E diele, 28.04.2024, 06:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Nostalgjitë e së djeshmes

E marte, 14.07.2015, 07:29 PM


NOSTALGJITE E SË DJESHMES

Apologji për vete dhe për te tjerët,

Esse (pjesa e dhjete)

NGA KRISTAQ TURTULLI

Po e nis shkrimin e pjesës së dhjetë të ciklit tim me esse: ‘Apologji për vete dhe për të tjerët,’ duke iu referuar mendimit filozofik të filozofit Auguste Konte. I cili i përket grupimit filozofik liberal. Auguste Konte ndër të tjera shprehet:

‘Intelektuali i mirëfilltë nuk duhet të bëhet skllav i pasionit momental. Intelektuali para së gjithash duhet ti shërbejë arsyes dhe zemrës.’ Pra, esesë sime për çka dua të them, po i vë një titull disi më të  zbutur:

’ Nostalgjitë e së djeshmes.’

Në tërësi ngjarjet e së shkuarës së një kombi, të një shoqërie, brezi apo individi, zënë vend të rëndësishëm në memorie. Por historinë e së shkuarës, interpretimin e tyre dhe deformonin sipas interesave e bën gjithnjë fitimtari. Tek ne fituesi ka qenë me kompleksitetin e revanshit dhe të mohimit të vlerave dhe të kompleksit të nostalgjive. U bë Shqipëria në 1912. Por jo më shumë, pas dy vitesh të vështira, për një shtet të brishtë, të sapo formuar nga një grusht patriotësh me plakun e mençur Ismail Qemalin në krye dhe, pas pesëqind vjetësh robëri, në Shqipërisë së Mesme shpërtheu kryengritja antishqiptare. Kjo kryengritje nisi më 17 Maj 1914 kundër regjimit të Princ Vidit. Udhëheqësit zyrtarë të rebelimit ishin Haxhi Qamil Fejza dhe Musa Qazimi, por prapa saj qëndronte Esat Pashë Toptani. Kryengritësit të udhëhequr nga Haxhi Qamili dhe Musa Qazimi me thirrjet “Dum Babën” shpartallojnë tek Ura e Limuthit në afërsi të Tiranës një grup vullnetarësh tiranas dhe kosovarë të cilët po shkonin në Shqipërinë e Jugut, për të luftuar kundër forcave vorio-epiriote që kishin pushtuar Shqipërinë e Jug. Vendi për vite me radhë ishte në kaos. U krijua qeveria e Sulejman  Dervinës më 1920. Ndodhi kryengritja e Mirditës (Rebelimi i Mirditës), 17 Korrik-20 Nëntor, 1921. Grushti i shtetit, 8-15 Mars, 1922.  Revolta e Prefekturës së Kosovës, Janar 1923. Revolucioni i Qershorit, 24 Maj-24 Dhjetor, 1924. Rebelimi i Dukagjinit, 20 Nëntor-5 Dhjetor, 1926. Rebelimi i zonës veriore, 1-8 Janar, 1935. Rebelimi i Fierit, 14-15 Gusht, 1935 .Revolta e Delvinës, 15-16 Maj, 1937 . Revolta e Koplikut, Janar 1945. Revolta e Postribës, Shtator 1946. Revolucioni Demokratik, 26 Mars 1990-22 Mars 1992?  Rebelimi i Shqipërisë së Jugut, 24 Janar-24 Korrik, 1997.

Termi bazë për këto zhvillime të dhunshme është fjala “Lëvizje”. Më pas duke i studiuar këto lëvizje, kryengritje, revolta, rebelime, nostalgji, etj, të cilave u janë ngjitur emrat sipas karakterit që kanë pasur. Por shpeshherë kjo gjë është bërë sipas interesave politike dhe interesave të tjera antikombëtare.

Nostalgjitë e çfarë do kallëpi qofshin, mund të keqkuptohen dhe të keqinterpretohen. Instinktivisht shtyhesh të vësh lehtë buzët në gaz dhe thua me vete: Të gjorat nostalgji, nuk iu ndanë njeriut përgjatë gjithë jetës, sidomos në pleqëri. Dikush tjetër me prostatë, mund të mërmërisë me shpirtmadhësi groteske provinciale: ‘Eh, e uruara nostalgji,  kur isha i vogël, pushkën e kisha me gjalmë e të gjatë, deri në fund të këmbëve, yllin e kuq në kapelë, por ama kërdinë bëra mes gjermanëve. Na ata, u trembën, ia mbathën këmbëve si lepuj, por tani jam plak dhe se mbush dot barkun me bukë.’ Një tjetër, qytetar i lodhur, i zhgënjyer gërhet: ‘Dreqi ta hajë, më lini rehat me gjithë këto gjepura Nostalgji.’ Të zbriturit nga fshatrat e thella në kryeqytetin e zhurmshëm, hungërijnë rëndë: ‘Hëm, çfarë thotë ky more, flet për të poshtrat Nostalgji.’ E të tjera e të tjera...

Ka të tjerë nostalgjikët e sëmurë, të mjerët e varfër deri në dhembje. Rrasin deri në veshë kapelat e vjetra republike dhe përsëri thonë nën zë, duke vështrua majtas djathtas:’ Më mirë kështu, të lidhur me vargonj plastiku dhe në qafë një hallkë të sfungjertë se sa ndryshe. Hallka e sfyngjertë po të futet në ujë do rëndojë, por nuk do na mbytë... Leskovik e tatëpjetë, siç ka qenë le të jetë.’ Ndërsa për emigrantët kur bëhet fjalë për nostalgji luajnë kokat të menduar dhe mërmërisin: ‘Gjithsesi atje është mëmëdheu, ku është një pjesë e rëndësishme e jetës sonë dhe eshtrat e të parëve...’

Ndërsa pakica, ata që tërhoqën zvarrë qerren vjetër të vendit për më shumë se gjysmë shekulli dhe që vazhdojnë të kenë një dorë në revani dhe një dorë tjetër në bakllava, rënkojnë nga të ngrënët e shumtë, fërkojnë barqet dhe zëngjirur ofshajnë: ‘Për atë zot që qëndron në kupë të qiellit, prindërit tanë kishin një parti të madhe dhe një xhep të vogël. Tani ne kemi shumë parti të vogla dhe shumë xhepa të mëdha. Kjo demokraci jallane qenka hallemadhe. Nejse, kështu e lëntë.’ Ofshajnë përsëri dhe shtojnë zë grindur:’ T’ ëmën e s’ ëmës, sa shusha paskëshin qenë baballarët tanë, por ama brezin e kalitur e lanë për ne. Ku ishin më parë bre, tambura, tambura si ne nuk ka.

Ndryshe, për të eliminuar gërmuqet, hungërimat, sharjet pas shpine dhe, shpirtmadhësitë idiote groteske, mund ta nisja shkrimin më direkt, pa shumë ceremoni: ‘Prangat e së shkuarës s’na janë ndarë asnjëherë, ato i kemi mes veti sot e gjithë ditën.’

Dhe pastaj ashtu siç thuhet rëndom mes nesh me zë, të pasuar me psherëtime dhe në vetmi me zë të lartë deri në kupë të qiellit:

Përse vallë, përse, ç’po ndodh me ne?! Kemi 25  vjet ‘demokraci’ dhe vargonjtë e ndryshkura të së shkuarës mbajnë përbindshëm të lidhur këmbë e duar një popull të tërë?! Tani kur kemi mbetur vetëm 2 milion e gjysmë, ndërkohë pesë milion, a ndoshta më shumë, gjenden të shpërndarë në të katër anët e rruzullit tokësor?! Në këto vargoj të pështirë janë kërleshur dhunshëm; spiunimi, servilizmi, ç’burrërimi, frika, sharja, urrejtja, smira, pasiguria, korrupsioni, prostitucioni, gjakmarrja, vrasja pas shpine, fanatizmi ekstrem dhe nënshtrimi total.

Çfarë paradoksi, një popull që jeton në njëzetetetë mijë kilometra katrore. Vend në kërthizë të Ballkanit dhe të Evropës. Vend që laget nga dy dete të mëdhenj dhe të kristalët, me liqene të mahnitshëm, si rrallë gjetkë, të pastër. Me shumë lumenj të bollshëm, të kulluar. Vend i bekuar, piktoresk, që i ka të gjitha resurset, malet e lartë, alpine, kodrat, fushat pjellore. Bukuritë e papërsëritshme që i ka falur natyra me zemërgjerësi,. Paradoksi, popullsia e këtij vendi kaq përrallor, si rrallë vend tjetër nuk mbush dot barkun me ushqim dhe shënon emrin në listën e furrës së bukës. Ndërsa bijtë dhe bijat kanë mendjen drejt ikjes, drejt të panjohurës. Lënë vatrën e dashur, të shuar, duke shpresuar për një jetë më të mirë. Dhe kjo rrjedhje e dhimbshme e rinisë lule, po ndodh vit pas vit dhe dekadë pas dekade. Është vërtet për të ardhur keq. Deri kur më...

Këtë e pashë dhe e ndjeva në vendim tim të lindjes. Sharje, xhelozi, servilizëm, hatërmbajtje, luftë bërrylash dhe një ndrydhje totale. Në vitet tridhjetë Korça e ballove. Parisi i vogël, Korça e karnavaleve djepi i kulturës ishte e hapur, një pikë referimi për të huaj. Ndërsa tani pasiguri, ndrydhje, zhurmë e tmerrshme, propagandë e shfrenuar për të fituar një grusht njerëzish, me të gjitha mjetet dhe mundësitë zgjedhjet lokale. Tambura dhe hosana të mëdha. Muaj me radhë miliona dollarë të hedhura në erë.

Marr shkas nga zgjedhjet që zhvillohen në perëndim, në botën e qytetëruar. Zgjedhjet e çfarë lloji qofshin nuk ndjehen, ato janë të qeta, pa shumë bujë, me disa emra e fotografi të kandidatëve të vënë në cep të rrugëve. Fushata nuk zgjat as më shumë se dy tre javë, qytetarët nuk kanë shumë nge të merren me to, ata janë të kthjellët e gjakftohtë në gjykim dhe kanë jetën e tyre, punët e tyre, të cilët ndërrimi u pushteteve nuk i cenon. Ndërkohë jeta kalon me se normalisht tek qytetarët...Kuptohet të gjithë interesohen për mbarëvajtje sa më të mirë, por nuk kanë akthin e heqjes së koromanes prej goje, nëse vjen dikush tjetër në pushtet.

Kuptohet të gjithë e duan paratë dhe pushtetin. Por tek ne, që jemi të indoktrinuar deri në palcë, çdo gjë merret dhe kompensohet me copën e bukës së fëmijëve. Unë e kuptova qysh në fillim para se të zhvilloheshin zgjedhjet se kush do të fitonte në qytetet e mëdha. Një fshat që duket nuk do kallauz. Presionet dhe reklamat ishin të shumëllojshme, gati të papërballueshme nëpërmjet propagandës dhe prapaskenës. Këtë e ndjeva dhe e kuptova e para një vit, kur u diskutua propozimi i kryetarit të baskisë në këshillin bashkiak të Korçës, për disa prona të pronarëve të vjetër korçarë. Pronat e tyre të njohura me ligj dhe të aprovuara nga këshillat bashkiakë të mëparshme, të cilat ishin zonë e verdhë të aprovuara për zhvillim urban. Kryetari socialist i bashkisë i bëri kërkesë këshillit, pa asnjë motivim, që këto prona të trashëguara brez pas brezi të kalonin nga zona e verdhë në zonën e gjelbër. Pronarët të mbeteshin me gisht në gojë.  Ashtu ndodhi, anëtarët socialistë të këshillit bashkiak kuptohet votuan pro kërkesës së kryetarit, por paradoksi ishte se dhe anëtarët e këshillit bashkiak që përfaqësonin Partinë demokratike, e cila ka në program çështjen kryesore, mbrojtjen e pronës së ligjshme, u bashkuan me turmën e verbër, mohimin e së drejtës së ligjshme, pronës. Ata përfaqësues të ‘djathtë’, duhej të bëheshin pengesë, barrierë për mos shpërdorimin e së drejtës së ligjshme, pronës. Por ata pa pikë turpi dhe përgjegjësie votuan pro kërkesës së kryetarit i cili përfaqësonte partinë socialiste. Çfarë interesa mbronin  ata përfaqësues të popullit, sigurisht interesat e xhepit dhe të kolltukut.

Ja kështu qenka e thënë, hallkat e së shkuarës të zinxhirit janë të mbarsura me pangopësitë e së sotmes dhe vazhdon përralla e Ali babait me dyzet hajdutë.

Në histori...

Në historinë e vonë e të vërtetë të vendit tonë, e cila trumbetohet, se historianët e kualifikuar dhe të zhveshur nga komplekset e së djeshmes, duan ta rishkruajnë. Mirë të bëjnë sepse na duhet një histori e re pa nostalgjitë, tushimi i trashë dhe pamerituar i së shkuarës. Por fatkeqësisht ribërësit e historisë janë po ato hallka të zinxhirit të vjetër, janë po ata aparaçikët, hartuesit e mëparshëm, të vjetër, ose bijtë e tyre, si fjala vjen dardha bie nën dardhë. Kjo është njëlloj si të vësh të kuq dhe rimel një fytyrë të deformuar. Të rishkruash ngjarjet e rëndësishme të historisë së një kombi, për etapa të caktuara, para së gjithash duhet të jesh i zhveshur nga mendësitë  dhe nga prangat e hekurta apo të mëndafshta. Nostalgjitë, pasionet dhe kompleksitetet janë sheshit, sot e gjithë ditën, i sheh dhe i ndesh kudo. Dhe për këtë ndihmesë të rëndësishme duhet të kthehen me patjetër sytë edhe nga diaspora. Mbasi janë gjithë ato ngjarje të mëdha, figura të mëdha, të dyzuara, të përçudnuara, të shkatërruara, ata pjesë e pazëvendësueshme dhe e rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

’ Të kontrollosh dhe të zotërosh mendjen e popullit është mënyra më efikase se sa të ndëshkosh trupin e tij,’ ka thënë filozofi post modernist Majkëll Founkault

Pra këtë histori të vonë të vërtetë duhet ta fillojë përpara pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Të sqarohen dhe të kthjelltësohen ngjarjet e mëdha, revolucionet revoltat dhe lëvizjet e ndryshme. Ardhja e Zogut në pushtet, arsyeja e bërjes së tij mbret. Pushtimi i vendit nga Italia fashiste, cilët ishin luftëtarët e vërtetë që përballuan pushtimin etj... Lufta vëllavrasëse, dhe në përfundim të luftës së dytë botërore ku ishin ndarë zonat influencës kur në pushtet erdhën komunistët. U përfol qysh në fillim se do të vendoset  e drejta, barazia, vëllazëria, demokraci. Pushteti i shumicës, pra i popullit mbi pakicën, mbi familjet e mëdha shqiptare,duke e shkulur nga rrënjët deri në asgjësimin total të tyre. Filloi në mënyrë drastike shpronësimi, internimi dhe burgimi. Sipas ideologjisë u sheshuan ndasitë shoqërore. Por elita komuniste që erdhi në pushtet ishte produkti më regresit i shoqërisë, e cila përdori një dogmë dhe propagandë që bëri një shpëlarje të trurit të popullit të shumëvuajtur. Kjo gjë krijoi një pakicë më të ashpër e të paskrupullt për të sunduar mbi shumicën dhe zvehtësimin dhe zhdukjen e shumë vlerave të qenësishme të krijuar në shekujt të popullit shqiptar. Sipas thënies së vjetër,’ Kija frikën zengjinit të ri se i vjetri të ha munë.

Në letërsi ...

Në letërsi në veçanti, na kanë mbajtur të lidhur një litar i tendosur midis dy kreshta majash ku nën të rrjedh një lumë i vrullshëm dhe i turbullt.  Ndaj ky shkrim me këto probleme të rëndësishme më kanë ngacmuar vite e vite me radhë. Kur isha në mëmëdhe, qysh në vitet e para të proceseve demokratike dhe më vone në mërgim. Siç dihet nga të gjithë familja ime TURTULLI i ka dhënë kombit figura të shquara patriotike dhe bamirëse, ndaj dhe përgjegjësia ime morale dhe shoqërore është më e madhe. Së fundi e mora shkas nga esseja e kualifikuar dhe intelektuale qe beri para disa ditësh shkrimtari dhe poeti Përparim Hysi për romanin tim më të fundit:’ Puthja e  pamundur’ si dhe nga disa mendime qe hodhi shkrimtari i talentuar Thani Naqo që jeton e punon në Floridën e nxehtë të Amerikës, mbi shkundjen e mendësive dhe të themeleve të letërsisë dogmatike socialiste shqiptare.

Sa herë dëgjojmë për një krijues që është dhe ka dalë në breg nga rrjedha e ujit menjëherë na kap nostalgjia dhe përnjëherësh mendojmë se prej tij ka dalë një byrek me pesë petë, por pa lyrë  dhe gjellë.

Misioni i shkrimtarit ka qenë dhe mbetet human dhe i rëndësishëm. Politika e rrugës, mediokriteti qe ka përfshirë boten dhe sharlatanizmi mundohen ta thjeshtëzojnë, ta nënvleftësojnë, pse jo edhe ta mohojnë rolin  e artit ose ta vene në shërbim te tyre dhe interesave te tyre, duke e bastarduar dhe bere lëvere rrugësh,  siç ka ndodhur rëndom. Dikush me tha se tani letërsia dhe kultura është bere një shtojce seksi dhe fshirëse parash. Jo, paçka se jemi te varfër, letërsia e mirëfilltë ka qene, duhet te jete dhe do mbetet tik- taku i shqetësimit, hallit, dertit dhe i progresit. Mjeku mundet te kuroje, te shëroje një njeri, ne se mundet. Krijuesi, intelektuali i mirëfilltë nëse do dhe ndjehet i tille, ka vene dhe duhet të vere bisturinë në plagët e shoqërisë.

Nëse do të klasifikonim shkrimtarët periudhës pas luftës së dytë botërore, vitit 1945, ardhjes së fuqi të komunistëve, Terrori i tmerrshëm, gati në asgjësim që u zhvillua mbi një shtresë popullsisë, e cila përbënte ajkën e kombit. Ky terror i tmerrshëm nuk e pasqyrua asnjëherë në letërsi ose u pasqyrua në kahun e kundër të regresit dhe të mohimit, sikur ata ishin vampirë, gjakpirës të tmerrshëm. Kurse ata të gjorë punuan, u robtuan, menduan, dhuruan për Shqipëri, u sakrifikuan për brezni të tëra. Po këta tani në mëmëdhe që kanë pushtetin dhe paranë që u pasuruan në mënyrë të llahtarshme brenda pak vitesh çfarë janë?! Nejse...

Duke u nisur nga raporti që shkrimtarët e pas luftës krijuan letërsinë zyrtare të asaj periudhe dhe deri më sot, do ti ndajmë në katër grupime:

Shkrimtarët socialistë konformistë, skematikë, të cilët kanë qenë shumica dërmuese, të cilët ishin irtharët më të zellshëm të partisë në pushtet, që bënin thirrje të shfrenuar për revolucion vëllavrasës dhe luftë klasash, siç udhëzoheshin nga lart dhe që mbushën tekstet shkollore dhe raftet e librarive, me letërsi mediokre. Një pjesë prej këtyre shkrimtarëve kanë qenë fanatikë obskurantistë, ndërsa pjesa tjetër, idealistë naivë, të sinqertë, të cilët i besuan derisa vdiqën një ëndrre të çmendur. Dhe nuk është për të ardhur keq, që veprat e tyre janë hedhur në koshin e harruar të kohës.

Grupimi i dytë: shkrimtarë jokonformistë, të pajtueshëm, të njëzëshëm, të tërthortë, të cilët siguruan mbijetesën e krijimtarisë së tyre, përmes mosdaljes hapur, moskundërshtimit të letërsisë zyrtare, por jo rrallë për konjukturë u bënë dhe zëdhënës së saj, duke ushqyer, krijuar edhe kultin e heroit socialist, të individit, të cilët kuptohet do bënin karrierë, do përktheheshin, do dilnin jashtë shtetit dhe do ngjiteshin në sferat e larta. Ndoshta këta të dytët mund të kenë të qenë të dyzuar, me qëndrimin e heshtjes, të rezervimit, të njohjes së vërtetë të realitetit në raport me ideologjinë zyrtare dhe pamundësinë, frikën, ose ngurrimin e pasqyrimit të vërtetë të saj.

Grupimi i tretë: Shkrimtarë jokonformistë, të daljes hapur kundër hipokrizisë, të papajtueshëm me mediokritetin dhe farsën e  realizmin socialist dhe të krijimit të njeriut të ri. Ata natyrisht janë shumë të paktë dhe u shfaqën hapur, me guxim me veprën e tyre kundër normave krijuese të socializmit. Por ata kuptohet, kanë qenë tragjikë në mohimin e jetës dhe të veprës së tyre. Mbasi mokrrat e diktaturës ishin të tmerrshme.

Dhe së fundi grupimi i katërt: Letërsia post komuniste në mëmëdhe dhe letërsia e emigracionit.

Po i vë së bashku të dyja këto, sepse si letërsia e mëmëdheut dhe e diasporës nuk kanë si të mos vlerësohen. Të dyja këto po plotësojnë më së miri boshllëqet dhe mediokritetin e së kaluarës. Të dyja janë të ndërthurura pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën. Ushqejnë dhe plotësojnë njëra tjetrën. Shihet dhe ndjehet një lëvizje e ndryshimeve, në letërsi, të vlerave dhe arritjeve.

Por unë do ndalesha në letërsinë e emigracionit. Qysh prej njëzet vjetësh po ngrihet dhe lartohet letërsia e emigracionit. Siç ndodhi edhe më parë, në kohën e rilindjes sonë dhe figurave të shquara të saj por edhe më vonë. Kjo letërsi që shtrihet dhe zhvillohet me sukses në të katër anët e globit, ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë, të kontaktuar e mirënjohur me arritjet dhe kulturat më të shëndosha, të huaja, të vendeve ku jetojnë. Kjo letërsi e shëndoshë e emigracionit, e zhveshur nga kompleksitetet e pushtetit të verbër, e politikës së rrugës, së nostalgjisë së të shkuarës, servilizmit, mpakjes, pasigurisë për mungesën e bukën e gojës, siç ndodh sot e gjithë ditën në mëmëdhe. Siç dihet krijuesit kanë qenë dhe janë të varfër deri në dhembje, por dinjitozë nëse munden. Ata rinë pa gjumë, shkruajnë, i botojnë me shpenzimet e tyre veprat e tare, dhe i falin me përdëllim, i dhurojnë veprat e tyre.

Por tashmë sa vjen dhe po kristalizohet me dinjitet letërsia e emigracionit, ajo është e dallueshme me emra të shquar dhe vepra të shquara dhe vlera të konsiderueshme. Kjo letërsi vjen e zhveshur nga komplekset e politikës dhe servilizmit dhe po jep një kontribut të pazëvendësueshëm në letërsinë dhe artin shqiptar.

Megjithatë duhet të bëhemi sa më realistë ndaj këtij fenomeni të rëndësishëm, pra të zbulimit e të vlerësimit të veprave të vërteta letrare, për krijuesit e talentuar të diasporës një gjë e tillë do të marrë goxha kohë, pavarësisht se ajo që mban "erë" letërsi, për shqiptarët historikisht është krijuar e do të krijohet larg atdheut...

Ndërkohë flitet nëpër rrethe të ndryshme, se lexuesi shqiptar e ka braktisur librin letër, ose librin  në tërësi. Ndërkohë ka një prurje të madhe botimesh letrare, gati marramendëse përkthimesh nga letërsia rozë, krimi dhe seksi. Libra me monografi, biografi, libra me kujtime për fshatin dhe qytetin, për kryetarin dhe sekretarin, për bosin dhe mikun. Pavarësisht nga çmimet dhe tituj artificialë që merren. Pavarësisht nga prurjet e shumta të botimeve në gjuhën shqipe dhe pavarësish nga mosleximi masiv, e të gjitha këto që thashë pak më lart. Në radhë të parë ndodh për shkak të kërkesave të tregut dhe cilësisë së librit. Gjithsesi nuk duhet harruar dhe nënvleftësuar se gjithnjë ka pasur, do të ketë lexues të pasionuar dhe të kualifikuar...

Në tregun shqiptar, libri jo vetëm kryesish të letërsisë së emigracionit, jo vetëm nuk shitet, për shkak të pagës ditore të ulët, por edhe si bezdi e madhe nga librashitësit dhe mos prezantimit... Libraritë në Shqipëri janë nën diktatin e shtëpive botuese e të sferave politike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora