E shtune, 27.04.2024, 10:35 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Në kujtim të gushtit 1968 të Pragës heroike

E merkure, 20.08.2008, 05:39 PM


Në kujtim të gushtit 1968 të Pragës heroike

Nga Ardian Ndreca
     
Tashma, mbas 40 vjetësh, bota e ka kuptue se tanket e Moskës kudo që shkojnë shkelin lirinë dhe çojnë skllavnin. Kështu ndodhi në Berlin në qershor të vitit 1953, në Hungari në vitin 1956, në Çekosllovaki në vitin 1968 e frika e po atyne tankeve mbajti në ankth Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë e ndonji satelit tjetër.
Në Çekosllovakinë e viteve ’60 “socializmi me fytyrë njerzore” i Dubçekut përfaqsonte nji shpresë për miliona njerëz që banonin në perandorinë komuniste. Por ishte tepër shpejt, tue pa forcën e propagandës komuniste dhe represionin e fortë të diktaturës me fol në stil të gjanë për përmbysje të komunizmit. Por, po niste të flitej për nji hapje, për destalinizim të shoqnisë socialiste.
Fatkeqsisht menjiherë sistemi komunist nxori në rresht të parë nji Leonida Brezhnjev, aparatçik dhe burokrat tipik, i egër në formën ma impersonale të egërsisë, pa ndjenja, pa vizion konstruktiv: i cili do të përfaqsonte për vite me rradhë pjesën ma reaksionare dhe konservatore të komunizmit moskovit.
Ishte fjalimi i tij 13 nandorit 1968 në Kongresin V të PK polake që shuguroi “doktrinën e sovranitetit të kufizuem”, pra të drejtën e ndërhymjes, edhe ushtarake, në ato vende ku forca e komunizmit zbehej dhe revolucioni rrezikohej prej ndikimit kapitalist. Në këtë mënyrë Pakti i Varshavës vehej drejtpërdrejt nën urdhnat e Kremlinit. Kjo politikë qëndroi në fuqi për 20 vjet rresht, deri ku udhëheqja sovjetike nën Gorbaçovin aprovoi “doktrinën Sinatra”, siç u quejt me të qeshun politika e re tue iu referue kangës së artistit amerikan “My way”; – tashma vendet satelite mund të zgjidhnin rrugën e tyne!
Në Çekosllovaki Dubçeku kishte ba mjaft reforma tue nisë prej gjysmës së dytë të viteve ’60, e ky ndryshim kursi ishte pritë mjaft mirë prej popullit e në veçanti prej studentave, të cilët ishin tepër afër me Perëndimit kapitalist për të pranue nji sistem e nji politikë shtypëse siç ishte ajo që pretendonte Moska.
Kremlini u mundue me i ba presion Pragës me mjete paqsore por nuk nxori gja në dritë. Atëherë Leonid Brezhnjevi vendosi me dërgue në gusht të vitit 1968 tanket me vendosë rendin komunist dhe me fshi kundërrevolucionarët. Ndërmjet 20 e 21 gushtit trupat e Paktit të Varshavës, shumica sovjetike por mes tyne kishte edhe njësi rumune dhe bullgare, pushtuen Çekosllovakinë.
Flitet se për me mbytë stinën e reformave u dërguen atje rreth 200 mijë trupa, por ka burime që flasin për tri herë aq. Rreth 7 mijë tanke ruse kaluen kufinin shtetnor çekosllovak dhe morën nën kontroll vendin.
Pushtimi kryhej pikërisht në at’ periudhë, pse ato ditë po zhvillohej nji kongres i PK çekosllovake që po nxirrte jashtë saj stalinistat dhe po aprovonte përfundimisht reformat. Moska kishte për qëllim me prish kongresin dhe me vu në pushtet krahun stalinist të PK të atij vendi. Në fakt kjo gja u tregue ma vonë e parealizueshme, dhe në fund vetë Brezhnjevi u detyrue me thirrë rishtas Dubçekun dhe njerzit e tij, kurse kongresi u anullu për herezitë antikomuniste që kishte shprehë.
Nëpër rrugët e Pragës të rinjt e të rejat ndalnin tanket sovjetike, organizonin barrikada, protesta, dërgonin peticione në Perëndim. Austria u ba baza ma e afërt prej ku bota merrte vesht se çka po ndoshte në Pragë. Pati shumë konflikte me armë zjarrit, edhe pse Moska minimizonte dhe thonte se gjithë ushtarët e saj ishin vra në aksidente rrugore.
Ndërkaq populli çek dhe ai sllovak i kishin varë shpresat tek Perëndimi, tek SHBA-ja.
Krejt kot, pse e shumta që bani Perëndimi dhe SHBA-ja ishte me protestue publikisht kundër pushtimit të Çekosllovakisë.
Pranvera e Pragës u mbyt nën zinxhirët e tankeve sovjetike. Për pasojë rreth 300 mijë qytetarë çekosllovakë ikën dhe gjetën strehë në vendet perëndimore, kryesisht në Austri, Gjermani Federale, Francë, SHBA.
Për popullin çekosllovak kishte marrë fund nji andërr e madhe. Por edhe për mija komunista të ndershëm që militonin në Perëndim kishte mbarue nji magjepsje e gjatë për teorinë dhe praktikën komuniste sovjetike. Nji numër i konsiderueshëm komunistash braktisi partitë përkatëse në Perëndim, tashma ata kishin pa me sytë e tyne se ku të çonte rruga sovjetike.
Shkrimtari Milan Kundera ndihmoi shumë në popullarizimin e ngjarjeve që pasuen “pranverën e Pragës”, por edhe propaganda antikomuniste amerikane me anë të VOA, radioja Europa e Lirë e nji mori radiosh të vogla e të mëdha që s’pranë së përhapuni në Europë e ma andej rrëfimet e të ikunve prej vendit të pushtuem.
Qëndrimi i Shqipnisë kishte dyfaqësinë e zakonshme të propagandës së jashtme të regjimit të Enver Hoxhës, në nji anë Tirana shprehej kundër sovjetikëve dhe manisë së tyne me kontrollue partitë motra, në anën tjetër konfirmohej linja ma e fortë staliniste. Pra, gati gati sovjetikët kritikoheshin pse kishin lejue që gjendja e Çekosllovakisë të shkonte deri në at’ gradë.
Megjithatë “pranvera e Pragës” ngjalli shpresa edhe në Shqipni, ma së shumti mes intelektualëve, pse pjesa ma e madhe e popullsisë nuk mund të orientohej për shkak të injorancës së madhe politike dhe të propagandës verbuese të mija e mija emisarëve idiotë që partia dërgonte në bazë.
Ende nuk ishte shue jehona e gushtit të Pragës, kur në orët e para të mbasdites së 16 janarit 1969, në piacën e Shën Venceslavit në Pragë, nji djalosh i quejtun Jan Palach i dha zjarr vetes për me protestue kundër pushtimit sovjetik.
Me datën 26 janar, 600 mijë vetët që morën pjesë në funeralin e tij, e treguen me praninë e tyne sesa të bindun ishin çekosllovakët për rrugën komuniste. Akti i djaloshit çek bani përshtypje të madhe në të gjithë botën. Moska zyrtare tha se e kishin detyrue me i dhanë flakë vedit, e kishin drogue... por e gjithë bota e kuptoi mirë se Jan Palach-u i kishte dhanë zjarrm vetes pse e kishte detyrue humbja e lirisë së vendit të tij e ndaj kësaj padrejtësie ai kishte zgjedhë rrugën e protestës ma ekstreme.
Figura e tij mbeti nji simbol i qëndresës ndaj dhunës sovjetike e njikohsisht personifikim i andrrës së djegun si meteor në qiellin e zymtë të Pragës së asaj kohe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora