit (Kosovën) pa Republikë e në fund edhe pa
shtet me perspektivë zhvillimore.
Negociatorët
matrapaz, pamëshirshëm dëmtuan pavarësinë e vendit të tyre, rrënuan rendin
kushtetues dhe juridik të vendit. Tani pas marrëveshjeve të fundit do t'ju vie
radha ndryshimeve kushteuese ashtu siq ndodhi me "Specialen", pra
"Zajebnica" e shtetit të Kosovës do të futet edhe në kushtetutë.
Për
“Zajednicën” antikushtetuese, antishtetërore dhe antikombëtare e futur në
marrëveshje ndërkombëtare, të miratuar nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e
Kosovës edhe pse nuk është fajtorë, Albin Kurti me prolongimin e kësaj çështje
mund të bëhet përgjegjës për zgjatjen e vuajtjve të qytetarëve të getoizuar.
Agresioni politik i
Serbisë ndaj Kosovës vazhdon edhe pas “Zajednicës”
Serbia
nuk do të ndalet me kaq, agresioni politik i saj do të vazhdon tutje, ndikimi i
kontrollit ekonomik dhe politik i shtetit serb ndaj Kosovës do zgjerohet akoma
më shumë. Pas kësaj marrëveshje, liderët e shtetit seb nuk do të kenë më nevojë
të kërkojnë "leje" nga autoritetet vendore për hyrje në Kosovë, ngase
atë ua garanton "Zajednica".
Produket
dhe mallrat nga Serbia do të hyjnë lirshëm, të papenguara dhe pakontrolluara
nga askush në Kosovë, por jo edhe të kësaj të fundit në drejtimin tjetër, ngase
këtu nuk bëhet fjalë për marrveshje reciproke.
Tani
e tutje, jo vetëm në veri, por edhe në brendi të vendit, në komunat dhe
vendbanimet serbe do të vendosen mbishkrimet ne çirilicë "Republika
Serbija" së bashku me flamujt e shtetit serb, pra do të kemi minishtet
serb brenda shtetit të Kosovës.
Neve
shqiptarëve si ngushëllim na ka mbetur vetëm nocioni "Republikë" me
flamurin lara-lara, i cili nuk simbolizon asgjë nga identiteti ynë kombëtar.
Pas
25 gushtit 2015 Kosova më nuk i ngjet një shteti të pavarur, për më tepër i
ngjetë një territori multietnik poashtu me sovranitet multietnik sipas
Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Në
këtë prizëm ishte edhe paraqitja e fundit e kryeministrit të Kosovës, Albin
Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asocimit në Bruksel me fusnotë,
KOSOVO* e jo me emrin kushtetues Republika e Kosovës! Na mbetët të presim
përfundimin e dialogut me Serbinë, për ta nxjerrur konkludimin përfundimtar të
shtetit të Kosovës; Republika e Hashimit, Republika me Zajednicën e Isës plus
apo Republika e tretë e Albin Kurtit?!
Nëse
Albin Kurti arrinë që ta përmbyllë dialogun me Serbinë pa Asociacion të komunave
serbe, do të hyjë në histori si lideri më i suksesshëm i shqiptarëve në
shekullin 21, në të kundërtën rrezikon të përfundojë karrierën politike pa e
lënë gjurmë pozitive në politik-bërjen kosovare të këtyre 3 dekadave të fundit.
10.12.2021