E shtune, 27.04.2024, 06:54 PM (GMT+1)

Mendime

Baton Haxhiu: Vdekja e entuziazmit

E merkure, 20.08.2008, 07:44 PM


Baton Haxhiu
Vdekja e entuziazmit

Nga Baton Haxhiu

Nuk di a keni ndonjë xhami afër, që në ora pesë të mëngjesit ju zgjon fëmijën nga gjumi? Nuk po flasim për zërin engjëll dhe përkëdheljen e hoxhës, por po flasim për një zë që del kumbueshëm çdo mëngjes në mbi qindra-mijëra xhami të Kosovës, që në formë garuese tregojnë se cili nga imamët ka blerë teknikën e fundit të zërit për të dominuar tokën dhe banorët përreth. Për ne që përjetojmë çdo ditë këtë masakër zëri, me gjasë për imamët ka një kuptim tjetër – ndoshta iu duket si një hajmali myslimanizmi për dominim në jetën ditore të njeriut kosovar.

Fakti që ky zë na del kumbueshëm dhe frikëson fëmijët e vegjël, nuk ka të bëjë me suksesin e botës islame për kontributin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, dhe se kumbueshëm tregon fuqinë e kësaj bote në këtë vend. Por tregon se ky vend ka një respekt për fenë islame dhe për të kaluarën e kësaj feje në këto troje.

Madje, jashtë të gjitha rregullave urbane secili hoxhë ka drejtë të na zgjojë nga gjumi, kur atij t’i teket. Edhe në pesë të mëngjesit, edhe në mesditë, edhe në pikë të natës. Kaq për respektin e këtij populli që i bën fesë islame. Besoj që e dini që gjumi nuk i takon asnjë feje.

Kjo është një temë tjetër që duhet trajtuar një herë tjetër, por e lexova Qemal Morinën dhe arsyetimet e tij për botën islame rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sot, dy janë përgjigjet që duhet t’i jepen Bashkësisë Islame: Mos u përgjigjni fetarisht në një koncept par excellence politik dhe mos arsyetoni asnjë shtet arab për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, sepse nuk e keni atë mandat.

Në një kohë jo të largët, dhjetë vjet më parë, teza kryesore e Serbisë dhe propagandës së saj ka qenë rreziku që i vjen Evropës nga bota islamike me një Kosovë të tillë në mes të Evropës. Kujtoheni, besoj, për transversalen e gjelbër aq të përfolur dhe të vizatuar në të gjitha hartat gjeopolitike serbe.

Dhe kritika e dytë ka qenë e drejtuar nga ish-presidenti Rugova për mungesë sensi politik, siç thuhej atëherë, duke mos përdorur ilaçin e duhur politik për Kosovën që quhej botë islame. Shkohej aq larg në botën e radikalëve islamë në Kosovë, sa thuhej se të gjitha të këqijat që vijnë në Kosovë gjatë viteve nëntëdhjetë, vijnë, ngaqë është braktisur trashëgimia hyjnore e islamit.

Sot, gjuha e Qemal Morinës, edhe pse jo e thënë qartë me këtë ton, lë të nënkuptohet se arsyet e mosnjohjes së Kosovës nga bota islame fshihen në këtë pikë.

Të gjithë heshtën për këtë intervistë. Unë them se nuk bën të heshtësh as në tema të ndjeshme.

Më duhet të shkruaj për një mungesë lirie të bashkësisë islame (as që e kam pritur nga ata), dhe një mungesë sinqeriteti të liderit të saj, Qemal Morina. Një intervistë e botuar dy ditë më parë në gazetën “Express” mi ngjau një gjuhe të qulltë të sqarimeve. E para, për shkak të dështimit të këtij institucioni, e dyta, për shkak të turpit që bashkësia islame po bart për fajin që nuk ka - mosnjohjen e Kosovës së pavarur nga shtetet islamike.

Ndërkohë, loja e hedhjes së fajit gjetkë, qoftë kjo qeveria dhe mungesa e saj te shtetet islamike, qoftë te paragjykimi për popullin shqiptar të Kosovës si popull i vakët mysliman, qoftë për faktin paragjykues se ky shtet i ri sundohet nga pro-amerikanët. Pra, nga 95 për qind e popullsisë.

Pyetja është e thjeshtë: Kush na solli deri këtu dhe kush na bëri që të jemi të lirë? Lideri islam i Kosovës nuk gjen asnjë dozë guximi për të thënë të vërtetën e kësaj historie, e cila nga ana jonë na çon te vetëm një pyetje dhe kërkesë që duhet ta thotë Qemali pa adresuar asnjë shigjetë nga politika dhe qeveria, pa dërguar asnjë shigjetë nga bota perëndimore dhe ata që quhen të pafe:

Përgjigjja është: Ç’mund të bëhet që të ndreqet kjo gjendje? Pikërisht te kjo pyetje e te përgjigjet e ndryshme që jepen për njohjen e Kosovës, mbetet shpresa për të ardhmen.

Për një vrojtues arab që ka ndërtuar xhami në Kosovë dhe ka shtruar shtrat ideologjik gjatë këtyre viteve, nuk do mend se është e qartë se në Kosovë ka 95 për qind myslimanë.

Atëherë shtrohet pyetja: Çfarë prezence dhe qartësie duhet më shumë për bindjen e shteteve arabe sesa përbërja e popullsisë së Kosovës? Mund të quhemi të pafe. Mund të quhemi edhe myslimanë jo të devotshëm, por liria e fituar në Kosovë është më e rëndësishme sesa feja që Ju predikoni. Dhe thënë edhe më qartë, liria është më e gjithëfuqishme sesa ideja totalitare e sundimit të fesë.

Për fund, zoti Qemal, në intervistën tuaj keni treguar qartë se vërtet Bashkësia Islame edukon dhe prodhon individë të nënshtruar, të paaftë për të jetuar në një shoqëri të lirë. Pavarësisht se çfarë mendimi do të kesh për këtë që shkrova, një ndër faktorët përcaktues të besimit të fesë islame në Kosovë nuk është njohja apo mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet arabe, por është liria jote që të ndërtosh një koncept religjioz dhe shkollë me ide liberale e jo një kundërmim të islamizmit të pafe që po përjeton bota arabe. Unë nuk dua të kërkoi nga ju arsyet e këtij çekuilibri në rritje, por, nëse vazhdoni të frymoni zhdukjen e lirisë së mendimit, e humbni betejën në misionin që keni nisur në Kosovë.

Për fund desha të them edhe këtë: Nuk ishte dashur dhe nuk do të ishte mirë që ky shtet i ri të interpretohej si ndeshje mes Krishterimit dhe Islamit. Për ne forcimi i shtetit dhe shtetësisë së Kosovës është jetik, qoftë në të kuptuarit e lirisë që po ndërtohet, qoftë si mundësi e re për qytetarët e Kosovës për të jetuar të lirë. Asgjë më shumë. Problemin religjioz mbaje shumë, shumë ngurtë brenda institucionit ku jeton. Madje, mund të ulësh zërat e hoxhëve në minaret e xhamive. Jo pse na pengojnë shumë, por nuk është qytetëruese të bërtasësh për të predikuar fe. Është qytetëruese të flasësh butë dhe ëmbël para besimtarëve islamë. Mos e kupto si tolerancë apo edhe më keq, frikë të pushtetit për të lejuar bërtitjet, për shkak të votave që mund t’i humbin. Më shumë kuptoje si mungesë të kulturës së institucionit tënd për të mbajtur fenë brenda qetësisë së besimtarit. Bernard Lewis do të thoshte shkurt: “Është koha e tolerancës dhe e sinqeritetit”. Nëse nuk keni kuptuar (flet për shtetet islamike). “Kjo është koha e vdekjes së entuziazmit”… për të predikuar adhurimin, moralitetin dhe një mënyrë të jetës, duke respektuar vlerat dhe praktikat shoqërore dhe kulturore në Kosovë. Larg shumë larg është Arabia.

P.S: Kërkoj shumë falje nga lexuesi që nuk jam pragmatik në reagimin tim si grupi që lobon për njohjen e pavarësisë te shtetet arabe!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora