E shtune, 27.04.2024, 11:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Zog Hysenaj: Grrithi vitet e rinisë

E hene, 24.03.2014, 08:44 PM


Zog HYSENAJ

 

Grrithi vitet e rinisë

 

Numëroj yjet n’faqe t’qiellit

Për me gjet emrin e shkruar,

Të betohem n’dritë të diellit

Shkrojna emri n’yje t’shndërruar.

 

N’qiell të natës të qëndisur

Nëpër yje ndritësuar

Më tremb nata cërr-cërr-isur

E shoh veten duke shkruar.

 

Zhagis lugën n’fund t’kusisë

Tue krue rreshkat e tamlit t’bardhë,

Gërrithi vitet e rinisë

Nga bjeshkët vargjet m’kan’ardhë.

 

Nëpër hënën drapër kthye

E shikoj dritën e diellit,

N’rreze t’diellit ulur n’hije

E shkruaj emrin e këtij librit.

 

 

Mbi gurë të malit gëdhenda kujtimin

 

Përmbi gur të malit e gëdhenda kujtimin

Në bjeshkët mija me shpirt unë e vara

Në gurrën e kronit e putha burimin

Gëzimet i njoma mbi buzët e thara.

 

E vara këngën mbi degë të gëdhenit

Me boçat e pishës me fëmijët luajta

Me degën e pishakut te buzët e vërganit

Kumonët e deshëve me krismat e buta.

 

Në gërdhatën e nënqiellit u shtriva e pushova

Mbi përçukun e gojfiltë kokën e mbështeta

Ndejta me zanat, me qiellin u mbulova

Në mendime e vuajtje i mbyllur unë mbeta.

 

Në varg të karvanit në bjeshkë unë u ngjita

Në atë bjeshkëmirën, tek tela me stane

Telë më telë e majë në majë shëtita

Në imshta, në zhare, kreshtave n’ato shpate.

 

Dhe e mbusha tasin me të bardhen borë

Ia hodha tamblin mjel prej deles rudë

E përkëdhela edhe verganin me këmborë

Edhe përsheshin me tamël e hëngra në bludë.

 

Te orteku i borës gratë kur shkuan

Unë vetë i pashë të veshura aq mirë

Shamija të bukura gjitha bojna-bojna

Pushuan te pisha e madhe me rrëshirë.

 

Eh, sa kujtime në mendje më mbetën

Që lotët në sy po më rrjedhin sot,

Ashtu si në film njeriu shikoka jetën

Mbushur me kujtime të mbështjellura me lot.

 


Bardhësi shpijat gjallnore

 

Me opingat gomëzuar

Me të moçëmen përzier

Shkalloret e gurta lëmuar

Mundimi me shpirtin zier.

 

Që nga vuajtja deri n’vuajtje

Nga fillimet n’lashtësi

Nga betejat, luftës tutje

Gurishtoret bardhësi.

 

Bardhësi shpijat gjallnore

Rrënjtë e tyre n’shkëmb muruar

Faqja e shkëmbit gurë rrasore

Daltuar e emrat shkruar.

 

Janë shkruar vjettë e mija

Faqe shkëmbi-rrethatorë

E skalitur historia

Rrathë- brezat shekullorë…

 

 

Babait tim

 

Një fytyrë e ëmbël me rrudha

E përvuajtur, krenare,

Qeleshen e bardhë mbi kokën e thinjur,

Mbi rudhat e ballit shkruar fisnikëria,

Rrall-herë gëzimet andej nga ti kaluan

E ndoshta hiç-herë

Ose nëpër ty u shndërruan, ndonjëherë

E me duartë e plasaritura i përcolle,

Në ato rrudha

Kujtimet mbjellur një shekull më parë

Plot 100 vjeçare.

 

Heshtja e heshtur, varfëria dhe vetmia,

Vuajtje, njëherësh me lindjen

Të panë sytë,

Mbi shpirtin tënd, kryet lart krenaria,

Me rritjen dhe pathyeshmërinë ngjitur

Portreti yt,

Prej Malësori,

Në sytë e tu, sinqeriteti dhe urtësia

Babai im fisnik...

 

 

Shuplaka m’u dogj.

 

M’u derdh malli

Si gacat e prushit

E në grushtin tim, kup-kup kërcasin “në mot”,

S’e di sesa do të më zgjasë ky mallë

Kur do të ikë nga unë

Kur do të më çlirojë.

 

U ndodhën dy bredha trupgjatë matan dritares sime

Që më fërfërijnë lehtë e sikur fluturojnë,

Përmbi çatitë e Bad Kisingenit

E kujtimin ma zgjuan,

Atë kujtim plot dhimtë.

 

U deshën këto dy bredha dhe cicërrimat e zogjve

Që po m’i përkujtojnë çdo ditë ato gdhëishta,

Ato ahishta e ato imshta

Që po më mbushin frymë,

Po më rrëmbejnë e po më çojnë…

Eh, ku s’po më çojnë

E ku po më kthejnë?

 

Po më kthejnë prapë aty,

Aty ku nuk desha të isha,

Aty ku vetëm një dritare kam përpara syve

E atë bredh kujtues, që po më sheh me dhimbje,

Nëpër degët e tij, qielli si i grisur po më duket

Si i pandlavun

E nëpër to, shiu i lotëve të mi pikon.

 

Kur zogjtë flatërimin sosin aty,

Si era vijnë tek unë e prapë largohen

Pa më thënë asnjë fjalë

Pa më dhënë asnjë lajm,

Përmbi kryet tim nisin flatërimin

Drejtë shtegëtimit hej se ku.

 

Po këta zogjë, me mua pse nuk flasin,

Me mua, pse nuk rrijnë?!

Ikin e si atë gjethe bredhi po më marrin

E bash si këto tufa bredhi dridhet kujtimi,

Se u bënë e shkuan si hije gjashtëdhjetë vjetë.

 

Gjashtëdhjetë vjet që fluturon ai kujtim

Lundron në qiellin e pafund

E s’kam sesi ta di se në cilën shkallë

Ka humbur,

Ku do ta gjej e kurë,

Ndoshta pas gjashtëmijë vjetësh do ta shoh…

Bad Kisingen 6 shtator 2010

 

 

Malli i madh lisin e tha

 

Oj kosovë m’dogje prej mallit,

Po m’ rrethojnë lulet n’Gjakovë,

Bash si i digjet zemra djalit,

Gjithmonë djegë asht zemra jonë.

 

Malli i madh lisin e tha,

Dilnim n’maje me u pa ju,

Por e keqja një t’mirë e ka

Njeri e ndjek mallin me hu.

 

Tash kur vijm’, mallin e shuajmë,

Zogjt na thrrasin për me folë,

Për me u pa tash ma nuk vuajmë,

Sa her’ duam me ardh n’Kosovë.

 

N’at Gjakovë un’ vi e rri

N’pik t’sabahit dielli kur bjen,

Flas me veti e flas me ty,

Kthehna e kqyri at Shkelzen.

 

Mall prej bjeshkve ku unë rri

Kangatartë që i knduen Kosovës

N’zemër mbeten që n’rini

Kangatartë e mdhej t’Gjakovës.

 

Disa janë, disa nuk janë

Gjithsesi me ta unë rri,

Tash Kosovs s’i thomë “matan”

Gjithandej i thomë Shqipni.

 

Po i shëtiti këto mahalla

Që unë emrin ja u kam ndie,

Dal pi kafe majë Çabratit

N’mahall t’Qylit unë bie.

 

At’herë i marr mahallat marë

Tuj e nis n’Mahall të Gacës

Ismet Pejës po i çova fjalë

Me u takue n’Mahall t’Honkes.

 

Prej aty n’Mahall t’Cullakve

Tutsh se marr n’thue pa hiri,

Nisna ngjitna kadaldalë

Dal n’çabrat Gjakovën kqyri.

 

Pemëshpirti

 

Me një sharrë e ndonjë daltë hekuri

Edhe me pyka druri e premë atë lis shekullor,

Një gjethe rrëshqiti duke rënë në tokë

E shkoj e ra mbi trungun e rrafshët

Gjërë e gjatë u shtri si në shtrat të vet.

Unë, po numëroj rrathët e pemëshpirtit

Me sharrë të prerë

Kur radha e numërimit erdhi te ajo gjethe e verdhë

Gjethe vjeshtore si pëllëmba e njerit

Që duket se thotë:

E kam zanë unë këtë truall.

E shtyva me kujdes të mos ia prish rehatinë,

Të mos ia prish gjumin

Në trupin e vet shtrirë, në vend t’vet.

 

Eeeeh, sa rrath paska pasë ky lis

Brenda lëkurës së rrudhosur

Të trupit të tij shekullor,

Mbi rrënjët dhe brenda jetës së tij,

Sa sëpata priti e sa rrebeshe u ndalën në atë trup

Sa borërat ndaluan në ato degë

E sa lot shiu rrodhën nëpër ato gjethe?

 

Në rrathë lisash, jeta ime shkruar

Vitet e mia brenda asaj lëkure

E në ato gjethe

Fryma ime pikon mallin,

Çdo gjethe nga grimë të shpirti tim

Plot rrathë

Ardhë nga rrënjët e tij

Prej stërgjyshëve të mij trashëguar

Pylli i shekujve të mi

Rradhitur prej brezash

Vizuar prej rrathësh…

 

2013, sa u ktheva prej ashtës së Rrogamit.

 

 

Po më thërret gurra

 

Po ma thërret gurra bjeshktarin

Diku larg humbur prej vitesh

Po ma thërret dashi çobanin

Moi çikëëmira, a po rritesh.

 

Po ma thërret kanga kangtarin

Tutsh se ndien Sali Syla

Edhe bjeshka po e thërret vrritarin

Bukur kndojnë ata bylbyla.

 

Del baçica po e mjel tamlin

Ul në shtrungë po e mbush kusinë

Ma çon kryet kur e ndien djalin

Kah i bjen fyellit mbi Meçinë.

 

Po ma ndjell dada ogiçin

Me za t’amël po i thërret dada

Kur e ndjell po ja lpinë gishtin

Lumja ajo për duratë e bardha.

 

Maja majës çka i ka thanë

G’dhënd mbi lisa e kam rininë

Vijnë vrritarët po i ngjesin gjanë

Përmbi gur përmbi çetinë

Përmbi renë që sjell vetimë.

 

Përmbi qiell mbi retë e holla

Përmi ne po vijnë sokola

Përmbi ne po fluturojnë

Ndjellin fat mbi bjeshkët tona.

 

Na bajn hijen përmbi stane

E po kqyrin si gjë prej fatit

Po ja u g’zojn zemrat çobane,

Kur po “fallen” n’telë t’ Lugbatit.

 

Janë memorje k’to kujtime

Dal pre zemrës flakë i ri

Ardh prej kohësh në mendime

Për me i shkrue aq sa t’di.

 

Zog Hysenaj 2009

ora 00.05 në Tiranë

 

 

E pyes veten, më pyet vetja

 

Shumë herë e pyes veten për atë vend ku unë linda

E shumë herë mendoj për të,

Shumë herë i them vetes

E shumë herë më thotë vetja mua.

Kthehem prapë dhe e pyes:

Si jeton njeriu në atë shpat të Geg-hysenit,

Krejt me pemë

Krejt me livadhe e ara

Krejtë të rrethuara me pyje e

Malet përmbi të, si roje

E vetja më kthehet e më thotë:

Kemi lindur e rritur aty

E aty-hja është vendi më i mirë në botë

Është më i miri.

 

Aty, e vetëm aty, e kërkund tjetër

Ngihesh frymë sa të nxanë mushkëritë

Ngihesh me ujë të ftoftë gurre,

Aty, nuri i fytyrës të zdrit.

Aty flasin kullat more djali i Gegysenit,

Flasin dy shqypet tona, simbol flamuri

A thua se ato janë edhe simboli kombëtar:

Shqiponja me dy krena

E bash aty e kanë shpinë-në Kala t’Lekës

Në Kodër të gjytetit të dyja

Bash përtej shpisë time,

Përditë pershëndeten me geg-husenasit e mi.

 

Aty, flasin malet

E takohesh me erën,

Rojen e shpirtit tim,

Që më merr këtu e më çon atje sa për mall

E prapë më kthen këtu tek shtëpia

Në Kodër të Qytetit.

 

Eh, po më shkon mendja se qenkam unë

Qytetari më i parë i kësaj bote,

Kur i shoh themelet qytetase

Të fshatit tim, me emrin qytet.

 

Do të shkruaj

Më të bukurat vargje mund t’i shkruaj për ty,

Siç do të shkruaj për më të mirat ditë tona,

Drithërueshëm do të shkruaj për të kaltërit sy,

Nëpër qiell sillet e më vjen ujëbukura Valbona.

 

Sa do të dëshiroja, të më doje nganjëherë,

Ndonjëherë të fluturoje ndër krahët e mi,

I dua sybukurit tu, mbi të mijtë mbjellë,

Në sytë e mi malli për bjeshkën, për ty.

 

Shkruaj vargjet se për ty, dhimta më dhemb

Dritë të bën zhurma në natën e yjësuar,

Kur vjen pranvera rrethohesh plot pemë,

Shkruaj për ty e s’ngopen duke shkruar.

 

Shpirti im vështron flladin, zërin tënd çdo natë,

Kah dirgjesh, sytë m’i ushqen me tërë shikimin,

Krejnisht gjarpëron Grykës shtati i Yt i gjatë,

Emri Yt, Valbonë, përherë ma zgjon kujtimin.

 

Herë si gërshet i malësisë, përshpinë lëshuar

Nëpër shpatullat e saj të shtrirë deri në tokë,

Herë më dukesh vaj i vashës me djalin dashuruar,

Valë loti dirgjesh faqes nga syri më i bukur në botë.

 

Nuk janë vargjet e fundit që Ty do të t’i shkruaj,

E fundit është dhimbja që përditë më shkakton,

E vetmja është vend-lindja që më bën të vuaj,

Monument i malsisë, lumi ynë, Valbonë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora