E hene, 29.04.2024, 11:01 PM (GMT+1)

Mendime

Besim Ndregjoni: A varet poeti.....!

E shtune, 16.08.2008, 11:27 AM


Havzi Nela me nxënësit në Shishtavec (Kukes)
A varet poeti.....!

Nga Besim NDREGJONI*

Njëzet vite më parë në vendin tonë ndodhte tragjedia, tragjedi e paimagjinueshme për kombet e qytetëruara, por as për vendet e Evropës Juglindore, që ishin në pushtet komunistët. Një dënim mesjetar, që dalëngadalë po futej në arkivat, varja me litar, si një dënim monstruoz i një shekulli që nuk do të pranohej apo të mendohet që në Evropën që po shkallmonte pushtet totitalitare të komunizmit, të ndodheshin dënime të tilla si në mesjetë. Rendi komunist, i egërsuar nga ditët e fundit që i kishin mbetur, se shenjat e para të lirisë ishin dukur në horizontin tonë si bishë barbare që egërsohet, prej dritës dhe sinjaleve të saj jepte një mesazh të kundërt me shpresën, frikën dhe tmerrin. Besueshmërinë ndaj vetes, se nuk do të bënte asnjë lloj lëshimi dhe për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte e aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të ekzekutimit të jetës, varje me litar. Për të treguar se stalinizmi shqiptar do të mbetej i pandryshuar në programin e tij themelor.
Ai që merrte këtë dënim ishte një POET, që i këndonte jetës, natyrës, malit, fushës, qytetit dhe vendlindjes, atdheut të cilit i dedikohej edhe me jetë. Poeti HAVZI NELA lulja dhe gojëmbli, fisniku i Kukësit. Ai lindi më 20 shkurt 1934. Në moshën 9-vjeçare u përballua me fatkeqësinë e parë, duke mbetur jetim, se i vdes babai. Dhe që në këtë moshë fillon rrugën e shtegtarit për arsye ekonomike nëpër rrugët e Tiranës, deri në vitin 1946, mandej vazhdon shkollën në Kukës deri në vitin 1948.
Arratiset në Kosovë tek të afërmit e tij, ku vazhdon shkollën deri në vitin 1949. Kthehet në atdhe dhe merret me bujqësi deri në vitin 1950.
Shkon në shkollën pedagogjike të Shkodrës, por e ndërpret për arsye ekonomike. Punon mësues në Plan-Klos Mat deri në vitin 1953. E pushojnë nga puna, sepse kërkoi transferim. Kthehet në vendlindje dhe merret me bujqësi deri në nëntor të vitit 1953.
Fundi i vitit 1958 e gjen në gjimnazin e rezervave të arsimit në Tiranë, ku diplomohet në arsimin e mesëm. Punon në Shishtavec mësues në shkollën 7-vjeçare dhe njëkohësisht vazhdon dhe shkollën e lartë me korrespondencë. Në 1963 transferohet nga Shishtaveci në Surroi, refuzon dhe e transferojnë në Krumë, ku punon vetëm pesë muaj. Nga kjo kohë deri në prill 1967 punon mësues në Topojan. Në paraditen e vitit 1967 reagon ashpër ndaj kërkesave të regjimit për prishjen e kishave dhe xhamive, futjen në kooperativë bujqësore dhe ndërrimin e veshjeve.
Në 22 prill 1967 arratiset së bashku me bashkëshorten Lavdie NELA. Më 6 maj 1967 pala jugosllave e dorëzon në postën kufitare Morin. Më 22 maj 1967 dënohet me 15 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e tij Lavdia me 10 vjet heqje lirie. Në gusht të vitit 1975 ridënohet me 8 vjet heqje lirie. Më 12 tetor 1987 internohet në katundin Arrën, dhe më 13 qershor 1988 largohet nga internimi.
Në 15 qershor, në orën 05:30 e mëngjesit në Brejkë, konfliktohet me shpurën e ndjekjes dhe e arrestojnë. Në datën 15 qershor, ora 10:00 e paradites e dorëzojnë në degën e brendshme të Kukësit. Më 15 qershor, ora 12:00 e mesditës nis procesi hetimor. Në 21 qershor mbyllet procesi hetimor. 22 qershor, ora 10:00 e paradites formulohet vendimi për dënimin kapital në Gjykatën e Kukësit (dënimi i paracaktuar).
24 qershor zhvillohet gjyqi dhe shpallet vendimi. 25 qershor bën ankim pranë Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 16 korrik Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë lë në fuqi vendimin e gjykatës së Kukësit. Më 2 gusht, presidenti i asaj kohe me Presidiumin e Kuvendit Popullor miraton vendimin për ekzekutimin e poetit Havzi Nela me varje në litar. 10 gusht, ora 02:00 e natës realizohet ekzekutimi. Dhe si sot 20 vite më parë, trupi i tij valvitej në litar në mes të Kukësit. Sekretari i Parë, Miti Nito, me bandat e krimit dhe gjithë strukturën e kriminelët do të shëtisnin me duartrokitje për heroizmin e bërë me varjen e poetit disident antikomunist, trimit të Kukësit, Havzi Nela.
Dhe varrimi do të bëhej në mënyrën më makabre, duke e futur në një ndenjëse shtylle dritash të tensionit të lartë. E bëmë këtë jetëshkrim të poetit jo se nga ne bashkëvuajtësit e tij dhe mijëra familje të përndjekura politike shqiptare nuk e dimë krimin që i është bërë poetit, por në çdo përvjetor të tij t’u tregojmë brezave se në Shqipërinë e komunizmit ka ndodhur kjo dramë, kjo tragjedi që këto të mos përsëriten, që fëmijët tanë të dinë se po nuk u dënua krimi, ai përsëritet. E theksoj me të madhe: përsëritet, përsëritet, përsëritet, përsëritet.
Në apelin e poetit thuhet: Kur do të dënoni krimet e komunizmit? Në Gjermaninë demokratike akoma arrestohen ish-agjentë nazistë 80-90-vjeçarë për krimet e kryera gjatë periudhës hitleriane, megjithëse më shumë se 52.000 qytetarë gjermanë janë dënuar nga gjyqet gjermane për krime ose përkrahje të nazizmit në Gjermani. Shitja e librit të Hitlerit dënohet me gjyq si dhe mohimi i krimeve naziste gjithashtu. Kurse në Shqipëri diktatori mban titullin hero populli, diktatori Ramiz Alia krekoset në ekranet televizive si President i këtij vendi dhe me paturpësi të pabesueshme thirret zoti President. A ka më imoralitet njerëzor të thërrasësh president atë që vari Poetin, atë që vari poezinë? Shqipëria ka përqafuar heshtjen që vret, që përfaqëson errësirën, padrejtësinë dhe mohon denoncimin e krimit dhe të kriminelit. Me këtë heshtje shqiptarët po zhyten në moçalin e mëkatit që refuzojnë të njohin. Me heshtje ata kryejnë aktin e vetëvrasjes së tyre morale. Në Shqipëri jo vetëm që nuk është dënuar krimi dhe krimineli, por viktimat e komunizmit vazhdojnë të vuajnë pa punë, pa bukë, pa strehë, pa përkrahje dhe pa mirënjohje. Në Shqipëri asnjëra nga partitë politike nuk ka në program dokumentimin e krimit komunist 45-vjeçar. Prandaj Shqipëria jeton në mes të së vjetrës që refuzon të vdesë dhe të së resë që nuk lejohet të lindë. Profesor Sami Repishti tregon: Në vitin 1970-‘71 gjatë studimeve në Sorobonë (Paris, Francë) takova një studenteshë gjermane që kishte këputur marrëdhëniet e saj me babanë, ish-zyrtar i lartë civil gjatë periudhës së nazizmit në Gjermani. “Nuk mund të pranoj faktin se babai im ka ndihmuar atë autoritet”, më tha. Një ngjarje e tillë më bindi se nazizmi nuk ka të ardhme në Gjermani, sepse breznia e re e dënon. Por jo në Shqipërinë tonë të dërrmuar dhe të sëmurë nga helmi i mbetur komunist. Do të thosha jo për disa arsye, por mbi të gjitha do të ndalesha tek një. Tek kulti i Harresës, si një nga mënyrat më perfide për të përligjur gjithçka kriminale ka patur ai regjim. Prej disa vitesh në media të caktuara ka filluar një rehabilitim i turpshëm, ku lloj-lloj sejmenësh të regjimit na shfaqen përditë me kujtimet e tyre për nomenklaturën, duke na i servisur ata si shenjtorë, duke fyer paturpësisht historinë e një populli të tërë. Kjo nuk është një rastësi, sepse forcat politike trashëgimtare të regjimit kurrë nuk kërkuan falje për bodrumin e hotel “Bristol”, për shtëpinë torturë Pjerin Kcires, për Kuvendin Françeskan të kthyer në burg, për deputetët e asamblesë të pushkatuar, për masakrat në kënetën e Maliqit, për viktimat e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, Burrelin apo Spaçin, për poetët e pushkatuar apo varur në litar, si i madhi dhe i pavdekshmi Havzi Nela, që thërrisnin: Ejani burra të vajtojmë, Shqipërinë për kulturën e gjymtuar e qindra vende e ngjarje të tjera, nga e kaluara, por përkundrazi për të rifituar pushtetin e humbur u kthyen në punëtorë të së keqes dhe nuk i kursyen vendit situata dramatike dhe pas pluralizmit. E kam bindje personale që çdo i përndjekur politik shqiptar është një shkëndijë lirie e shembull dinjiteti. Ne jemi krenaria e kohës, kur frika drobiti shpresat e dhuna denatyronte njeriun. Politika dhe mbarë shoqëria mbart ndaj nesh një borxh të pashlyer.
Lufta midis Komunizmit dhe Demokracisë është faktori historik dominues i kohërave tona. Për më shumë, vlerësimi moral si dhe dënimi i krimeve të kryera, luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri. Pozicioni i qartë i komunitetit ndërkombëtar në të kaluarën mund të jetë si referim për veprimet në të ardhmen. Ne të përndjekurit politikë shqiptarë që në gjenezë kemi besuar tek magjia e lirisë dhe demokracisë, e mirëkuptimit dhe pajtimit. Një martir shqiptar që në panteonin e kombit zë vend nderi deri pak para pushkatimit shtronte kushtrimin që çdo shqiptar i çdo krahine, besimi ose shkalle civilizimi t’i thërrasë arsyes, të mos humbasin si komb e shtet, por ta ndjejmë me zemër se jemi vëllezër të një gjaku e gjuhe, miq dashamirë, shokë. Ne duhet të na bashkojë një shpirt i vetëm, shpirti shqiptar, një vend, një zakon, një interes, një flamur. Pas pak muajve që mbajti këtë ligjëratë, i gjendur para skuadrës së Plutonit tha: “Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne”. Bëhet fjalë për POETIN Patër Anton Harapin. A nuk tha poeti Havzi Nela para varjes se: VDEKJA PER LIRI NUK ME TREMB, ASPAK”.
Një spastrim ligjor i paligjshmërisë është një imperativ kategorik. Dokumentimi i krimeve të komunizmit në Shqipëri është hapi i parë si detyrim moral dhe si preventive, si fillim i rindërtimit moral të shoqërisë shqiptare të tronditur thellë.

*Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare  Integrimit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora