Kulturë
Nexhat Halimi: Silueta e vetmisë së gurit
E shtune, 02.11.2019, 05:15 PM
Nexhat Halimi
Silueta e vetmisë së gurit
(Fragment)
II
Ora ikte tetë e mëngjesit, ndërsa mendja më ikte gjithnjë
te Stan Tërgu. Në të njëjtën kohë prisja dhe lajmërimin e ardhjes së Faikut. Ai
ndoshta do të ketë ardhur, - më iku mendimi me vetëtimë mendjes nga vishesha me
kujdes, të mos bëja ndonjë zhurmë. Gruaja e fëmijët në dhomën tjetër ende
flinin. Dola para derës së oborrit. Faiku tashmë më priste aty. Ecëm, pa humbur
kohë. Gjatë tërë rrugës për Stan Tërg na e vështirësonte udhëtimin një tis i
dendur mjegulle. Ende pa arritur në Grykë të Tunelit të Parë, nisi të
fijonte borë. Në platformë para
xeherores e ndalëm automobilin e morëm për në zhveshtoren e minatorëve. Duhej veshur rrobat e
minatorëve: e vumë nga një helmetë në kokë, me dritë mbi strehën e secilës, më
pastaj provuam pantallonat, jelekët, qyrqet.
-Vishuni mirë. Në thellësi mund të ngrini nga të ftohtit
ose të djersiteni nga vapa. Lëvizin rrymat dhe ndërron moti, - foli me një
buzëqeshje të derdhur fytyrës xehetari që na shoqëronte. –E kemi vizituar më
parë Stan Tërgun.
-Unë, - fola, duke e shikuar Faikun. – Kam qenë në
secilin horizont. Kam shumëçka të njohur...
-Ah, - qeshi prapë ai.
-Vetëm me gjasë gjatë vizitash tuaja në nëntokë nuk keni
hasur asnjëherë në diçka mahnitëse,- tha
ai.
-E ajo është...
-Nuk është e tepërt të na e përkujtoni, - tha Faiku.
-A keni hasur në lulet e kristalit, të cilat shfaqen nga
rrëzimi i shkëmbit të xehes... Paraqiten ngjashëm me ndonjë fushë gjithë me
peme e lule kristali.
-Lule të kristalit?
-Kristale me forma e ngjyra të ndryshme, të cilat t`i
marrin sytë, kaq të bukura dhe të papara ndonjë herë...
-Jo, s`i kemi parë!
-A keni kamerë, - pyeti xehetari.
-Jo, pse?
-Të mund t`i fotografoni fundja!
-Jo. Kemi vetëm një laps e notes dhe një fotoaparat
fotografik.
-Kristalet nuk lejohet të nxirren jashtë pa leje të
veçantë.
-Mund t`i fotografojmë?
-Atë gjë, po.
-Mjafton dhe kjo. Qëllim yni kryesor është shkrimi,
biseda me xehetar dhe ta kapim atmosferën në të cilën derdhin djersë...
-S`është e vetmja herë që zbresim në galeritë e arta, -
tha Isani.
- Epo mirë, pra.Tash, ngjitemi në mensë. Duhet të hani
kafjall para zbritjes në xeherore.
Ngjitëm shkallët të menduar para hyrjes në sallën e madhe
të ngrënies. Ushqeheshin ata që me ne do të zbritnin në nëntokë. Ngelëm pak
çaste të hutuar.
-Duhet të shërbeheni vetë. E merrni ushqimin dhe tabakun
me gjërat e mbetura e ktheni aty, tek e morët. Është rregull ky, për secilin.
Natyrisht dhe për ty, gazetar.
-Do të presim pak, do të na bashkohet dhe një gazetar
tjetër.
-Cili, -shprehu habi Faiku. S`qe mësuar të krijoja ndonjë
reportazh në bashkë- autorësi me ndonjë gazetar tjetër. Ia vërej Faikut të
gjitha shqetësimet, flatrat e gëzimit apo habitë që i shprehë. Kaq kohë kemi
harruar në udhët e ikura me të për të
hulumtuar, zbuluar e shkruar ndonjë reportazh...
-Cili është ai, - e përsëriti.
-Çerkin Ibishi, - i psherëtiva dhe ndërsa e tërhoqa
karrigen të ulem e vërejta te dritaret e mëdha kokën gjysmë tullace të njeriut
që e prisnim. Ai tashmë qe bërë gati, veshur me rroba të xehetarëve,na priste
të hamë bukë e të zbresim në thellësi, t`i regjistrojmë sado pak frymëmarrjet,
çastet e punës dhe kokrrat e djersëve në ballin e secilit punëtor që punon në
minierë. Atë djersë, ato bula djerse, Maksi do t`i shkruante ndryshe, ta zëmë
“ato djersë ngjanin nga rrëshqisnin fytyrës në kokrra të mëdha fasuleje”.
Çerkin më shikoi në sy, më pastaj do të mendohet pak para psherëtimës, të cilën
do ta shkëpuste. Më tha të vogël të
ketë bërë gati dhe ndonjë fshehtësi për secilin xehetar; për secilin minator
shpues, për gërmuesit, armatorët,
vagonistët, apo për minatorin e shfrytëzimit të tuneleve, në cilëndo galeri të
zbresim... E dëgjoja Çeron dhe më rritej bashkë me fjalët në ato rroba
minatori, më zgjerohej hapësira e nëntokës me dritësimin e xehes së plumbit, të
zinkut, të argjendit, të arit, të bismutit... e, në të njëjtën kohë më shfaqej
një vashë me gërsheta të ndritshme para
një tufe me dele, duke lozur me një guri, i cili lëshonte xixa të verdha e të
kuqërremta. E vëren këtë vashë një udhëtar nga kalon udhës së mëhallës së
Trepçës, e i mahnitur i afrohet. Ia shikon herë gërshetat e flokut të ndritur e
herë tjetër gurin me të cilin lozte para tufës me dele.
-A mund ta shikoj gurin me të cilin lozë, vashë e bukur,
- i flet udhëtari.
-Po, pse jo? – ia jep gurin dhe i shikon delet nga
kullosin.
-Merre, - e zgjat dorën udhëtari t`ia kthejë gurin e i
thotë, i buzëqeshur.- Qenka guri i mirë, - ndërsa mori të largohej, me sytë nga
vasha me gur në dorë.
-Të pëlqeu guri, apo jo?
-Shumë!
-Mbaje, mbaje. Ka kaq gurë të tillë këtu, - ia kthen jep
prapë gurin vasha dhe ik mes delesh.
Ditën tjetër, ndërsa vasha prapë i ruante delet, ia behu
udhëtari me tre njerëz të hajthëm e me kazmë në dorë. Vasha e shikonte me habi.
-Ku the, - i foli vashës, ku e gjete gurin që ma fale?
-Ka mjaft gurë të tillë këtë, - foli ajo e ata me vrull
ia nisën të mihën. E hapën një sipërfaqe të tokës disa hapa të madhe, afër një
metër të thellë, e papritur, mes degësh të një lisi të Mazhiqit depërtoi dielli
dhe ra në hapësirën e hapur. Shpërtheu dritë ngjyrë flake nga toka dhe ata e
përqafuan njëri tjetrin, të çmendur nga mahnitja.
-Çfarë ka, pse ajo flakë, - foli vasha e hutuar.
-Ti dhe unë jemi të pasur, - tha udhëtari. – Nën këmbët
tua dhe këmbët e mia ka xehe ari. Ai guri që ma fale mua ka plot grimca ari.
-Ih, - rrudhi krahët vasha. – Këtë gjë e ka të qartë
secili këtu. Veç ai gur qoftë me grimca ari apo pa to nuk mund të hahet as të
pihet! A kupton, - e përsëriti ajo e ngarendi mes delesh, të cilat kullosnin
bar me shije në kodrën e Mazhiqit.
-Ai gur, me grimca ari, hahet dhe pihet, vashë e bukur, -
i tha udhëtari, pa arritur të mposht habitjen që ndiente nga vallëzonte mbi
copën e hapur të tokët, mbi të cilën derdhej dritë e shkëlqyer! - më binte
kokës me jehonë zëri i vashës nga i ruante delet dhe luante me gurin, i cili
ndriste nga grimca ari, të tregonte çfarë ka nën këmbët e lidhura për tokën
gurore.
*
Pak çaste para nisjes për nëntokë, minatori Shaban Voca,
i cili hante kafjall me ne në mensë, e derdhi një shikim te secili me radhë e
psherëtiu i buzëqeshur, më pastaj ndoq malet rreth me një vëmendje të veçantë e
u kollit.
-Çfarë ka, - foli Faiku.
-E keni zgjedhur ditën më të mirë të zbrisni në zgafelle, - tha ai.
-Pse?
-Do të ballafaqoheni sy më sy me ata, të cilët i
tejkalojnë normat e punës ditore e mujore shumëfish. Veçmas me shtatë më të
dëshmuarit. Vetëm gjatë tre muajsh të fundit ata xehetarë të palodhshëm mihën
kaq xehe sa qe tërë prodhimi i një horizonti të “Trepçës”...
-Në ç` katallanë ngjajnë ata, - qeshi Faiku.
-Do t`i shikoni vetë, - qeshi dhe Voca, më pastaj tregoi
se dhe ai vetë është mes atyre të shtatëve. Prapë qeshi, tevona fshiu gojën me
shami e të hareshëm mësymë shkallët e mensës, të zbrisnim në platformë ku qenë
tubuar xehetarët e ndërresës së parë, të cilët ende definoheshin vetëm nga
siluetat e tyre nën tufa terri të mëngjesit dimëror.
Dizgë të dritës përvidhen nga degët rreth e derdhen mbi
helmetat, përzihen me llambat mbi kapele të ndonjërit nga minatorët. Vërehen në
atë dizgë dhe gemat e sythat çuditshëm të shfaqur kaq herët.
-Në mes të dimrit sytha?
-Po, ngjet kjo jo rrallë, - ndërhyn fotoreporteri
-Sa herë pranvera fillon herët, paralajmëron verë të
bujshme.
-Vetëm tash dëgjoj diçka të këtillë!
-Epo njeriu mëson gjatë tërë jetës, - qeshet Çerkini
Akrepat e orës lëvizin, shënojnë çastet e rëndomta, të
përditshme, për secilin nga minatorët. Dëgjohen në heshtjen e thellë tik-take
të përhershme,të zemrës dhe të orës. Lidhin dhe ndajnë ende pjesët e errëta me
pjesët e para të mëngjesit, të cilat veç i prek bukuria e hershme dhe e ndritshme. Në platformë para
gojës së xeherores, është derdhur dhe një mëshikëz e një mjegulle, e cila - gati veç e dëgjon, sesi shqyhet nga prekjet ngjyrë vjollce, ende të zbehta,
të kuqërremes së agut dimërorë. Dritat
këputen rreth e bien me pamje të
mrekullueshme.
Hyrja në gojën e përbindëshit
-Ceremoni në vete, - e shikoja Çeron.
-Mungon vetëm akti i flijimit për t`u koordinuar e tëra
në këtë mëngjes sipas legjendës së vjetër.
-Flijimi është me dizgje të ngjyrosura, me ceremoni.
-Bëhet ceremoni para hyrjes në gojën e përbindëshit.
Gjithmonë.
- Ja me ritëm rrotullohen dritat e derdhura nga qielli e
nga brendësia e tokës vijnë valë të
pahetueshme për secilin, të cilat paralajmërojnë ndërrim të thellë .
-Njëmend, po... – ndërhyri Faiku veç sa për të treguar
pjesëmarrjen në fjalët që i thurnim natyrisht si naivë që ishim për këtë punë
të bërë nga ata që i përjetojnë gjatë të përditshmes...
- Ja, shikoji lojërat e dritës me ngjyrat e vetes, me
ritmet e shpirtit..
-Me ngjyrat e vetes, the! – fola me shpoti e qesha.
-Lere tash.
-Natyrisht.
-Shikoji fshikëzat e agut sesi shkrihen në të gjitha
copëzat, ngado, në fytyrat me llamba mbi kokë,sesi bien në flegra gurësh, në
degë lisash, në maja kodrash rreth e – këtu, para nesh, në buqeta teli të
gjatë, në shinat e hekurudhës dhe në paralelet nga ikin deri te fyti i
xeherores... – radhiti pak më me kujdes
fjalinë e vet Çera e më pastaj njëjtë me përpikëri i jepej metrikës në
poezinë që krijohej papritur. Aty për aty.
-Vetë fytyrat e minatorëve janë poezia.
-Një pikturë e gjallë... të shkrirë në djersën e rrjedhur
vadë.
-Poezia e pamja e zjarrit të jetë vetë amshimi.
-Ke të drejtë!
-S`ke si ndryshe ta shikosh këtë gjë, - më shikoi ai me
dyshim mos prapë bëja shaka.
-Minatorët kanë zbritur para dritës këtu nga larg. I kanë
lënë ende në gjumë familjet, t` ia këpusin zemrën nëntokës e ta nxjerrin në
sipërfaqe!Ta nisin në damarë të gjatë Kosovës në përpunim. Në shkritore. Në
elektrolizën e plumbit, në procese të mëtejme... –E ik shikimin në fytyrat e
secilit, pastaj më tutje e zbres ndër gurë, në lisat e maja kodrash të Shalës,
mbi të cilën ke përshtypjen mbështetet tërë sipërfaqja e qiellit. E shikoj këtë
copëz të qiellit të shkruar me ndonjë flluskë të borës, e cila tashmë veç binte
pak-pak. Në të njëjtën kohë, më ik për një çast mendja te Kulla e Isë
Boletinit, mbetur e vetmuar në një cep malesh të shpirtit të tij e timit, të
gjithë popullit shqiptar, e vetë i mbetur dhe i vrarë afër Podgoricës. Ende t`i
mbesin eshtrat atje e këtu e presim kot.
-Ku të vajti mendja, - më shikon Çera.
-Askund!
-Secili i ka fshehtësitë e veta. Sekretet, në të cilat
nuk dua të hy as unë.
Unë vetëm buzëqesha, duke pritur tashmë me xehetarët para
gojës së madhe të xeherores, e cila herë-herë në dritëhijen e lidhjes dhe
ndarjes së tyre nga toka e zbritjen në thellësi të tokës, ngjet në një bishë ,
të cilën ende nuk e ka njohur historia. Veç ngjet e tillë, zbret nga përrallat
e vjen nëpër mjegullën e dendur, të derdhur përmbi lugina e male, të çel gojën
këtu e të na kollofitë, kaq të vegjël dhe të pa fajshëm. Të ngel nga
ne-njerëzit, milingona, hiri dhe lulja e kristalit, të cilat në ngjyra të ndryshme rriten brenda
sasisë së pafund të xehes. Lëvizi pak duar e mpira nga të ftohtët. Rreth dëgjoj urimin e atyre që i kam afër, Me
Fat! Përshëndeten. Ndërrojnë hapat e ecin të zbresin nëpër fytin e gjatë, deri
atje ku mihin, deri ku degëzohen galeritë, punishtet, vend shpimet dhe rrëzimet
e xehes nga muret vertikale, thellë, ku
vetëm për pesëmbëdhjetë metra ende nuk barazohet niveli i shpimit të tyre me
nivelin e detit. Disa herë e përsëris këtë apostrofim, i cili më zgjon diçka të
pashpjegueshme, veç dhe të vërtetë.
Tashmë marr frymë pak i shqetësuar. I bërë hije në
ashensor, mes minatorësh nga të gjitha fshatrat e Kosovës. I shikoja ata në
fytyrës dhe përpiqem në bazë të relievit të kokës t`ia qëlloj prej nga vjen
secili. Natyrisht kam të drejt të bëj diçka të tillë, ndërsa pres të zbres në
nëntokë me të gjithë. Këtë ma ndërpret zëri i qartë e i fuqishëm, i cili më
tingëlloi tepër befas.
-Daut, u bë!
-Me Fat!
Sirena ra e gishti i xehetarit Daut shtypi sustën e
ashensorit,të tërin të konstruktuar nga metali dhe nga rrjetat. Konstrukti i
tillë shfaqej i ftohtë, i zhveshur
e me pamje pak të frikësuar. Ai u tund me zhurmë në lëshim, më pastaj pak do
të ndalet para ikjes nga zemra e nëntokës. Qe përplot minatorë në rrugën e
nëntokës, të thellësisë së ngrohtë e të ftohtë, vende-vende. Iknim ngul teposhtë e
aty-këtu përjetonim ngjyra të plumbta, e herë – herë, vërenim dhe vetëtima
ngjyrash që të zgjonin frikë dhe mahnitje në të njëjtën kohë. Ndonjëherë
shkrihej dhe ndonjë shtrirje e ngjyrës së artë.
-Me Fat!
Shikohemi me minatorët, sy më sy.
Flatra të ndritshme shkrihen nëpër fytyrat e tyre, në të
cilat lë gjurmë drita e varur në helmeta. Secili e ka mirë të njohur këtë
rrugë. Kush e di sa herë, kush e di sa vjet secili zbret në thellësi dhe
natyrisht me kohë çdo njëri e ka humbur frikën. Ajo tashmë nuk paraqet asgjë të
jashtëzakonshme në këtë zbritje. Fytyrat u ndrisin nga llambat e ndezura mbi
kokë. Flatrat e herë hershme e shprehin kënaqësinë e përditshme. E shprehin
dashurinë, të cilën e ka në vetvete secili për nëntokën. Bukë e kanë secilën
zbritje në thellësi. Ajër e kanë. Ujë e kanë. Dashuri e kanë, të përhershme.
Ditën e re të punës e nisin me zotime.
Para fillimit të turnit minatorët, organizatorët e punës e ekspertët, pa dallim,
tubohen më parë në zyrën me mure të gurta. E skicojnë deri në detaje secilën
punë që do ta kryejnë për orët e ardhshme që i presin. Merren vesh, pa humbur
shumë kohë, shkurtër, në cilët resorë do të shpojnë,sesi do të ballafaqohen me shkëmbin e xehes dhe
sesi t`ia bëjnë të ecën më mirë
prodhimi, gjithnjë duke e paraparë çka duhet bërë me tutje, meqë ende disa dobësi
janë të pranishme.
Ashensori i afrohet horizontit të radhës. Pak para
ndaljes në një nga punishtet mbretëron një heshtje, ndërsa ne po përkujtonim
ende fjalët e inxhinierit Emin Salihu, që i
shkëpuste me dashuri të posaçme, vetëm për ta thyer qetësinë e për vjedhur. E
bëri muhabetin shtëllungë të gjatë liri. E rrahu dhe e krehu për t’u tjerrë në
rrjedhë të fjalës së vet inxhinieri.
-Asgjë nuk preket pa u matur e çmatur nga disa herë. Pa e
paraparë dhe shënuar sigurinë në radhë të parë, më pastaj pa skicuar punishtet,
ku çfarë do të mihin, çfarë do të shpojnë. Në këtë mënyrë, e përjetojn minatori
secilin sukses tepër afër zemrës. Ndriçimin e xehes së re, rrëzimin e shkëmbit
të ri, murin e ri, shfaqjen e kristaleve të shfaqura me kaq mrekulli për herë të
para në sytë e secilit.
-Është madhështore pamja me kristale,diçka që përjetohet
rrallë, një herë në jetë mund të them pa e tepruar. Brenda zemrës së tokës lule
të kristalta!
-Ka shkruar dhe gazeta e parë shqipe në botë për ne... –
flet Fetah Tahiri.
-Cila qenka kjo gazetë, - thotë fotoreporteri.
-E vetmja gazetë shqipe e përditshme në botë, “Rilindja”!
Ajo shkruante, në faqe të parë, “Në bazë të raportimit të
udhëheqësve të ndërrimeve të
xeherores “Trepça” të Stan Tërgut, në
mesin e shumë xehetarëve, shtatë janë ata që çdo herë tejkaluan normat
e punës ditore: Fetah Tahiri e Ramadan Myftari, të cilët qe tri decenie gjenden
në Horizontin e Tetë, pastaj Ismet Islami, Ahmet Mazhiqi, Shaban Voca, Feriz
Hoti dhe Blagoje Stepanoviq, - e tha përsëri lëvdatën e vet, Shaban Voca, e me
mburrje nuk ndalej të fliste. - Vetëm në
tre muajt e kaluar këta shtatë punëtorë të palodhshëm mihën aq xehe sa ishte e
tërë prodhimtaria e një viti në gjithë
Horizontin e Tetë të xeherores... “
-Ti, Voca, e ke këtë për të lavdëruar veten...- tha
inxhinierit Emin Salihu, duke shikuar Vocën me bisht të syrit e duke
buzëqeshur.
-O, jo. Nuk e kam unë për vete!- foli Voca.
-Ti e bën muhabetin fjollë... – qeshi një tjetër.
-Cilët janë këta njerëz, trima të horizonteve të plumbta?
Të njëjtësuar me xehen e spërkatur me grimca të arit, – me zë plot jeh
mërmëriti Çera dhe me përqendrim
vështroi peizazhin para vetes, murin përballë, i cili me rrëzimin e xehes
tashmë ngjante në një kopsht të largët e me lule të ndryshme, me pemë të gjethuara,
me gjysmë drurë e drurë të ndritshëm, mbi të cilët ndriste hëna e verdheme.
–Cilët janë këta trima, - e përsëriti.
-Do të bëjmë fjalë me ta, për djersën, për verat e
vjeshtat- afër, ashtu si i përjetojnë ata,me shpirt, - ndërhyra unë.
-E meritojnë, - tha inxhinieri.
-Patjetër...
-Gjithsesi, - e përforcoi fotoreporteri,ndërsa i kapte
herë rrëshqitas e herë tjetër me një pamje më të gjatë, më të shtrirë apo dhe
ndoshta pjesë-pjesë copëzat e punishtet nga shfaqeshin nga ashensori në
zbritje. – Gjithsesi, - e përsëriti
prapë, pa e kuptuar çfarë thoshte, me sy të pikasur në
shkëmbin e xehes nga ndrite anash, me fije të kaltra, të
kuqe, të verdha...
- Ti, je kaq i mahnitur, - ndërhyri një xehetar, duke i
fshirë djersët me shami nga balli. – E tëra është diçka që i ngjan një
shtëllunge të gjatë, të tërhequr e të përdredhur... -Me kaq xixa që shfaqen dhe
shkëputen nga xehja e rrëzuar, e cila, ja, me të zbritur, pa vonuar ngarkohet e derdhet në oxhaqe për
të udhëtuar lart në sipërfaqet të tokës, në proceset e ardhshme të përpunimit.
– Tash e sa kohë jemi të mobilizuar të gjithë, çka e
dëshmojnë dhe rezultatet e mira që po i
arrijmë në saje të angazhimeve të pashoq të xehetarëve , ekspertëve e të
secilit,- e bëri muhabetin prapë shtëllungë të gjatë liri në rrjedhë të fjalës
së vet inxhinieri. – Në këtë mënyrë rrjedh çdo gjë kështu këtu, veç ka vend
forca për suksese dhe më të mëdha. Për këtë
bisedonim dhe në mbledhjen e fundit. Për këtë flasim dhe tash, shkurt e me
shifra: gjatë pjesës së parë të dhjetorit e
deri më tash, gjatë ditëve në rrjedhë plani u realizua rreth 102 për
qind, ndërsa nëpër disa sektorë eci dhe
deri në 107 për qind. Për të gjitha, por, më shumë le të flasin
punëtorët.
Ata secili suksesin e kanë afër dhe i tyre është.
Ashensori ndalet në horizontin e nëntë. Secilit i ndrisin
sytë. Me secilin do ta thithim të njëjtin ajër, do të ndiejmë aromë të njëjtë
të nëntokës, të xehes, do të kollitemi e do të mahnitemi para pamjeve të
rralla, të cilat deri në ato çaste nuk do t`i ketë parë ndokush më herët.
-Dalim, - flet inxhinieri
i ri Emin Dauti, i cili do të na shoqërojë gjatë gjithë kohës nëpër
nëntokë , nga galeria në galeri, në mes
të gjitha frymëmarrjeve të punës
dhe të djersës. Kthejmë për një çik kohë edhe në zyrën e kryepunëtorit, Sejdi
Kaçanolli. Ai na shikon e nuk e ndërpret fjalën, rrjedhën e mendimit lumë. Me
hov u flet xehetarëve për sigurinë ku do të punojnë. Sa do të kenë
aty horizontalisht shpime, sa
vertikalisht...
Vetëm tash e ndërpret fjalën e përshëndetet me ne.
Patjetër qe e nevojshme, të mësojnë dhe për kotën 129. Kjo kotë gjithsesi
duhet siguruar më mirë e pastaj të niset
puna. Shkëmbi rri varur, ai nuk është asnjëherë, si i tillë, mik.
Minatorët shpërndahen nëpër vendet e punës.
Me fat!
Ecim. Kalojmë në kotën 130.
Tashmë çdo gjë është
në vlug të punës. Arrijmë në kotën 130, ku që në kafshatën e parë të
xehes është prishur autoloderi.
-Këtu gjithmonë paraqitën vështirësi, por ne i mundim.
Tre punëtorë janë tubuar rreth autoloderit. Është prishur
ai.
-Çka ka, - u flet inxhinieri.
-Po, janë vjetruar bukur shumë makinat. Ja, kjo tash e
ndali për një çast punën këtu.
-Në kafshatën e parë heshti. I mbeti diçka në fyt.
-Do ta gjejmë çfarë i dhemb?
-Duhet ta rregullojmë sa më parë. Me këtë fjalë afrohen
edhe punëtorë e minatorë nga punishtet e afërta. Të ndihmojnë. Të aftësohet
makina e të rrjedhin punët e parapara. Puna s`duhet e as mund të presë.
Shpejt e shpejt çmontohen pjesët e autoloderit. Axhustatori Faik Kurti saldon hekurin e
thyer. Ik gjysmë ore, ndërsa Isa Brahimi përsëri
gjendet mbi makinën e zgjuar me tërbim para grumbullit të madh të xehes së
rrëzuar. Nëpër oxhak derdhen tonelata të reja xehesh në rrugë kah mbi toka. E
këtu në punishten tjetër, në jug, ka edhe më shumë zhurmë. Minatorët të
zhveshur deri në brez e të larë nga
djersët me pistoleta shpojnë shpatullat e larta të shkëmbinjve të xehes.
-Ja, deri tash kam
shpuar mbi tridhjetë metra shkëmb të xehes, aq sa e kam normën për tetë orë.
Deri në fund të ndërrimit mund ta dyfishoj,- thotë minatori Skënder Hasani.
-S`ka punë që s`lodh, lëre më kjo, por këtu është buka,
jo vetëm e imja. Vetë i pesti jetoj nga kjo punë dhe mirë. Këtu aq sa punon
edhe fiton. Puna është normuar dhe unë e
kam të qartë sa do të fitoj në fund të
çdo dite.
Një duhmë e ngrohtë përfton nëpër horizonte. Djersët
shkruajnë fytyrat dhe trupin e secilit minator. Dëgjohen bisedat e tyre me zë.
Siluetat e tyre zbulohen herë këtu e herë tjetër atje, nën shkëlqime dritash të
llambave mbi helmeta. Kjo ngjan në xixëllima në ditë të verës në hapësirat e
pafund të fushave me grurë në fshat,ndërsa lart fluturojnë flutura e zogj,
ndërsa presim të dalë hëna e ndriçojë kaq bukur, siç bëjnë dritat artificiale
thellë, në horizontin e gjerë e përplot
errësirë dhe plumb, argjend, ar e zink.
Copëzat e arit në copëza xehesh të papërpunuara xixëllojnë dhe krijojnë qiell
të pafund me përlot yje.
-Ja ylli im, - shikoj lart dhe qesh me Çeron.
-E ai, atje, është imi, - ndërhyn ai.
Ecim. Në punishten tjetër arrijmë, duke ndjekur rrjedhën
e ujit
të kthjelltë të vadës, ndërsa gjarpëron mes përmes korridorit të ndritur
nga shkëlqimi i argjendit i ndonjë grimce të arrit. Aty, veç sa është rrënuar
një copëz e madhe e shkëmbit dhe në ballë shfaqet një pjesë e bukur, një
peizazh i një tërësie më të madhe ende e fshehur, me përplot shkëlqim ngjyrash
të kuqe, të kaltra, të bardha, të zeza. E zeza ndritë nën copëza ari. I gjithë
ky peizazh me kristale, ngjan në një ylber shtatë dizgjesh, në të cilat
vetëtijnë ngjyra të mrekullueshme dhe forma të përkryera.
-Është një fushë, një jalli buzë uji, - flet Çero.
-Plot tulipanë...- i thotë Faiku.
-Jo, plot asfodela, - e them unë e vërtet më del para
sysh të mësuar tashmë me copa xehesh fusha e pafund me atë lule të parajsës, të
përjetshme.
-Asnjëherë nuk e keni përjetuar këtë gjë, - ndalet dhe e
shikon me veçanti një minator.
-Kurrë më parë, - e shikoj.
-Ja pse e dua këtë punë , - thotë Ahmet Mazhiqi. –Punë e
vështirë është, veç të ofron përjetime të rralla, të pa jetuara më parë. Asgjë
në tokë nuk hapet diçka kaq e papërshkruar siç ngjet këtu. Një shkrim i menduar
gjatë e gjaku rrjedh nëpër të
-E dua këtë punë. E punoj me përkushtim e dashuri. Jetoj
nga kjo. E kaq herë sa lidhen përkushtimi me dashurinë lind gjithherë fryti.
Ja, pse unë ia dal të fitoj mjaft e të kujdesem për familjen, - ndërhyn
xehetari Ismet Islami, ndërsa kollitet pak dhe i fshin djersët me shami. E
shtrëngon pistoletën me të cilën shpon shkëmbin e xehes. Rrjedh prej vrimës së
shpuar një lëng apo ujë. Kjo e tregon afërsisht arritjen e fundit të shpimit,
ku do ta vënë minën ngjyrë verdhë, e cila pasi do të ndizet dhe xehetarët do të
kenë ikur në strehimore, do të shpërthejë eksplodimi dhe do të bien tonelata të
reja të xehes.
-S`është keq të jesh minator ndërsa të jepet haku i
djersës, - flet Fetah Tahiri.
-E, këtu, djersët derdhen shumë. Krijojnë lumë. I keni
vërejtur vijat e ujit në rrjedhë korridoreve nëpër galeri, janë dhe djersët e
pikura nga shpirti e trupi i secilit xehetar.
- E tha dhe Fetahu, është vështirë këtu, veç jo për ata
që e duan punën, - ndërhyn Adbyl Latifi. – E puna është dhe amaneti ynë i
parë për secilin këtu. Ai që nuk e ndien
me shpirt atë gjë që e punon nuk do t`i qëndrojë ashpërsisë që shpërfaq
nëntoka. Nuk do t`i përballojë shkëmbit të xehes. Të jetë sado punë me rrezik prapë
tejkalohen me vullnet. As kushtet e punës nuk janë të papërfillshme. Po i
përmirësojmë nga dita në ditë. Ta kenë më të lehtë punëtorët orarin e punës. Të
prodhojnë më shumë. E sa më i mirë të jetë prodhimi fiton më shumë secili.
Është thënë kështu dhe në tubimet mes nesh. Nuk kemi
ardhur kaq thellë në nëntokë, të punojmë punë të vështirë e me rrezik të
përhershëm, po nuk e deshëm atë punë. Të gjitha i kapërcejmë me vullnet, me
dëshirë, natyrisht të paguhemi dhe mirë, pa hile, për çdo gjë që e bëjmë. Kam
hetuar të ankohet ndonjëri kokë më kokë për këtë e atë gjë. Thuaje çfarë të
mundon, çfarë e pengon rrjedhën tënde të punë e të jetës. Shpeshherë e themi
dhe nuk e themi rrjedhën që pengon,
rrjedhën që bëhet e përditshme për të ecur gjërat mbarë. Pse ta fshehim e të
flasim prapa shpinës, për njëri tjetrin, ndërsa të gjithë këtu të njëjtin fat e
kemi dhe natyrisht kemi dhe probleme. Ato tejkalohen për secilin po t`ua prekim
rrënjën, po t`ua prekim dhembjen. Pengesat në punë, sa herë shfaqen i zgjidhim duke
ua gjetur ilaçin, i realizojmë këtu, në vendet e punës, secili , synimet e
secilit. Me ndihmën e njëri tjetrit. Puna në nëntokë nuk është individuale,
varet nga shoku, nga i treti e me radhë,
– e stërgjatë, e bën shtëllungë
të gjatë liri në rrjedhë bisedën e vet Abdyl Latifi, minator nga Bozhlani. Ai i
lidh dhe problemet vetjake, të cilat nuk janë të vogla. Tregon sesi dhe
sot, siç i ndodh për çdo ditë, ka bërë
kaq orë rrugë për të arritur në vendin e punës,
për të zbritur në këto horizonte plot begati. Është zgjuar para orës
katër dhe ka udhëtuar një orë e gjysmë këmbë nga Bozhlani. Anëtarët e familjes
i ka lënë në gjumë dhe ngjet në kthim, t`i gjejë me mbrëmjen e vonë prapë në
gjumë. Kjo sidomos po të jetë në ndërrimin e dytë apo dhe të tretë. Vetëm për këtë gjë ankohet: i duhet të
udhëtojë kaq larg nga fshati deri këtu. – Ndoshta i gjendet ilaçi dhembjes
sime. Punën nuk e ndërroj, e dua dhe e punoj me dashuri...
Në thellësi të
nëntokës nuk janë vetëm minatorët.
Në këtë hapësirë, kaq shkëlqyese, ka dhe disa muratorë.
Ata me përkushtim të veçuar matin e çmasin, shikojnë nga tavani prej metali i
ngritur vjet e vjet më herët. Të tre punëtorët,
Rrahim Aliu,Miroslav Filipoviq e Musli
Pllana, murojnë diçka që për minatorët është pak e çuditshme. Murojnë
një oxhak, i cili pëllëmbë më pëllëmbë,
gjithnjë, i afrohet qiellit prej
shkëmbi.
–Do t`i ngrehim tre oxhaqe, - thotë muratori Rrahim
Aliu.-Përmes oxhaqeve do të ecën puna më lehtë. Xehja,nga fundi i galerisë do
të përcillet për në sipërfaqe të tokës, të bartet më pastaj në procese të
ripunimit. Me përfundimin e oxhaqeve, punishtja do të lirohet për eksploatimin
e mëtejmë të xehes.
-Po, - qeshet Musli Pllana. -Sapo oxhaqet të ngrihen deri
atje, te tavani,në këtë punishte do të vijnë përsëri minatorët e minat do të
rrëzojnë përsëri atë qiell plot shkëlqim xehesh.
Minatorët presin me padurim, të përgatitet kjo punishte
për punë e nxjerrje të mineralit. Ata e ndiejnë xehen e mirë e të shumtë.
Rrallë herë ngjet të gabojnë. Sillen rreth e presin. Këtu ka shumë xehe dhe
është e mirë. Atëherë prodhimi do të jetë edhe më i madh, - flet Hakif Trepça,
zëvendës i mbikëqyrësit në punishte.
Mes duhmës së ngrohtë
të punës e të zhurmës, erërave të vakta e të ftohta të nëntokës zbresim
e ngjitemi shkallëve, ecim korridoreve të errëta. Llambat e minatorëve e çajnë
errësirën dhe i zbulojnë nën drita duart e tyre
të forta. Nuk ikin shumë çaste e dëgjohen shpërthime. Pistoletat e minat
çajnë e rrëzojnë copëza shkëmbinjsh të xehes.
-O Xhemajl, hajde, hajde! Udha është çelë, - thërret një
zë.
-Ju, ikni nga rruga. Largoni pak nga binarët...menjëherë,
- dëgjohet një zë tjetër, shumë më i lartë.
Ata nëntoka i mësoi të flasin ashtu. T`i bëjnë zë tjetrit
të jenë të kujdesshëm, të mos ndodh ndonjë e keqe e paparaparë.
Lokomotivisti Xhemajl me kompozicionin e vagonëve të mbushur përplot përfton shpejt
para nesh... do t`iu afrohet oxhakëve, të derdhet xehja aty, për t`u bartur
pandërprerë jashtë, në sipërfaqe të tokës.
Procesi i punës është në vlug. Ashensori ka arritur për të nxjerr
minatorët e ndërrimit të parë. Minatorët e ndërrimit të dytë tashmë nisin punën
ku e lanë ata, të cilët tashmë ikin. Përsëri ashensori është përplot me
minator.
Ngjitemi me disa nga ata, të cilët i rrumbullakuan tetë
orë punë. Hyjnë në ashensor bashkë me ekipin e
gazetës “Rilindja”, nesër apo një ditë më vonë t`i lexojnë lexuesit në
të gjitha paralelet e meridianet e Kosovës e më larg, deri atje ku shpërndahet
shkrimi për ta, për djersën e tyre, për përjetimet e tyre, për ëndrrat e tyre,
të cilat gërshetohen nga thellësia e tokës deri në thellësinë e qiellit, tek
fluturat bëhen yje, e shqerrat vrapojnë pakufisë së qiellit të etshëm për lojë
e blegërima të vetëtimshme.
Tashmë shkëlqimin e kristaleve të nëntokës e shohim nën
diell. Vagonetat , si zogj, varg e varg rrëshqasin nëpër teleferik kah Zveçani,
ku është shkritorja.
Presim raportin për punën e ditës.
-Do ta shtypni në gazetë, - qesh një minator.
-Po... ko gjë e afirmon punën që e bëjmë këtu. Dëgjojnë
për të në shumë mjedise, - ndërhyn një tjetër.
Afrohet me një ecje me takt inxhinieri i buzëqeshur.
-Për sot ishte planifikuar realizimi prej 2.600
tonelatash xehe , plani u tejkalua për
530 tonelata.
-Kjo dhe vetë puna, foli për mobilizimin e secilit
minator. Folën vetë punëtorët,
konkretisht, me djersë.
-Kjo ditë do të përsëritet, - premtojnë minatorët e -
djersët kokrra groshe, siç do të thoshte redaktori im Maksi, u rrëshqasin nëpër
lëkurën e qëndisur me pluhur të artë!
-Me Fat!
Ekipi i “Rilindjes” brenda pak orësh bëri përpjekje të
jetë sa më tepër i padukshëm, veç kjo nuk qe asnjëherë e mundshme. Provonim t`i
shfaqnim pamjet, trupat dhe mendimin e lidhur ngushtë me atë trup, t`i shfaqnim
dhembjet e zërat, të lidhur poashtu, më pastaj imazhet, pa ia dalë jo rrallë
për të qenë pjesë e dashurisë, e pikëllimin dhe e rrjedhës së kohës jashtë
atmosferës e në të njëjtën kohë duke e pikturuar botën, me të gjitha veprimet e
gjymtyrët. Do të provojmë prapë atë që s`arritëm në pjesën e deritashme ta
realizojmë, ta bëjmë të prekshme ditën tjetër.