E diele, 06.10.2024, 08:58 AM (GMT+1)

Mendime

Në KLAN nuk jam drejtor, por brigadier

E diele, 17.08.2008, 02:13 AM


Aleksandër Frangaj
“The Boss”? Jo. Në Klan ai ndihet si brigadier. Dhe jo vetëm kaq. I pëlqen të punojë më shumë se të tjerët. Një model për bashkëpunëtorët, që mbeten miqtë më të mirë

Gladiola Bendaj

Tani që suksesi ka gjetur brazdën e vet ai thotë se duhet një natë e gjatë dimri pranë oxhakut për të rrëfyer rrugën që e solli deri këtu. Të papritura? Sa të duash. Të ëmbla e të hidhura. Aleksandër Frangaj ka lënë pas krahëve stilin e dikurshëm klasik dhe i është kthyer 100 % sportivitetit. E urren grinë dhe gjithçka që krahasohet vagullt me këtë ngjyrë. Adhuron ngjyrat e forta, jo krejt pa përmbledhur këtu filozofinë e forcës. Sepse çdo gjë që e shoqëroi në rrugëtimin e jetës së tij deri më sot e ka bërë thjesht më të fortë dhe më largpamës. Njësoj si atëherë, kur ende pa kuptuar se ç’ishte jeta, fati e përballi me vdekjen e të atit. Që nga ajo ditë e ndjeu veten burrë dhe fëmijëria iku shpejt. Ishte vetëm 11 vjeç dhe çdo gjë që do të ndodhte më vonë nuk do të ishte krejt e rastit. As zgjedhja e degës së studimeve të larta. Sepse, qysh fëmijë, ai e gjente veten gjithmonë mes vizatimeve dhe skicave të skenografisë atje në Pallatin e Kulturës të qytetit të tij të lindjes. Një pasion që e ndante me dëshirë me bashkëmoshatarët e tij, ashtu sikurse ëndrrën për të vazhduar më tej. Njësoj do të ishte edhe vite më vonë, kur ai do të vihej në krye të njërës prej të përditshmeve më në zë. Sepse Frangaj, përpara se të modelojë një formulë suksesi, ka gjithmonë një parim të vetin. Të qenit pjesë e skuadrës, sado e madhe apo e vogël qoftë ajo. Thotë se për të pasur sukses duhet shumë punë dhe shumë pasion, por mbi të gjitha është vëmendja e plotë dhe pozicionimi i drejtë. Për të, të drejtosh nuk do të thotë aspak të marrësh pozicionin e liderit. Urdhrat, vendimet ekstreme, pa u angazhuar asnjëherë vetë, janë komoditet i një stereotipi ku ai nuk bën pjesë. “The Boss”? Jo. Në Klan ai ndihet si brigadier. Dhe jo vetëm kaq. I pëlqen të punojë më shumë se të tjerët. Një model për bashkëpunëtorët, që mbeten miqtë më të mirë.

 

Keni studiuar për menaxhim arti në Akademinë e Arteve. Kjo ishte një zgjedhje e rastit për kohën apo ishte drejtimi që ju preferuat t’i jepnit ambicieve dhe pasioneve tuaja për studimet?
Jo krejt e rastit, sepse unë kam filluar të merrem, ose më mirë të shkarravis, që në tetëvjeçare. E kam nisur me pikturë. Në klasë të pestë, unë dhe disa shokë të tjerë dallonim për vizatim ose, siç thuhej atëherë: kishim dorë për pikturë. Mësuesi i vizatimit na përzgjodhi që të punonim pasditeve në studion e tij. Ai ishte njëkohësisht edhe skenograf në Pallatin e Kulturës. Punoja çdo pasdite aty mes pikturave të tij dhe nëpër skenën e Pallatit të Kulturës. Kjo më lidhi jo vetëm me pikturën dhe skenografinë, por edhe me teatrin. Në përfundim të klasës së tetë në Laç, konkurrova për të vazhduar të mesmen për pikturë. Në konkursin e parë seleksionues në rreth, në Krujë, fituam të gjithë ne që kishim punuar bashkë, ndërsa në konkursin e pranimit, që u zhvillua më pas në shkollën e mesme artistike "Mujo Ulqinaku" në Durrës, fituam vetëm dy nga qyteti ynë. Në shkollë të mesme, krahas pikturës, zgjodha specialitetin e skenografisë, ngaqë duke e njohur prej përvojës, ndihesha më mirë. Kështu, dëshira për të vazhduar studimet në Akademinë e Arteve nuk ishte rastësi, por ishte e vetmja mundësi, pasi me shkollë të mesme pikture, ku mbi 60 % e lëndëve dhe e orëve ishin pikturë e vizatim, do të ishte shumë e vështirë të kaloja në degë tjetër. Por dhe hyrja në Akademinë e Arteve ishte tepër e vështirë. Ishte shkolla e lartë më e preferuar dhe më e kërkuar. Duhej shumë talent, por edhe njohje, ndaj vitin e parë nuk konkurrova, që të përgatitesha mirë për konkurs. Dy muaj pasi mbarova të mesmen, fillova punë si mësues vizatimi në Lezhë. Isha 18 vjeç, pak më i madh se nxënësit që u jepja mësim. Ndërkohë, pasditet e vona i kaloja në Pallatin e Kulturës, ku angazhohesha edhe si skenograf, por edhe përgatitesha për shkollën e lartë. Më pas ndoqa edhe një kurs 6-mujor për regjisurë. Nuk kam për ta harruar paradoksin. Për të ndjekur këtë kurs duhet të ishe punëtor, pra të ishe në marrëdhënie pune në një ndërmarrje prodhuese. Si mësues, nuk shkoja dot dhe u detyrova të lë punën në arsim dhe të filloj punë në Ndërmarrjen Frutore në Lezhë. Asokohe, ndërmarrja sa kishte hedhur themelet e një pallati aty në qytet që do të strehonte një pjesë të punëtorëve. Mua më caktuan të punoja aty. Kështu shpëtova nga baltërat pa fund të atyre anëve. Çdo mëngjes dhe drekë, kur nxënësit shkonin dhe ktheheshin nga shkolla, më vinte shumë zor. Habiteshin që më shihnin duke punuar në ndërtim dhe pëshpëritnin me njëri tjetrin – “Ou, presori i vizatimit!!”. Punova nja dy muaj dhe pastaj konkurrova për kursin e regjisurës së klasës punëtore. Fitova dhe në fakt ky kurs më ndihmoi që të përgatitesha për konkursin e shkollës së lartë. Në korrik 1990 konkurrova në Institutin e Lartë të Arteve - kështu quhej atëherë Akademia e sotme, dhe fitova të drejtën për të vazhduar studimet në degën Menaxhim Arti në specialitetin regjisurë. Ishte edhe fat, pasi numri i konkurrentëve ishte me qindra dhe fituam vetëm 27. Ishte fitore e madhe dhe kurorëzim i dëshirës.
<!--[if !supportLineBreakNewLine]-->
<!--[endif]-->

A e përmbushi kjo zgjedhje edhe atë që të gjithë ne, në fëmijëri, kush më shumë e kush më pak, kemi dashur të bëheshim kur të rriteshim?
Them se po. Ishte gëzim i madh hyrja në Institutin e Lartë të Arteve. Për pak, po të mos fitoja atë vit, do të kthehesha regjisor në Ndërmarrjen Frutore për t’u marrë me teatrot dhe estradat amatore të Lezhës. Ndoshta sot do të isha edhe i papunë, pasi vetëm 3 muaj pasi fitova shkollën, ndodhën ndryshimet politike dhe këto lloj aktivitetesh amatore nëpër rrethe u zhdukën.

Ç'mund të kujtoni nga kohët kur ju ishit student?

Pak kujtime kam nga Instituti i Arteve. Vetëm 3 muaj nga fillimi i shkollës, plasën demonstratat e dhjetorit '90 dhe në shkurt u mbyllën shkollat. Duke qenë pushim, iu përgjigja ftesës së zotit Lesi për të bashkëpunuar në hapjen e gazetës “Koha Jonë”, si gazetë e pavarur, pasi pushteti i vjetër e mbylli në kuadër të ndryshimeve politike që ndodhën. Më 11 maj të 1991 doli numri i parë. Prej asaj dite u lidha fort me gazetën, fillimisht si gazetar, e pak muaj më pas si kryeredaktor i saj. Kështu, që prej vitit të dytë e derisa mbarova Akademinë e Arteve, isha student dhe kryeredaktor i gazetës njëkohësisht. Drejtimi i gazetës në atë periudhë të fillimit ka qenë një punë e jashtëzakonshme.
Fillonim në 9 të mëngjesit dhe largoheshim në ora 2 të natës dhe në shumë raste edhe në 4 të mëngjesit. Në pak muaj, “Koha Jonë” u kthye nga gazetë lokale e Lezhës, me 300 kopje në javë, në gazetën më të madhe në Shqipëri, me 30 mijë kopje në ditë. Angazhimi i madh në gazetë e rrjedhimisht në politikë, nuk më lejonte kohë sa duhet për në shkollë, kështu që pak kujtime kam nga jeta studentore.

Por pavarësisht kohës së kufizuar, në 4 vite, vetëm në një provim ngela për vjeshtë. Nuk e harroj pedagogun më strikt që kam njohur, aktorin e madh Vangjush Furxhi. Më jepte regjisurë. Unë e kuptoj, - më thoshte, - që ti nuk do të bëhesh regjisor, se je kryeredaktor dhe bashkëpronar i gazetës, por unë nuk mund të të kaloj pse je gazetar. Kushtoi pak kohë edhe regjisurës, që edhe unë të jem në rregull me veten time.

Atë vit kisha qenë edhe në burg për një lajm në gazetë dhe s’e kisha vërtet mendjen te regjisura, por Furxhi ishte pedagog shumë i mirë dhe nuk e pata të vështirë ta merrja për vjeshtë. Nga i gjithë kursi i Menaxhimit të Artit, vetëm unë përfundova menaxher në media.

Në burg? Diçka më shumë?
Histori koti. Budallallëqet e fillim-demokracisë e fillim-shtypit të lirë. Gjithsesi ka qenë përvojë pozitive. Njeriu bëhet më i fortë kur i provon të gjitha. Pas burgut, isha më trim se përpara. Ishte një lloj zbori.

Çfarë kujtoni nga periudha që drejtuat gazetën “Koha Jonë”?
Nga gazeta u largova afro 6 vjet pas themelimit. Kam qenë kryeredaktori më afatgjatë në drejtimin e një gazete dhe njëkohësisht më i riu në moshë, jo vetëm në Shqipëri. Gazeta ka pasur histori pa fund, që po të filloj t’i tregoj, duhet një natë e gjatë pranë oxhakut. Histori e bukur me shumë ngjarje, aventura, kujtime, personazhe, vështirësi dhe qejf. Si kryeredaktor i “Koha Jonë”, kam pasur stafin më profesional në historinë e medias shqiptare. Sot, kur e kujtoj, më duket e pabesueshme. Ta kisha atë ekip sot, do ishte ekipi më i mirë për të qeverisur Shqipërinë, jo më një gazetë. Kam pasur zëv. kryeredaktor Armand Shkullakun, sot drejtor i informacionit në Klan; shef të politikës kisha Ben Blushin, më vonë ish-ministër dhe deputet; reporter të politikës Andi Bejten, më vonë drejtor Informacioni në Top Channel dhe Vizion Plus; reporter politike dhe shok burgu; Martin Lekën më pas Drejtor i Radio Tiranës; Frrok Çupin, më pas Drejtor i Përgjithshëm i ATSH-së; reporter politike Emin Barçin, më pas shef kabineti në qeveri; shef të aktualitetit Andi Bushatin, më pas drejtor i revistës Klan, analist i njohur; shef të lajmeve nga bota Vladimir Prelën më pas dhe aktualisht Ambasador në Maqedoni; redaktor të lajmeve nga bota Ilir Gjonin, më pas deputet e Ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm; shef të Kulturës, Sokol Ballën, aktualisht Drejtor i informacionit në Top Channel, por dhe pothuaj gjithë gazetarët e ish-stafit tim sot janë gazetarët më të famshëm që drejtojnë mediat aktuale, si: Alfred Peza, Drejtor i TV ORA, Arban Hasani, drejtor i ALSAT, Rudina Xhunga, Arian Çani, Aleksandër Çipa, Enton Abilekaj, Fatos Baxhaku, Edmond Laçi, Dritan Kaba e shumë të tjerë që mbeten brezi i gazetarëve të pazëvendësueshëm. Por më figura e asaj periudhe mbetet Nikollë Lesi. Ishte mjeshtër i përballimit të betejave kur e sulmonin dhe kur nuk e sulmonte kush, i kthehej dhe sulmonte redaksinë e vet.
<!--[if !supportLineBreakNewLine]-->
<!--[endif]-->

Pas drejtimit të gazetës “Koha Jonë”, e përqendruat vëmendjen tuaj të biznes-bërjes në
median vizive, konkretisht në TV Klan. Çfarë spikati në këtë sipërmarrje në ndryshim nga gazeta?

Në qershor 1996 u ndava me Lesin, sepse si shumë shqiptarë, nuk mund të bashkëjetonim dy "gjela" në një kotec dhe meqenëse unë kisha më pak aksione si bashkëpronar, ia shita atij pjesën time, që të vazhdonte i vetëm. Me një pjesë të mirë të stafit që kisha te “Koha Jonë”, themeluam revistën “Klan”, të parën revistë me ngjyra në Shqipëri. Vetëm pak muaj më pas, në gusht 1997, sapo filloi të lejohet media elektronike, ngritëm edhe Radion Klan dhe dy muaj më pas dolëm në transmetim me TV Klan. Kanë nisur si mini-projekte. Radion e instalova në një cep të zyrës sime dhe ajo u bë e famshme shumë shpejt, sidomos me emisionin "Klani i natës" nga Arian Çani. Një emision ndryshe nga ç'kishin dëgjuar deri atëherë dëgjuesit, ku natën vonë telefonuesit, krahas muzikës, komunikonin me "Klanin e natës" dhe "skllavin" e tij, me një gjuhë pa rregulla e kufi. Ndërsa televizioni ka një histori të bukur. Në ambientet ku kishim revistën dhe radion, nuk kishim asnjë zyrë bosh. Aty kishim dy banja. Njëra ishte shumë e madhe, diku 4 me 3. E prishëm dhe aty vendosëm aparaturën e transmetimit të TV Klan-it, regjinë qendrore. Andi Bushati u mërzit shumë, se i pëlqente banja e madhe dhe desh iku nga puna. Mezi e bindi Shkullaku të mos largohej nga revista, por qëndroi me kushtin që sa herë të kishte nevojë për të shkuar në banjë, do të shkonte në shtëpi dhe jo tek ajo e vogla e redaksisë. Televizioni hyri në treg dhe u bë i njohur në shtator 1998, pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari. TV Klan, në ditën e protestës kundër kësaj vrasjeje tragjike, ishte i vetmi televizion që transmetoi gjithë protestën dhe ngjarjet që e pasuan, pothuaj direkt nga bulevardi. Dhe atëherë s'bëhej fjalë për aparatura e teknologji si sot për transmetime direkt. Kishim katër kameramanë që xhironin nga afër protestën dhe dërgonin kasetat me makinë, të cilat transmetoheshin njëra pas tjetrës bruto, siç vinin nga bulevardi. Kishim edhe komentatorët më të mirë dhe më të informuar që punonin tek revista: Shkullakun, Bushatin, Ballën dhe Blendi Fevziun, që në atë kohë kishte emisionin "E diela debat" në TVSH, i cili pak ditë më pas e solli në TV Klan. Pas këtij transmetimi, filloi dhe ngjitja e TV Klan-it, duke u bërë shumë shpejt televizioni më i ndjekur në të gjithë Shqipërinë. Filluan të shtoheshin programet e prodhuara vetë. Menjëherë blemë të drejtat ekskluzive të transmetimit të UEFA CHAMPIONS LEAGUE, Kampionatit Italian Seria A dhe të drejtat e ndeshjeve të ekipit kombëtar të futbollit. Në këtë periudhë, audienca u rrit jashtëzakonisht, sepse deri atëherë të gjithë televizionet i transmetonin njëherësh këto ndeshje, duke i piratuar nga kanalet satelitore italiane. 10 televizione jepnin të njëjtën ndeshje. Pas këtyre blerjeve, në sondazhet e asaj kohe, Klan dilte rreth 30% më i ndjekur se televizionet e tjerë. Licencimi në vitin 2000 na detyroi ta mbyllnim radion, pasi ligji nuk lejonte që një subjekt që kishte licencë për TV Kombëtar, të kishte edhe radio. Pastaj iu kushtuam totalisht televizionit. Ne ishim i vetmi televizion që organizonim dhe transmetonim spektakle të mëdha.

A jeni i kënaqur me ecurinë e mediave elektronike në Shqipëri?

Shumë dhe aspak. Media ka bërë hapa gjigante përpara në drejtim të teknologjisë. Askush nuk e mendonte pak vite më parë që televizionet e reja të Shqipërisë të arrinin të prodhonin kaq orë programe dhe të implementonin teknologjitë më të fundit që prodhohen. Dikur konsiderohej ngjarje e madhe kur një program transmetohej direkt nga një ambient jashtë televizionit, ndërsa tani transmetohet direkt nga çdo cep i Shqipërisë apo i Kosovës, njëlloj sikur transmeton nga brenda studios qendrore.
Por ne kemi një problem shumë të madh. Shtimi i numrit të televizioneve, ka sjellë shpërndarjen e stafeve profesioniste. Ka më shumë televizione se gazetarë. Kërkesa është shumë më e madhe se oferta. T’i mbledhësh gazetarët, regjisorët, prezantuesit dhe specialistët e tjerë që ka nevojë një televizion, nuk dalin as për të furnizuar maksimumi 2 televizione. Në çdo redaksi lajmesh, nuk gjen më shumë se 2 deri në 3 gazetarë që janë vërtet gazetarë. Pjesa tjetër janë njerëz të marrë nga rruga, pa asnjë cilësi dhe nivel gazetarie, pa asnjë memorie se çka ndodhur në këtë vend 2 vjet më parë; vetëm se marrin një mikrofon në dorë dhe ua drejtojnë kujt iu del përpara, kryesisht politikanëve, që edhe këta kryesisht i kemi në nivel të këtyre gazetarëve. Jo më kot i përmenda emrat e stafit tim dikur te “Koha Jonë”. Të gjithë ata sot janë drejtorë në 10 televizione dhe atje punojnë me kalamaj që s’kanë asnjë lidhje me gazetarinë. Po nëse këta profesionistë do të punonin në 2 televizione? Cilësia do të ishte si nata me ditën. Sot Shqipëria ka në numër televizionesh afërsisht sa Italia dhe profesionistë sa gishtat e dy duarve. Kërkesa më e madhe se oferta për punonjës, ka rritur artificialisht edhe pagat. Një spiker lajmesh që lexon vetëm 10 deri në 15 fjali në ditë - kokat e lajmeve - në 30 minuta, merr rrogë sa një ministër ose 3 herë më shumë se një pedagog apo një doktor.
S’kemi ç'bëjmë, vetë e kemi prishur tregun. E njëjta histori është edhe tek gazetat. Kemi nja 20 gazeta të përditshme, ku secila ka të paktën 30 gazetarë, pra 600 të tillë që marrin rrogë dhe jam i sigurt që, po t’i fusësh në një provim gazetarie, as 30 prej tyre nuk e marrin klasën.

Sa impenjative është puna juaj, sa kohë dhe përkushtim kërkon?
24 orë. Televizioni është një thes i shpuar. Nuk mbushet kurrë. Çdo ditë, çdo minutë duhet të jetë i ri. Për 30 minuta program punojnë mbi 50 vetë. Kërkon njerëz, kërkon ide, kërkon teknologji që ndryshon çdo vit, kërkon lekë. Media në Shqipëri nuk është biznes akoma, është pasion.

A keni ndonjë formulë me të cilën mund të përkufizonit shumë mirë suksesin e sigurt? Cila është ajo?
Punë, vetëm punë dhe pasion.

Si janë marrëdhëniet tuaja me stafin? Sa kërkues dhe sa tolerant jeni përpara atyre?
Nëse kam pasur ndonjë sukses, kjo ka ardhur vetëm në sajë të karakterit tim bashkëpunues me stafin. Kam qenë dhe jam më shumë tolerant se ç’duhet. Por jam edhe shumë kërkues. Kështu që të realizosh kërkesat e mëdha dhe të jesh tolerant njëkohësisht, pra të mos marrësh vendime ekstreme kur nuk të realizohen kërkesat, detyrimisht kjo kompensohet duke punuar shumë, duke i qëndruar mbi kokë çdo pune. Vetëm duke punuar më shumë se gjithë punonjësit e mi realizoj atë që dua: realizimin e detyrave dhe mosbërjen e drejtorit të keq. Unë asnjëherë nuk e kam konsideruar veten përballë punonjësve si drejtor i tyre, por si brigadier, që do të thotë që nuk jap urdhra dhe marr vendime, por unë ndaj punët dhe punoj me ta, bile më shumë se ta. Kjo i ka mbajtur rreth meje punonjësit që unë i konsideroj edhe miq e bashkëpunëtorë.

Cili është itinerari juaj në një ditë të zakonshme?

Dal në punë jo fort herët, në 9 ose 9.30. Shkoj për drekë në 5 apo në 6, maksimumi 1 orë. Kthehem përsëri në 7 dhe rri deri në 11.30 apo 12 kur ka emisione të gjata. Në këtë orë shkoj për darkë, zakonisht në restorant.

Çfarë e kompenson tek ju një ditë pune vërtet të lodhshme?
Darkat me miqtë, konjak dhe puro deri vonë.

Po familja juaj? Sa kohë e lirë mbetet për ju të gjithë së bashku dhe si arrini të ekuilibroheni midis saj dhe impenjimve të punës?
Fatmirësisht edhe gruan e kam në punë. Jam lidhur me Albën që në muajt e parë të televizionit dhe prej asaj kohe e kam grua, punonjëse, shoqe dhe dashnore. Jemi gjithë ditën bashkë, që kur dalim e derisa kthehemi. Më ka ndihmuar shumë. Nuk e di ç’do të ndodhte po të ishte në një punë tjetër. S’do të kisha kaq kohë t’ia kushtoja televizionit, se gratë fillojnë e të marrin në telefon - ku ishe, pse u vonove, më le vetëm, po me fëmijët vetëm unë do merrem... kështu që në këtë drejtim jam rehat. Tek fëmijët jemi të dy borxhlinj. Rrimë shumë pak, pothuaj aspak. Ka ditë që na lënë në gjumë, se ikin në kopsht dhe në shkollë, vijnë dhe na puthin në mëngjes tek krevati dhe i gjejmë në darkë në gjumë. Mbas shkollës, Frenki dhe Emi vijnë shpeshherë në Klan dhe aty rrimë pak me ta, në punë e sipër. Luajnë dhe bredhin nëpër korridore e nëpër studio. Më shumë rrinë me Edin, vëllanë dhe punonjësit e tjerë kur ne jemi të zënë. Shyqyr kam vjehrrën të re e na i mban ajo, por ndonjëherë edhe mamaja ime, kur vjen në Shqipëri, pasi ajo rri edhe në Itali tek motra.

Po fëmijëria juaj? Ç'mund të kujtoni prej saj, ndonjë episod apo periudhë të veçantë që iu ka mbetur në mendje?
Kam qenë shumë mistrec. Por kur u rrita u bëra i urtë. I vogël s'lija dy gurë bashkë më kanë thënë. I prishja veglat e punës babait. Isha kurioz të mësoja gjithçka. Babai, ndjesë pastë, ishte teknik televizorësh dhe unë luaja me aparaturat e tij kur ai nuk ishte në shtëpi. Sigurisht që kurioziteti për t’i hapur e çmontuar në shumë raste i nxirrte jashtë përdorimit, por nuk më rrihte. Njëherë mbaj mend që i mora edhe motorin. Ndërkohë që erdhi të hante drekë, i mora fshehtas çelësat e motorit dhe zbrita poshtë pallatit. E ndeza dhe nisa të bëj xhiro. Ka pasur një Vespa të vogël, që shkonte në të gjithë zonën t’u rregullonte televizorët njerëzve. Komshiu, kur më pa, shkoi dhe i tha. Babai doli dhe më kapi me vrap. Isha i vogël, në klasë të pestë, pak muaj para se ai të aksidentohej dhe të humbiste jetën nga një aksident me një motor Jawa të një mikut të tij, duke u kthyer nga Lezha në Laç. Kishte shkuar të rregullonte një televizor 3 ditë para Vitit të Ri, në dhjetor 1979. Nuk kam shumë kujtime nga fëmijëria. Unë isha më i madhi, në klasë të pestë, motra në klasë të parë dhe vëllanë, Edin, e la të vogël një vjeç e gjysmë. Nëna na rriti me shumë vështirësi.

Keni zgjedhur të keni zërin tuaj në politikë dhe politikë-bërjen e vendit, pa u angazhuar direkt në të. Pse një pozicionim i tillë?
Nuk bëhen të dyja. O do të bësh televizionin, o politikën. Televizioni për mua është më i rëndësishëm. Është shumë më i rëndësishëm se një deputet, se një ministër, e ndoshta më shumë se një kryeministër. Po u angazhove, do të pozicionohesh dhe nuk je më i besueshëm, se i përket një pjese. Po u pozicionove, je i detyruar të mbështetësh forcën tënde edhe kur nuk e meriton, edhe kur s’ke të drejtë. Ndërsa kështu, je gjithmonë në interes të publikut, në interes të së mirës së atyre që të shikojnë. Televizionin e mban audienca. Nëse qytetarët të shohin, vjen reklama, nëse nuk të shohin, të rroftë politika, se ikën për lesh. Është e vetmja rrugë ky pozicion. Mbështet atë forcë që bën punë, atë forcë që do publiku, që do audienca. Nuk mund të mbështetësh politikën apo grupe politike që njerëzit, po të kishin mundësi, do t’i qëllonin me vezë. Dhe nëse një moment mbështet një forcë që mbështetet nga publiku, nuk do të thotë të mos e kritikosh atë kur bën gabime ose kur ikën nga linja për të cilën është votuar. Ky është një pozicion që nuk të rrëzon kurrë. Kështu televizioni është gjithmonë në pushtet, sepse është gjithmonë përkrah interesave të shumicës, pra të qytetarëve.

Kë prej politikanëve ke më shumë mik?
Nuk mund ta them, ose më mirë, nuk duhet thënë. Kam pasur dhe kam shumë miq prej tyre. Pozicioni që kam është shumë komod. Për drekë mund të jem me Blushin apo Klosin e majtë, për darkë me Olldashin apo Bashën e djathtë. Kam shumë miqësi me Berishën, por kjo nuk më pengon të komunikoj shumë mirë me Edi Ramën apo Ilir Metën. Miqtë politikanë përpiqem t’i respektoj më shumë kur nuk janë në pushtet, p.sh., Ilir Metën e kam pasur mik kur ishte kryeministër, por e respektoj më shumë tani që nuk është në pushtet. Por edhe Nanon, me të cilin u përplasa kur ishte kryeministër, tani që është jashtë pushtetit dhe i braktisur nga njerëzit e tij më të afërt kur ishte në pushtet, përpiqem ta respektoj dhe kam komunikim. Gjithmonë jam përpjekur të ruaj raporte miqësore dhe të qëndrueshme me qëllim që të gjithë ta ndiejnë Klanin të tyre.

Përveç mediave, tërhiqeni nga ndonjë tjetër pasion, sport apo art i veçantë?
Dëshirë kam të pikturoj, por koha është absolutisht e pamundur.

Në arredim, në veshje, në sjellje etj. ju jeni tip klasik apo sportiv?
Më parë kam qenë klasik, por duke u plakur ka filluar të më pëlqejë vetja sportiv. Më pëlqejnë veshjet me ngjyra të plota, nuk më pëlqejnë ato gri dhe ngjyrat e shpëlara.

Shpenzoni shumë?
Nuk e di nëse harxhoj shumë apo pak. S'ia kam idenë e çmimeve. Nuk kam mani të shpenzoj kot, apo për t’u dukur. Shpenzoj për atë që më pëlqen, për qejfin tim. Nuk e lë një gjë që më pëlqen pa e blerë për shkak të çmimit. Asnjëherë nuk mbaj llogari sa harxhova; ia lë gruas të paguajë. Merre, i them gjithmonë kur më pyet për të blerë ndonjë gjë. E kam shumë bezdi të rri gjatë në dyqan. Por nganjëherë bëhem keq dhe bërtas kur më vjen fatura e kartës së kreditit.

Cila është pjata juaj e preferuar?
Peshku.

Po pija?
Konjaku, Remy Martin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora