Kulturë
Resmi Osmani: Çamëria në krijimtarinë e shkrimtarit Enver Kushi
E hene, 28.10.2019, 09:47 PM
ÇAMËRIA NË KRIJIMTARINË E SHKRIMTARIT ENVER KUSHI
Esse nga Prof. dr. Resmi Osmani
Enver Kushi, shkrimtar,
publicist, skenarist, esseist dhe kulturolog, megjithëse ka nisur të botojë në
shtypin letrar të kohës nga mesi i viteve 70-të të shëkullit që lam pas dhe
librin e pare me tregime e botoi në vitin 1988, profilin e tij krijues e
shpalosi pas viteve 90-të. Krijimtarinë e vet letrare e ka përmbledhur në
librat “Porta e madhe”, 1988, ”Hëna e vitit zero”1994, ”Ëndrra të ngrira”,2000,
romani ” Koha zero”2002 dhe vëllimi me tregime dhe publicistikë ”Apokalips 6”,
2006. Edhe pse e pakët në sasi, krijimtaria e tij është disi e veçantë për
temat që trajton, mënyrën e të shkruarit, bukurinë e fjalës dhe elegancën e
gjuhës, mjetet e figurshme të shprehjes, filozofinë dhe qëndrimin për ngjarjet,
jetën dhe njerëzit, për kompozicionin e zhdërvjellët dhe ndërthurjen e lëndës,
mesazhin që transmeton, pleksjen e reales me irealen, fantastikes me surealen,
groteskut dhe absurdes, tokësoren me qielloren dhe kozmiken, bukurinë e gjuhës,
veçantitë dhe tipizimin e personazheve etj. Gjithë këto e bëjnë atë të dallohet
nga krijuesit e tjerë, të ketë profilin e vet origjinal, të dallueshëm dhe
tepër të veçantë. Një art dhe prozë ndryshe, jashtë klisheve dhe kanuneve
standard. Për gjithë këto, kam shkruar në essenë time ”Ëndrrat e ngrira të
Enver Kushit”, Tiranë,2012.
Duhet shënuar që shkrimtari
Enver Kushi, i përket komunitetit çam. Dhe Çamëria ka vendin e saj në
krijimtarinë e tij. Këto dit ai përfundoi novelën “Zonja nga Parga”, kushtuar
vuajtjeve dhe masakrimit të popullatës së kësaj krahine dhe pasojave të saj nga
forcat zerviste. E lexova në dorëshkrim, por këtu nuk do të bëj fjalë për këtë
novelë, që është një arritje tjetër e shkrimtarit, por trajtimit të Çamërisë në
krijimtarinë tjetër të tij.
* * *
Në vitin fatal 1913,bisturia
e diplomacisë së Fuqive të Mëdha, preu në trpin e dheut të Shqipërisë në skajin
jugor të vendit, një vijë të thëllë ndarjeje të dhunshme, hapi një plagë që
kulloi gjak.Plagë që ende është e hapur dhe dhemb, ther ashtu si plagët e
vjetra kur vetëtin e bubullon. Gurët e sinorit që shënuan kufirin,kishin peshën
e robërisë, për atë pjeë që mbeti matanë, peshën e dhimbjes e të ndarjes
përsëgjalli që mbetën më këtë anë. Qershori(27) 1944, marsi 1945, vite të
gjenocidit dhe spastrimit etnik të krahinës, e derdhën lumë gjakun shqiptar.
Çamët u dëbuan, krahina mbeti shkretë, pa zot.
Enver Kushi, bir I një familjeje çame, i lindur dhe rritur në
një komunitet të vogël nga kjo krahinë, në Rrogozhinë, deashuria për dheun e
shenjtë të të parëve , i është kuar me
qumshtin e gjirit të nënës. “Që i vogël - kujton ai - kam dëgjuar dhjetëra
tregime për Çamërinë, kujtimet me mall të papërmbajtur për ato vende: Detin,
ullinjtë, dhentë, shtëpitë, njerëzit e vdekur e të gjallë, rrugët ku ata
kalonin, pllajat, puset, varret……Ç’është ky vend I çuditshëm, që kujtohet me
një mall gërryes? Është më shumë se një mall, më shumë se një dhimbje, më shumë
se shumë gjëra të dashura për mjeriun….” Aty ai pa i mahnitur vallen e Osman Takës, dëgjoi i mrekulluar këngën e
Çelo Mezanit. Çamëria dhe imazhi i saj disi i mjegullt e përrallor, me qartësi
qielli dhe kaltërsi deti, u bë pjesë e genit dhe unit të tij shpirtëror,
kësisoj nuk kishte si të mos pasqyrohej në krijimtarinë e tij. Por le ta lemë
vetë atë të shkruaj e flasë për këtë temë, në intervistën dhënë gazetarit
Albert Zholi: “Çamëria është fisnikëria dhe krenaria ime, malli dhe dhimbja
ime, ëndrra dhe amaneti i të vdekurve të mi….Ajo ka ardhur tek unë herë-herë e
brishtë, e ndrojtur, lozonjare, me diellin dhe detin e saj të papërsëritshëm,
ullinjtë, blegërimat e deleve, vrapimet e kuajve brigjeve të lumenjve mitikë
Kalama dhe Aheron, qiellin fantastik që po të zgjasësh duart netëve mund të
prekësh yjet, ose mund të flasësh me perënditë pellazge, herë-herë, ajo ka
ardhur te unë me këngët dhe vallet e saj epike, mitologjinë dhe gluhën e saj të
perëndisë. Herë-herë me sytë e përlotur, plagët në trup, ofshamat e të
masakruarve nga tërbimi shovinist
grek…..”
Çamërisë i kushtohen disa
proza të shkurtëra dhe një udhëpërshkrim, të përfshira në vëllimin “Apokalips 6”, në pjesën e tretë.
Ato janë: ”Shpirtërat thërras”, “Vallet e ngrira”,”Këngët”, “Guri dhe dega e
ullirit” dhe “Sytë e Kosovës”.Proza të shkurtëra që rrokin vetëm 35 faqe, por
çdo njëra syresh, është shkruar me aq bukuri (bukuri came), me dhimbjen e pafashitur, mallin zhuritës,dashurinë dhe
brengën e bijve dhe bijave të saj, sa të duket se vargonjtë e fjalive mezi i
mbajnë, duket sikur do shpërthejnë. Motivet e zgjedhura janë të veçanta, por
edhe mënyra dhe gjetja artistike për rrëfimin e tyre është e veçantë,
origjinale. Fund e krye, nga çdo fjalë e fjali, duket sikur kullon dhimbje, e
cila buron nga zemra dhe derdhet në pellgun e brengës pa fashitje, për vendin e
të parëve.
Një faqe është proza
”Shpirtrat thërras” Por ajo është një klithmë tragjike, e dhimbshme, për të
rënët, martirët, luftëtarët. Është një natë virtuale shpirtrash, ku në sfondin
e një melodie çame dhe dritën e qirinjve, autori në shtëpinë e tij në Tiranë,
thërret të vdekurit e fisit të tij, të fisit të tij tragjik. Shtëpia bëhet
dritë, ai i thërret me emër, dhe me sytë e mendjes sheh sesi ata mbërrijnë nga
viset e lumenjve Kalama dhe Aheron. Vijnë burrat me trupat tërë plagë e gjak
dhe gratë me shami të gjakosura e të lagura me lot. Janë të gjithë ata që ai i
deshi aty, rrënjët dhe krenaria e tij.E si vallë mund të harrohen ata?
“Vallet e ngrira” është
shkruar në formë të veçantë, në funksion të asaj që do të rrëfejë: si një tubim
sonetesh në prozë, por me tingëllim poetik, secila me bukurinë, përmbajtjen dhe
të veçantat e saj, që në pak rreshta, flet aq shumë. Ndërsa mendimi kalon nga
njëra te tjetra, ato janë të mëvetësishme. Është si një reportazh që vjen
copa-copa, ashtu siç vjen e keqja, lajmi i kobshëm për zezonën e mdarjes që i
kanosej vendit. Për të rrëfyer etninë, banorët e qytezës, nuk rrokin pushkët,
por që të rrëfejnë se kush janë, paraqesin kulturën dhe qytetarinë e tyre,
veshin kostumet kombëtare. Valltari I
famshëm Selman Taka, që ka ngrirë e është kallkanosur nga mesi e poshtë, për
tiu përgjigjur thirrjes së dheut të të parëve, ngrihet dhe si Anteu mitik, gjen
forcë te toka mëmë, te gjëmimi i saj që vjen së thelli si një muzikë epike dhe
kërcen vallen e tij të famshme, për tu thënë të huajve:”U jam këtu. Këtu në
dheun tënë. Mos vini sinore këtu, mos na e ndani shpirtin….” Por e keqja ngjau.
Fshati kufitar u nda. Bajonetat ndanë zemrat. Banorët, për të komunikuar,
gjetën telegrafin e erës, këngët. Si në legjendat dhe baladat e moçme. Me to
përcilleshin në të dy anët lindjet, dasmat, vdekjet. Mund të ndash kufinjtë,
tokat, por njerëzit, gjakun dhe zemrat si ndan dot.
Udhëpërshkrimet ne Çamëri
dhe Kosovë, ndryshe nga karakteri përshkrimor që përdoret në këtë gjini, Enver
Kushi i përdor për të paraqitur qëndrimin e vet ideo-emocional, botën e
ndjenjave por edhe qëndrimin e vet, të hapur e pa mëdyshje. Udhëtimi për herë
të parë në Çamëri e Kosovë i ngjan një
ëndrre. Autorin e mbytin kujtimet, dhe si një mirazh edhe atje ku ka vetëm
gërmadha, i shfaqen pamje të së shkuarës.. Ai pyet shtëpitë e rrënuara në
vendlindjen e prindërve, Spatar të Çamërisë:
“Ku janë varret e të parëve të mi? Përgjigjuni ju shtëpi të rrënuara, ku janë
varret? Varret kërkoj….Të vdekurit e mi kërkoj. Mos mi fshihni ata, rrënjët e
mia…Mos mi fshihni rrënjët! Në vend të përgjigjes ai sheh sesi në ditën plot
diell të gushtit, mbi fshat qëndronte pezull një mjegull e hollë, malli
përvëlues i atyre që e kishin lënë . Nga vendlindja e të parëve merr një gur,
guri i ngroh dorën dhe një degë ulliri për të qetësuar shpirtin e tallazitur.
Ikën, por koka i mbetet e kthyer pas.
Kur u kthye në Tiranë, gurin
e vuri ne një kornizë dhe nëna e moçme e shkrimtarit, qëndron para atij guri,
si para një ikone të shenjtë dhe flet me të si me një njeri të gjallë.
Udhëton natën për në Kosovë,
fill pas luftës. Nëpër terrin e natës kërkon sytë e saj. Sytë e Kosovës dhe
sytë e Çamërisë. Kosova dhe Çamëria patën të njëjtin fat historik. Kërkon sytë
që deshën t’u merrnin, t’u merrnin dritën, lirinë dhe ti linin në errësirë, në
skllavëri. Kosova u çlirua. Kosovës iu kthyen sytë. Atje në Kosovën e çliruar,
autori heq një paralele midis dy krahinave, me zë ëmdrre pyet:”Ku janë sytë? Ku
janë sytë e Çamërisë? Ajo ndodhet larg, qindra kilometra larg, e përkëdhelur
nga erërat e buta të vjeshtës së dytë. Kthejani sytë asaj….Kthejani sytë motrës
s ë vogël” Është një klithje patetike. Ndjehet dhimbja, ndjehet malli zhuritës,
por edhe shpresa.
Çamëria është atje. Na prêt.
Ne jemi bijtë e saj. Një ditë do të shkojmë!