E hene, 29.04.2024, 07:09 PM (GMT+1)

Mendime

Sami Repishti: Luftoni kundër harresës

E shtune, 16.08.2008, 01:54 PM


Sami Repishti
Luftoni kundër harresës

Nga Sami Repishti

Imagjinoni trupin e Havzi Nelës që lëkundet nga era, i varun për tri ditë me radhë, ndërsa korbat e zinj i ndukin sytë... e buzët që nuk lëvizin ma!

Këto akte kriminale të regjimit të terrorit që ushtroi ish-Partia Komuniste shqiptare do të mbeten pa dyshim si njollat ma të zeza të historisë sonë kombëtare. Vëllau vret vëllaun, Kaini vret Abelin, i çmenduni vret të pafajshmin dhe injoranti asgjëson figurën ma fisnike të racës njerëzore: poetin.

Përse? Sepse Poeti magjistar refuzoi me këndue bashkë me Neronin e kuq, ndërsa Roma digjej flakë!

Poeti asht vëllau dhe motra jonë e privilegjueme, pajisun me imagjinatë të gjanë, natyrë emocionale, shumë sensitiv për arsye të frymës së tij njerëzore, dhe me nji fuqi që i dhuron natyra e aftë me shprehë mendimet e tija, pasionin e tij, dhe intuitën e tij me format ma të përpunueme gjuhësore, e me shprehje sugjestive që nxisin shpirtin tonë, e fitojnë të gjithë simpatinë tonë.

Sot, dhimbja e jonë asht akoma ma e madhe, sepse dëshmojmë që gjykatësi katil e servil, pa ndërgjegje, që e dënoi me zbatue urdhnat e një grupi gjakatarësh me thikë e hanxhar në dorë e që nuk lejonte bilbilin të këndojë, lulen të lulëzojë e njeriun të gëzojë jetën e lirë -sot asht anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Paturpësi e pabesueshme!

Fati e deshi që krimi në Shqipëri, e krimineli, të mos dënohen. Si themi na shkodranët: Hapu toke se due të hyj mbrenda! Me këtë akt antinjerëzor që shkel parimet e drejtësisë ma elementare dhe që turpnon demokracinë që nuk po gjen fuqinë me lindë në Shqipëri, atdheu i ynë ka hy në një qorrsokak, fundi i të cilit nuk shihet, por që paralajmëron katastrofa të reja për ne, për fëmijët tanë, nipat tanë. Unë nuk besoj se ka njeri me arsye e ndërgjegje që pranon me lanë nji trashgim të këtillë për breznit e ardhme në atdheun tonë. E padyshim, asnjeni nga ne të përndjekunit.

Por klasa e jonë, që përfaqëson fitoren morale të kombit shqiptar mbi çnjerëzimin e çmendurinë komuniste gjysmëshekullore, e ka humbë betejën politike. Pushteti politik ka ra në duert e matrapazëve partiakë që tregtojnë me vuejtjet tona e që shfrytëzojnë pa turp kapitalin tonë moral. Ajo që na mbetet sot asht këmbëngulja e jonë mos me u kompromentue me llumin e politikës shqiptare.

Kjo nuk do të thotë se duhet të flejmë gjumin e randë të vdekjes. Unë marr guximin sot me ju dhanë dy këshilla:

E para, luftoni kundër harresës, harresa asht vdekja e dytë e viktimës. Komunistët kan vrarë me mijëra vëllazën e motra tonat. Por, po të harrojmë sakrificën e tyne, dëshmorët do të vdesin përfundimisht dhe po të ngjasë kjo, ne, të gjithë ne, jemi përgjegjës. Me rikujtimin e tyne na shpëtojmë nga vdekja e përhershme herojt, dëshmorët dhe viktimat. Na, që mbijetuem katastrofën kolektive të terrorit të kuq, e kemi për detyrë!

E dyta, asht fare e qartë se askush nuk shqetësohet për fatin tonë. Nganjiherë, më duket se edhe vetë Zoti ka vdek për ne... megjithëse nuk jemi na ata që e gjuajtëm me gurë! Ajo që na mbetet asht solidariteti në mes nesh, në mes atyne që shpeshherë akoma fshehin fytyrën me duer nga frika, kurdoherë që derdhin lot.

Solidariteti njerëzor asht forma ma sublime e dashunisë për njeri-tjetrin, e mirëkuptimit dhe ndihmëse së ndërsjellë. Jepni dorën njeni-tjetrit! Ndihmoni njeni-tjetrin! Ka sot mijëra e mijëra ish-të persekutuem që kanë mbet rrugëve, pa familje, pa shtëpi, pa bukën e gojës. Kjo masë fatmjerësh asht turpi ma i madh i pushteti politik sot në Shqipëri. Aty ku politikanët e korruptuem kanë falimentue, ju o vëllazën e motra, duhet të ndërhyni, të veproni, të shpëtoni atë që akoma nuk asht shkatrrue plotësisht... e sidomos të punoni për nji të ardhme ma të mirë për fëmijt tanë të abandonuem.

Vetëm kështu poetët e vramë e të varun në litar nga regjimi gjakatar komunist do të binden se sakrificat e tyne nuk kan shkue bosh. Vetëm kështu mund të jetojmë përsëri nji jetë me dinjitet!

* Fragment nga përshëndetja e Sami Repishtit me rastin e 20 vjetorit të ekzekutimit të poetit Havzi Nela. Autori është ish-i burgosur politik në Shqipëri (1946-1956 ) dhe Jugosllavi (1959-1960), dhe është aktivist për të drejtat e njeriut



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora