Kulturë
Ibrahim Gashi: Libër me vlerë për Parinë e Drenicës
E enjte, 20.03.2014, 08:16 PM
Një libër me
vlerë kushtuar Parisë së Drenicës
(Bedri TAHIRI, Ramadan Zymer Bajraktari- Përfaqësues i Drenicës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, SMS, Prishtinë, 2012)
Nga Prof. dr. Ibrahim GASHI
Kjo vepër monografike, kushtuar një figure të rëndësishme të përmasave të arealit të Drenicës, por dhe me gjerë, Ramadan Zymer Bajraktarit, është një episod i pashkëputur i Lëvizjes çlirimtare në të cilën Drenica në kontinuitet kishte rolin udhëheqës.
Autori Bedri Tahiri, tashmë biograf i dëshmuar, përmes figurës së Ramadan Zymer Bajraktarit, ka ndriçuar një pjesë të rëndësishme të Lëvizjes së rezistencës sonë kundër sundimit osman. Duke përdoruar metodat e hulumtimit të bazuara në historinë gojore, autori në këtë vepër ka sjellë informacione interesante e të argumentuara mjaft mirë.
Në pjesën hyrëse të librit ”Ramadan Zymer Bajraktari- Përfaqësues i Drenicës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit“ ai ka ofruar të dhëna të bollshme orientuese për gjeografinë e Drenicës, onomastikën dhe mikrotoponimet, deri tek lagjet dhe fiset, duke dhënë kështu një shpjegim të nevojshëm për lexuesin mbi gjenealogjinë e familjes Bajraktari. Për më shumë autori ka dhënë në këtë pjesë të librit të dhëna interesante lidhur me organizimin dhe rolin që kanë pasur pesë bajraqet kryesore të Drenicës (Bajraku i Gllogocit, i Llaushës, i Klinës, i Plluzhinës dhe i Shtuticës) në Lëvizjen e rezistencës antiosmane dhe më vonë antiserbe.
Figura qendrore e këtij studimi monografik, Ramadan Zymer Bajraktari (1851-1912), është prezantuar në kontekstin më të drejtë të mundshëm, përmes kontributit të tij që ka dhënë në Lëvizjen çlirimtare në vitet e rëdësishme të Krizës Lindore (1877- 1878), kur shqiptarët po luftonin, që duke e forcuar dhe dëshmuar identitetin e tyre kombëtar, të realizonin të drejtën për të pasur shtetin e tyre. Me këtë Lëvizje, e cila kulmoi me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), shqiptarët synonin që të parandalonin pasojat e dobësimit të Perandorisë Osmane, të cilat po shfaqësishin tashmë hapur përmes një ekspansioni të ri të shteteve sllave të Ballkanit në drejtim të tokave shqiptare. Bashkimi i katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom, siç kërkohej në Programin e Lidhjes së Prizrenit, ishte rruga e vetme për ruajtjen e qenies kombëtare.
Autori Bedri Tahiri, kur flet për kontributin e trimave të Drenicës në organizimin e Lidhjes së Prizrenit dhe në luftën që Lidhja bëri për ruajtjen e terësisë së tokave shqiptare, ka spikatur rolin e Ramadan Zymer Bajraktarit, duke dëshmuar se ai së bashku me personalitete të tjera nga Drenica, si: Ramë Lutanin, Deli Prekazin, Zeqir Kurtin, Kurt Rezallën, Hetem Kozhicën, Zenel Obrinë, etj. kishte marrë pjesë në Kuvendin themelues të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që u mbajt më 10 qershor 1912, në Prizren. Autori me shumë akribi e ka ndjekur kronologjinë e ngjarjeve që pasuan pas Kuvendit të Prizrenit, duke sjellë dëshmi për kontributin e udhëheqësve të Drenicës në rekrutimin dhe mobilizimin e luftëtarëve për të qëndruar trimërisht më 1879, në mbrojtje të Plavës e të Gucisë dhe, më 1881, në Luftën e Grykës së Carralevës.
Edhe pas shuarjes së veprimtarisë së Lidhjes së Prizrenit, Drenica heroike nuk u nënshtrua. Sulltan Abdyl Hamidi II, i njohur për ashpërsinë e tij, kishte dërguar në fushatën ndëshkuese në Drenicë Jashar Pashën, njeriun nga i cili priste të vendoste autoritetin e sulltanit atje. Në mes të Drenicës, afër Llaushës, pashai në fjalë kishte urdhëruar ndërtimin e Sarajit HAMIDI (për nder të Sulltan Abdyl Hamidi II). Në ditën kur ishte përgatitur ceremonia e përurimit (e premte, 14 janar 1891) sapo mbërriti Jashar Pasha dhe suita e tij, kur çdo gjë ishte gati për festë, trimat e Drenicës kishin përgatitur “dhuratën” për pashain. Ata me sulm të rrufeshëm dhe të papritur festën e pushtuesit e kthyen në gjëmë të tij. Saraji u përfshi nga flaket, Pashai arriti të ikte nga kishte ardhur dhe çdo gjë u bë rrafsh e hi. Kjo është parodia më mirë se gjithçka flet qartë për pafuqinë e secilit pushtues përballë banorëve liridashës të Drenicës në mbrojtje të vatrës, nderit dhe lirisë së tyre gjatë historisë deri në ditët kur u arrit çlirimi i plotë. Në këtë betejë të lavdishme ishte padyshim ndër të parët Ramadani në krye të trimave të Bajrakut të Klinës.
Vepra “Ramadan Zymer Bajraktari…” e studjuesit të palodhur Bedri Tahiri, më tutje sjell edhe momente tjera të ndritshme të jetës dhe bëmave të heroit kryepersonazh. Bashkëpunimin e tij më Ahmet Delinë dhe trimat e tjerë në mbrojtje prej sulmeve tinëzare të bandave serbe të Crna Ruka-s (Dora e Zezë), të cilat hynin e sulmonin befasishëm familjet shqiptare, vrisnin e plaçkisnin dhe tërhiqëshin.
Kur flitet për historinë e personaliteteve, veçmas luftëtarëve të lirisë, ajo që pashmangshëm na intereson, është fundi i jetës së tyre. Jo gjithmonë është e thënë, por në të shumtën e rasteve ata bien në altarin e lirisë, ata bien për të mos vdekur kurrë, sepse jeta, vepra dhe rënia e tyre i bënë të pavdekshëm. Kështu ndodhi edhe me Ramadan Zymer Bajraktarin dhe 11 burrat më të njohur të Parisë së Drenicës, të cilët forcat serbe i vranë pabesisht tek Ura e Gurit, në hyrje të Vushtrrisë, më 16 nëntor 1912, në betejat e para të Luftës Ballkanike.
Një pjesë e librit u kushtohet pinjollëve të familjes Bajraktari të Klinës, të cilët njeri pas tjetrit e mbajtën lart bajrakun e kësaj familjeje, të fisit dhe të fshatrave që përfaqësonin. Në të gjitha momentet kyqe ata ishin aty ku i kërkoi atdheu. Ishin përkrah Azem Bejtë Galicës, Mehmet Gradicës, Shaban Palluzhës e burrave të tjerë të kohës, që e ngritën lart kauzën e lirisë dhe shtetit shqiptar.
Autori Bedri Tahiri në hartimin e këtij studimi historik- monografik me mjaft kreativitet e ka përdorur edhe këngën popullore si mbështetje të argumentimit kryesor të ngjarjeve dhe personaliteteve të përmendura në këtë libër. Libri ka ruajtur një rrjedhë logjike dhe kronologjike në shtjellimin e ngjarjeve. Gjuha e përdorur është shumë e qartë dhe e lehtë për t’u kuptuar nga lexuesi.
Në aspektin metodologjik libri është mbështetur në metodën krahasuese. Përshkrimet kontekstuale të rrethanave të kohës i bëjnë shumë të besueshme të gjitha rrëfimet për ngjarjet dhe personalitet që përmenden në këtë libër. Për më tepër, libri është edhe një kontribut i rëndësishëm për historiografinë tonë, e cila ka nevojë për studime monografike të figurave të rëndësishme të historisë kombëtare.