Kulturë
Blerim Rrecaj: Shëndritjet e rrëmujëllugës
E marte, 29.10.2019, 09:45 PM
Shëndritjet e rrëmujëllugës
Nga
Blerim Rrecaj
Tash
sa erdhëm në mesin e kësaj dite. Diell i fortë edhe në këtë ditë pothuajse
fundtetori. S'ka edhe dy-tri ditë edhe ky muaj e po arratiset si dallëndyshe.
Heq xhaketën vjeshtore, e lë në karrikën kojshike të tavolinës ku rri, në
verandën e kësaj kafiterie që qëndron në kufijtë e vet në mes të tjerave shoqe
të saja, me emrin e një vendi bregdetar e turistik amerikan. Ca hapa matanë e
fare pranë vijave kufitare, qarkullojnë kalimtarë me e pa automjete. Pak djersë
në ballë t'i servojnë rrezet e diellit që s'e lënë vetëm me kaq. Mendja na vete
te java e fundit e të kësaj jete që shkoi. Dhe te kjo që filloi, e po vazhdon.
A nuk e thonë se ka shtatë ditë jetë në këtë botë. Po edhe te kjo mjegullnajë
smogu në horizont, te një tym që ngjitet lart e te gjethet që sikur duan të
ndizen e marrin flakë para se të bien, shtrihen, shkilen, fshihen, barten.
Çohemi. Zbresim rrugës nëpër konviktet e studentëve, ku mes tyre dallohet njëra
prej studenteve me bidon dhjetë litërsh mbi njërin sup, derisa bashkëudhëtarja
e saj mban një qese me gjëra ushqimore. Ecim për t'u ndeshur me një fluturim
korbi. E ç'bën ai? Fluturon me arrën që e ka në sqep dhe ajo përplaset për
asfalt, vije korbi dhe e merr, e nuk e dijmë a do t'i duhet ta hedh përsëri.
Këtu një xhamfshirës rruge, vizaton një zemër në xhamin e përparmë të kësaj
veture. Ec e ec, ec e ec. Këtu këpusim disa koka të thara lulesh (më duket
njihen me emrin kadife) i shtypim duke lëvizur gishtërinjtë për të parë pastaj
fijet hollëgjata e të zeza të farave të tyre. Mes tyre rrijnë bashkatdhetaret e
tyre petalengjeshura të verdha e të portokallta dhe ca me koka të kafta me ca
petalehapura, jo më shumë se gishtat e një dore dhe që kanë një aromë të
përbashkët parfumore të fortkëndshme. Një biletashitës ndërron vend sikur
peshkatari në brigjet e lumit. Shtalbpjekësit janë shndrruar në
gështenjapjekës. Në rrëmujëllugën e përditshme ka dhe gjëra që shëndrisin
njashtu si fytyrat e fëmijëve dhe të ftonjëve të fshatit...