E shtune, 27.04.2024, 09:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: In memoriam, At Zef Pllumit!

E diele, 23.03.2014, 06:53 PM


Ke le kryq, ushtar!

In memoriam, Atë Zef Pllumit!

(esse)

Nga Përparim Hysi

U bënë plot  47-vjet që kjo britmë " Ke le kryq,ushtar!", shpesh, më vjen përmjet  mjegullave të kohës, që, kur davaritet, më bëhet edhe më e prekshme. Ka ndodhur në Lezhë bash në marsin e vitit 1967. E kish mbajtur qysh në 6 shkurt 1967 Enver Hoxha atë fjalim aq "brohoritës" kundër fesë dhe, si për ta pagëzuar  me "buritë" e asaj kohe * kur i bihej burisë veç me një brimë: made in parti dhe sh.Enver, u zgjodh Lezha për t'u mbledhur në një kuvend historik ( ma merr mendja ka qenë 2 marsi 1967) i "ngjashëm" me atë historikun e Skënderbeut të vitit 1444. Pati organizim të madh dhe, si vënd  i këtij kuvëndi të madh, u zgjodh një rrafshinë mali , midis Lezhës e Shëngjinit, mu tek këmbët qe këneta e Kunjës dhe,prapa rrafshinës ku u mblodhëm, qe kisha e Lezhës dhe spitali ( në krahë të djathtë kur shkon nga Lezha në Shkodër). Unë qeshë ushtar dhe si gjithë ushtria e saj zone, u bëmë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të këtij kuvëndi që vetëm historik nuk qe. Komisari i repartit më kish ngarkuar që, sa për "nxemje", para se të fillonte kuvëndi të lexoja një leksion kundër fesë. E kisha marrë pak me zjarr këtë detyrë dhe, duke kujtuar se po logorisja para nxënësve (unë mësues qeshë me profesion), lexoja me pasion dhe, ku e ku,  e ngrija zërin edhe një oktavë më lart për të dëgjuar më mirë auditori. Kur po prisja që auditori   të më jepte "dafinën e lavdisë" për sqarimin e madh shkencor, befas dëgjoj një zë. Shikoj nga folësi dhe qe një fshatar i atyre anëve, veshur si i zonës që gjykuar nga mosha, duhej respektuar. E pra, i moshuari, foli:

- A vet e ke përgatit a ta ka dha të gatshëm komisari?  Unë, që aso kohe kisha hundë të madhe, iu përgjigja me një farë mllefi:

-Nuk ka nevojë me ma  përgatit komisari, por jam i bindur për ç'ka lexoj.

"Fshatari" as që u trand nga përgjigja ime ( e një aguridhi,siç gjykoj tani), por pa i lëvizur fare qerpiku, vazhdoi:

- Ushtar, a mundesh me u çue në kambë?

Natyrisht, sado që pyetja e tij më kish lënduar, nuk mundesha që mos ia plotësoja kërkesën. U çova. - Rri drejt,- tha ai. Si me ken gatitu. E zbatova dhe këtë kërkesë,sado që po më bezdiste. Mandej, ai dha "komandën" tjetër: - Hapi krahët, ushtar! I hapa dhe, kur më pa në atë pozicion, vërejta që kalmend në fytyrën e tij dhe, pa më "komanduar" më, tha: - A e vren ushtar? Ke le kryq, lum miku!  Tash, ç'është e vërteta, jo vetëm kisha "le kryq", po  qeshë vënë në kryq. I moshuari tha:-  I thuaj komisarit, ushtar, se ke "le kryq" dhe një gja tjetër,ushtar: - Nuk do besoj në Zot, kur fabrika të prodhojë farën e tokës!!! Jo vetëm leksionin tim e mori dreqi, por ky" i moshuar" më  bëri për ujë të ftohtë. Kur më doli e pira, pyeta për të. -Ka qenë prift... ka ba dhe burg,- më thanë asi kohe. E, por se mos i prisja kështu drutë asi kohe. Unë  qeshë i brumosur me mësimet e partisë.

***

E ndoqa "kuvëndin" që zgjati goxha. U bënë copë e thërrime ato "profkat" e fesë. Pa si "gurprove" për zakonet prapanike,e mori  fjalën një e re,që prishi fejesën (që në djep) e plot thagma të tjera. Mandej, o burra dhe drejt kishës (edhe kjo qe bash mbi një kodër të lartë (prapa shpinës ku u blodh kuvëndi) dhe me ceremoni u hoq nga vullnetarë kryqi. Sulmi i "zjarrtë" vazhdoi  tek vila e fratit. Ajo qe mes një bahçeje me pemë, më e bukura në gjithë Lezhën. Asi kohe qe sa kaloje urën e vjetër të Drinit, në krahun e djathtë kurvije nga Lezha për në Shëngjin. Aty u zhvillua pothuajëse një betejë e bukur (kam shkruar për këtë "betejë në poezi e prozë) që po e sjell dhe për ju: - Hiqe kryqin që ke mbi vilë,- e urdhëruan atë fratin e Lezhës.

-Jo, mor, ça jini tuj thanë,- kundërshtoi ai. Aha, thanë partiakët, nuk don. -Hipni, urdhëruan dy të rinj, dhe ata, mbasi hipën, e shqyen. Dhe Frati ( trimëria nuk ka brirë):- A e hoqët a? I thoni partisë që unë kryqin e kam çetu (bëri duke  shënuar zëmrën). U bëra plot nga ky heroizëm i këtij kleriku kaq trim. I merrni me mend vet pasojat  se, në historinë e kohës së partisë, veçanërisht  klerikët katolikë kanë qenë në grykën e topit ( po t'i referohem një sllogani të kohës). E , me që jam në suazën e atij kuvëndi të Lezhës, e kam dhe sot atë dom Loron që u kryqëzua në një pamflet të hidhur të asaj kohe,se jo vetëm kish popullaritet ( në mos gaboj qe në zonën e Shënkollit), por luante dhe futboll me të rinjtë. Qe lojtar që kish shumë tifozë, por i vunë hekurat se gazetaruci shkroi: "Dhelpra plak luan futboll". Natyrisht, gazetaruci i ngriti shkallët e karrierës duke "kryqëzuar" një klerik kaq popullor dhe,paradoksi, është se "gazetaruci" ende "lulëzon", bën karrierë dhe mallkon atë kohë. Për këto "merita", ai është o Mjeshtër i madh o Nderi i Kombit. Për dom Loron askush nuk kujtohet. Për të qeshur apo për të qarë...

***

U zgjata paksa në këtë "esse" që e shkruaj për Atë  Zef Pllumin. Unë e kam njohur prej kohësh. Ai nuk më njohu kurrë. Po  ta kisha gjetur gjallë, do i kërkoja një audiencë. Unë nuk hyj në grupin e atyre njerëzve që " bisedojnë me të vdekurit" duke shitur profka dhe për të thurur elozhe për vete. Të tillë njerëz që zbrazin pushkë pas beteje, më  ngjallin neveri. P.sh. shoh një xhelat ( nuk e vë fare në thonjëza fjalën xhelat) që hiqet si një njeri me zëmër të madhe. Që duke qenë xhelati numër një  të paktën për një dekadë, na paska qenë njerëzor, po se po, po dhe trim: sa vet Ramiz Alisë ( Enveri kish vdekur) ia ka vënë dy këmbët në një këpucë. Të tillë sharlatanë, ashtu si kërpudhat që mbijnë pas shiut, e shesin sapun për djathë, ka shumë. Shkruajnë libra, bëjnë promovime bombastike dhe gjejnë klakerë që jo vetëm i duartrokasin, por dhe i pompojnë. Kurse Françeskani i madh, Atë Zef Pllumi, është i një mizure tjetër. Dishepull i "Tatës"katolicizmitShqiptar" aliaz Atë Gjergj Fishta vetëm me trilogjinë "Rrno vetëm për me tregue" vjen aq i bardhë dhe i papërsëritshëm sa, gati të  rrëngjethë. Ai e ka shkruar atë pa sforco fare. Ka treguar ato "vuajtje" që nuk kanë qenë vetëm të tijat. Në një përgjithësim relativ, Atë  Zef Pllumi ka bërë radiografinë e atyre burgjeve të diktaturës  si një Solzhenicin Shqiptar "Gulaku" i Stalinit dhe CO... ka qenë një ferr i vërtetë. Por ja që ndodh: çiraku ia kalon ustait. Enver Hoxha mori yrnekun rus, por e zbartoi si  një "usta" dhe kaluar "ustait". Lexon "Rrno vetëm për me tregue" dhe bindesh se jo  Ferri i Dantes kish të shkruar atë postulatin" Ju që kini hyrë këtu, lani duarët nga çdo shpresë", por kjoish shkruar në gjithë burgjetferr  të Shqipërisë. Pasazhet janë të tillë që ta bëjnë mishin kokërr, por në se po ndalem tek ky, Prelat i madh, kam dhe arsye të tjera.

***

E kam shkelur me këmbë për vjete Malin e Rrencit nga ishte ky frat i madh. Dhe sot më tingëllon në vesh porosia e komisarit: "... aty, pas asaj shegës së madhe, ka shtëpinë një agjent i Vatikanit dhe i Titos".  Tri vjet me radhë "as shegën e madhe" nuk e kalova dhe as "agjentin" nuk e takova. Erdhi viti 1967 dhe,sa lexuat" ke le në kryq" m'i tha një    kish qenë prift. Po unë ama nuk e takova. Unë s'e takova, po andej nga vjeshta 1967 kur në Shëngjin plasi një "shernajë hajnasH" në tregëti dhe "Gjurmët nuk të çonin në qelë" sipas një grafomani të kohës), por të çonin në kupolën e partisë e pushtetit dhe prapë, u lakua:"... të gjitha i bën një prift,agjent i Vatikanit dhe Titos". Dhe bash atëhere  e kanë arrestuar për së dyti Atë Zefin. Kjo qe "njohja" e dytë me të.

Po unë atëherë as dija gjë për të. Kur qeshë në Amerikë, lexova "trilogjinë" dhe "njohja" ime me të u bë dhe më e plotë. Unë po i përjetoja të gjitha "njohjet" e mia me të dhe u bëra, bash "miku i tij",se tek libri gjeta miq që,sado që kanë ndëërraur jetë, kurrë nuk do t'i harroj. Gjeta doktor Vojo Bilbilija për të cilin ati i shquar shkruan me  aq sinqeritet. Po mua doktor Vojoja më ka shpëtuar jetën në vitin 1955, kur erdhi nga Libofsha e Fierit dhe me dorën e tij më bëri dy gjëlpëra njlëra pas tjetrës. Më nxorri nga kllapia dhe, po të mos kish qenë ai, as që do kisha jetuar më. Kur e arrrestuan si" agjent" gati sa nuk kam qarë. Tjetri qe Velko Shqepanoviç, ish mësuesi që jepte rusisht  në degën e rusishte në pedagogjiken e Elbasanit.  Sa i mirë që qe! Pata bërë me profsorin kushedi sa "partishahu", por dhe ky doli "agjent". Gjeneral Gjin Marku (i vetmi gjeneral katolik që qe nga Mirëdita). Ky qe mik i familjes sonë se imvëlla ka qenë shofer i tij dhe Gjini kur qe gjeneral, ka qenë mik në shtëpinë tonë. Po dhe sikur asnjë mos njihja në këtë libër me kaq vlerë, kisha pse shkruaja për Atë Zef Pllumin.

Tash libri i tij u përlthye në italisht dhe qe një bum i vërtet letrar. Një bum i bukur se me atë libër,autori, sikur ka shkruar "biblën e vuajtjeve" të gjithë atyre që provuan ferrrin komunist. Por pak i sëkëlldisur jam. Gjithmonë më mundon pyetja që kërkon përgjigje:- Po të ishte gjallë Atë Zefi, do kish pranuar që parathënine ta shkruante një njeri me njl beugrand të tronditur  si  Berluskoni?  Unë kësaj pyetje i përgjigjem:- Jo. Atë Zefi si Françeskan i madh nuk do ta pranonte. Në bibël (unë natyrisht nuk jam kushedi se ç'njohës I biblës) thuhet, veç tjerash: "...kushdo që bën një kurorëshkelje ka një zëmër pa gjykim;..." e  Berluskoni shquhet në këtë fushë "rrënimi moral". Gjithmonë më duket (qofsha uni gabuar) se "ruba e bardhë shpirtërore e patër Zefit,u qep me penjë të zesë". Unë them se  Berluskonit i duhej ky"rrëfim" për të davaritur gjithë atë valë procesesh gjyqësore ku, deri më tash, nuk është ndarë me faqe të bardhë. Sidoqoft, me këtë "esse" modeste kam për qëllim që të ndez një  qiri për këtë NJERI me zëmër të madhe.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora