E diele, 19.05.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Kur Zoti sjellë dhuratë

E hene, 17.03.2014, 08:23 PM


KUR ZOTI SJELLË DHURATË

Nga Ryzhdi Baloku

Derisa po zbriste shkallëve brenda shtëpisë, e dëgjoi një zë që thërriste, por jo aq kthjellët sa të kuptonte se kush ishte. Me të arritur te mesi i oborrit, serish e dëgjoi atë zë, por kësaj here e dalloi qartë edhe shqiptimin e fjalëve kur thirri:

- O Sokol Malësori, a je aty?!

Iu duk zë i njohshëm dhe fill iu përgjigj:

- Po-po, këtu jam, vetëm ule dorezën e shtyje derën se s’është e mbyllur.

Me t’u hapur dera, u pa figura e Micit, ndërsa mbrapa tij Elezi, një shok nga Drenica, me të cilin Sokoli e kishte kryer shërbimin ushtarak në të njëjtën kazermë.

Sapo hynë në oborr, Mici ia priti:

- A je gjallë o Sokol Malësori?

- Besa, gjallë e i fortë, - iu përgjigj dhe vazhdoi: - Po ejani të hyjmë brenda se më paska marr malli me ju pa.

- Ta solla një shok që se ke parë prej kohësh, - foli Mici sa për t’ia nisur bisedës.

- Po më duket se ky të solli ty, - ia ktheu Sokoli me një buzëqeshje të lehtë, ndërkaq Elezi në vend të përgjigjes tundi kokën si shenjë pohimi se ashtu ishte.

Pasi u takuan me shtrirje e shtrëngim duarsh dhe marrje ngryk, Sokoli iu vuri pëllëmbët e duarve përmbi supe të dyve përnjëherë, si shenjë dashamirësie për ardhjen e tyre.

Derisa po ecnin oborrit në drejtim të shtëpisë, Sokoli i pyeti: Po si jeni o burrat e dheut, si i keni familjet?

- Mirë Sokol mirë, - ia ktheu nxitimthi Mici, ndërkaq Elezi heshti duke e marrë një qëndrim si në kujtesë.

- Po ti Elez Dreni si je më shëndet, si e ke familjen? – ia drodhi Sokoli sërish me pyetje.

- Ka dashtë Zoti familja është mirë, por edhe unë s’jam keq, - iu përgjigj ai.

- Shyqyr Elez, shyqyr. Shëndeti është dhuratë e Zotit, - ia ktheu Sokoli dhe vazhdoi: - ejani të hyjmë brenda, se atje do të bëjmë bisedë për së çlirëti.

Gjatë kësaj kohe, e reja Tringa, vajti te vjehrra, Zoja, që posa e kishte përgatitur hallvën, por ende nuk e kishte zbrazur në pjata. Kur Tringa i pa mysafirët nga dritarja në oborr, ia solli vjehrrës edhe dy pjata për ta. Zoja e shpërndau hallvën në pesë pjesë të barabarta, secilës prej tyre ia vuri përsipër nga disa thelpinj arrash të çara përgjysmë.

Meqë Zoja dhe reja duhej të takoheshin me mysafirë, shfrytëzuan rastin që në të njëjtën kohë edhe t’i shërbenin, që pastaj t’i linin vetëm për të biseduar lirshëm.

Si u larguan ato, muhabeti mes shokëve të vjetër nisi menjëherë.

Sa për t’ia filluar bisedës, Sokoli pyeti:

- Elez Dreni, a hoqe keq rrugës?

- Thënë të drejtën jo, - iu përgjigj ai, mandej u mendua pak dhe vazhdoi: - Erdha me tren, për ca punë të kushëriri këtu. Mbasi mbarova punët që i kisha, shikova orën. Deri në kohën e nisjes së trenit për andej më kishte ngelur aq kohë sa për t’iu vizituar juve. Shkova te Mici për ta ftuar që së bashku të vinim te ti. Përkundër lutjeve që m’i bëri, s’hyra brenda në shtëpinë e tij, doja që ta shfrytëzoja kohën për t’iu vizituar të dyve.

- Mos na korit o burri dheut, konakun sonte do ta bësh këtu, - ia priti Sokoli.

- Jo miku im, më duhet të kthehem, madje derisa po ecnim rrugës i tregova Micit se nuk e kam punën të rri më gjatë.

Për ta ndërruar kahen e bisedës që koha mos t’u shkonte kot, ndërhyri Mici:

- O Sokol Malësori, a mos po feston rënien e Rankoviçit nga pushteti, që na sollët hallvë.

- Pikërisht kjo është arsyeja. Si e dëgjova këtë lajm në radio, i thash Zojës që për këtë sihariq, duhet festuar patjetër me hallvë.

Posa i dëgjoi këto fjalë, Elezi brofi në këmbë, dhe me një zë hareje iu tha:

- Ngrihuni njëherë në këmbë o burra, t’ju përqafoj për këtë lajm kaq të gëzueshëm.

Pasi u morën ngryk e u përqafuan që të tretë mes vete, serish u ulën përballë njeri tjetrit. Bisedën e rifilloi Sokoli:

- “Kush ia bën gropën tjetrit, ia hap varrin vetit”. Aleksandar Rankoviçi e kishte përgatitur humbellën për ne, por në fund ai vetë ra në të. Nga lajmi që u dha në radio, kuptova se nuk e kishin burgosur atë kriminel. Megjithatë, për mendimin tim, politika e tij ka vdekur që nga dita e sotshme dhe tash e tutje shqiptarët do të frymojnë më lirshëm.

- Po mirë Sokol, a s’ishte Tito mu ai person që bëri marrëveshje, me përfaqësuesin e qeverisë turke për t’i shpërngulur shqiptarët atje ku dreqi bën vezë, në tokat e Anadollit?!

- Pajtohem me ty miku im i shtrenjtë. Është një e vërtetë e pamohueshme kjo që e the, por një sentencë e lashtë thotë: “Nëse Zoti të sjellë dhuratë  është  fat, por nëse di ta përdorësh është zotësi”. Kjo që tashmë ka ndodhur, për ne është një “dhuratë nga Zoti”, të cilën duhet ta shfrytëzojmë me mençuri në dobi të aspiratave tona. Mendoj se në këto rrethana, koniunktura e tanishme jugosllave, për ta ruajtur stabilitetin e brendshëm, do të detyrohet ta ndërrojë këtë politikë dhune me një klimë paksa më të butë ndaj shqiptarëve, që t’i tregojë botës se qeveria e këtij shteti, qytetarët e vet i trajton në mënyrë të barabartë. Po ashtu, për ta krijuar një imazh të ri për veten dhe shtetin, Mareshali Tito do të përpiqet ta pastrojë veten nga politika diskriminuese njëzetvjeçare ndaj shqiptarëve, duke ia hedhur tërë fajin Rankoviçit. Udhëheqësit shqiptarë duhet ta shfrytëzojnë këtë klimë politike, për ta kërkuar të drejtën e kombit shtet-formues, siç i kanë edhe të tjerët në këtë federatë, sepse kështu e kemi më lehtë të shkëputemi nga ta.

- Mirë e ke Sokol, - ndërhyri Mici. – Por, sa kam mundur deri tash të shoh, mund të them lirisht se udhëheqësit tanë shqiptarë nuk kanë ditur të bëjnë politikë, e as t’i shfrytëzojnë momentet për të cilat ti po flet. Lirisht mund të them se këta në asnjë çast nuk e kanë mbrojtur këtë popullatë martire nga dhuna shtetërore. Derisa në njërën anë popullata shqiptare detyrohej të shpërngulej përditë për t’i ikur zullumit, në anën tjetër ky vend mbushej me kolonë që vinin nga Hercegovina, Serbia e Mali i Zi. Rapsodi popullor e përshkruan shumë bukur situatën në të cilën ndodhen shqiptarët e Kosovës në vargjet e këngës kur thotë: “Pren Bib Doda prej Plançorit, po ia ndërton shtëpinë cërnagorit, jo me hatër por me çykë t’ zorit”. Eksodi i shqiptarëve ende po vazhdon, ndërsa udhëheqësit tanë shqiptarë i kanë futur veshët në lesh si struci kokën në rërë. Më thuaj atëherë o Sokol Malësori, çfarë mund të presim prej tyre?!

Sokoli për një çast heshti, saqë u duk si të ishte zënë ngushtë nga faktet që i prezantoi Mici, por pas një kujtese të shkurtër iu përgjigj:

- Pajtohem shoku im i nderuar, por mos harro se edhe udhëheqësit tanë shqiptarë fort mirë e dinë, po që se edhe tash nuk veprojnë, një ditë do t’i “ha furra” edhe ata. Më duhet t’ju tregoj një mesele që të më kuptoni se çfarë po dua t’u them: - Dikur  shqiptarët e besimit islam kur shkonin për haxhillëk, udhëtimin për në Arabi e bënin me kuaj e deve, asokohe s’kishte mjete tjera udhëtimi, pos disave të cilët dëshironin për ta shkurtuar rrugën, një pjesë të këtij udhëtimi e bënin me anije. Gjatë rrugës ata hasnin në peripeci të shumta, e sidomos me rastin e udhëtimit nëpër shkretëtirë, ku shpeshherë ka ndodhur që plaçkitësit të mbijnë nga rëra, dhe me një shpejtësi të paparë t’i fusin karvanët në rrethim. Në këto raste ka ndodhur që pelegrinët të plaçkiten e vriten nga cubat arabë. Ata që vdisnin gjatë atij rrugëtimi fetar, i quanin “shehidë”, që në gjuhën shqipe do të thotë martirë, të cilëve madje s’u dihej as varri. Ma merr mendja se i emërtonin me këtë epitet sa për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen familjarëve. Për t’u mbrojtur nga këta plaçkitës, pelegrinët angazhonin përcjellës të armatosur si roje me pagesë. Me një rast, cubat arabë pasi ua marrin plaçkën pelegrinëve, i detyrojnë të zhvishen duke ua lënë vetëm brekët në trup. Derisa plaçkitësit e luanin lojën “macja-miu” me ta, sa për t’i denigruar, njëri prej pelegrinëve që e zotëronte gjuhen arabe i përgjërohet rojës me fjalët: “Arab, o arab, pashë të madhin Zot lëviz pak se u kemi paguar me ari për të na mbrojtur”! Përkundër misionit mbrojtës që kishin rojat arabe, asnjëri nga ta s’bëzante e as s’lëvizte nga vendi, si të ishin mumie, edhe pse i kishin pushkët në krah. Mirëpo, për fat, njëri nga cubat i afrohet kryesorit të rojeve me kapadaillëk e ia prek prapanicën, me qëllim që ta përçmojë. Ai hidhërohet shumë. E nxjerr revolen nga nënsqetulla e ia drejton cubit te tëmthi, por edhe rojtarët tjerë përcjellës menjëherë i ngrehin pushkët e ua drejtojnë cubave që rinin përreth, të cilët pastaj detyrohen që t’ia mbathin duke i lënë të gjitha plaçkat e grabitura. Pas kësaj skene, dikush nga karvani i pelegrinëve kishte pas thënë: “Mos t’ia preku cubi bythën arabit, patëm me i lënë eshtrat në shkretëtirë”. Po dua  t’ju them se edhe udhëheqësit shqiptarë nën këtë regjim janë si rojat e pelegrinëve, të cilëve tani u ka  ardhur rasti që ta ngritin tytën.

Kur Sokoli përfundoi rrëfimin, ndërhyri Elezi:

- O Sokol Malësori, ju ardhsha gjithmonë për të mirë. E kam kohën për të ikur, sepse së paku gjysmë ore më duhet të eci këmbë për të arritur te stacioni hekurudhor.

- Rri sonte se s’bëhet nami, – tha Sokoli.

- Mos më ngushto miku im, se nuk e kam punën të rri, - iu përgjigj Elezi pasi u ngrit në këmbë për të dalë jashtë.



(Vota: 23 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora