E diele, 28.04.2024, 06:40 AM (GMT+1)

Mendime

Sali Berisha 30 vjet më parë...

E diele, 17.08.2008, 12:07 PM


Dr.Sali Berisha dhe Dr. Nestor Thereska ne Kullen Tour Eiffel ne Paris ne shtator 1979 (gjate specializimit pasuniversitar)
Eglantina Bardhi

Kujtimet e një miku të ngushtë, një kolegu, një studenti dhe një vartëseje. Cilat ishin tiparet e rinisë së kryeministrit të sotëm, ambicja, sjellja ndaj femrave, temat e preferuara në mësim, mënyra si trajtonte vartësit, etj. Katër dëshmi interesante mbi të shkuarën e kryeministrit të vendit, përpara se të bëhej politikan

Ambicioz në maksimum. Me një dëshirë të fortë për të punuar në klinikën e udhëheqjes, madje mundësisht pranë Enver Hoxhës. (kjo ishte një lloj maje profesionale për kohën). Ndaj vartësve dhe studentëve, aq i rreptë, saqë kishte nga ata që trembeshin edhe kur dëgjonin zërin e tij. Përsa i takon sjelljes ndaj seksit tjetër, jo vetëm që nuk ngacmonte kurrë vajza, por këtë nuk ua lejonte as miqve...

Këto janë kujtimet e disa ish-kolegëve, miqve dhe vartësve për doktor Saliun. Bëhet fjalë për z.Berisha, kryeministrin e vendit. Por ndoshta jo për këtë që njohim sot...

Ambicia, tipari kryesor

Sipas kujtimeve të miqve dhe kolegëve, tipari kryesor i doktorit të ri nga Tropoja ka qenë padyshim ambicia.

“Kur mbaroi studimet, Salën donin ta sillini në Nefrologji, por ai ishte pasionant ndaj Kardiologjisë, pasi ishte shumë e famshme në ato vite si shërbim. Të gjithë e synonim dhe ai bëri të pamundurën për ta arritur...” - kujton Nestor Thereska, shefi aktual i shërbimit të Nefrologjisë, i cili e njeh kryeministrin e sotëm që 40 vjet më parë, dhe shton:“Saliu ka qenë me ambicie profesionale të jashtëzakonshme...”.

Ndërsa doktor Isuf Kalo tregon se djali nga Tropoja kishte shfaqur të gjitha aftësitë e tij sapo mbaroi studimet e larta për mjekësi dhe bëri që të tërhiqte vëmendjen e të gjithëve. “Unë e kam njohur fill pasi mbaroi fakultetin. Megjithëse ishte nga Tropoja, kishte disa kërkesa për ta mbajtur këtu. Mendoj se kishte ambicie dhe vullnet të hekurt”,- pohon ai.

Një gjë që u bën shumë përshtypje thuajse të gjithë atyre që e kanë njohur Berishën kur nuk ishte politikan janë dy pyetje, me sa duket, pa përgjigje: Si ka mundësi që një i pasionuar në këtë gradë pas profesionit të mjekut, e la mjekësinë? Dhe di ka mundësi që ish-shefi i rreptë i Kardiologjisë, i kujdesshëm deri në maniakëri, tashmë nuk tregon as vëmendjen minimale ndaj shëndetësisë si sektor?

Sjellja me seksin tjetër

“Fanatik dhe shumë strikt në çdo sjellje ndaj vajzave. Madje Sala kritikonte edhe shokët e tij nëse ngacmonin femrat”. Kështu e kujton mikun e tij Nestor Thereska i cili pohon se Sala preferonte të ishte jashtë bisedave apo batutave që kishin të bënin me marrëdhëniet mes sekseve.

“Më kujtohet kur filluam të dilnim jashtë shtetit për konferenca mjekësore dhe ishim djem të ri aso kohe. Nëse ne na habiste ndonjë femër me bukurinë e saj apo për modernizimin që ende nuk e kishim parë në vendin tonë, Salës as ato nuk i hynin në sy. Madje na shikonte gjithë inat dhe na kritikonte për ndonjë sjellje që ai e quante të pahijshme”,- pohon Thereska.

Ndërsa ish-studenti i tij, Arben Baboçi, tashmë kirurg nga Kardiologji pohon se të gjithë e njihnin mentalitetin e doktorit për këtë aspekt të jetës, ndaj nuk guxonin të bënin ndonjë sjellje të tepruar në këtë drejtim. “Nuk është se e kam patur shok siç e ka patur Thereska, Meksi dhe të tjerë. Por e dëgjonim këtë gjë dhe e konstatonim se në drejtim të pjesëve të moralit ishte shumë strikt. E kujtoj se kur flitej ndaj ngacmimit të femrave menjëherë reagonte ashpër”,- pohon Dr.Baboçi.

Ish studenti Arben Baboçi:

“Doktori kishte për zemër temën e Shokut dhe lepujt...”

“Doktor Salën e kam patur pedagog dhe jepte një lëndë që ishte shumë e rëndësishme për formimin e mjekëve. Kujtoj mirë një nga temat e veta të preferuara që ishte “Gjendja e Shokut”. Atje shpërthente me gjithë natyrën e vet dhe e bënte shumë interesante atë temë. Nuk e di përse por këtë temë e kishte për zemër. Pastaj kemi patur kontakte edhe më vonë kur unë isha mjek i ri i sapodiplomuar dhe ai ishte një nga kardiologët kryesorë të shërbimit të kardiologjisë dhe njëkohësisht drejtonte edhe Qendrën e Hemodinamikës në Kardiologji,- tregon Dr.Baboçi

Më pas kirurgu i njohur shton: “Në atë kohë kur ishim student, por edhe mjek të rinj jemi marrë shumë me punë eksperimentale të drejtimeve të ndryshme. Ne që punonim në kirurgji merreshim më shumë me problemet e eksperimenteve në kirurgji në kafshë. Doktor Saliu më kujtohet se merrej me studimin e Ateroskelrozës në lepujt, i kishte shumë fiksim ata. Pastaj gjatë kohës që kemi qenë afër bëheshin edhe biseda jashtë fushës së mjekësisë dhe më të preferuarat ishin arti dhe sidomos pikaturat. Ka pas pasion të madh për pikturat dhe për veprat...”

Paris 1979 - Kulla Eiffel - Nga e majta në të djathtë, doktorët Vangjel Todri,Arben Hoxha, Sali Berisha, Lutfi Balili, Sabit Brokaj, Abdulla Bilali, Nestor Thereska, Thanas Gjika, Mentor Petrela
Ish-kolegu dhe miku Thereska:

“Dolëm jashtë, kur E.Hoxha nisi problemet shëndetësore”

“Në fakt kur isha i ri dhe sapo u njoha me Salën nuk mendova se do bëheshim miq, por ndodhi e kundërta. Bëhet fjalë këtu e para 40 vjetësh, kur doktor Saliun donin ta sillnin në Nefrologji, por ai ishte pasionant ndaj kardiologjisë. Të gjithë studentët e donin kardiologjinë se ishte shumë e famshme në ato vite.

Por doktor Ylli Popa vendoste për studentët se çfarë specialitetesh do të ndjekin. Doktor Ylli në ato kohëra, në vitet 68-69 drejtonte Klinikën Ospitaliere (spitali është ndërtuar me 3 klinika që ishin klinika Ospitalere me drejtues Ylli Popa, Klinika e fakultetit që ishte Josif Allani dhe klinika e ekzaminimeve të sëmurëve).

Klinika Ospitaliere ishte “e përkëdhelura”, pasi aty vinin mjekët që i shërbenin Enver Hoxhës si Fejzi Hoxha, doktor Isuf Kalo dhe kjo klinikë përbënte bërthamën e patologjisë. Doktor Ylli kishte si synim të krijonte klinikën e kardiologjisë dhe aty vajtën njerëz të zgjedhur si Ylli Popa, Nestin Kondili, Theodhor Meksi dhe në atë kohë aty u atashua dhe Sali Berisha.

Saliu ka qenë me ambicie profesionale të jashtëzakonshme. Ne kemi qenë një grup si Saliu, doktor Isuf Kalo, Theodhon Meksi dhe që ishim beniaminët e doktor Ylli Popës. Doktor Ylli me Isuf Kalon ishin mjekë të Enver Hoxhës, ndërsa mua dhe Saliun nuk na lejonin në klinikën e udhëheqjes për disa defekte që kishim të dy ne biografi. Kështu puna jonë upërqendrua më shumë në spital dhekuptuam që me punë mund të hanim këta... Unë u bërë beniamini i doktor Yllit për Nefrologjinë, ndërsa Saliu për Kardiologjinë.

Unë me Saliun nga viti ‘69 deri në vitin ‘90 vinim në punë në 7 e gjysmë dhe ktheheshim në shtëpi në 12 e gjysmë të natës. Saliu kishte një autoritet absolut tek të sëmurët, pasi ai e merrte me seriozitet shumë të madh.Nga vitet ‘72-‘73 filluam të ndaheshin në specialitete. Kur Enver Hoxha filloi të kishte probleme me diabetin, veshkat dhe zemrën mua, Saliut, Mentor Petrelës dhe Isuf Kalos filloi të na jepej mundësia të shkonim jashtë shtetit për specializime...”.

Kolegu Isuf Kalo:

“E habitshme si braktisi diçka që e dashuronte..”

Unë e kam njohur Salën fill pasi mbaroi fakultetin ku ishte një nga studentët që kishte shkëlqyer. Megjithëse ishte nga Tropoja, kishte disa kërkesa për ta mbajtur këtu.Ai e dashuronte mjekësinë dhe na habiti të gjithëve kur u nda nga ajo.

Saliu nuk i përket më Shëndetësisë, ndaj dhe mund të ketë prioritete të tjera pasi është Kryeministër i vendit. Ndërsa fakti që ai ka qenë mjek nuk do të thotë se tashmë ai njeh të gjithë problematikën e shëndetësisë.

Infermiere Gjenovefa Nurka:

“Ishte shumë i rreptë, s’kuptoj pse nuk rivendos rregull..”

“...Mbaj mend që ka qenë shumë i rreptë nëse shikonte ndonjë parregullsi në pavijon. Në atë kohë isha shumë e re dhe sapo kisha dalë nga bankat e shkollës. Ishte fat që u vendosa në shërbimin e Kardiologjisë pasi ishte i lakmuar nga të gjithë punonjësit, por e kuptova se nuk ishte e lehtë.

Puna duhej të fillonte për të gjithë në orar fiks dhe shefi nuk toleronte për asnjë arsye asnjë shkelje në kurriz të pacientëve. Korrektësia duhet të fillonte nga pastërtia, dhënie e ilaçeve pacientëve në oraret e caktuara, marrja e masave për të mos munguar asgjë dhe të gjitha këto i kërkonte në mënyrë strikte dhe të vazhdueshme. Të gjithë duhej të ndiheshim përgjegjës për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Nuk e kuptoj përse nuk vendos rregull përsëri në shëndetësi, pasi po e merr lumi çdo ditë e më shumë. Sikur të jepte të paktën 1 për qind të energjive që dha për shëndetësinë, sidomos për pavijonin e Kardiologjisë kur ishte mjek, mendoj se shëndetësia nuk do të ishte në këtë pikë kritike...”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora