E diele, 28.04.2024, 03:08 PM (GMT+1)

Mendime

Xhavit Haliti: Konsolidimi i shtetit të pavarur është proces

E merkure, 20.08.2008, 05:16 PM


Konsolidimi i shtetit të pavarur është proces

Nga Xhavit Haliti

Pavarësia e Kosovës nga Serbia, e arritur, e njohur dhe e mbrojtur ndërkombëtarisht nga OKB-ja, administrativisht dhe ushtarakisht qysh para gati nëntë vjetësh, kulmoi me shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Të tejlodhur nga pritja për legjitimimin e Pavarësisë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, shqiptarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë morën përgjegjësitë, duke shpallur në mënyrë të njëanshme atë që prisnin, që u takonte dhe që e meritonin: Pavarësinë e shtetit të Kosovës.

Ky akt historik për gjithë qytetarët e Kosovës u mirëprit dhe u mbështet menjëherë nga shumica e shteteve më të përparuara demokratike të bashkësisë ndërkombëtare. Shtetin e Pavarur të Kosovës e njohën zyrtarisht 7 nga 8 pjesëtarët të G8-ës; e njohën anëtarët më potentë të BE-së; e njohën shtete, që u përkasin disa kontinenteve. Kjo njohje, që e shndërroi shumë shpejt shtetin e sapo pavarësuar në subjekt të marrëdhënieve ndërkombëtare, nxiti dhe mundësoi hartimin dhe miratimin e Ligjit Themelor, Kushtetutës. Procesi i hartimit të kësaj Kushtetute, të orientuar e të angazhuar tërësisht në zbatim të Planit Ahtisari, mundësoi gjithë institucionet shtetërore të Kosovës, të krijuara demokratikisht mbi rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit 2007-të, të ushtrojnë, në përputhje me Ligjin Themelor detyrimet dhe kompetencat e njohura të tyre.

Por, qysh nga ky moment, kanë filluar edhe kundërshtitë publike, pa folur për pakënaqësitë e shfaqura nëpër kafe apo familje për arritjet e pritura nga organet qendrore të pushtetit. Bëhen vërejtje dhe kritika për veprimtarinë e derisotme të Presidentit, Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, që s‘kanë vizion, madje nuk kanë as edhe një projekt të miratuar nga Kuvendi për politikën e jashtme. Kritikohet pushteti qendror dhe ai vendor për mungesë reagimi ndaj kërcënimit të pakicës etnike serbe për integritetin territorial të shtetit të pavarur të Kosovës. Kritikohet Qeveria dhe Presidenti për mosmarrjen e kompetencave nga UMNIK-u, kur ende nuk është bërë e ditur se ç‘kompetenca do të transferohen nga UMNIK tek EULEX. Kritikohet Qeveria për nivelet e larta të varfërisë, papunësisë dhe sigurisë.

Ka edhe mjaftë kritika të tjera dhe të gjithë kritikuesit i mirëkuptoj. Të gjithë, si edhe unë, kërkojnë pavarësinë reale dhe vepruese të shtetit të Kosovës. Të gjithë synojmë dhe përpiqemi të kontribuojmë për njohjen nga sa më shumë shtete të pavarësisë sonë dhe për anëtarësimin sa më shpejt të Shtetit të Kosovës në OKB. Por të gjithë është mirë të mbajmë parasysh përvojat në realizimin e dëshirave tona përvojat e gjysmës së dytë të shek. XX dhe që, aktualisht ne jetojmë dhe veprojmë në shek. XXI. Të mos harrojmë që shtetit shqiptar, të njohur si shtet i pavarur nga ish-Fuqitë e Mëdha më 1913-ën, iu vu në diskutim pavarësia më 1920-ën, madje edhe në Konferencën e Paqes në Paris. Të mos harrojmë që aktualisht në media konflikti Rusi-Gjeorgji për Osetinë e Jugut përqaset me Kosovën. Të mos harrojmë që Serbia i është drejtuar KS-ës dhe Gjykatës së Hagës për të marrë në shqyrtim ligjshmërinë e Pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Kritika nxit ecjen përpara; përmes kritikës ecet drejt prosperitetit. Por mendoj se ajo duhet të mbajë parasysh sa thashë më sipër. Kritikat ndaj institucioneve qendrore të shtetit, kur këta synojnë, kërkojnë dhe përpiqen të jenë realisht të pushtetshëm, do të ishte më produktive të orientoheshin ndaj sugjerimeve në ndihmë të organeve të larta shtetërore, që procesi i konsolidimit dhe i njohjes ndërkombëtare të Shtetit të Pavarur të Kosovës të përfundonte sa më parë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora