E shtune, 27.04.2024, 05:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Këndellja

E marte, 14.07.2015, 07:30 PM


Këndellja

Nga Bedri TAHIRI

Gjithmonë është thënë: Gjaku nuk bëhet ujë! Për ata që e kanë dyshuar në këtë profeci, kjo u vërtetua më 11 korrik 2015, në Srebrenicë. Njëzet vjet më pas, kur po rikujtohej masakra më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore, ku 8 mijë burra e djem myslimano-boshnjakë u vranë nga trupat paraushtarake serbe, ngjau ajo që edhe pritej: Këndellja!

Dhe, kjo dëshmoi, së kur të gjallët përgjumën, shpirtërat e atyre që vajtën dhunshëm në atë botë nga dora mizore e shpirtkatilëve, shpërthejnë fuqishëm dhe mund ta përmbysin çdo tirani e çdo pushtet.  Aleksandër Vuçiqi, me atë pamjen “egjëllore” e nën maskën e të “pafajshmit”, që ende nuk po ka zemër ta pranojë atë gjenocid, e mori atë që meritonte farë e tij prej kohësh, për përgjakjen e gjithë Ballkanit. Siç duket shpejt e paskësh harruar porosinë që ia dha një ditë më parë ambasadorja e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, kur thoshte: “Mendoj se kur kryeministri serb të shkojë në Srebrenicë do të ballafaqohet me dhimbjet e nënave, motrave dhe grave të njerëzve që janë vrarë në gjenocidin e kryer nga forcat boshnjako-serbe, të cilat, natyrisht, në atë kohë, e patën mbështetjen e plotë të qeverisë serbe. Me të vërtetë shpresoj se kjo dhimbje dhe këto vuajtje do ta prekin atë dhe ta bëjnë të ndryshojë mendje”.

Përdhosja e tij mjerane, përpëlitja si në ferr, nëpër atë mizeri lotësh e dhimbjesh, me zyzet e thyera e fytyrën e gjakosur, pasqyroi qartë karakterin e dobët të cerberëve të përtej Tunës, të cilët janë të zhveshur nga çdo gjë njerëzore.

Vallë, a qe kjo një këndellje për të gjithë ata që kanë sy e vesh e dy kokrra mend në rradake?!

Besoj se po!

Pikë së pari, kjo kambanare alarmuese duhet të trokas në kokat e serbëve që të kthjellohen e të lirohen nga mendësia e stërkequr e etërve të tyre kriminelë dhe të kthehen mbarë si gjithë njerëzia. Le të mësojnë nga historia, sepse ajo, edhe pse mjaft i ka llastuar, një ditë do t’u kthehet bumerang...

Kjo ngjarje, ma thotë mendja, është një këndellje edhe për ne shqiptarët! Mbase, po. Të përgjumurit tanë sigurisht mësuan (të paktën është dashur të mësojnë) diçka nga ai dëbim satanai  nga vendi i mbushur me varre e gjak pafajësie. Zullumçarët as dheu nuk i mbanë dot. Edhe ashtu, atyre u dëftohen hijet e makthit dhe detyrohen të zhgërryhen nëpër baltën e ferrit danteskt e të ikën si djalli nga temjani. Ishte kjo edhe një trokitje në ndërgjegjjen tonë, e cila sikur është topitur ca mu si heshta e Don Kishotit, duke luftuar me mullinjtë e erës.

Populli ynë, historikisht, është treguar i mirë, zemërgjerë e bujar. Ai, si babaxhan sederli, di të falë, kur duhet falë. Mirëpo, të pajtohesh e të falësh në heshtje, siç po veprojnë ca trutharë në emër të një globalizmi a interncionalizmi të dikurshëm,  atë që të ka vrarë, të ka masakruar, të ka djegur, të ka poshtëruar, të ka dëbuar, të ka shfarosur, e kurrë nuk është kujtuar të të kërkoj falje, është më shumë se një marrëzi, një nënshtrim qyqar që ligështon dinjitetin tonë kombëtar deri në përulësi. Shëtitjet e lirshme e vizitat me pompozitet të kriminelëve serbë nëpër trojet tona stërgjyshore, të lara pëllembë për pëllembë me gjak të njomë pafajësie e të mbushura me varre e gropa masive, i vijnë rëndë kësaj toke dhe, s’do mend, një ditë do të shpërthej nëndheu si krater i pashuar vullkani...

Ama, kujdes, o të babëzitur, se atëherë edhe mund të bëhet vonë!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora