E shtune, 27.04.2024, 07:38 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Tërë jeta ime

E marte, 14.07.2015, 07:32 PM


Librat e botuar gjatë vitit 2014- Shtëpia botuese “TREND”- prishtinë

Adem Zaplluzha

Pesë poezi nga libri “Një shi prej bryme”

 

TËRË JETA IME

 

Më ka mbetur shumë pak kohë

Për numërimin e ditëve

Ose të trishtimeve

Tërë jeta ime

Kaloi nëpër një urë të ngushtë

 

Vera më dukej si dimër

Kurse dimrat kurrë nuk kam ditur

Se me të cilat stinë t’i krahasoj

Aq shumë kisha dhembje në shpirt

Sa që i harroja ditët në vijimësi

 

Më besoni qeshja për mua

Ka qenë një nocion i huaj

Sa herë që i lëvizja buzët e mavijosura

Pikonte një lloj trishtimi

I ngjizur me dhembjen e kohës

 

Kështu u rrita

Dhe u rritën miqtë e mi

Përherë në jetë na përcillte një hije

E murrme që na e zinte frymën

Në ato çaste

Kur mund të merrnim frymë

 

 

PËR ÇUDI HESHT EDHE QIRIU

 

Ti nuk bisedon

S’dëgjohet më ai zë baritoni

Çdo lis pranë varrit tënd

Është fundosur thellë

Në shpirtin e heshtjes së përditshmërisë

 

Për çudi hesht edhe qiriu

Mbase po digjet me një flakë të heshtur

Imiton jetën tënde prej një babe

Përherë ke qenë i vranët

Ngjaje me mjegullat e atdheut të vjedhur

 

Vetëm qeshja e jote

Prej një burri të vendosur

Tregonte fuqinë tënde të brendshme

Gurgullonte si Drini i Bardhë

Nëpër brigjet e thepisura të jetës

 

Ti edhe sot nuk bisedon me askënd

Vetëm heshtja e qiriut tregon maturinë

E fjalëve të një njeriu

I cili askurrë nuk foli asnjë fjalë

Kur s’kishte çfarë me thënë

 

 

NGA DRURËT VEÇ KANË

ZBRITUR NJERËZIT

 

Ulesh mbi supin e një druri

Dhe përgjon heshtjen tënde

Matanë lumit

Një mëllenjë e kaltër i lëshoi vezët

Në shuplakat e zhurit të përflakur

Digjen gishtat e drurëve

 

Sheh se si dita udhëton me një varkë të vjetër

Mbase e pret një rrugë e gjatë

Ti sërish nuk zbret nga druri

Shikon me habi mëllenjën në miniaturë

Që po krijon një botë të madhe

 

As era s’përpëlitet s’lëvizin as degët

Një ngërç i paparë frymon në hapësirë

Nga drurët veç kanë zbritur njerëzit

Dhe nëpër rrasat bjeshkëve të egra

I shkruajnë epitafet e para

 

 

KUR JANË MES DY STINËVE

 

Njerëzit ngjajnë me portretin e dimrit

Ecin rrugëve me flokë prej dëbore

Kur i shtrin duart

Si djersët e ftohtë të vjeshtës

Nga gishtat skelet pikojnë kallkanët

 

Kur janë mes dy stinëve

Si gjarpinjtë i ndërrojnë këmishët

Një ditë ecin kryelartë si këndesat

Kurse ditën tjetër

Zvarriten nëpër mjerimin e tyre

 

Duken se ngjajnë edhe me perëndit

Por bien aq ultë

Sa që kur ngritën në këmbë

I zë marramendja

Dhe lëshohen pingul në tokë

Pranë rrënjës së kalbur të degës së sëmurë

 

 

VETËM KËPUCËT PREJ LLASTIKU

 

Secili prej nesh duhet të dalim

Nga lëkura e jonë

T’i arnojmë pantallonat e shqyera

Me plagët e viteve

 

Shikoni këpucët e mia

Shikoni se si e kanë hapur gojën

Don me gëlltit rrugën e shkelur me shekuj

Me i gëlltit tok me ëndrrat tona

 

Edhe këmisha ime me qindra arna

Varet mbi trapazan

Nuk ka njeri që mund të ja shëroj plagët

Ajo dergjet si një nuse lehonë

 

Po na ikën edhe kjo kohë e grisur

Asgjë nuk më ka mbetur nga e kaluara

Vetëm këpucët prej llastiku

Më presin të fshehura në një trastë të dhirtë



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora