E shtune, 27.04.2024, 06:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Guraziu: Shqipja e pasur me 27 lloje mustaqesh

E diele, 12.07.2015, 10:25 AM


SHQIPJA E PASUR - 27 LLOJE MUSTAQESH, DHE 30... VETULLASH!

Nga S. Guraziu - Ars Poetica Blog, K 2015

(...ndoshta ka ndodhur ndonjë pasurim i fjalo-pedive shqiptare, ndoshta fjalorët modern të shqipes duhet të trashen... dhe janë trashur. Natyrisht që duhet të trashen, nuk është e dëshirueshme vetëm trashësia ime, qoftë nga mendja qoftë ndryshe :)

Dikur moti e pata "shpikur" vetë një barcoletë, ose një lloj shakaje të shkurtër. Dhe jo bash i pari, por ndoshta i dyti apo i treti që ia pata shtruar pyetjen pati qëlluar të jetë Agron Tufa. Agron, i thashë, Profesori i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe... i pyet studentët e vet se cili na qenka dallimi mes Fjalorit të Shqipes dhe gruas së tij?

Studentët qenë habitur nga një pyetje e tillë e Profesorit, kurrë s'e kishin dëgjuar të shtronte të tilla pyetje. Dhe si ta dinin dallimin të ngratët, ata e njihnin Fjalorin, e njihnin dhe Profesorin e tyre por jo dhe gruan e tij, nuk e kishin idenë as çfarë duhej të mendonin, pa le ta gjenin përgjigjen.

Meqë s'ke si ta dish as ti tani, ja po ta them dallimin, njëjtë sikur dhe Profesori që pakëz më vonë ua lehtësoi studentëve duke u vetëpërgjigjur. Dallimi mes Fjalorit dhe gruas - pati thënë Profesori - është që s'kanë fare dallim, edhe Fjalori... edhe gruaja janë të trashë dhe kanë shuuuuumë fjalë, aq shumë fjalë sa s'ke si i shpëton kokëdhimbjes!

***

Një kuriozitet mjaft "interesant" lidhur me gjuhën shqipe e mësova sot jo nga ndonjë fjalor shqip, gazetë, revistë, libër, enciklopedi e as nga ndonjë mustakolog shqiptar... por nga një djalosh skotlandez. E mësova nga Arran Lomas (sapo e dëgjova nga ai... dmth. në anglisht, në Youtube). Sipas tij shqipja na i paska plot 27 fjalë për lloje të ndryshme të mustaqeve, dhe 30 fjalë për lloje të ndryshme të vetullave!

Ngela pakëz nga habi-mrekullia (e ku ka më bukur që nga mosdija t'na habit dhe vetë gjuha amtare), dhe po vrisja mendjen athua vallë prej nga ta ketë mësuar skotlandezi këtë kuriozitet! M'u duk mjaft e komplikuar për ta vërtetuar këtë pohim të tij, s'ka si ta vërtetojë njeriu pa i patur në "mendje" të gjitha 57 variacionet prej fjalësh të "larmishme" - po i thosha vetes.

Thjesht hamendësim me buzën në gaz, nuk është se kontrollova fjalor as gjë, por sikur s'ma merr mendja që ndonjë fjalor i shqipes t'i ketë 27 "versione" të mustaqeve dhe 30 të tjera për vetullat!

Apo ku di unë, ndoshta këto 10-15 vitet e fundit dhe ka ndodhur ndonjë pasurim i fjalo-pedive shqiptare, ndoshta fjalorët modern të shqipes duhet të trashen... dhe janë trashur. Natyrisht që duhet të trashen, nuk është e dëshirueshme vetëm trashësia ime, qoftë nga mendja qoftë ndryshe.

Pra kështu i ditur ose i paditur (derisa po shkruaj këtë koment) sikur s'më besohet që ai Fjalori i 1980-s ta ketë një "pasuri" të tillë fjalësh. Ky kuriozitet padyshim duhet të jetë përpiluar nga ndonjë njohës i veçantë i shqipes, këso grade e njohurisë patjetër duhet të jetë ekspertizë "speciale", aso njohurie e të rrallëve... njohuri që gatuhen me ingrediente fort të rralla të "fanatizmit" e të kureshtisë!

Mbase dhe jam fare gabim, qofsha dhe le të jem... më mirë të jem gabim sesa të kem të drejtë. Apo... veç e thashë më lart "ku di unë". Për momentin nuk e kam idenë kush do të mrekullohej me laryshinë e vetullave (ndoshta 30 lloje vetullash s'iu hynë në punë as salloneve të bukurisë, as ekspertëve as makiazhistëve, as vetë shkrimtarëve të mëdhenj, as romancierëve të famshëm.

Por e di që kur është fjala për mustaqet padyshim do mburreshin dhe vetë musketirët, të gjithë fansat e mustaqeve do mrekulloheshin me shqipen. Pse jo dhe vetë ai Dali "nazeli", i njohur anembanë për "shijet" e holla dhe estetikat e sofistikuara, ndoshta ky do t'i mësonte të gjitha 27 fjalët... thjesht ashtu kot, t'i kishte diku në mbamendje :)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora