E hene, 29.04.2024, 09:14 PM (GMT+1)

Mendime

Edmond Tupja: Homo novus

E diele, 17.08.2008, 08:03 AM


Edmond Tupja
Homo novus

Nga Edmond Tupja

Kështu quhen, në latin ishte të kulluar (të kohës së sotme, por jo në atë të romakëve), ata që, papritur e pakujtuar, pasurohen brenda një periudhe të shkurtër duke përfituar nga disa rrethana të volitshme ekonomike, politike, sociale dhe, pse jo, kulturore. Por kujdes! Të mos e ngatërrojmë këtë term me barasvlerësin gjuhësor “njeriu i ri” që, në shqipe, u referohet pesëdhjetë vjetëve të regjimit komunist shqiptar, gjatë të cilëve tërë aparati ideologjik i diktaturës hoxhiste bëri çmos që të krijonte një individ model, mundësisht të përkryer, të programuar për të mbetur lumturisht i varfër në ato rrethana të pavolitshme ekonomike, politike, sociale dhe, pse jo, kulturore që u siguronte ai regjim barazitar/parazitar masave, d.m.th., popullit të thjeshtë, përjashto udhëheqësit e tyre që kishin përfitime e privilegje të konsiderueshme.
Pyetja e parë që dua të shtroj sot, në këtë kolonë të rubrikës sime, është: Sa nga këta “njerëz të rinj” të gatuar, brumosur, trapitur e kalitur nga ideologjia komuniste shqiptare, u shndërruan në “homo novus” pas shembjes së regjimit në fjalë? Jam i bindur se përgjigjja nuk është e vështirë: Nuk dihet numri i tyre, meqenëse, me sa jam informuar, studimet sociologjike nuk disponojnë statistika të mjaftueshme në këtë drejtim.
Pyetja e dytë është: Cilave shtresa apo grupeve shoqërore të atëhershme u përkisnin këta “njerëz të rinj”? Cilave grupmosha? Cilave profesione? Cili ka qenë niveli i tyre arsimor e kulturor? Këtu, përgjigjet më duken e s’më duken fort të vështira, por, gjithsesi, nuk mund të jenë veçse komplekse. Fillimisht, nuk duhet harruar se regjimi hoxhist i zhvleftësoi, si klasë, të pasurit që vinin nga familjet e mëdha, të fisme, i pushkatoi përfaqësuesit e tyre më në zë, ua internoi pasardhësit, pra, duke i shpronësuar, përndjekur e eliminuar fizikisht, i deklasoi. Pronësia private e mjeteve të prodhimit u zhduk, sepse këto të fundit u shtetëzuan ose u kolektivizuan; çdo orvatje, sado e vogël, për veprimtari ekonomike private (p.sh. rritja klandestine e ndonjë derri në bunker në epokën ekonomikisht të mynxyrshme të Ramiz Alisë) u shtyp pa mëshirë. Vetëm disa minifragmente të shoqërisë shqiptare u anashkaluan, sepse konsideroheshin si të papërfillshme në listat e individëve të skeduar të Partisë-Shtet-Sigurim: kështu, romët u lanë të merreshin me allishverishe të vockla, njëlloj edhe shitësit, magazinierët, kapterët e reparteve ushtarake apo brigadierët e kooperativave bujqësore, të cilët ruajtën dhe zhvilluan me një kujdes të madh, më shumë intuitiv sesa të studiuar, njëfarë shpirti iniciative dhe njëfarë guximi për të rrezikuar. Dhe qenë pikërisht këto minifragmente që, me të rënë diktatura stalino-enveriane, u hodhën të parët – madje shpesh pa ngurruar – në vorbullën e ekonomisë së porsalindur të tregut. Nga ana tjetër, Partia e Punës, me t’u shndërruar brenda ditës, në kongresin e saj të fundit, në Parti Socialiste (sa lehtë u kthye në ngjyrë trëndafili ngjyra e gjakut!), u shpërndau, sigurisht jo për bamirësi, një pjesë të fondeve që dispononte disa të besuarve të saj për t’i investuar sa më shpejt e sa më me leverdi (le të kujtojmë fare kalimthi disa prej firmave piramidale).
Kësisoj, lindi dhe u shumua në Shqipërinë kapitaliste i ashtuquajturi “homo novus”, që s’kishte (fatmirësisht!) asgjë të përbashkët me “njeriun e ri” të projektuar nga komunizmi shqiptar; në këtë mënyrë, në vend të Lej Feni që pritej të klonohej në Shqipërinë e kuqe, u shfaq në Shqipërinë blurozë “homo novus”-si, d.m.th. ai që të “luan fenë” me shkathtësinë e tij nganjëherë edhe të pamëshirshme. Këtë e vërteton edhe realiteti i sotëm shqiptar: sociologët tanë mund dhe duhet ta thonë fjalën e tyre lidhur me identitetin zanafillor të një pjese jo të pakët të biznesmenëve tanë të suksesshëm jo vetëm në tregti e ndërtim, por edhe në botime e media të shkruara apo elektronike, biznesmenë që unë i admiroj për kurajën, vullnetin, këmbënguljen dhe manovrueshmërinë e tyre, sidomos, disa syresh, edhe për mbështetjen që u japin kulturës dhe arteve.
Nga ana tjetër, më pëlqen kur dëgjoj disa nga këta biznesmenë të cilët jo vetëm nuk e mohojnë, por as nuk e fshehin prejardhjen e tyre shoqërore. Kështu, para disa kohësh, njëri prej tyre më thoshte, në trajtë pyetjeje retorike, por me krenari: “A nuk kishte qenë druvar Abraham Linkolni para se të bëhej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora