Kulturë
Xhevdet Ukalli: Barra e inatit
E merkure, 26.03.2014, 07:26 PM
XHEVDET UKALLI
BARRA E INATIT
Dikur Prometheu
me vendosmëri
ua rrëmbeu zjarrin!
Sizifi me vetmohim
Pothuajse i mundi!
E tanët, siç duket,
ua grabitën inatin -
Perëndive!...
Të parin e mbërthyen në shkëmb
Të dytin e dënuan
të rrokullisë gurin përpjetë
malit që s’mbaron!
Tanët mbetën pa dënim ,
Thjeshtë i lanë të ngujuar
Në ortekun e inatit të vet !
Dhe kështu
numëronim pushtuesit
Nga koha e gurit
nëpër baltën e mesjetës
e deri sot
I mallkonim !
Për inat dhe i lëvdonim!
Dhe ziheshim mes veti -
Se kush ishte pushtuesi më i mirë!
Ditët i vuanim!
Netët i urrenim!
Dhe harronim!...
Se pafalshëm , harronim!...
...Pastaj më vonë
Nëntorëve festonim
Marseve trishtonim
Dhe vollëm çdo stinë
Këngët i kemi qarë!
Vajtimet i këndonim!
Dhe ja ku mbërrimë!...
...Por vazhdojmë
të ëndërrojmë një stinë tjetër
Duke jetuar katër stinë
me fragmente
marrdhëniesh mes tyre.
Dhe fatkeqsisht ende
brez pas brezi
zvarrë e çojmë barrën e inatit!...