E diele, 28.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Zilja: Kush e shkatërroi ushtrinë në vitin 1997 dhe si u rindërtua ajo?

E marte, 19.08.2008, 07:47 PM


Kush e shkatërroi ushtrinë në vitin 1997 dhe si u rindërtua ajo?

Nga Gëzim Zilja

Lexova me kujdes në një të përditshme intervistën e zotit Sabit Brokaj, ishministër i Mbrojtjes në qeverinë socialiste, pas zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit. 1997. Jam ndër ata njerëz që ngjarjet e vitit ’97 më gjetën në syrin e ciklonit dhe dashur pa dashur kam qenë dëshmitar okular i mjaft ngjarjeve të dimrit të zi dhe pranverës së kuqe të atij viti. Ndaj të njejtin mendim me doktor Sabitin, përsa i përket qëndrimit të tij lidhur me hapjen e dosjeve për ngjarjet e vitit 1997. Mendoj ndryshe nga z.Sabit në lidhje me shkaktarët dhe qëndrimin ndaj tyre. Përse duhet të hapet dosja e vitit 1997? Nuk jam optimist dhe nuk mendoj se zbardhja e të vërtetës për vitin ’97 do të ndryshojë kushedi çfarë ndërgjegjen e shqiptarëve. Por nuk mund të jem i qetë kur është fjala për të vërtetën, kur është fjala për ndërgjegjen e një populli, kur ata që e vrasin atdheun vihen në krye të tij dhe me qejf fillojnë avazin nga e para. Një nga shkaqet që Shqipëria në mes të Europës, ndodhet në fund të Europës, është edhe harresa. Një komb që harron, falsifikon, madje nëpërkëmb historinë e tij, nuk është në gjendje të mësojë nga e kaluara, nga gabimet dhe sukseset, nga pikat e errëta dhe ato të shkëlqyera të historisë së tij. Dosjet duhen hapur për të informuar shqiptarët e rritur dhe ata që do të rriten, për ata që e duan sadopak dheun e tyre e që shkojnë ende në kutitë e votimit, se ç’bënë politikanët dhe një pjesë e shqiptarëve në vitin ’97, kur Shqipëria jonë digjej flakë. Ajo dosje duhet hapur, megjithëse kjo do të thoshte që një grup i madh politikanësh të sotëm, t’i thonë lamtumirë politikës në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, do të thotë që mjaft nga ata të dalin para drejtësisë për veprimet e kryera që e çuan Shqipërinë në buzë të greminës, duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale dhe humbje jo të pakta në njerëz. Gjithsesi besoj që doktor Sabiti, e di që ’97-ta, ka një faturë të lemerishme morale që ja kalon shumë më tepër asaj materiale. Shumica e shqiptarëve e humbën besimin te klasa politike, kur panë se ata njerëz që me qejf të madh i vunë qefinit vendit të shqiponjave me po atë qejf të madh ja hoqën qefinin dhe e “ringjallën.” Edhe Doktor Sabiti bie në kurthin e shumë, e shumë analistëve të ndershëm apo të pandershëm, e ish-ëve, të ndershëm apo të pandershëm, e të lavdishmëve të sotëm apo të palavdishmëve të djeshëm. Edhe kur ndodh një e keqe e madhe dhe bëhet pa dashje, njeriu ndihet fajtor dhe kërkon falje. Thotë: Më falni o njerëz se nuk e dija dhe isha i paditur; më falni o njerëz se e bëra për pushtet, se isha makut, budalla, ose fundja i poshtër. Mjerisht edhe në intervistën e gjatë të ish-Ministrit të Mbrojtjes ka vetëm mburrje dhe ditirambe për veten dhe forcën politike që përfaqëson dhe aspak pendesë. Nuk mbetet tjetër veçse presidenti ynë i nderuar të dekorojë ata që e shkatërruan, pastaj me qejf e ndërtuan ushtrinë e Shqipërinë. Kush e shkatërroi ushtrinë që pastaj e rindërtuan? Ja këtu fillon polemika me zotin ishministër. Po ta shikojmë problemin në bazë të dokumenteve dhe bëmave të atij viti, do të vemë re se një pjesë e mirë e oficerëve të liruar ose të paliruar nga reforma, morën pjesë aktive në shkatërrimin e reparteve dhe depove ushtarake. Nuk dua të përmend emra sepse këtë do ta bëj së shpejti në librin tim “ Vrasës dhe Shpëtimtarë” të plotësuar me dokumente të reja. Por janë me dhjetëra e qindra oficerët që braktisën repartet ushtarake dhe po me dhjetëra e qindra ata që i sulmuan ato. Asnjë nga ata nuk dha llogari. Shumë, pa ju dridhur qerpiku, pa kërkuar ndjesë ashtu si i braktisën, i dogjën apo i lanë të digjen repartet ushtarake, me qejf u vunë nën “Kumandën” e Ministrisë së Mbrojtjes për t’i ringritur ato. Dy herë - herë mbi flamur nuk mund të betohet oficeri i ushtrisë. Por gabimi i “n”-të ishte bërë shumë më parë. Në mars të vitit ’97 parlamenti shqiptar mori një nga vendimet më të papritura dhe të “çuditshme”. Me anë të ligjit nr 8189 shpalli amnistinë për personat që morën pjesë në rebelimin e fillim marsit ’97. U shpallën të pafajshëm gjithë njerëzit që morën pjesë në sulmet mbi depot e repartet ushtarake, mbi institucionet e shtetit, mbi komisariatet, duke vrarë oficerë e policë në krye të detyrës. Nuk rindërtohej ushtria duke i hequr “blunë” dhe duke vendosur të “kuqen” Doktor Sabiti thotë: Mobilizimi i kuadrit të oficerëve dhe ushtarakëve e në tërësi morali i popullatës për ta ringritur ushtrinë ishte i shkëlqyer.… Kjo ishte një provë e qartë që ky popull ka shpirt, ky popull ka mekanizmin e tij të mbijetesës dhe të organizimit..” (Korrieri datë 13.08,2008 fq3) Le t’i ndajmë çështjet me sira, si i thonë fjalës. E para: Nga dolën këta oficerë patriotë e zulmëmëdhenjtë, që po vdisnin nga dashuria për të ringritur ushtrinë shqiptare (ju thoni shtator-tetor, po aty, fq3) kur pesë muaj më parë ose ja kishin mbathur, duke braktisur repartet ose i kishin sulmuar për t’i shkatërruar ato? Ndoshta e keni për të dytët, ata që sulmuan repartet dhe institucionet civile. Kështu duhet të jetë, sepse shumë nga ata oficerë që u vunë në krye të ushtrisë (dhe policisë) duke përfshirë edhe Aleks Andonin, që u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm, vinin nga Komitete e famshme të Shpëtimit Publik ose emigracioni. Theksoj se e kam fjalën për një grup jo të vogël oficerësh ekstremistë, që morën pjesë në kryengritjen popullore të armatosur të vitit ‘97 Shkurt, nëqoftëse Qeveria Demokratike u përpoq të ndërtonte një ushtri sa më afër Partisë Demokratike, edhe socialistët nuk bënë gjë tjetër, por morën gjithë oficerët e tjerë që ishin dhe kishin në zemër Partinë Socialiste. Në të dy rastet u gabua. Safet Zhulali u përpoq të ndërtonte një ushtri jashtë politikës por si është shprehur vet ai në thënien e tij të famshme ajo rezultoi: Jeshile nga jashtë dhe e kuqe nga brenda. Laj-thaj të gjithë oficerë të Enver Hoxhës kishin qenë. Është e vërtetë që ju e ngritët atë ushtri të shpartalluar, e futët në kazerma, mblodhët armatimin, filluat mobilizimin e ushtarëve, u rilidhët me NATO-n etj, etj. Por unë mendoj se këtë radhë ushtria që u rindërtua ishte e kuqe jashtë dhe e kuqe brenda. Ajo kreu me zell detyrat, sepse po i shërbente Partisë Socialiste për inat të atyre të tjerëve dmth “të të blunjtëve” të Sali Berishës. Si rezultat urrejtja midis shqiptarëve me uniformë, me pikpamje të ndryshme politike, edhe në ushtri në mos u shtua, ngeli gati në kufijtë e mëparshëm të diktaturës. Ndoshta z. Sabit kishte një shans historik për ta bërë depolitizimin e plotë të ushtrisë, por nuk e bëri dot. Nuk mund të them që nuk donte apo nuk dinte. Pothuaj mbi gjithë kuadrot ushtarakë të qeverisë Meksi kaloi fshesa e hekurt. Shumë gjeneralë, me një vendim prej tre rreshtash, të ish-presidentit Mejdani, kur z.Sabit ishte këshilltar ushtarak, dolën në lirim pa u dhënë asnjë shpjegim. Kaq e vështirë ishte të viheshin pikat mbi “I” dhe t’i kalonin gjyqit ushtarak në rast se kishin vepruar në kundërshtim me ligjet? Pothuaj të gjithë ata sot kanë fituar gjyqin me Presidentin e atëhershëm. Dua të them se nëqoftëse bëtë shumë mirë riorganizimin e ushtrisë pas rrëmujave, duhet edhe ta depolitizonit atë. E dyta fjala popull për një çështje të caktuar është e mira të përdoret me kujdes. Fjala popull ndoshta mund të përdoret, kur është fjala për vullnetarë. Në përgjithësi populli shkon pas berihajit dhe mendoj që nuk është më koha të flitet për popull, kur diskutohet për politikë e parti. Ai i varfëri (populli) rezulton një pjesë i ndarë në 50 parti dhe një pjesë tjetër që shikon punët e veta. Nuk ka aq entuziazëm sot (i djeshmi ishte fals) dhe gatishmëri për të zbatuar dhe dashuruar ligjet e shtetit. Ju nuk kërkuat oficerë vullnetarë por njerëz që do paguheshin mjaft mirë, madje që kishin hesape për të larë me ata që ishin në kohën e Berishës dhe të Gazidedes. Pra u ngrit një ushtri e re me bazë urrejtjen dhe revanshin dhe jo dashurinë për atdheun. Mua kështu më rezulton. Vetëm forcimi i ligjit dhe zbatimi i tij njësoj për të gjithë e ndërgjegjëson popullin. Kjo është një praktikë botërore e njohur. Ligji është ligj Në pjesën e dytë të intervistës thuhet: Qëkurse shoqëria njerëzore ka nxjerrë produkt të vetin shtetin dhe ligjin padiskutim kushdo që e shkel atë duhet të ndëshkohet…. Fakti që Partia Socialiste që erdhi në pushtet nuk zbatoi ligjin … tregoi që ndoshta mendimi i liderit të saj, i liderëve të saj, gjykuan që “ meqë e shkelën këta, le të krijojmë precedentin e moszbatimit të ligjit se ndoshta do t’i shkelim edhe ne..Korrieri 14.08.2008” Edhe këtu ndahemi përsa i përket gjykimit të problemit. E para: Pas fitores së madhe të korrur nga partia socialiste më 29 qershor të atij viti të zi, që u festua me breshëri të pafundme armësh, u bë një çmontim i llojit komunist i gjithë administratës civile dhe ushtarake. Çfarë ishin pëdëistë apo simpatizantë të PD-së, u hoqën nga puna dhe u zëvendësuan me njerëz të PS-së. Nuk flasim për poste politike, por për specialistë dhe deri pastruese zyrash e shoferë. Të rinjtë që erdhën e mbushën kryeministrinë, ministritë, bashkitë, ushtrinë dhe policinë nuk ishin të gjithë nga soji i ndershëm. Kishte nga ata që u kishin vënë zjarrin institucioneve shtetërore, që kishin sulmuar apo djegur repartet ushtarake dhe komisariatet, kishin vrarë e djegur të gjallë policë dhe oficerë të shtetit, kur ishin në krye të detyrës. (Një pjesë po arrestohet kohët e fundit, por edhe kjo hallvë e ftohtë duket). Ju e dini shumë mirë që në dyert e Presidencës së atëhershme kërkonin të takonin Mejdanin, t’i fuste në ndonjë punë të fisme, lloj-lloj njerëzish për arsye se kishin mbajtur 12.7-çin në krahë, se kishin djegur me duart e tyre bashkitë, se kishin sulmuar komisariatet, se i kishin marrë zvarrë e copëtuar me sëpatë ata të shiku-t, ditët e kiametit të madh, etj etj. Kapterët e gardës që kanë shërbyer ato kohë në presidencë, tregojnë me dhjetëra histori të tilla, kur këta njerëz dyndeshin dyerve të presidencës, kryeministrisë, kuvendit popullor etj etj. PS-ja i mbushi institucionet me shumë njerëz të tillë që në fund të fundit kishin sakrifikuar realisht në ditët e “revoltës popullore” për të ardhur e majta në pushtet. Në intervistë aludohet për Nanon se nuk zbatoi ligjin, se donte që më vonë ta thyente vetë atë. Gjykim i çuditshëm. Nano i përket racës së politikanëve aventurierë, por ama mjaft të zgjuar dhe që e marrin në sy rrezikun. Në qoftë se do të fillonte të fuste në burg oficerët dhe policët apo ministrat dhe nëpunësit e Qeverisë Demokratike, që kishin thyer ligjin apo bërë krime sipas jush, atëherë ligji do të vepronte medoemos edhe majtas mbi ata që morën urën e zjarrit dhe që përmenda më lart. Do të ishte një gjyq i madh, do të ishte një larje e madhe e shpirtit të Shqiptarëve E martë, 19 gusht 2008 55 7 FORUM Por këto gjëra ndodhin shpesh në përralla, shumë rrallë në shoqërinë njerëzore dhe asnjëherë në Shqipëri. Atëherë Nano i ra shkurt dhe la që me atë problem të merrej i vogli Gjinush. Njëkohësisht nga ana tjetër ua mbante në xhep biografinë e ’97–ës disave për t’i përdorur si thotë populli si kulishë e zagarë. Nano nuk mund të dënonte të vetët prandaj nuk zbatoi ligjin në tërësi sepse në veçanti si do e shohim më poshtë e zbatoi. E dyta U bënë edhe tentativa për të dënuar shkaktarët e ngjarjeve të vitit ’97. Për këtë u ngrit komisioni parlamentar i famshëm “Ngjela,” në përbërje të të cilit shumica ishte nga ata që me pushkë majëkrahu sollën fitoren e 29 qershorit. Ishte një dështim total dhe i turpshëm. Raporti përfundimtar nuk u firmos vetëm nga Avokati. Komisioni i përbërë në shumicë nga ish-komunistë dhe donkishotë, i hipi Rosinantit dhe i kërkoi armiqtë dhe kriminelët vetëm djathtas. Ligji është i verbër, ligji nuk favorizon palët. Në raportin e komisionit “Ngjela,” megjithëse shumë i njëanshëm, duket qartë që ligji duhet të veprojë për ngjarjet e ’97- ës në të dy krahët. Ndryshe kurrë nuk kanë për t’u zbardhur ato ngjarje të zeza. Çdo palë e majtë apo e djathtë që e ka marrë përsipër ta zbardhë, nuk ka mundur vetëm se gjykimi ka qenë i njëanshëm. Parlamenti i atëhershëm i përbërë në mbi 70% nga socialistë, u ngrit i gjithi (pa opozitën) për të dënuar shikasit dhe Berishën. Madje pati edhe ndonjë deputet vlonjat që propozoi që PD-ja të nxirrej jashtë ligjit si parti fashiste. Ju thoni: “Unë do të mendoja dhe do të thoja që është përgjegjësi e socialistëve ajo dhe jo veprimi i tyre që si të thuash e gëlltiti atë gjendje dhe nuk i qëndroi ligjërisht dhe politikisht. Korrieri 14.08.2008 fq3” Donte PS-ja, veçanërisht segmentet ekstremiste të saj, donin me çdo kusht t’i dënonin Berishën dhe berishianët. Dhe bënë gjithçka që mund të bënin, por e vërteta djeg e përvëlon. Te ne çdo qeveri që vjen i do gjykatat e prokuroritë pakëz, fare pakëz, nga ana e vet dhe dihet si shkojnë këto punë kur gjykatat mbushen me militantë. Por ne që ishim dëshmitarë të atyre ngjarjeve ja kemi borxh shqiptarëve të themi të vërtetën, meqenëse vendosja e drejtësisë nuk varet në dorën tonë. Duhet të themi të vërtetën dhe këtë duhet ta bëjmë me çdo çmim. Paskëtaj vijnë miqtë, madje edhe partitë. Të dy palët janë fajtorë për ngjarjet tragjike të vitit 1997. Le të përpiqemi e të shpresojmë që të zbardhet e vërteta. Gjykimi kategorik se ka vetëm një fajtor dhe ky është Shiku dhe Berisha, e fsheh të vërtetën dhe mbron ekstremistët e majtë që në vitin ’97, bënë atë që e dinë të gjithë. I kam parë me sytë e mi ekstremistët e majtë, se ç’janë në gjendje të bëjnë, kur u vinin flakën institucioneve, edhe kur ma kanë vënë revolen në kokë se isha me Berishën, ashtu si i ka parë ishministri të djathtët, kur e arrestuan ditët e revoltave. Por me keqardhje në rreshtat e intervistës vihet re se krahas kërkesës për zbatimin e ligjit ka ende urrejtje për atë palën tjetër. Kundërshtari politik nuk është armik. Tjetër gjë është ligji dhe tjetër gjë urrejtja. Ka urrejtje në atë intervistë dhe kjo gjë është e trishtueshme. Jam dakord kur thuhet: ”Asnjëherë nuk duhet harruar sepse ndryshe përsëriten ngjarjet dhe gabimet e mëdha… “ E përsëris, jam plotësisht dakord, por edhe duhet të falim midis shqiptarëve. Sepse midis atyre që gabuan në ato ditë, ka dhe shumë që duhen falur. E pamë ku na çoi urrejtja klasore e diktaturës. Ne duhet të flasim e të kërkojmë zbatimin e ligjit dhe vendosjen e një shteti ligjor, por jo të shtojmë e kultivojmë ende urrejtjen midis shqiptarëve. Kjo ishte arsyeja tjetër veç asaj për të thënë të vërtetën, që shkrova këto radhë apo bëra këtë replikë, siç thonë politikanët tanë në parlament.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora