E diele, 28.04.2024, 03:27 AM (GMT+1)

Mendime

Aleksandër Çipa: Ballkani i brishte

E diele, 17.08.2008, 08:47 AM


Ballkani i brishte

Nga Aleksandër Çipa

Ballkani është një rajon i tjetërsuar në këtë 10-vjeçar të fundit. Ky rajon sot, është sjellë në një klimë të re dhe në një moment negocimesh institucionale, që synojnë stabilitet gjeopolitik, rimëkëmbje ekonomike dhe tregjesh. Ngarkesat e konflikteve ndëretnike janë lehtësuar, sikundër procesi zgjidhës i pretendimeve për kufijtë, po ndjek një linjë të butë dhe pa ngarkesa shpërthyese nacionaliste. Diplomacia e pranimit të kufijve të Kosovës në rajon, sidomos në raport me shtetet kufitare të saj, si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia në një pjesë të saj dhe në mënyrën më logjike nga Shqipëria, duhet parë si një aspekt real i triumfit të realpolitikës. Mënyra se si e kapërceu Kosova provën e parë të legjitimimit të mëvetësisë së saj shtetërore, sprova e instalimit të arkitekturës së paplotësuar institucionale nga qeveria e Kosovës, janë në vetvete elemente të një gjendjeje të ndryshuar në raportet ndërballkanike. Sot, për herë të parë në kryeqytetet ballkanike konstatohet një kulturë dhe frymë partneriteti, e cila e dominon dasinë e ashpër dhe të thellë ndërkombëtare, sikundër ka eklipsuar çdo tendencë për rikthime pas dhe për lëvizje retrograde. Një proces i tillë në kah pozitiv, kishte munguar dhe ishte penguar me potenciale madhështore prej gati një shekull jetë në këtë gadishull. Për shkak të këtij realiteti të zhbërë dhe të tjetërsuar, vitet 1999-2007 do të vlerësohen për ballkanasit si në periudhë e mbrothshme. Natyrisht ky është panoramimi optimist dhe prirja më e natyrshme e shoqërisë që aspiron paqen dhe mirëjetesën ndëretnike. Ky vlerësim fiton terren, nëse ndjek me vëmendje konfirmimet, artikulimet dhe axhendat protokollare të diplomacisë ballkanike dhe të kancelarive të rajonit, në ditët e këtij viti. Sikundër po kaq pozitivisht vlerëson presionin që bëhet prej shumicës së institucioneve globale vendimmarrëse, për të shënjuar në kohë anëtarësimet dhe përfshirjet nominale, të shteteve ballkanike në BE apo në proceset pararendëse si asocimet apo anëtarësimin në NATO. Megjithatë, në këtë panoramë fshihen edhe prirjet apo mekanizmat penguese, të cilat deri tani shihen si të pamjaftueshme për të devijuar rrjedhën integruese, por edhe për të rikthyer çaste konfliktesh ndëretnike apo marrëdhënie të egra dhe tensione. Sidoqoftë, klima ndërkombëtare në çdo akt ndryshueshmërie të saj, efektin e sjell vazhdimisht, me shpejtësi, në Ballkan. Analistët dhe laboratorët e vëzhgimeve politike e gjeopolitike në SHBA dhe BE, e kanë shtuar vëmendjetërheqjen për problemet që po shfaq Maqedonia e sotme. Shteti me emër konfliktues me Greqinë, shteti që ka një proces të hapur kufipranues me Kosovën, shteti që ndonëse sapo ka legjitimuar qeverinë e re "Gruevski 2", ka një brishtësi institucionale dhe përjeton një realitet qeverindryshues me beftësi, si dhe një "hall" të brendshëm dy-etnik. Diplomacia politike e Shkupit, sot është bërë tejet e komplikueshme. Me një shtat të pamjaftueshëm gjeografiko-administrativ, ky vend po e nervozon së tepërmi Greqinë. Konflikti për emrin e mospranuar nga fqinja e saj, i futur në axhendën e diplomacisë ndërkombëtare, duket se nuk është thjesht një kauzë etimologjiko-politike. Diplomacia amerikane, sipas medias dhe shtypit të Athinës, e ka shumëfishuar interesimin dhe ngutjen e vet për kapërcimin e këtij konflikti dhe për fitimin e kohës së humbur për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Madje, Uashingtoni ka shtuar presionin dhe ngutjen edhe ndaj Athinës. Përkundër këtij presioni, duket se Shkupi ka fituar qetësi befasuese, duke shtuar pretendimet kondicionuese për Athinën zyrtare. Një lojë të tillë kurrë dy fqinjë ballkanikë s‘e kanë bërë. Mospërputhshmëria dhe mungesa e barazisë në kapacitetet shtetërore dhe në fuqinë diplomatike, nuk i lejonte Maqedonisë së para viteve 2000, një mundësi të tillë, madje ajo do të ishte e rrezikuar deri në ekzistencë. Atëherë çfarë po ndodh dhe çfarë ka ndryshuar që Maqedonia përmes konsistencës së vet po krijon një imazh kokëforteje?! Natyrisht është shumëdimensionuar konteksti diplomatik ndërkombëtar si dhe janë shtuar relacionet ndikuese. Sikundër tensioni i befasshfaqur në marrëdhëniet ndërkombëtare, pas konfliktit tronditës Rusi-Gjeorgji, konsiderohet si moment për befasi dhe kthesa të papritura zhvillimesh. Përbri Maqedonisë, Serbia po përpunon një mekanizëm të sofistikuar pengues për shtetin e ri të Kosovës. Mësymja diplomatike e Beogradit në KS të OKB-së, është një formulë e re e mbartur, për zbatim pengues, për njohjet e mëtejshme të Kosovës dhe për legjitimitetin ndërkombëtar të saj. Mitrovica veriore e mbajtur peng, është një variant abhkhauzian në Kosovë. Serbët, në kohë të ndryshme, e kanë ripërsëritur sjelljen reminishenciale me aleatët e tyre strategjikë, rusët. Për këtë shkak dhe qëllimisht, brenda këtyre konteksteve, Serbia i mban të ngrira marrëdhëniet me Shqipërinë. Ajo e ka sofistikuar ndikimin e saj diplomatik për vonesat njohëse nga shtetet e tjera të rajonit dhe në shumë të tjera jashtë tij. Kjo diplomaci preventive e Serbisë, hapur edhe e Rusisë, për pengimin e njohjes shumëkombëshe, ka shkaktuar reagimet potenciale në Uashington dhe në BE si dhe në vetë institucionet e Kosovës, të cilat kanë konfirmuar publikisht se në shtator do të ketë një valë të re njohjesh ndërshtetërore të shtetit të Kosovës. Në të njëjtën kohë, Serbia po ndikon me finesë dhe në mënyrë të pabujshme, që ndikimi rus në shtetin e pretenduar prej saj, si gati satelit të interesit të mbetur federalist, pra në Mal të Zi, të ketë fasadë ekonomiko-turistike, por efekte të thella të indikacioneve politike ruso-serbe. (Prezenca e investitorëve rusë në brigjet e Dalmacisë, gjatë dy viteve të fundit është befasuese). Ndërkohë edhe dy shtetet e tjera ballkanike që prej dekadash përjetojnë një marrëdhënie ndërshtetërore paqësore dhe me gjuhë zyrtare si miq dhe partnerë, pra Shqipëria dhe Greqia, në axhendën e tyre mbajnë të hapur disa çështje që nervozojnë dhe shkaktojnë reaksione akuzuese dhe refuzuese. Greqia vazhdon të mbetet në pretendime maksimaliste për minoritetin e vet grek në Shqipëri, sikundër i ka shtuar kapacitetet pretenduese për më shumë të drejta dhe më tepër prezencë etnike në territorin e Shqipërisë. Athina zyrtare mbetet këmbëngulëse për të ashtuquajturin rivendikim të historisë së helenizmit në territorin shqiptar të zonave jugore, ndërkohë që manifeston një qëndrim të ngurtë dhe kategorik refuzues, për çështjen shqiptare çame. Athina zyrtare fuqishëm eviton çdo tendencë balancuese të çështjeve të mbartura mes dy palëve, sikundër vijon fuqishëm dhe në flagrancë të hapur ndikimin e saj në një territor specifik si ai i Himarës. Me këtë ndikim, ajo synon të konvertojë në akt legalizimi, të qenit minoritar të himarjotëve. Natyrisht që ka edhe shumë çështje dhe probleme të tjera që nuk i kemi përmendur, por që janë pjesë esenciale në këtë antologji çështjesh dhe marrëdhëniesh të sotme ballkanike. Sikundër nuk kemi folur për diplomacinë e re të influencave globale, e cila bëhet edhe më efektive kur ka zhvillime dhe tensione globale. Historia në zhvillim e pushtimit të pjesshëm dhe tronditës të Gjeorgjisë nga Rusia, në vetvete është edhe një "cunam" politiko-diplomatik për rajonin tonë. Ndikimet e këtij "cunami" në Ballkanin tonë, janë edhe më preventive për shkak të historisë së afërt të kohës së ish- komunizmit, por më së shumti për shkak të realiteteve rrëshqitëse që karakterizojnë jetë-ekzistencën e vjetër dhe të re të Ballkanit rrëshqitës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora