E enjte, 14.11.2019, 04:41 AM (GMT)

Kulturë

Fritz Radovani: Fishta - Nji lule vjeshtet

E shtune, 02.11.2019, 05:13 PM


Përgatitë nga Fritz RADOVANI:

NJI  LULE  VJESHTET

Pershndetje me Liriken ma të bukur t’ At Fishte, me 2 Nandor 2019, ora 1 mbas dreke, kur Kisha Katolike Shqiptare në Hartsdale, New York dhe Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej”, organizojnë simpozium shkencor për At Gjergj Fishtën (Salla Nënë Tereza).

N’ atë rrahe t’ dekne mbrenda vorrit t’ errshem

Tash pluhun jé. Ata dy sy t’ janë errun,

Ku qiella prirej me sa hana e diella

Terthores s’ eper m’ sharte vrejn t’ njerzimit!

5.         T’ janë sosun fjalët e ambla e plot urti,

E ai zâ t’ asht kputë, i cilli bite m’ zemer

Si kumbë liret t’ tingllueshme, qi prej s’ largut

Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!

Ehu! Po; “deka, qi baras m’ derë t’ pellazvet

10.       Trokllon, si m’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni

Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera

T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa

E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun

Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun

15.      Hithat e madergona! ‘I Kryq dullijet,

Qi e pershpirtshme nji dorë t’ a vu té kryeni,

Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin

E vorrit nuk t’ a zbutë, posë va’jt  t’ trishtueshem

Të hutit t’ natës, qi neper curra t’ malit

20.      Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjimue!...

Njai grumull gursh, qi m’ vorr t’ randon persypri,

Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nierin,

Lugat i duken, n’ hikë kah t’ bjen nget vorrit,

Edhe t’ perqethët atë botë i shkon n’per zemer.

Po, a thue, krejt deka n’ asgjasend t’ perpini

E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhun,

Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit

Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue

Me gzue n’ dritë t’ qiellvet, ku pushon dishiri

30.      I nierit t’ drejtë, si drita m’ sy të kthiellun.

Po, po, se pertej vorrin Shpirti i nierit

Gjallon per jetë! Njiky mendim i ambel

Deken e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshem.

Kur zemren fa’i  s’e grisë. Prej ktij mendimi

35.       As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva

Se diqe: Se n’ ma  t’ miren lule t’ motit

E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta

E paudhnija, ku sundon mizore;

Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese

Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija

M’ rrashta t’ pergjakshme t’ njerzvet m’ kambë, ku mbahet.

Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja

E diellit, qi perfton lulet e erandshme,

Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen

45.       E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi

Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin

N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:

Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket pergja.

S’ kjé toka, jo, per ty kjé qiella!

50.      E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,

Ti, kushedi, n’ per vrrije t’ amëshueme

Shkon tue kerkue per lila e drandofille,

Qi s’ dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,

Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,

55.       Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’ Parrizit:

Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,

Kndon Zotit lavde n’ per ylbera t’ qiellit;

A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’ hyjnueshmes faqe t’ Zotit,

Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet skjyrton shestimin

E rruzullimit, vu prej s’ epres Mende,

E cilla n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana

Prej hijevet t’ kthellueshme t’ asgjasendit,

kur bani Ajo furin me heshtë t’ thellimit,

E me ‘i fuqi t’ pamatne prapi terrin

E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje

T’ ktij sheklli ndihet mnershem tue gjimue,

Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.

E aty, n’ atë dritë plot ambelcim dashtnijet,

Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’ Dritvet

Gjithkah dikohet neper verë t’ Parrizit,

Shpirtent e lum krejt m’ rreze tu ‘i pershi,

T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cillat Hyji

Desht t’ muzta nierit me ia lanun t’ shkrueme

Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.

Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,

E tjeter s’ ndihet, veç se rryma e prronit,

Qi permallshem gurgullon n’ per rrâjë e curra,

Un, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemvet t’ kahmotit,

Mbas t’ cillvet fjalen rrij tue lmue Shqyptare,

Dal në dritsore me kundrue shatorren,

Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,

E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit

Flakojn mbi dhé – kushdi, per me felgrue

Nierin, qi egrue ma fort prej mneres s’ territ,

Perbluen punë t’ mbrapshta: - E atë botë mendoj per ty.

E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue

Nji hyll, aty selin un tham me vedi,

Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da

I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen

Un t’ thrras at botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,

Qi permallshem nder gemba rrin tue kja

Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,

Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket

Se bisedoj me ty!... Nuk dekka i miri,

Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer

E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errshem,

Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,

Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,

E n’ mende t’ onë gjallon. – Kur Aleksandri

Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,

Ku shuen idhnimi i Prisit t’ Mirmidonvet,

Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,

Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.

Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin

N’ skaj t’ dheut, e prej selis me i zdrypun mretent;

E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.

Mue edhè, qi sheklli e nji dishir lirijet

T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,

Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’ and t’ pervujtun

M’ ndezet kah punët e mbara e kah burrnija.

Permbi vorr t’ and, po, xâ të fortë me e majtun

Besen e dhanun – e miqasin e zanme;

Per Fé e per Atme n’ ball me i dalë rrezikut:

Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin

Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.

Mos me i shmangë syt prej cakut, n’ t’ cillin mendja

Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue

Ndersa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.

Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun

Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,

Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr

Ka me m’ kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit,

Qi rojës besnik fuqit t’i  pruen mizore,

Gjumin e dekës në vorr mos me t’ turbullue,

Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli

E t’ ngele moti e sheklli mbarë t’ rropposet,

E t’ vije dita e gjyqit t’ rruzullimit,

Ai ka per t’ m’ kenun Zana. E atëherë pa u tutun

Zgjetat e prehta e t’ zjarrta kam me i prehun,

Qi kundra vesit do t’ ia lshoj njerzimit:

Atëherë un kangët kam me i ndertue kreshnike,

Me t’ cillat botës un do t’ ia la të shkrueme

Se shka viejn armët besnike n’ dorë t’ Shqyptarit.

E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshem

M’ vorr t’ and kam per t’ ndertue, të cillin moti

Me fletë të ngrita kot ka per t’ a rrahun;

Pse, si curr, qi n’ mjes t’ detit rreh tallazi,

Edh’ ai njashtu do t’ jesë nder gjire t’ motit

Qi bumullojn mbi faqe t’ rruzullimit.

E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat

E me të njoma vjollca e drandofille

Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritun

Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;

E shtektarin mundqar, qi n’ ato hije

Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.

Kanë me kallzue se sa pjesë qiellet vrâni

Deka n’ atë vorr. E atë botë i largët shtektari

Të lehtë dhén ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta

Shinat e boren: E, kur m’ male t’ veta

T’ dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue

Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso bote

Emnin t’and kanë per t’ kndue, e vrrini e bjeshka

Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,

Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.

Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa

Me shkrola t’ njohtme veç e prej barivet:

Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja

S’e prekin landen, ku asht ravisë ai Emen:

E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve

Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e Emni

Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

Shenim nga F.R.: Prof. Gasper Ugashi e cilsonte këte Lirikë, ma të bukren e At Fishtës.

Urojmë që shpejtë të hyjnë nder tekstet shkollore!

Melbourne, 1 Nandor 2019.



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT