E premte, 26.04.2024, 07:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Vargu im nuk shitet për një natë

E merkure, 15.07.2015, 07:50 PM


KALOSH ÇELIKU

 

VARGU IM NUK SHITET

PËR NJË NATË

 

(SHTETI POLICOR)

 

Ende i grahi me të katra “xhipit”, në Shkup

Me kokë të djegur. E xhamin copë – copë.

Që, e dogjën “patriotët” e partive politike.

Vehabistët. Ose, Gratë e mia besnike.

Pasmesnate. E, Unë e arnova si tirqit e Babait

Nëna dikur, në kohë lufte. Arnë përmbi arnë.

Shkaku, se: Zemrën e “mercedesit” të Gjermanit

Plotësisht nuk e rrëmbeu Zjarri. Flaka.

Neteditë punon. Shëtitet rrugëve plot plagë.

 

Policët më ndalin në rrugë. Qytet.

Padashtas, ia shikojnë plagët në trup.

Veten e pyesin në heshtje: E pamundur:

Ende, në Shkup është gjallë Gjergj Elez Alia?!

Plumb u përgjigjem unë Poeti:

Nesër, me siguri do të ngrihet nga shtrati

Me nëntë plagë  në trup kreshniku.

Armët rroki në dorë për Shtetin e “përbashkët” policor.

 

Përçudi: Policia e Shtetit “demokratik”

Ende, as sot nuk i ka zbuluar kriminelët

Që, ma dogjën të gjallë Gjokun pullali në Shkup?!...

 

 

(AZIL POLITIK)

 

Qentë, kur m’u ndërsyen pas shpine

vetëm për një asht – shpërblim.

E, kulturofagët – këlyshë me zgjebe

ditënatë të Nënës Parti.

 

Unë Mike ika nga Atdheu

tek Ti kërkova azil politik...

 

 

(DARDHA GORRICE)

 

Çafka sot ka hipur në Dardhën gorrice

Fruta ha, nusërohet në këtë kohë.

Baba, e vështirë qenka buka e ugareve

Vargjeve ende u vjen era ugarë.

Toka ka gjak ugari. Plagë.

 

Dardha plaket në mes të fushës

Çafka “patriote” sot i del zot me këngë...

 

 

(TITULL I DYSHIMTË)

 

Mikes sime që më do mua dhe poezinë

i tregoj se e përfundova dorëshkrimin

me poezi: Vjellja e zorrëve.

Ajo më lutet t’ia lexoj një poezi.

Ia lexoj titujt: Testament para vdekjes

Bushtra pas Qenit. Pritje në “Menada“.

 

Mikja ime, që më do mua dhe poezinë

Posa e dëgjon titullin e fundit:

bëhet kurreshtare. E mbytë dyshimi.

 

Mezi e qetësoj, ia lexoj vargjet:

Si e kam pritur një personazh për libër.

Një Buçë katundi pas porte.

Nervozohet: pse s’e kam pritur Voglushen?!

E ngre zërin, ma shanë poezinë...

 

(DIAGNOZË E RROSPIVE)

 

Heu miqtë e mi, me një këmbë në varr

trumbetoni se, jam kundër të gjithëve!

Në Unionin e viçave të palëpi

ma keni paraparë diagnozën:

Se, së shpejti do të çmendem.

 

Hi-hii-hiii... Viçat e mi - shkencëtarë

Që, s’ngopeni me barin mbi varr...

 

 

(I BESOJ KËMISHËS SIME)

 

Këmishë e imja dua të jesh përjetë

që të të veshi përditë, përnatë!

E thonë: „ Nuk i besoj as këmishës sime „.

 

Megjithatë, nuk dua të jesh këmishë

Se, duhet të të shpie në pastrim kimik.

E kam frikë grisesh, bëhesh arnë...

 

 

(KUSH DO MË SHPIE NË VARR)

 

Gjithë natën vras Veten:

mes librave, shtambave me verë.

Në mëngjes e ringjall.

 

Gjithë natën vras Veten.

E, s’ka njeri të më shpie në varr...

 

 

(ASKUSHJA MË DHA

NJË TRËNDAFIL)

 

Pranverë. E kalova Natën në “Premiumi”

Mes shtambave me verë. Pagjumësisë.

Në mëngjes e pushtova Prishtinën në gjumë

Njeri të gjallë në rrugë. E përqafova një Buçë.

 

Hi-hii-hiii. Askushja më dha një trëndafil…

 

 

(PORDHA E NJË PELE

MA PRISHI GJUMIN)

 

Gjumë. Nata e gjatë me ëndrra

Hëna e plotë zbret në dritare.

Xhindet heqin valle majë lisave

Parajsë. Lulet më rrinë mbi kokë.

Kush thotë se, Vdekja s’është e bukur?!

 

Gjumë. Nata e gjatë plot me ëndrra

Pordha e një Pele ma prishi gjumin…

 

 

VARGU IM NUK SHITET

PËR NJË NATË

 

Përditë, më shajnë gratë e mia besnike

Ndonjëra: pse s’u bëra burri i saj hamshor?!

Tjetra: nuk e kalova së paku me të një natë.

Përmëkeq, nuk E përcolla Natën

Dhe, prita një Agim.

E treta: pse, ende nuk i përkushtova një varg.

 

Hojdodolja: ëndërr ende më sheh në shtratë.

Megjithatë: Unë jam Kalosh Çeliku rebel.

Gra besnike, më vjen keq: nuk keni para!

Vargu im nuk shitet për një natë…



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora