E enjte, 18.04.2024, 07:29 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Kthimi i Migjenit dhe ikja e dëshmorit

E enjte, 20.03.2014, 09:00 PM


Sh p ë r p u th j e

Sejdi BERISHA:

KONFLIKTI ME VETVETEN, KTHIMI I MIGJENIT DHE IKJA E DËSHMORIT...!

Duke shëtitur në thellësitë e pyllit, u lodha dhe u ula në mes dy lisave të gjatë, për të pushuar pakëz, dhe për ta kursyer mendjen. Isha mbështetur në njërin prej lisave, dhe i kisha shtrirë këmbët e lodhura drejtë lisit tjetër... Desh sa nuk më zuri gjumi në mes dy lisave, por, duke i shprushur disa gjethe vjeshte që kishin filluar të kalben edhe të marrin erë myku e vjetërsie, hasa në një gur pak sa më të madh, dhe kah nuk m’u tretë mendja! U shndërrova në gërmues toke, apo edhe në arkeolog. Me gjasë ishte një varrë nuk di i cilës kohë, por në mes dy lisave, dukej, eshtrat ishin tkurrur aq shumë, apo nuk e kishin lënë që as për së vdekuri t’i shtrijë këmbët, njeriu! Tash, siç e kam zakon. Dot nuk rehatohem me mendjen time dhe meditoj për historinë e këtyre dy lisave, për varrin e shkurtër në mes tyre. Shëtisë e shëtisë duke i rrahur të gjitha rrugët, të gjitha periudhat, por gjithnjë e më shumë më përzihen eshtrat, dhe dot nuk ka kush t’ua qëllojë. Por, edhe ky mendim është përrallë apo çmenduri imja. Kjo kohë pushimi në mes pyllit, kishte bërë që të hy në gjumë të thellë, duke u ngatërruar me shumë ëndrra e përralla... Sa keq, them nganjëherë, që kaq shumë më zënë pisk mendimet, të cilat më sjellin në konflikt edhe me vetveten...

_________________

1.

Diku, në një vend, as vetë nuk e di se ku, në mes një “arene” barojash të cilat i kishin përplasë dhe okupuar varrezat, u inatosa dhe u ndala pranë një varri pa pllakë as pa ndonjë shenjë orientimi. U përkula, dhe për një kohë mendjen solla vërdallë tij. Nuk e di se ku i binte, a tek këmbët apo tek koka ishte e hapur një vrimë, që kishte të ngjarë është far strofulli apo far “shtëpizash” të kafshëve të egra. E hapa edhe një grimë këtë vrimë dhe papritmas, me ngërdhuzje dhëmbësh doli nga aty një dhelpër e kuqërremtë dhe me bisht çufër! Iku duke kthyer kokën kah unë sikur të donte të më thoshte që të kam kujdes, mos të ia prish rehatinë në “shtëpinë” e vetë...

Varrin e hapa të tërin, të cilit, as dërrasat e kalbura nuk i kishin mbetur. Por, çfarë ishte edhe më me rëndësi, as eshtrat e as gjurmë e tyre nuk përftonte askund. U zemërova pamasë, sepse, m’u kujtua rrëfimi i babait për shumë varreza të zbrazëta, atëherë,... kaherë... shumë kaherë! Ma rënduan mendjen edhe njerëzit e pagjetur... Po, ç’është kjo punë or Zot, gjithmonë me këtë plagë jete, njerëzit e përballojnë rrugëtimin, e ndërtojnë kullën e kallëzimeve të trishtuara të gjeneratave. Tash, u bëra shëtitës i çdo varreze, dhe e dija se ndoshta edhe do të gaboja edhe në veprime. Shikova e shikova, por mendimin sikur ma gërryente “kënga” monotone e gjinkallave, e cila përzihej edhe me zukatjen e mizave dhe të murrjelave.

-Pse, këto varreza janë vetëm varr i kujtimeve?! –më krisi mendja nga shumë pyetje pa përgjigje. Ashtu, si i çmendur si përherë, mora rrugë e rrugë. Në një cep mali, më zuri sërish gjumi. Me ëndrra  plotë e plotë.

Nuk e di se a ishte ëndërr apo jo, por këtë gjykojeni vetë. Dy trupa-skelete, kishin dalë nga varret e tyre, kush e di se kush kishin qenë, dhe po bisedonin në mes vete.

-A të marrim rrugë dhe të shëtisim pakëz nëpër dynjanë tonë?

-Nuk di... A mos frikohen njerëzit nga eshtrat tanë?!

-Jo, ore! Nuk na sheh dot kush.

-Po, mos t’i lëmë bosh varret, sepse, atëherë hapën fjalë e rrena të ndryshme...

-Ecim!... Së pari po shkojmë në fshatin tënd, atje ku ke jetuar...

-Po, kam frikë se do mërzitëm. Megjithatë, shkojmë...

...

Fshati i njëjtë, ai i cili kishte qenë. Qetësi dhe heshtje varri.

-A të kam thënë se do të përmallohem...

-Pse?!

-Mik, nuk paska lëvizur gjë,... Shtëpitë-kasolle, rrugët, si ato dhiaret...!

-Ja, qenkan do fshatar atje. Të shkojmë e të bisedojmë me ta...

Ishin afruar eshtrat e dy trupave të pushuar nga jeta në periudha të ndryshme afër fshatarëve, të cilët dukeshin si të vrarë lie dhe me peshë malli kurbeti. Tash, nga eshtrat, dukeshin dy burra shtathedhur, të cilëve u vinte aromë dheu të kësaj toke.

-Mirëdita, o burra!...

-Tungjatjeta, o jabanxhi! Ç’u solli puna këtej pari?!

- Jo, vetëm deshëm ta vizitojmë këtë fshat. Unë e kam dashur shumë...

-Si?!...

Nuk kishin vazhduar më tej për sqarime, por nisen bisedën:

-Në këtë fshat ka qenë dikur një shkollë,... me dyer të vjetra e me dritare të mbyllura me copa letre...

-Po, po... -fshatarët përgjigjeshin shkurtë.

-Ka pasur nxënës, këtu?!

-Po!...

-Edhe mësues?!

-Po, pooo...

Ja, ku janë atje, gërmadhat e saj...

Dy trupat shtathedhur hyn brenda gërmadhave së bashku me ata pak fshatarë.

-Po e hetoj frymën e atyre nxënësve, me harrna plot por edhe me opinga-tullumba... -iu drejtua shokut të vetë trupi i hajthëm dhe i ligshtë, njësoj si atëherë kur ka qenë.

-Ke të drejtë. Sa kohë u ke dhënë dituri...

-A ka qenë një mësues i ligshtë, asht e lëkurë?!

-Po, po. Bile ka qenë i sëmurë, me një kollë të keqe!...

-Aha,... A e ka pasur edhe një biçikletë?

-Po! Bile, gjithnjë kur mbante mësim, e mbështeste për muri, afër derës së shkollës...

-Po, ku janë tash banorët e këtushëm. Nuk paska ndryshuar gjë...

- Ne, nuk dimë gjë për këtë... -u përgjigjen fshatarët dhe kthyen shpinën duke ikur nga gërmadhat e shkollës.

Trupi shtathedhur por i hajthëm, e rroki për dore shokun e vetë, dhe se ku i mori lotët që i nxori, nuk e di. Duke u larguar nga ky vend, u kërcëllonin eshtrat duke shtrënguar trupin nga nervozizmi.

2.

Pak më larg, i takuan edhe disa banorë tjerë që i kishin ngarkuar me barrë gomarët e tyre, dhe iu kujtuan edhe ato ditët e tij të mësuesisë. Çfarë nuk i sillej në kokë.

-Mos i ngarkoni kaq shumë gomarët!...

Fshatarët shikuan brijshëm dhe asnjëri nuk e tha asnjë fjalë. Kurse, shtathedhuri thatak, ua drodhi:

-A e shihni se u janë dëmtuar thundrat. E vëreni, disa, as shurrën nuk po mund ta mbajnë nga barrët e rënda... Ende bartni dru me ta?! Dhe desha t’u pyes: a keni shporet, se oxhaqet nuk po u tymojnë...!

-Disa kanë ikur jashtë për kafshatë goje, e disa për shkak të gjakmarrjes...!

Prapë, trupi shtathedhur u zhgreh në vaje. Kurse ata ikën si të mos kishin qenë...!

E unë, edhe tash pedatesha me problemet e tyre!...

3.

-E tash, eja ti me mua në atë vendlindjen time! -i tha trupi shtathedhur dhe muskulor, dhe vazhdoi: Atje ka qenë një luftë e rreptë. Diellin e dëshironim ta kemi në gji... Po kupton?!

-Po, shpjegoma pak më afër! Sepse, unë ka kohë që kam ikur, e nuk di se si kanë shkuar punët...

-Ja, ta shpjegoj unë. Atje, në Dukagjinin tim, e kemi sjellë lirinë... në Kosovë, më! Dhe, të them të drejtën, mëzi po pres të shkoj deri tek shtëpia ime,... të shoh se si po jeton familja. Por, të lutëm, nuk do të dukemi. Pra, krejt ashtu, si në fshatin tënd.

Kishin marrë krahët e shqiponjës dhe kishin zbritur mbi fshatin e trupit shtathedhur muskulor. U ndalen në hyrje të tij, dhe u morën vesh se nuk do të dukeshin. Gjatë rrugës, edhe pse ishte vonë, diku mesnatë, të dytë shikonin çdo pjesë fshati, që bukur shumë ishte ngjallur që nga përfundimi i luftës. Në të afruar tek shtëpia e vetë, trupi muskulor, u ndal, e puthi pragun e derës së oborrit, e cila tani nuk ekzistonte. Kur hyri brenda në oborr, shikoi përreth. Çdo gjë dukej shkret. Shtëpia ishte gjysmë e djegur dhe e rrënuar, por ky njeri as tash nuk u dorëzua, edhe pse nga hidhërimi i kërcëllonin edhe dhëmbët, edhe eshtrat. Si puhizë ere hyri brenda në të vetmen dhomë, ku ishte duke  fjetur bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij. Të gjithë dukeshin shëndosh si molla, edhe pse me jorgan të leckosur dhe me disa batanije të falura mbuluar.

I shikoi gjatë e gjatë, dhe sikur i shpëtoi fjala:

-Ani, edhe kështu do rriteni shëndosh e me amanetin e babait për ndershmëri e fisnikëri.... U rritshi si ua do zemra,... Të faleminderit nënë e fëmijëve për shëndetin dhe jetën e dëlirtë të fëmijëve. Besoj se një kafshatë bukë do ta fitoni për ta ngrënë pa hile dhe me ballë të hapur... -ra në gjunjë dhe i përqafoi të tre fëmijët, kurse gruas ia puthi vetëm ballin. Pastaj u ngrit, dhe sikur ishte i etur dhe me grusht piu ujë apo lot, nuk e di.

Në të dalë prej derës së oborrit, e shikoi edhe njëherë shtëpinë, pastaj ia ktheu shpinën, duke e shikuar lartë në qiell hënën, e cila kishte lëshuar rreze të çuditshme.

Ikën nga fshati, duke pyetur njëri-tjetrin se tash kah t’ia mbajnë. Të zemëruar, u shikuan gjatë e gjatë, dhe të dytë si të një mendimit thanë:

-Tash, po i kthejmë eshtrat tanë, secili në varrin e vetë!

-Jo! -tha trupi muskulor. -Unë do t’i treti eshtrat e mi... le të mbetët varri i zbrazët, sikurse kanë ngelur edhe shumë e shumë të tjerë!...

-Nëse do, po shkojmë në varrin tim. Po jetojmë së bashku! -tha trupi shtathedhur por thatak.

-Jo...! -ishte pak i zemëruar muskulori.

-Atëherë e kam edhe një propozim.

-Thuaje!...

-Po presim derisa të hapen gjellëtoret, dhe po e hamë nga një somun me qebapë, por e di ti...

-Si?!

-Në xham po i shikojmë... kinse po i hamë me të vërtetë... Më kujtohet, kështu shpeshherë kam bërë. Por, ka qenë kjo dikur...

-A, edhe sot të veprojmë kështu, a?!...

Të dytë ngelën pa përgjigje...

4.

Duke ecur, nuk dinin se a ishin në rrugë, këmbësore, në mal me therra, në greminë apo në çfarë tjetër. Kështu, një kohë nuk folën me njëri-tjetrin, dhe sikur krijohej përshtypja se do t’i japin fund rrugëtimit të përbashkët. Do të hidhërohen në mes vete, ashtu siç e ka zakon njeriu ynë. Por, jo. Trupi shtathedhur muskulor i drejtohet mikut të vetë:

-Prit!... Të kthejmë pak tek ai kontejneri. Atje, qenkan mbledhur shumë njerëz. Ndoshta janë duke bërë gara se cili do grabisë më shumë copa buke të hedhura...

-Lëre or,... mos ma përmend bukën!... Rrëqethem kur e përmend dikush bukën...

Padiktueshëm u afruan, por kuptohet, pa i hetuar kush këto dy hije, këta dy palë eshtra prej periudhash të ndryshme.

-Shih, shih...! Po duket si një foshnje e hedhur, e jo bukë?!!

-Po, si mund të ndodhë kështu...

-Ndodhë, ndodhë,... Nuk është pra luftë për bukë!

Trupi shtathedhur i thatë-krande, u afrua edhe pak, dhe e dikton se si macja nuk i shkapet dot foshnjës, duke ia shndukur nga një copë mish... -luajti kobshëm kokën dhe iu afrua kontejnerit duke kërkuar ndonjë copë bukë. Foshnja sikur nuk i bëri përshtypje. Këtë temë, po ua lë ata ta komentojnë atje... prej nga kanë dalë, në varret e tyre.

-Mik i dashur, ti sikur po ma kujton Migjenin,... Atë poetin që ka punuar në shkollën që e vizituam. -iu drejtua shokut thatak.

-Po, a?!!... A ka qenë mësues i mirë...? -e pyeti dhe iu përgjigj përnjëherësh si me ironi.

-Thonë se vargjet e tij, edhe sot i di secili njeri, secili nxënës e student...

-A kishte biçikletë?... -e provokon muskulori.

-Po!... Pa te, askund nuk ka shkuar...

-Shih, shih, me të vërtetë edhe tash po më dukesh si të ishe Migjeni!... -thataku nuk u përgjigj, por vetëm ia rrahu krahët, kurse, lotët ia përlanë eshtrat e dërrasës së gjoksit.

Edhe nga këtu u larguan, duke u ngarkuar me probleme e me detyrime analizash, të cilat përherë na kanë munguar e na mungojnë.

-Shih, ore!... Foshnja në kontejner?! Pa, pa pa,... ku kemi arritur! -u nisën plotë zemërim, dhe sërish nuk kishin cak.

Interesant. Si pa lidhje m’u kujtua; njëherë një shok, deri sa pushonte në dhomën e një hoteli, në mëngjes më pat thënë:

-Si nata e varrit më dukej në atë shtrat...!

Ky mendim dukej domethënës, por nuk di si ta shpjegoj. Dhe, pse m’u kujtua bash në këtë moment...?!

Por jam i sigurt se prej këtij momenti, nuk dihet asnjëherë se ku pushojnë tash eshtrat këtyre dy trupave me frymën dhe gjakun e kësaj toke kryeneçe dhe hujnike, të rritur e sërish të dhuruar këtij dheu në periudha interesante kohore...! Por, para se të zhdukeshin apo të iknin, të dy bashkudhëtarët kishin ngelur një kohë të gjatë duke e përcjellë, herë njëri deri tek varri i tjetrit, e herë ky tjetri deri tek varri i atij të dytit. Ndoshta ishin dehur, kush e di se me çfarë, por më në fund i lanë varret pa eshtra. Thanë: do rrimë të përqafuar deri sa engjëjt nuk zbresin nga qielli... Kur të vijnë, atëherë ne do t’ua sjellim lajmin për çmendurinë e botës...!

5.

Ka edhe shumë çudira të tjera. Por, njeriu duhet të dijë t’i shtrojë ato mirë e pëlqyeshëm. Më ra ndërmend edhe një vaki: pas shtatëdhjetë vjetësh, vajza takohet me të ëmën... Merrje me mend, vajza kërkon të ëmën, e cila e kishte braktisur po sa kishte ardhur në këtë botë... Por, tash këtë “përrallë” komentojeni vetë, sikurse edhe shumë gjëra të tjera. Kuptojeni se çfarë odisejade jete, dhembjeje, malli e etje e njeriut për prindin. Del rrëfim i bukur ky “roman” jete. Më tregoni kur t’i bini në fund kësaj përralle, por keni kujdes për ankthin e makthin...



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora