E enjte, 10.10.2024, 02:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Zymer Mehani: Tablo e jetës së shqiptarëve në mërgim

E diele, 27.10.2019, 01:28 PM


Romani i shkrimtares Elhame Gjyrevci, “Dështimi në jetë” –tablo e jetës së shqiptarëve në mërgim

Shkruan Zymer Mehani

Frymëzimin dhe lëndën për romanin e tretë me radhë “Dështimi në jetë”, shkrimtarja Elhame Gjyrevci e kërkoi dhe e gjeti në realitetin konkret të jetës së shqiptarëve në mërgim, që mund të përcaktohet edhe më saktësisht, te një familje që ka bërë emigrim nga Italia për në Amerikën e largët. Si e këtillë kjo vepër është përpjekje e suksesshme për pasqyrimin e jetës në vazhdim të familjes së Adrianit dhe Terezës në kushte e rrethana të reja. Në roman hasim përshkrime autentike episodesh në mënyrë krijuese nga një autore që edhe vetë është mërgimtare dhe si i tuillë ky roman për nga forma dhe ecuria e paraqitjes së gjërave dhe të vijëzimit të protagonistëve, elemente këto të vlefshme, ngritet në një shkallë të lartë letrare e artistike.

Shkrimtarja me një aftësi të zhvilluar të të vërejturit dhe të hetimit të çasteve të reja në jetën familjare të Adrianit dhe Terezës, ka ditur të zgjedh atë që është më qenësore, siç thotë Mr. Fatmir Halimi, kërkimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, që është tema e romanit. Këtu autorja na del njohëse e mirë e botëkuptimeve dhe mentaliteteve të njerëzve, hulumtuese e palodhshme që di çka do, dhe mbi të gjitha njohëse e mirë e realitetit të jetës në mërgim, ngase dhe vetë një pjesë të mirë të jetës është duke e kaluar në megrim. Prandaj me lëndën që ka shtjelluar, shkrimtarja Elhame Gjyrevci ia ka arritur synimit që ta pasqyrojë në mënyrë sa më komplete dhe sa më reale jetën e një familjeje në një periudhë të caktuar me të gjitha nuancat e veta, me të gjitha ato elemente e çaste që do të duhej të shënonin vetëdijësim të përkushtuar te çdo familje mërgimtare.

Në këtë aspekt autorja Gjyrevci na del edhe si vështruese dhe gjurmuese që përpiqet të gjejë shkaqet dhe arsyet e shumë dukurive negative të jetës në mërgim. Kësaj krijueseje sikur i flen në shpirt meditimi mbi shumë çështje dhe probleme jetësore e njerëzore. Atë kurdoherë e preokupon çështja e ruajtjes së identitetit kombëtar të familjeve në mërgim. Autorja këtë shqetësim të vetin me sukses e ngre në kryetemë si problem të përgjithshëm njerëzor, duke e shikuar në bazë të parimit human e kombëtar. Këtu, në këtë fakt, qëndron edhe njëra prej vlerave të dalluara të romanit, që problemet jetësore të familjes shqiptare në mërgim i ngrit në probleme të përgjithshme njerëzore, pa e humbur asnjëherë ngjyrën autentike të origjinës dhe vendit nga ajo vjen. Konkretisht në roman trajtohet dhe zhvillohet jeta e një familje me origjinë arbëreshe, e cila është zhvendosur nga Italia për në Amerikën e largët. Pra ngjarja as zhvillohet në Itali, as në atdheun e shqiptarëve (Shqipëri, Kosovë dhe vise tjera shqiptare), por në Amerikë. Personazhet kryesorë janë Adriani me bashkëshorten e tij,Terezën dhe me dy vajzat e tyre, Dorën e Sonin, që edhe janë bartës të krejt ngjarjes prej fillimit e deri në fund.

Kjo familje jetonte e lumtur.

Parimet, bindjet dhe përkufizimet e veta mbi shumë çështje të jetës në mërgim romansierja Elhame Gjyrevci na i thotë me gojën e protagonistëve, me të cilët është e mishëruar dhe pas të cilëve nuk është e vështirë ta zbulojmë vetë autoren. Disa prej parimeve dhe synimeve të veta humane dhe kombëtare, ajo na i thotë që në faqet e para të romanit, për t’i zhvilluar madje deri në fund. Familja e Adrianit gjithmonë ishte humane, i ndihmonte përherë të tjerët kur kishin nevojë, dhe këtë virtyt përpiqet ta përcjellë edhe te të bijat. Prandaj, si i tillë romani i zonjës Gjyrevci është rrëfim për vetë jetën, për rrugët e drejta dhe të tërthorta të saj, për devijimet dhe deformimet e ndryshme, që në të vërtetë paraqesin dështim serioz në jetë, siç thotë edhe autorja. Ajo me saktësi dhe talent i ka vijëzuar mjeshtërisht fytyrat që e mbajnë gjallë dhe e bartin në shpinë tërë ngjarjen, me të gjitha dobësitë dhe virtytet e tyre.

Kështu Adriani dhe Tereza janë në qendër të vëmendjes së shkrimtares dhe bosht rreth të cilit lidhet tërë ngjarja e romanit.

Adriani është një punëtor i zellshëm që udhëheq një firmë të suksesshme. Kundrejt bashkëshortes është i qetë, i arsyeshëm, dhe mbi të gjithat besnik dhe i dashur. Ndaj të bijave është baba i mirëfilltë, i dashur, këshillues dhe ndihmës. Po ashtu ai është figurë e plotë e romanit, e menduar dhe e vijëzuar mirë. Pastërtinë e tij shpirtërore, parimet e larta që i ushqen dhe i bart edhe te të bijat e tij, vendosshmëria, modestia dhe sinqeriteti janë cilësitë që atë e veçojnë. Një sërë karakteristikash të tjera po kaq të vlefshme të tij do të zbulohen nga veprimet e tij në jetën familjare. Ai është i ndieshëm, emotiv, ëndërrues, por edhe njeri me ideale të larta, i cili qetësinë, interesin individual i lë në rend të dytë, pas atij të familjes, bashkëshortes dhe të bijave.

Njeriu nuk ka të drejtë të kërkojë nga të tjerët sinqeritet e përgjegjësi nëse vetë nuk është i tillë.

Rrethanat dhe kushtet jetësore bashkë me veprimet e kundërta të të tjerëve, rasti i grabitjes së të bijës Sonit, bëjnë që gjërat mos të shkojnë ashtu siç duhet, prandaj edhe e pikëllojnë, por jo në atë masë që të heq dorë nga parimet dhe përpjekjet e veta, madje as atëherë kur bie ngushtë. Ta kujtojmë rastin e sëmundjes së Terezës, trajtimin e saj në spital, koston për mjekimin e saj, që e detyruan të shesë madje dhe shtëpinë. Kështu Adriani e vazhdon edhe më tej luftën i bindur se kjo është detyrë jo vetëm prindore e bashkëshortore, por edhe njerëzore.

Protagoniste, së cilës vend të gjerë iu ka dhënë në roman është edhe Tereza, e cila është vijëzuar mirë.Ajo është një bashkëshorte e denjë kundrejt të shoqit, një nënë e mrekullueshme për të bijat, e brumosur me të gjitha virtytet e një nëne shqiptare, që vajzat e saj i edukon për mrekulli e njëherit edhe i informon për prejardhjen e tyre arbëreshe dhe për simbolet kombëtare, sidomos për flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore. Është edhe dizajnere e suksesshme dhe punëtore e zellshme, që falë punës së saj arrin që të shpallet edhe si kreatorja më e mirë e modës në Amerikë dhe në shumë vende të Evropës. Ajo është përpjekur kurdoherë për të mirën e familjes, bashkëshortit dhe të bijave. Para së gjithash Tereza është bashkëshorte e denjë, nënë e mirë dhe punëtore plot zell. Ajo ka qëndrime të caktuara ndaj secilit problem. Virtytet e saj bëjnë që të shkrihet si qiri për interesin familjar. Parimore dhe e sinqertë, ajo gjithkujt i shpreh respekt dhe dashuri.

Dy vajzat e Adrianit dhe të Terezës, Dora dhe Soni zënë vend të denjë në faqet e romanit dhe u është kushtuar një vëmendje e posaçme nga autorja Gjyrevci. Ato rriten dhe shkollohen me kulturën amerikane, por të brumosura me traditat tona kombëtare përmes nënës së tyre.

Dora pas shkollimit arrin të bëhet një aktore e suksesshme në Holivud.

Soni, ende pa e përfunduar shkollën e mesme, bie në dashuri me Filipin. Por, brenda një dite jeta e kësaj familje të lumtur merr kahe tjetër, pra drejt dështimit, kur ajo e grabitet nga një bandë amerikane, nga një bishë njerëzore që jeton në mes të maleve, siç është Vidi, i cili edhe e përdhunon dhe bëhet baba i fëmijëve që do t’i lind ajo, i cili jetonte në një lokalitet të pashkelur nga pushteti dhe populli i qytetëruar amerikan.

Me disa vija të përgjithshme, por karakteristike, në roman janë paraqitur edhe disa personazhe të tjerë. Diç e tillë mund të thuhet edhe për Filipin, njeriu që di se ç’është e mira, dashuria dhe respekti për tjetrin. Ai këtu na del edhe personifikim i pësimit dhe i bëmirësisë….T’i kujtojmë aktet e rrahjes brutale nga kaubojt në restoran dhe aktin njerëzor të blerjes dhe pastaj dhurimit të shtëpisë së Adrianit, Sonit dhe fëmijëve të saj. Po ashtu figurë e realizuar është edhe Gjoni, që karakterizohet me besnikëri, urtësi, bukuri e sjellje të mira. Me sinqeritet arrin që ta fitojë dashurinë e Dorës.

Në anën tjetër e kemi figurën e Divit, njeri pa ndjenja dhe brutal, ndonjëherë i dhimbshëm dhe pendestar. Pastaj Viktoria me vëllezërit binjakë Sem dhe Bro……fëmijë të Sonit dhe Divit. Gjithashtu shkrimtarja e ka ravijëzuar edhe poertetin e Rojes me lëkurë të ogiçit dhe të së shoqes Elizabet.

Kjo është fabula e romanit “Dështimi në jetë” i shkrimtares Elhame Gjyrevci.

Të jesh njeri për autoren Elhame Gjyrevci, do të thotë të kesh parime të qarta, karakter të fortë, moral të lartë, qëndrueshmëri të paluhatshme ndaj vështirësive të jetës, që ndonjëherë mund të jetë shumë e pështirë dhe si e tillë s’mund të pranohet, por që duhet të luftohet për pastërtinë dhe lumturinë e saj. Të gjitha këto virtyte të autores Gjyrevci ne i mësojmë na protagonistët e romanit Adriani, Tereza, Dora, Soni, por edhe nga Vidi, që shpesh di të jetë i sjellshëm dhe i dhimbshëm, si në rastin e ikjes së Sonit nga shtëpia e tij dhe nga fëmijët. Atë, dhembja që ndjen ndaj fëmijëve, e urtëson dhe nuk përdor dhunë ndaj Sonit me rastin e kthimit të saj te fëmijët.

Të luftosh për ruajtjen e nderit, origjinës dhe krenarisë kombëtare etj, do të thotë të disponosh virtyte të larta njerëzore, sinqeritet të plotë, që nuk mësohen nga librat, por përvetësohen që nga fëmijëria në familje, nguliten në gjak dhe bëhen një me individin. Të gjitha këto virtyte te të bijat Dora e Soni, Adriani e Tereza arritën që t’i bartin me sukses. Kuptimi, domethënia dhe porosia e romanit është që çdo brez, çdo familje duhet të jetojë pastër dhe të luftojë gjithmonë, kudo që të jetë në glob, për ruajtje të identitetit kombëtar.

Shkrimtarja Elhame Gjyrevci, vërtet nuk ndalet gjatë në përshkrimin e disa episodeve. Ajo di të zgjedh atë që është më thelbësore, më karakteristike dhe ta thotë me pak fjalë, por qartë. Autorja ia arrin me sukses të mbajë nën kontroll tërë ngjarjen dhe çdo episod veç e veç dhe kështu, ia arrin ta përvetësojë lexuesin, sepse e angazhon plotësisht…duke e ndërprerë rrëfimin për ndonjë episod, aty ku lexuesi do të priste përfundimin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora