E hene, 29.04.2024, 06:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Zog Hysenaj: Dielli lind ndryshe në Geg-hysen

E shtune, 15.03.2014, 08:53 PM


Zog Hysenaj

 

Dielli lind ndryshe në Geg-hysen

 

E kam thënë gjithmonë, dhe jo vetëm atëherë

kur e pashë lindjen time ma s’pari e ma:

E qiti syrin ai diell atëbotë

diku midis Bregut të Geg-hysenit

e Qafës së Luzhës e

sikur më gjuante mua me ato rreze

qw më vinin drejtë e në sy,

më duket edhe sot e kësaj dite

se po shihja vetë lindjen time.

 

Ngrihem edhe tash, si atëherë,

pa asnjë larë drite, që i thonë, “vi drite”

dal në Kodër të Gjytetit

te kodrinëza ku është Kalaja e Lekës,

aty u afrohem rrënojave të kalasë së moçme,

mbështetur a ngulur mbi atë shkëmb

mbështetem mbi ato mure

e dorën e vendos mbi sy si strehë,

pres ta shoh

e ta fërkoj syrin e diellit,

si një sy fëmije i sapozgjuar

atë sy të madh që lëshon rreze jete

kur i shpërthejnë dritat e mallit

në lulëzimin e lëndinave të shpirtit.

 

Dielli sikur e di edhe vetë

se s’mund të zgjohet përpara meje e

aty,vetëm aty,

më bën të ndjehem si bir i lirisë,

si zog i çelur prej vezëve të diellit...

 

Një zog,

nga Stomat e Sundes nis këngëzimin

dhe mua më duket se ai zog jam unë...

 

Prapë si atëherë e rrëmbyeshëm

si atëherë... kur shkrep dielli,

mua s’më gjen në shtrat,

ngrihem dhe e pres tërë ditën

(e gjatë ose e shkurtë) derisa të përbirojë

përtej ku puthet qielli me majën e Kores,

përtej matanditës…

 

A mund ta quaj përshëndetje

 

Te dera e oborrit të shtëpisë

sa të kollitem, më del dhe më pret qeni,

qeni i murrëm me emrin Samurr,

më pritka Samurri me një përshëndetje

që në gjuhën e tij, i themi lehje

e ndryshe s’mund t’i them fjalës së qenit ham,

nganjëherë ham-ham

e shumëherë m’i lëshon me breshëri

ham-ham-ham-ham-ham,

që, unë po e quaj përshëndetje,

një përshëndetje e zakonshme qençe,

e qençe s’dua ta quaj,

tund bishtin, më fërkon këmbët e

me një kafshim të lehtë e lehje të butë

si për shenjë njohjeje me mua,

ose si mik i kahershëm,

larguar hej se kurw, e

sërish të njohur...

s’e di se pse më shkrepet në kujtesë

që m’u ringjall ”Samurri”

i fëminisë së largët

që nga zinxhirët nuk mund ta zgidhja

dhe që për mua,

edhe ujkut i hidhej në fyt.

1997, në Geh-hysen

 

U bënë shumë vjet pa u ulë në atë rrasë

 

S’e di kush, as unë s’e di

sa mijëvjeçarë u bënë që atëherë,

kur në breg të lumit mbiu fshati im,

që atëherë mbiu si një shkëmb shtatmadh

e me rrwnjwt në ujë, lëshoi shtat,

në ujin e lumit që ndoshta që atëherë

i thonë Valbonë,

me këmbë në ujë e me krye në re

e në këmbë më duket se qëndron.

 

Ndoshta, ndoshta e pa ndoshta,

si shenjë qëndrese i djelve t’Geg-hysenit

diku afër Kodrës së Gjytetit

te Kalaja,

është ulur për të pushuar,

(me rrënjë në tokë të vet)

kulla ime mbi 200 vjeçe,

Mani, po aq plak në oborrin e saj

si një lule në shpirt të asaj kulle.

 

Shpirti po më thotë të më shkelë këmba

në Geg-hysen edhe një herë,

të thithi ajërin

e ujë në ato burime të pi

ta shterroj krejt Kronin e Avdylit,

sikur po marr erë lulesh,

m’u banë shumë vjet pa u ulur në atë rrasë

nën hijen e tij e pa ia ngrënë manat

e mëdhenj e plot lëng shërues,

në atë rrasë në prehër të manit

tw ulem si im atë,

si babai i tij e deri te i pari që e mbolli.

 

Me fletoren e vjershave në dorë

të humbja e të tretesha krejt në shpirtin e tyre.

 

Të ndalem pak edhe te ai gji mali,

kufiri i tij-qielli,

aty ku i thonë buxhil, në prehërin e Kores…

te Kroni i Ftohtë të pi e të laj sytë,

të ngopem mirë,

jo përnjëherë, se më mpihen dhëmbët

më mpihen dhëmbët e më bie në ballë,

pastaj sa të mundem kësi ujë të lehtë,

të pi bash aty ku pinin zanat

e i mrizonin dhitë briarta.

 

Përmbi Përrojz, përpjetë të ngjitem kodrës

(kah i lëshoja delet në të rinjtë tim

me Baram Ramen)

ndërmjet Fushës Kishës dhe asaj të Bobit

fill mbas një rruge tërthore

në Qaf të Kolçit, në të vetmin shteg,

që të çon në një lëndinë te Vorri i Fratit

rrethuar nga pylli i ahave, lajthive e pishave,

atyre rrëpirave që i quajmë Shuerla,

vijon rruga tërthore e në zbritje

drejt Qafës së Pipit,

aty do të ngihem me ujë akull-rrënje ahu,

atij ahu ku kam shkruar në rininë time

emrin tim në lëkurën e tij.

 

Sikur të kishte gojë të fliste me zë njeriu

a thua çfarë do të më thoshte mua

udhëtarit me mend atje?

si do të fliste, si do të fliste ai ah i moçëm

se, dhe erërat janë gojëlidhur

në atë ahishtë e s’po flasin

ku emri im, qyqe vetëm rri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora