Kulturë
Resmi Osmani: Saga e Ajdhonatëve
E premte, 21.03.2014, 08:50 PM
Refleksione
SAGA
Vështrim i shkurtër i vëllimit të dytë të romanit “Çamëria klithmë e mbytur” të autorit Kadri Ali
NGA PROF. DR. RESMI OSMANI
U ndodha rastësisht në Durrës, në tryezën e shitjes së librave të shkrimtarit Kadri Ali, kur aty qëndroi një person në moshë të mesme, e uroi kadriun për romanin “Çamëria klithme e mbytur” që sapo e kishte mbaruar së lexuari dhe kërkoi të parapaguante për vëllimin e dytë, të cilin pasi ta botonte do t’ia postonte ne Kosovë.Tha se në roman kishte gjetur shumë gjëra të përbashkët për fatin dhe martirizimin e popullatave shqiptare të Kosovës dhe Çamërisë. Them se për çdo autor, ky do të ishte një rast fatlum, por edhe një detyrim. Në një kohë relativisht të shkurtërm pas afro tre muajve nga kjo ngjarje, vëllimi i dytë u përfundua dhe tashmë është në dorë të lexuesit. Romani shtjellon fatin e tre brezave të familjes së Ajdonatëve nga Paramithia, prandaj do ta quaja edhe “Saga e Ajdonatëve”.
Libri është vijimi i të parit: që në faqet e para shfaqet toka e djegur, qielli i përflakur, rrëkerat e gjakut që rrjedhin në truallin e Çamëërisë , lemeria, eksodi biblik, uria, sëmundjet dhe kosa e vdekjes që korr jetët e pafajshme. Në shpinë të tyre është turrur lukunia e ndjekësve zervistë, të etur për gjak, të egër, barbarë. Janë tre momente kulmore të egërsisë shtazore zerviste megalideiste: qershori në Paramithi,tetori në Filat dhe shkurti i vitit 1945 sërish në Filat. Nëntë muaj gjueti kundërnjerzore në hapësirën kohore dhe truallin e martirizuar të Çamërisë. Janë skena të vërteta, tabllo të pikturuara me gjak, gati natyraliste, që ngjallin impresione të forta e tronditëse, revoltë e dhimbje, që e bëjnë lexuesin të përjetojë atë tmerr. Dhe e gjithë kjo barbari mbi ta ngaqë ata janë shqiptarë! Në këtë gjëmë, e katrahurë të fundluftës, çamët u gjendën të pambrojtur, të vetëm, të braktisur e të tradhëtuar si nga trupat aleate por edhe nga vllezërit e një gjaku, që drejtonin formacionet e Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
Ngjarjet e librit të dytë zhvillohen në hpësirën trekëndore: Shqipëri, Greqi dhe SHBA. Në qendër të tij është fati i djemve të familjes Ajdhonati si simbol dhe përgjithësim i fatit të gjithë familjeve çame. Në Shqipëri, pasqyrohen perpjekjet per pershtatje dhe mbijetesë, lufta për bukën e gojës, në një mjedis të ri. Ndërsa populli i pret me ngrohtësi, pushteti shfaqet dyshues e mosbesues, dhe i konsinderonte qytetarë të dorës së dytë. Duket se ende si nje mallkim, ata i ndjek pas shpine urrejtja shoviniste greke. Në SHBA, ku emigron Ago Ajdhonati dhe ka një mërgatë çame, bëhen përpjekje për popullarizim dhe ndërkombëtarizim të problemit çam. Në greqi, degjenerimi i gjakprishurve suliotë nga propoganda fetare dhe gradimi e trajtimi I hierarkëve suliotë, duke i përdorur si repart sulmues për çlirimin e “Vorioepirit”.
Nga leximi i romanit “Çamëria klithmë e mbytur”, lexuesi,sidomos ai i brezit të ri, përveç ndjesisë dhe emocioneve që i japin trajtimi me mjetet e artit të ngjarjeve historike, do të gjejë edhe këto të vërteta se:
Ndaj popullatës shqiptare të besimit myslyman të Çamërisë, krahinë që ju dhurua Greqisë nga traktatet grabitqare të fuqive të mëdha, u u shtrua terror sitematik për ta shpopulluar këtë krahinë nga shqiptarët. Ky qëllim shovinist nuk kurseu asnjë mjet e mundësi. Kulmi ishte vera e vitit 1944 që u shndërrua në genocidin më të egër të fundluftës se Dytë Botrore e që në roman pasqyrohet besnikërisht. Nga vrasjet, masakrat, dhuna, sëmundjet,uria, vuajtjet, u shuan afro pesë mijë jetë njerzore, te nje popullsie qe arrinte ne afro tridhjetë mijë njerëz.Në çdo gjashtë njerëz një u masakrua. Pati familje që u shuan. Është një borxh gjaku, për të cilin Greqia ende s’ka kërkuar falje dhe me cinizëm e konsideron të paqenë.
Që regjimi komunist i pa çamët me sytë e njerkës, i trajtoi si qytetarë të dorës së dytë,u përpoq t’i përdorte si mish për top në luftën civile të greqisë, i internoi dhe burgosi. Në vitet 60-të, me procese fallco e të montuara, për qëllime të mbrapshta politike, dënoi dhe pushkatoi një pjesë të kuadrove të dalë nga kjo krahinë dhe bëri që në opinion të përhapej një mendim jo i mirë dhe çamët të shiheshin shtrembër si komplotistë dhe një e keqe politike që rrezikonte arritjet socialiste!
Se pjestarët e komunitetit çam, si një popullsi vitale, puntore dhe e taletuar, u integruan shpejt dhe e gjetën veten në mes shoqërisë së kohës duke dhënë ndihmesën me punën dhe angazhimin e tyre në tërë sferat e jetës shoqërore, ekonomike, kulturore e artistike . Me kujtesën historike, mallin dhe dashurinë për krahinën e tyre, trashëgiminë kulturore, këngët, doket, vallet, veshjet ata ditën dhe po dijnë të rrëfejnë vlerat e vërteta të asaj krahine të robëruar dhe të mbajnë gjall e të përcjellin edhe në brezat e rinj dashurinë për Çamërinë e bukur e të shtrenjte.
Te binden se në Çamërinë e sotme, të shpopulluar nga shqiptarët myslymanë, mbi popullsinë shqiptare ortodokse të mbetur, kisha ortodokse greke, organizatat vorioepirote dhe tërë mekanizmat e shtetit grek, punojnë ethshëm për të shrrënjosur ndjenjën e të qënit shqiptar , të ndalojnë përdorimin e gjuhës së tyre të bukur shqipe, e që ata të ndjehen grekë. Greqia është i vetmi shtet që nuk njeh minoritetet.
Nga shfletimi i faqeve të këtij romani, lexuesit i forcohet bindja se kauza çame, që kërkon kthimin e pronave dhe të popullatës në trojet e saj, atje ku janë rrënjët e saj historike, mbi bazën e të drejtave universale të njeriut, në një Europë demokratike, është një e drejtë e patjetërsueshme, për të cilën duhet të angazhohet i tërë kombi dhe tërë shqiptarët kudo që janë.
Parë mbi bazën e këtyre këndvështrimeve, romani “Çamëria klithmë e mbytur”, përveçse është një arritje e autorit, vjen në duart e lexuesit kur çështja çame nga dita në ditë po shtrohet më me forcë si një alternativë kombëtare që kërkon zgjidhje.
Autori u detyrohet lexuesve tu japë në dorë edhe vëllimin e tretë i cili do të mbyllë këtë roman që unë e quajta edhe “Saga e Ajdhonatëve”. Urojmë dhe shpresojmë që romani të përfundohet shpejt.