E diele, 28.04.2024, 12:11 PM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Defteri i mbyllur çam dhe defteri i hapur maqedonas

E diele, 17.08.2008, 09:07 AM


Defteri i mbyllur çam dhe defteri i hapur maqedonas

Nga Kostaq XOXA

Ai që e ka thënë i pari frazën absurde se çështja çame është një defter i mbyllur, ka për t’u penduar nëse nuk është një njeri i zakonshëm, por një politikan me peshë, aq më keq po të jetë se është me origjinë shqiptare,- siç thuhet. Nuk është i pari që e ka harruar origjinën në këtë botë personazsh laramanë, me karakter dhe pa karakter, që nuk frymëzohen nga njerëz me një integritet të lartë njerëzor dhe të përkushtuar ndaj së drejtës, si Gandhi, si Nënë Tereza, apo si Zhanë D’Ark. Për fatë të bardhë e mira do të zotërojë mbi të keqen, sepse njerëzit e kësaj katëegorie që përmendëm në fund janë më të pakët, shumë më të pakët. Megjithatë historia merret edhe me këtë kategori. Defteri çam nuk mund të mbyllet nga ana e dëmtuesit. Ana e dëmtuar ka të drejtën e saj legjitime të kërkojë të drejtën e saj, në shekullin XXI që nuk mund të jetë si ai i kohëve të Xhençis Khanit, apo të Neronit. Ata që masakruan çamët nuk mund të ngjallin të vdekurit; por pasardhësit e tyre kanë detyrimin njerëzor të kërkojnë të falur dhe të lejojnë një orë e më parë që çamët të kenë të gjitha lehtësitë për të sanksionuar pronat e tyre me anë të dokumenteve pronësore, që të rehabilitohen në të drejtën për të parë shtëpitë e tyre, të shfrytëzuara nga tjetërkush, - tanimë, - dhe të marrin qiratë e pashlyera prej vite e vitesh të tëra. Shekulli ynë nuk është një shekull i xhunglës, që të na thuhet se Çamëria është një defter i mbyllur, sepse “defteri i mbyllur” bie erë xhungle! “La raison du plus fort est toujours la meilleure!” (Arsyeja e më të fortit është gjithmonë më e mira) – tallej La Fonteni, në njërën nga fabulat e tij!) - “Ujku dhe qingji!”
Por çështja që mëtohet nga njëra palë, për mospranimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO, me arsyetimin se emri i këtij vendi nuk duhet të jetë ky, por një tjetër, është një problem i ndërlikuar, jo i qartë dhe nuk dihet sesa bindës. Në këtë pikë Greqia nuk e pranon si të vendosur fetakomplinë, faktin e kryer, siç pretendon në rastin e Çamërisë. Por këtë do ta shohim te defteri i hapur, siç dëshiron ta ketë të tillë defterin Greqia, në marrëdhënien me Maqedoninë.
*
Çështja çame është fare e qartë, ndërsa ajo e dyta, e emrit të Maqedonisë, nuk njihet nga publiku, madje as nga një pjesë e tij. Dhe jo vetëm nga né, shqiptarët, por edhe në vernde të tjera, - siç kam vërejtur disa anketime në disa nga emisionet televizive të këtyre vendeve. Në vendin tonë janë bërë teste apo pyetje për lloj-lloj problemesh: për mendimet për bashkëjetesën (konvivencën); për përshtypjet përkundrejt homoseksualizmit; për të drejtën apo jo të publikimit të ngjarjeve vetjake (privacy). . .; për shovinizmin serb . . . Por le të bëhet një pyetje se cilat janë motivet që e pengojnë Maqedoninë të marrë ftesën për në NATO apo të anëtarësohet në BE? Përse Greqia vuri veton? – Jam i sigurt se do të biem dakord së bashku, se përgjigjet do të jetnë thuajse të pamundshme. Nuk mëtoj që anketimi të vështirësohet me pyetjen standarde se kush ka të drejtë? Kjo është tepër e vështirë dhe në këtë shkrim nuk marr përsipër të jap edhe unë, që po merrem me këtë temë, një përgjigje, që mund të jepet vetëm nga historianë specialistë të fokusuar në këtë pjesë të Ballkanit, apo nga analistë që janë marrë thellësisht me këtë problem. Megjithatë, do të jap disa mendime të Enciklopedisë së Lirë Ëikipedia, e lexuar në të gjitha vendet e botës, siç e dinë mirë ata që janë përdorues të Internetit. Sa për atë muhabetin e “defterit të hapur”, cilido mund ta japë përgjigjen, në bazë të parimit logjik të pakundërshtueshëm se nuk mund të jesh edhe dëmtues, edhe vendimmarrës – njëherësh – për dukurinë e qartë juridike se dëmtuesi ka detyrimin e zhdëmtimit, pavarësisht nëse është në lartësinë qytetare të kërkojë falje ose jo. Nëse dëmtimi është i pakontestueshëm, përgjigjja është fare e thjeshtë. Dhe, kur kemi të bëjmë me shpërngulje arbitrare, me vrasje grash e fëmijësh, as që vihet në diskutim se cili është dëmtuesi.
Tani le të shikojmë çfarë shkruhet për Çamërinë, në Wikipedia:
<< Camëria (Çameria në shqip) ishte një krahinë shqiptare, me rreth 6000 km ², në rajonin grek të Epirit, me një sipërfaqe prej 9206 km². Emri vjen nga lumi Çam, ku ishin përqendruar shqiptarët.
Sot çamët jetojnë sidomos në Shqipëri, ndërsa disa u dërguan në Turqi në vitin 1923, kur u bë shkëmbimi i popullatave ndërmjet grekëve dhe turqve. Të tjerë u kthyen në shtëpitë e tyre të vjetra në Turqi. Pas Luftës II Botërore shumë çamë myslimanë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Greqi. Kjo ngjarje, së bashku me ata 12 milion gjermanët e dëbuar afër mbarimit të Luftës, u përgatit dhe u vu në zbatim me urdhër të komandave të aleatëve britanikë dhe amerikanë, ndërsa Lufta nuk kishte mbaruar ende. Këto ndodhì shkaktuan më shumë vuajtje nga ç’mund të përfytyrohet. Çamët shqiptarë flasin gjuhën shqipe dhe janë në shumicë myslimanë, me një pakicë të krishterësh ortodoksë. Pjesa më e madhe e këtyre personave nuk mund të kthehet në shtëpitë e tyre, sepse Greqia nuk ua lejon hyrjen, ndonëse kanë lindur në atë krahinë. Ua marrin edhe dokumentet dhe nuk i lënë të shohin tokat ku kanë lindur dhe ku janë rritur. Tani janë 600.000 veta me origjinë çame që u dëbuan nga Greqia në një mënyrë të padrejtë.
Ish-krahina shqiptare u aneksua nga Greqia në vitin 1944, pas një genocidi të egër të banorëve të saj. >>.
Le të bëjmë një koment të shkurtër: Që në fillim Çamëria përmendet si një krahinë shqiptare, ndërsa për rastin e Maqedonisë nuk flitet për përkatësinë, sidoqë pjesa jugore mëtohet nga Greqia. Mund të vërejmë, në këtë fragment të shkurtër që përkthyem, se fjala dëbim është përmendur dy herë. Është përmendur edhe ndalimi i hyrjes për çamët. Përmendet genocidi ( i egër, madje) i ushtruar ndaj këtyre banorëve fatkëqij, si edhe fjala aneksim ne vitin 1944. Është e qartë, pra, se defteri s’është i mbyllur”. Nuk mund të përligjet në asnjë mënyrë, kësisoj, fakti i kryer. Nga ç’lexuam në këtë enciklopedi, mësuam se fakti i kryer është kriminal (përmendet fjala genocid) dhe bijtë e kriminelëve duhet të kërkojnë ndjesë për atë gjëmë që kanë bërë baballarët. Kjo varet nga ndërgjegjja e tyre qytetare dhe çamët nuk janë të interesuar për këtë, - në radhë të parë. Ata kanë të drejtën ligjore të zhdëmtimit dhe të hapjes së portave, veçanërisht atyre, për t’i rënë prapa pasurisë së grabitur padrejtësisht. Rehabilitimi i tyre është i vonuar dhe korrektesa e fqinjit tonë jugor është e cenuar ndaj çamëve, madje edhe ndaj shqiptarëve – në përgjithësi – me mbajtjen de jure – në fuqi, ligjin e habitshëm të “gjendjes së luftës”, për përgjegjësitë e një kohe kur Shqipëria ishte e pushtuar dhe nuk mund të mbante në kurriz edhe përgjegjësitë e pushtuesit. Me këtë pushtues të njëmendët Greqia në ditët e sotme nuk është në gjendje lufte, ndërsa është në gjendje lufte të paabroguar me Shqipërinë, me të cilën tanimë ka edhe një marrëveshje bashkëpunimi dhe të fqinjësisë së mirë, e cila, de facto, funksionon; por ajo klauzolë absurde është ende në fuqi, sidoqoftë! Shpata e Demokleut, edhe në vende në bashkëpunim paqësor, nuk është një simbol i mirë dhe do të ishte në nderin e Greqisë që ta shfuqizonte në parlament atë dekret dashakeq, edhe nëse është joeficient (se s’mund të themi i shfuqizuar) në ditët e sotme.
Tani le të vijmë te mëtimet ndaj emrit që duhet të ketë Maqedonia si shtet. Të gjithë e dinë se edhe në ditët e sotme kemi një Kore të Veriut dhe një Kore të Jugut. Por as njëra, as tjetra, nuk e ka bërë problem emrin e shtetit tjetër. Dikur kishim dy Gjermani: Atë perëndimoren dhe atë lindoren. Natyrisht ato ishin në divergjenca shtetërore; por asnjëra prej tyre nuk i kishin papajtueshmëritë për çështje të emrit të shtetit. Shqipëria ishte Republikë Popullore, paçka se aspak popullore! Janë pesë qytete të mëdha në SHBA, që mbajnë emrin Maqedoní, të përhapura në Shtetet amerikane: në Alabama, në Ilinois, në Xheorxhia, në Ioua, në Ohio. Por edhe në vende të tjera gjendet Maqedonia, apo Makédonia, ose me theksim të o-së: Në një lokalitet të Brazilit, në rrethinat e Sao Paolos; në një lokalitet të Kolumbias; në një lokalitet të Kubës; në ishujt Salomone. Por edhe në Skoci, në Glenrodhërs, kemi një Maqedoni. Madje edhe më afër nesh, në Rumani!
Maqedonia ka një histori shumë të lashtë. Me këtë emër disa historianë shohin truallin që qeverisej nga dinastia e Argeadëve, në sh. VII, para Krishtit. – “Më pas Maqedonia u bë një zonë grindjesh ndërmjet Ilirisë dhe Thrakisë”, - lexojmë në Wikipedia. Në kohën e Mbretërisë dhe në atë të RSF jugosllave, Maqedonia ishte Republikë socialiste dhe, më pas, republikë Jugosllave. Tani është thjesht: Republika e Maqedonisë.
Fjala Fyrom është shprehja me cirilike e gjendjes së tanishme të Maqedonisë. Por nga bisedat që kam bërë me njerëz të niveleve të ndryshme intelektuale, vërehet se pakënaqësia greke, e shprehur në veton kundër vendosjes së Maqedonisë në instancat europiane, ka një paragjykim nga ana greke, pavarësisht sesa të drejta janë pretendimet e saj, për të cilat është zor të shprehesh. Njerëzit arrijnë të kuptojnë, megjithatë, se kufiri mqedono-grek mbetet i papërcaktuar nga ana greke. Më thjesht, këta mëtojnë që kufiri të ndryshojë në të kaluarën. Domëthënia e shkoqur është se ky kufi mbetet provizor, sipas grekëve.
Një pyetje tjetër që del si hamendësim është kjo: Po sikur Greqia të mos ishte anëtare e instancave me të drejtë vetoje, a do të ishte edhe Maqedonia që do ta kishte marrë ftesën për në NATO, bashkë me Shqipërinë dhe me Kroacinë? Një gjendje e tillë do të ishte, për shëmbull, sikur forcat komuniste të Markosit dhe të Zahariadhisit ta kishin marrë pushtetin me luftën civile që bënë me këtë synim. A do të ishte Greqia në pozita të tilla vendosëse, në këtë rast?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora