E diele, 28.04.2024, 08:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Në kërkim të një ëndrre mërgimtare

E hene, 13.07.2015, 06:50 PM


NË KËRKIM TË NJË ËNDRRE MËRGIMTARE

(Duke shfletuar librin me poezi “Buka e mërgimit“ të poetit Musa Osmani me origjinë nga Përshefca e Tetovës)

Nga Namik Selmani

Po, Musa Osmani, ky mërgimtar, ky kurbetli, ky emigrant, ky refugjat (vështirë se mund të gjendet një fjalë tjetër që ka më shumë sinonime në gjuhën tonë sa kjo) na jep në duar librin e tij të pare, një libër me poezi me një titull shijeëmbël e shijehidhur: “Buka e mërgimit” .

Është ironia e fatit të një jete të kombit tonë ku ka gëluar prej vitesh përditshmëria e shqiptarit në të. Në këtë  libër të tijin ku ai ka vënë emrin, fytyrën dhe titullin, duket se shohim vetveten. Nuk nxiton po edhe e ka bindje të një burri besnik kur thotë se nuk do të ndërrojë kurrë emrin e atdheun. Ka mbledhur copëza qelqore të shpirtit të tij kristalor apo edhe të njëjtë me një mal të paepur, në një vëllim të parë poetik me një titull simbolik. Nuk është i pari që përtyp këtë bukë sa të hidhur aq edhe kafshatëmbytëse edhe pse poezitë për të janë të pakta. Të paktën, ato që qëllojnë në shpirtin e vrarë. Për ne, shqiptarët, buka ëshë jo vetëm simboli i jetës, por edhe simboli i Bashkimit të familjes që një nga një kanë rikrijuar atdheun, kombin. E mes një rruge që jo gjithmonë ka mbarësinë e vet, duket se buka na ka bërë më të ëmbël pragun që na rrit, më të malluar. Këto i thotë shumë më bukur miku im shqiptar deri në palcën e palcës.

Është e vërtetë që tema e mërgimit për shqiptarët ka qenë një nga temat më mbizotëruese të shprehur në forma të ndryshme të artit të tij. Që tek këngët e popullit, te ninullat e nënave, sidomos te baladat, elegjitë, e të lexosh këtë libër pyet natyrshëm: A do të lexoj diçka të re? Po! Musai ka vështrimin e tij për kurbetin. Është në vorbullën e kurbetit me dramat, por edhe me atë pak dritë që të jep qëndrimi në mërgim Kjo nuk e pengon që të merret edhe me të djeshmen e të ardhmen. Po ai e trajton ndryshe. Është një mërgimtar që jeton shumë fuqishëm me hallet e kombit të vet, njësoj sikur të hapte portën e shtëpisë në këto troje.

Musai, ky Bacë i Dashurisë për trojet, nuk është poeti i drithërimave lirike, me rendje hënore, me trokëllima gotash, me prekje trëndafilësh që thahen në muzg pa dorën njerëzore që t’i prekë, t’i rimbjellë, edhe pse lirizmi i tij është shumë i dukshëm deri në drithërimin e fundit të ndjenjës. Poezinë e tij e ka ngjizur Përshefca e tij e lindjes që është diku afër Tetovës që kam dëshirë ta përsëris se është Kryeqyteti i shqiptarëve në trojet e Iliridës. Kur shkoja në vitin 2005 për të hapur një eskpozitë për Çamërinë që bëhej për herë të parë në këtë qytet, sikur e ndjeja fare pranë atë frymë që do të shkruhej me poezinë e Musa Osmanit. Edhe pa e lexuar atë, kupton se është një vend ku njerëzit shqipfolës betohen në këtë shekull modern “Për gjuhën e nënës!” Thërrasin në ndihmë lahutat, tupanët, çiftelitë, rrëfimet, gojëdhënat, pse jo, edhe gjakun e lënë po kaq bujarisht sa edhe për lirinë. Se, bukur e thotë Musai: Liria e trojeve pa ëmbëlsinë e gjuhës amtare, është e pavlerë.

Poezinë e tij e ka ngjizur fryma e gjyshërve, ezanët mbrëmësorë të Bajrameve në xhamitë e fshatrave të Grykës . Ooooo, Musa Osmani i ka ngjizur vargun e tij herë të mjaltosur e herë të bërë pelin nga brenga edhe te peizazhet gri të Perëndimit, në tavolina ku ka shumë miza, shumë debate, shumë dhimbje. Atje ku vë kokën në jastëk pa harruar se gurët e Përshefcës janë jastëkët më të ngrohtë të botës. E kjo dashuri poetike dhe reale e ka bërë atë edhe naimjan, çajupian, asdrenian, shirokian, fishtian, edhe pse në gyrbet është fëmiluar, si i themi ne në Çamëri, kur duam të themi se është bërë familjar. Dhe duket se kjo frymë atdhetare përbën palcën e librit, detajin, titullin, rimën, ritmin, të shkuarën dhe të ardhmen. E ka thurur si ato nënat, gjyshet fisnike të Tetovës me bashkën e leshit të bardhë në bosht ose furkë që të bëjnë më pas triko leshi për djemtë, burrat, miqtë që kalojnë pragun një ditë. E thurin triko për mërgimtarët që kanë shumë ftohtë në udhë të largëta kurbeti, në avionët që uturijnë në qiejt e botës. Shpirti i tij është rebel i pandreqshëm e i pagjunjëzuar para ferrit të jetës që shpesh ia zë pusinë kudo ku ai dhe të tjerë shqiptarë shkojnë në botë. Është i pagjumë. Është kaq i dashuruar për atdheun dhe dridhet, klithmon, kur dikush thotë se “ka një atdhe të dytë”.

Jo,  ai nuk është një poet vetëm i mallit, të atdheut, po edhe një ushtar i fjalës së mençur që di se ku dhe kur t’i vijë në shërbim atdheut, miqve të mirë. Dhe nuk duhet që të çuditemi kur të mësojmë se para pak ditësh ai ka bërë dasmën e djalit të tij të parë Jetmirit (sa emër simbolik) pikërisht mes lëndinave të Pershefces. Edhe nusen e djalit, ani pse e ka marrë në Mërgim, e ka nga një fshat aty pranë. Poezia e tij është trokitje malli, por edhe një mësim i fortë, një leksion për politikanët që nuk mendojnë për popullin, për emigrantët shqiptarë që sot janë në botë. Për ata njerëz që nuk mendojnë për të ardhmen.

Shpesh poezia e tij në të njëjtën kohë ka edhe lotë, edhe dashuri për të bukurën, edhe monologje shekspiriane, ka ironi për të keqen, ka sinqeritet, ka brishtësi, ka mençuri, ka heshtje, ka mall e dhimbje për Çamërinë, ka edhe halle bote që ai i hedh në sofrën e mençur të fjalës së tij poetike plot kurajo dhe largpamësi. E në tërë këtë univers, ai ju fton te VATRA e tij poetike që jo vetëm të bëheni pjesa më bujare e bujarisë së tij të së sotmes, por edhe e së ardhmes. E të tëra këto copëza shpirti që vetëm blerojnë e asnjë herë nuk njohin vyshkjen apo tharjen. në poezinë e këtij vëllimi të bukur të futen brenda vetes sapo i lexon.

Musa Osmani ka kohë që e ka ndjerë edhe krenarinë e të qënit shqiptar por edhe indiferentizmin që kanë njerëzit shpesh për këtë emër ndaj në poezinë e tij “Jam shqiptar” thotë ndër të tjera: “Mos më shih si ujk i egër në skërmitje/Që tufën e deleve në stan e shqyen egërsisht//Jam shqiptar, bre, ardhur nga tokë e lashtë iliride./E flas bashkë me fëmijët shqip e vetëm shqip.” Në galerinë e portreteve shumë të spikatur, Musai na ka dhënë babain e tij, një baba tipik shqiptar: “Ma dha besën e lume që m’i mbush ditët e jetës /-Mos u thyej, bir, nga guri që rrugën ta zë.!/Unë do të jem me ty si ushtari mes betejës / Dhe kur në këtë shtrat mes jush të mos jem më.”

Unë jam i lumtur që bekoj e i jap udhë fjalës së mençur të Musa Osmanit. Ështrë më shumë se një pemë e mbjellë. Ështrë më shumë se një krua që e hap diku për udhëtarët e një udhe të gjatë. Është rinimi i fjalës shqipe që më gëzon kur ajo rilind në të gjithë trojet shqifpfolëse por edhe atje larg në kurbet pas nëntë malesh, si thotë populli.  Urimi për librin e ri të Musa Osmanit është pak, fare pak Duke e lexuar dhe e rilexuar këtë libër, sikur shohim saktësisht pasaportën e shpirtit tonë, sidomos atë të mërgimtarit, të bukur, të malluar, të paepur e sfidues për të gjithë ato vështirësi që e presin.  Lum fjala shqip në poezitë e poetit Musa Osmani!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora