E premte, 26.04.2024, 08:16 PM (GMT+1)

Mendime

Ibrahim Egriu: Çka duhet të ndodhë, që të bashkohen shqiptarët?!

E enjte, 21.08.2008, 06:06 PM


Ibrahim Egriu
Çka duhet të ndodhë, që të bashkohen shqiptarët?!  
 
Nga Ibrahim Egriu

Këtë pyetje e parashtron secili individ nëpër damarët e të cilit qarkullon gjak shqiptari. Edhe pas tërë atyre masakrave, vrasjeve dhe vuajtjeve biblike që përjetuan shqiptarët, akoma vazhdohet me avazin e vjetër, duke vazhduar shqiptarët të qëndrojnë  të ndarë e të përçarë mbi baza  politike,  partiake  apo fraksionare, në baza rajonale e fetare. Dikush i bie thumbit, e dikush  patkonit. Çka duhet ndodhur që të afrohen shqiptarët me njëri-tjetrin! Vallë, a s’mjaftojnë   njëzetë shekuj robërie që të  njësohen,  vëllazërohen dhe bashkohen shqiptarët rreth më një ideali  të  përbashkët: Çlirim  dhe bashkim kombëtar, një herë e përgjithmonë nga zgjedha shekullore 2168 vjeçare! Siç duket asgjë deri më sot s’ka ndikuar në konsolidimin e radhëve e të konjukturave politike. As lotët e njomë të foshnjeve që u zvariten nëpër fëtyrë, as lutjet dhe hofshamat e  nënave shqiptare, që  përjetuan çastet më të vështira  të  golgotës  shqiptare, as djegiet e qindra vendbanimeve, vrasjet dhe maskarat e kryera nga ordhitë çetnike,  as  varrezat masive të mijëra të  ekzekutuarve edhe as tërë ato skena pikëlluese,  që trishtuan  mbarë opinionin liridashës botrëor.
Këtë shembull e kam marrë me rastin e ekzodit të  shqiptarëve  kur  me  qindra mijëra shqiptarë, siç qe rasti me Holokaustin e Bllacës: fëmijë, pleq e  nëna shtatëzane shqiptare, në të ftohtë, në borë, baltë e shi; pa ushqim e pa barna, në qiellin e hapët, kërkonin  lëmoshë nga Perëndia e nga Presidenti Klinton.Tërë këto skena trishtuese i shikonim në shkollë së bashku me një arsimtar hebre me emrin Isak, i cili në ato çaste m’u drejtua e më  tha:  Edhe ne hebrenjtë kemi përjetuar kësi skena trishtuese gjatë Luftës së Dytë botrore.  Mandej vazhdoi:- Ne hebrenjtë kemi qenë populli më i ndarë, i përçarë e i  shkapërderdhur  para Luftës së Dytë, por pas asgjasimit të rreth  gjashtëmilionë  hebrenjëve, sot  jemi  kombi  më unik e më i konsiliduar në  botë;  andaj,  m’u  drejtua  ai: Besoj se dhe ju shqiptarët, pas  gjithë  këtyre pësimeve, do të bëheni kombi i dytë unik në botë.  Mirëpo  mjerisht thënia e tij dhe sot e kësaj dite s’u realizua. Pse? Shkaqet dihen!  Në një anë themi se jemi kombi më bujar, më mikpritës e më besnik në botë. Po, këtë e kanë  deklaruar  dhe  të  huajt,  siç  shkroi  dhe  diplomati  amerikan,  Robert  Wiliams,  më  1914  në librin me titull ”Shqiptarët”, në  të  cilin  pasqyrohen tiparet më  të  mira  të  shqiptarëve. Mendime të  tillë  kanë  shfaqur  edhe  disa  albanologë  e  letrarë,  siç  janë: Jokli, Hani,  Pedersen,  Bajron, Dora D’Istria,  Stipçeviq, Shuflai etj. Mirëpo,  poqe se e  vërejmë dhe anën  tjetër të medaljes, tek  ne  shqiptarët  ekziston  një  bacil  me  emrin  egoizëm. Duam apo  s’duam të pranojmë, ky bacil ka ekzistuar me shekuj, këtë më së miri në veprën e tij, ”Ferrëfenjëza”, e apostrofon rilindasi, patrioti dhe veprimtari dibran, Seid Najdeni,  i cili,   ja  se  ç’thotë   për  ndasitë që kanë ekzituar edhe në periudhën e Rilindjes: ”Para Zotit e popullit do përgjigjen tërë intelektualët pse në mesin e tyre ka ekzistuar përçarja”. Të arsyetohemi e të themi se për shkak të robërisë mijëra vjeçare ka dominuar përçarja tek  shqiptarët,  por parshtrohet pyetja, pse edhe në ditët e sodit, pas funksionimit të tre univerziteteve dhe dy akademive të shkencave, akoma vërehen simptome egoiste edhe në radhët e  disa intelektualëve karrieristë e kolltukxhinj,  të cilët,  të  verbuar  nga  epshet  për pushtet,  s’ mendojnë  fare  se  në  një  të  afërme do  të japin përgjegjësi para Zotit e popullit!

Përçarja është një veprimtari antikombëtare
      
Disa kënaqen kur shohin se në mesin e shqiptarëve ekzistojnë fërkime, kundërthënie, zënka, përçarje e ndasi brenda faktorit politik shqiptar. Vëllau kundërshton  vëllaun, shoku shokun dhe miku mikun. Kjo i përngjan kohës së Luftës së  Dytë  botërore  e  më  pas, kur pjestarët e Ballit kombëtar etiketoheshin në reaksionarë e tradhëtarë, ndërsa në ditët e sodit, të rinjtë e të rejat shqiptare, që derdhën gjakun për Kosovë e për  vatan  etiketohen  si ”marksistë e  leninistë”, ndërsa qëllimi i  të  gjithë  atyre  që  merren  me  tashethëme  e  me shkrime të tilla dihet se cili është: Të komprimitohet lufta heroike  e  shqiptarëve  për  liri  e pavarësi, dhe: të shkaktohet përçarje e huti midis subjektit politik e ushtarak shqiptar, kurse  uji të derdhet në mulli të armiqëve barbarë. Ndaj personave të tillë që përçajnë, në gazetën ”Shekulli”, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare thekson:
”Përçarja është një  veprimtari antikombëtare. Mandej vazhdon: E vetmja veprimtari që gjer më sot  kanë  bërë  politikanët  shqiptarë me zemër, me përkushtim, pa hile, me përgjegjësi, si të thuash,  të  lartë,  ka  qenë kacafytja. Kurse të kundërtën e saj, pajtimin e kanë bërë shkel e shko, sa për të  larë  gojën, për  të  fituar ndonjë ”bravo”nga  Evropa  ose  për  interesa  thellësisht vetiake. Gjithë shqiptarët që jetojnë kudo në botë,  zbutjen,  pajtimin  ndërshqiptar  e kanë sot brengën dhe preokupimin më të madh.  Në këtë pikë,  thekson z.  Kadare,  nuk  di  ndonjë vend tjetër  në  Evropë, ku klasa politike të jetë në kundërshtim me vendin e vet dhe kundër tij, ndaj këtë veprim e konsideroj si veprimtari antikombëtare”. Kurse, në rubrikën ”Kolumna”, që botohet në gazetën”Fakti”, ish nxënësja ime shembullore, Adelina Marku-Ibrahimi, thekson: ”Historinë vazhdojmë ta shkruajmë me lapsa të tillë, që  më  vonë  do  të  kishim  dashur  t’i  shlyejmë  sa  më  shpejt  për  t’i harruar sa më lehtë”.  Thënie e qëlluar,  sepse,  ne shqiptarët shumë shpejt  shlyejmë  e  harrojmë  çdo ngjarje apo personalitet të historisë sonë kombëtare.

Kush  është  fajtor  për  të gjitha këto?

Janë disa individë korrespondentë e gazetarë,  të  cilëve  mendimet  u  rrjedhin nga gërmazi  e  që  s’ lënë  personalitet  të  kombit  tonë  pa  e  përgojuar,  duke  filluar  prej  kryetrimit legjendar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e deri te Ismail Qemali, Isa Buletini, Fan S. Noli, Migjeni, e të tjerë me radhë, mbretër e kryetarë të  shtetit  shqiptar;  të  mos  flasim  për intelektualët  e  personalitetet  e ditëve të sodit, kundër të cilëve kryhet  një  nënvlerësim i  paparë  dhe  i  padëgjuar. Përgjegja na del se s’na qenka i mirë askush! Sa çudi! O Zot, ç’ndodh me ne! Derisa armiqët tanë, prijësit e tyre i marrin në mbrojtje, u thurrin legjenda, i mbështesin kriminelët gjakpirës edhe pse kanë kryer krime më të rënda ndaj njerëzimit,  disa individë, të cilët s’janë në gjendje ta vërejnë anën tjetër të medaljes, në vend se të  merren e të shkruajnë diçka të mbarë për t’i ardhur në ndihmë popullit tonë të shtypur shekuj me radhë, apo, në vend  që të apostrofojnë varfërinë e sht(r)uar në të gjitha  trojet  shqiptare,  kriminalitetin, korrupsionin, prostitucionin, narkomaninë etj., merren me thashethëme,  me  etiketime  e nënvlerësime,  thuaj se tërë punët i  kemi në rregull, duke harruar se  armikun akoma s’e kemi hequr qafe. Kësaj i thonë: ”Shti ujë e shti miell”.

Reflektim i ndasive

Thënë troç, ndarja mbi baza politike si në Shqipëri,  Kosovë  e  në  trojet  tjera shqiptare shprehet edhe në jetën dhe veprimtarinë e mërgimtarëve tanë. Mërgata shqiptare sot ka marrë ngjyrime partiake, klanore e grupore edhe ashtu e politizuar  tej  masës.  Këto ndasi vërehen dukshëm edhe në aktivitetin e asociasioneve e të shoqatave në  mërgim,  të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e ofrimit të ndihmave, të  manifestimeve me karakter kombëtar, kulturol, sportiv e shkencor. Intelektuali ynë i shquar, miku im  i çmuar,  akademik  Esat  Stavileci,   ndër   të  tjera thekson:”Në ditët e sodit, faktet dëshmojnë se ne shqiptarët sot jemi ndarë në  krahina e rajone. Mandej ndarjet tona çojnë deri tek ndarjet në qytete, në lagje e katunde.  Kemi  aq shumë ndasi sa që mund të kërcnohet edhe qenja kombëtare. Vallë, a mund të lejohen ndarjet e tilla?! Ndarjet e tilla vetëm se i thellojnë përpjekjet për të ndërtuar filozofinë e re politike: Një komb, një qëndrim, së cilës i mungon dhe këndi i tretë: Një  shtet  gjithëshqiptar,  e cila tingëllon si parullë boshe në hapsirën shqiptare. Pastaj, vazhdon: Ne, si popull e si komb, sikur akoma nuk kemi mësuar shumë nga historia jonë plot 2168 vjet robërie, edhe pse lufta heroike e U Ç K-së  në Kosovë,  në  Maqedoni  dhe  në Kosovën lindore na këndjelli kombëtarisht që t’i kthehemi njëri-tjetrit dhe vetvetes  sonë,  sepse o sot o kurrë duhet të nxjerrim mësim nga fatkeqësitë tona kombëtare, në mënyrë  që  të mos lejojmë përsëritjen e tyre.
Ne shqiptarët përgjithësisht i kemi kuptuar ”lojërat me vonesë që të tjerët  kanë  lozur me ne”, andaj dhe kemi pësuar rëndë si popull dhe si komb në histori.  Se  si  do  të reagojmë sot, do të varet shumë e nesërmja. Eshtë e vërtetë se ”duhet  jetuar  duke  shikuar përpara,  por duhet t’i kthehemi të kaluarës për të ndërtuar të ardhmen, sepse vetëm kështu mund të korrigjohen gabimet e së kaluarës. ”Të gabosh dhe të mos korrigjohesh, do të thotë të gabosh me të vërtetë”, ka thënë Konfuci. Ndërsa,Ajnshtan ka lënë një porosi të mirë: Mësimet e hidhura të së kaluarës duhet të mësohen përsëri” E vetmja gjë,  për  të  cilën  njeriu ndjen nevojë të vazhdueshme, është mësimi. Edhe çka duhet ndodhur që të mësohemi e  t’i korrigjojmë gabimet nga e kaluara?! Parashtrohet pyetja: Vallë, ç’ndodh me intelektualët tanë?! Dikujt i flen në zemër ndjenja e afrimit, e tolerancës, e bashkimit  dhe  shtrirja e dorës së pajtimit. Kjo vlen më së shumti për intelektualët, sepse,  siç thonte Mësuesi  i  popullit, Abdi Begu-Haxhiu i ndjerë: ”Intelektuali i vërtetë,  jo  vetëm që  lypset të jetë  tolerant,  por, për interesat e popullit të vet duhet  të  bëhet  hambar”.  Këtë shembëll e kam marrë,  sepse, ditën që kreva studimet univerzitare, mësuesi im më i dashur, z. Abdiu, më përqafoi ngrohtë e më tha: Urime diplomimin, Imi! Deri sot ke mund të fjalosesh e të kacafytesh me  secilin dhe askush s’kishte me ta marrë për të madhe,  por  tash  e  tutje  kij  kujdes,  të  tregohesh tolerant, të bëhesh hambar e të durosh! Amaneti i tij  dhe sot e kësaj dite më është  ngulitur  në kokë dhe kurrë s’e harroj. Ndaj, mesazhi i tij është edhe një këshillë për çdo intelektual.
Ndërsa,  prof.  im shumë i nderuar, z.Remzi Nesimi, ma lë këtë porosi:  Kudo  që të jesh dhe, sa herë që të diskutosh, asnjëherë mos e ngre tonin e zërit, sepse,  ngritja e  tonit  është shenjë e njeriut të pakulturuar dhe do të tregohesh i paarsyeshëm. Sot e kësaj dite  kurrë s’e  kam harruar dhe mesazhin e gjuhëtarit tonë të spikatur, prof. dr. Remzi Nesimi. Sa çudi,  disa intelektualë shqiptarë gjat diskutimit e ngrenë zërin aq lart saqë  na  përkujtojnë Zhilinovskin e Sheshelin. Që do të thotë se edhe inati është një  bacil  që  domnon  tek  disa intelektualë. ”Për një fjalë goje, shqiptari-shqiptarit s’i fletë me muaj apo me  vite  të  tëra”, thekson letrari-Fatos Harapi. Sot,  më  tepër  se kurrë, e kërkon koha, e lyp  nevoja,  secili  shqiptar,  pa  dallim  feje, krahine  apo  ideje,  për  hir  të  popullit  shqiptar  të shumëvuajtur,   të lodhur,  syrgjinosur e katosur, i zhgënjyer e i ndarë në disa shtete, të shtrijë dorën e pajtimit e të ofrimit me njëri-tjetrin, të ulen në Sofrën e përbashkët, derisa sështë bërë vonë.
Njerëzit e mëdhenj leshojnë pe, veçanërisht intelektualët. Ndaj, për hir të popullit tonë të shtypur e të shumëvuajtur shekuj me radhë, shqiptari-shqiptarit lypset t’i lëshojë pe. Kemi  shumë shembuj, por unë do e përmend trimin e madh hero, Miftar Hasani, i cili ne vetëmbrojtje gjat shërbimit në Armatën e kralit te Serbisë, më 1926, vret një çetë  të tërë xhandarë serb dhe, gjyqi çetnik e denoi me vdekje. Gjatë vizitës së fundit dhe lamtumirëse qe ia bëri vëllai i tij, ai ia la këtë porosi: Vëlla i dashur edhe nëqoftë se të m’shon me shuplakë ndonjë nga vëllezërit e tu shqiptarë, mos ia kthe, por thuaj: Më m’sho edhe në anën tjetër të fëtyrës! Pa koment! Në Platformën e Lidhjes Shqiptare në Botë, të cilën në Kongresin e Parë të mbajtur në Prizrenin historik e votuan mbi dymijëdelegatë nga mbarë bota, ndër të tjera përfshin dhe këto parime, qe i ka përfshi  në Platformë, Akademik Esat Stavileci:  „Ne shqiptarëve, më shumë se largimi, na duhet afrimi, më shumë se përpjestimi, na duhet shumëzimi, më shumë se ndarja, na duhet bashkimi dhe, më shumë se armiqësimi, na duhet miqësimi“. Ndjenja  e  shpresës  është  akoma  brenda  nesh dhe, dashtë Zoti e të gjithë së bashku pas Pavarësisë se Kosovës, t’i përjetojmë çastet e  vërteta  të bashkimit fizik e shpirtëror të kombit tonë.

(Dibër e Madhe, Gusht, 2008, www.egriu.se). (E zgjodhi për botim: V. Leka dhe A. Voka)



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora