Kulturë
Fran Gjoka: Gëzim Tushi - Probleme dhe dilema sociale
E diele, 27.10.2019, 03:51 PM
“SHOQËRIA SHQIPTARE NË VORBULLËN E PROBLEMEVE DHE DILEMAVE SOCIALE”
-Mendime
rreth librit “Probleme dhe dilema sociale”-
Nga
Fran Gjoka
Libri
i sociologut Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”, me titull “Probleme dhe dilema
sociale”, është produkt i një pune intensive dhe të vazhduar hulumtuese,
studimore e praktike të autorit. Ai përbën një kontribut me vlera në fushën e
mendimit sociologjik, por dhe për përmirësimin e strukturave dhe praktikave më
të mira të shërbimit social. Është një nga librat e kolanës së Gëzim TushiT,
korpusi i të cilit tashmë përbëhet nga 20 vëllime. Ky është libri në të cilin
është realizuar mjaft mirë pikëprerja e intelektualit, profesionistit dhe
qytetarit të shqetësuar për problemet e shoqërisë shqiptare të ditëve tona.
Që
shoqëria jonë ka kohë që është e mbushur me probleme individuale e dilema
sociale të panjohura më parë, askush nuk ka më dyshim. Gëzim Tushi i bën një
rontgenoskopi të zgjeruar këtyre dukurive, duke treguar se pse shoqëria e
ditëve tona ka shumë dilema dhe për pasojë "funksionon" keq. Kjo
është një e vërtetë për të cilën askush nuk ka dyshim. Autori mendon dhe
argumenton se kjo situatë ka shkaqet dhe arsyet e veta.
Njerëzit
janë të shoqërisht të shqetësuar dhe individualisht të turbulluar, nga që janë
përballë një procesi kompleks të përkeqësimit evident të treguesve urbanë,
moralë dhe komponentëve të nevojshëm komunitarë, që kanë ndikime të forta përkeqësuese
të situatës sociale që zhvillohet në shoqërinë tone. Në instancë të fundit,
sipas autorit, realiteti ynë social tregon se ka shumë komponentë
ekonomiko-politikë dhe socio-kulturorë, që tregojnë se "shëndeti i
shoqërisë" shqiptare jo vetëm nuk është mirë, por prognozat sociale
dëshmojnë se ai mund të vazhdojë të përkeqësohet akoma më shumë në të ardhmen.
Gëzim
Tushi, si sociolog, evidenton të vërtetën, sipas të cilës arsyet e këtyre
dukurive janë të shumta dhe të shumëllojta. Historike e kontekstuale, politike
dhe ekonomike, sociale e kulturore, që determinojnë këtë tipologji pak të
veçantë të problematikave sociale që preokupojnë njerëzit tanë dhe shoqërinë
tonë në tërësi. Në të vërtetë, në se shoqëria shqiptare e ditëve tona është kaq
dilematike, kaotike, disfunksionuese, me tronditje të thella ekzistenciale, Kjo
është e lidhur para së gjithash me ndryshimin radikal të tipologjisë së
shoqërisë në procesin e kalimit nga një "shoqëri e mbyllur" në
"shoqëri të lirë dhe të hapur", pa shumë kufizime e determinantë
socialë.
Autori
i kushton në mënyrë sistematike vëmendjen e duhur analizës së realitetit, e
lëviz panoptikonin sociologjik në të gjithë anët dhe këndet e jetës sociale,
ndërhyn në mënyrë “kirurgjikale” atje ku janë patologjitë kripto-sociale, që
ose nuk duken, ose nuk dallohen me shikim të sipërfaqshëm. Një nga analizat që
Gëzim Tushi i kushton një kapitull janë sëmundjet e pasionit dhe përhapja e
përdorimi i zgjeruar i lëndëve psikotrope, që kanë filluar të bëhen “helm
social”, që po turbullon ndërgjegjen dhe vetëdijen e njerëzve tanë. Sidomos të
adoleshentëve dhe të rinjve.
Por
nuk mund t’i shpëtonin syrit të sociologut problemet që kanë të bëjnë me
plakjen e popullsisë dhe nevojat për të ndërtuar një “shoqëri pa moshë” dhe me
kujdes të shtuar për të moshuarit. Bashkët me to, autori analizon në mënyrë të
hollësishme problematikat që kanë të bëjnë me situatën dhe pozitën sociale e
familjare të gruas shqiptare dhe të fëmijëve, të cilët sipas autorit përbëjnë
dy grupe me rrezik të veçantë dhe me status të cënuar brenda familjes
shqiptare, e cila akoma ka shfaqje të diskriminimit moshor dhe gjinor.
Sigurisht
një vend qëndror në librin “Probleme dhe dilema sociale” e zënë problematikat e
shoqërisë moderne shqiptare, fenomenet e tjetërsimit të njeriut postmodern, të
ndikimit social të medias, shoqërisë civile, etj.
Sipas
autorit, në shoqërinë shqiptare shumë anomali të jetës sociale janë të lidhura
ngushtë me faktin që zgjerimi i lirisë individuale u shoqërua dhe vazhdon të
shoqërohet me keqpërdorimin e "kufijve" të saj nga mënyra si sillen
njerëzit ekcentrikë, mungesa e vullnetit qytetar, nevojës së domosdoshme të
vetëpërmbajtjes civile e humane. Kjo ka bërë që të ndihemi sikur jemi në rrugë
pa krye. Ky perceptim i vërtetë i realitetit të shoqërisë tonë ka bërë që
të tronditen thellë jo vetëm familja, por dhe të gjithë strukturat e tjera të
organizimit të jetës sociale apo ato që përbëjnë bazamentin funksionues të
shoqërisë demokratike.
Degradimi
i shumë strukturave themelore të organizimit të jetës kanë ndikuar në
deformimin e thellë të shoqërisë, duke i dhënë asaj një formë
"getoje", ku çdo njeri bën si të dojë, vepron subjektivisht, pa pasur
asnjë imperativ moral e social kategorik, që duhet të ndikojë në
qëndrueshmërinë dhe funksionimin e jetës së përbashkët shoqërore.
Padyshim,
është e vërtetë e paluajtshme e qytetërimit modern, që njeriu është thirrur që
në suazën e kësaj shoqërie e të këtij qytetërimi, që të jetë i lirë nga
determinimet e shumta sociale, sepse liria individuale në jetën shoqërore është
"themeli i ekzistencës së krijuar". Në libër, autori thekson se
problemi është se në shoqërinë tonë, në emër të lirisë, po shfaqet jo vetëm
"qytetari i lëvizshëm" që ka bonsens dhe lëviz lirisht në hapësirat e
zgjeruara të shoqërisë të ndërtuar mbi bazën e lirisë sociale dhe prerogativave
të shumta që ka krijuar demokracia në Shqipëri, por krahas tij, madje mbi të po
tenton të shfaqet një lloj tjetër qytetari, që në emër të "lirisë
individuale" të pakufizuar po cenon rendin social, ekzistencën normale të
shoqërisë. Praktikisht jemi duke u përballur me situata të rënduara sociale që
qarkullojnë në gjithë strukturat e shoqërisë tonë.
Padyshim
që kjo situatë ka shumë shkaqe pse është e tillë, pse ka tendencë të agravohet.
Autori përdor me saktësi shumë instrumente sociologjikë, optika sociale të parë
me kujdes social, për të shpjeguar dhe interpretuar drejt dukuritë dhe thelbin
e problematikave dilematike. Secili qytetar, intelektual, filozof apo sociolog,
duke qenë të shqetësuar përballë këtij realiteti, mundohen të bëjnë diagnoza të
përgjithshme dhe të diferencuara për një varg problemesh sociale, sikurse janë
niveli ende problematik i varfërisë, krimi i shtuar, dhuna e zgjeruar në jetën
publike, familje e shoqëri, treguesit e lartë të vrasjeve e vetëvrasjeve,
divorcet në rritje, dobësimit të rolit edukativ të familjes dhe shkollës, etj.