E shtune, 27.04.2024, 11:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: ''Mos e vrisni dashurinë''

E diele, 23.03.2014, 12:58 PM


NAFIE  SALIHAJ,  NA FTON: “MOS E VRISNI DASHURINË”!

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

1.

Përpara kam shënimin “Ndjenja të pastra, si ujëvarë mali”(Pak radhë për një poete të re dhe të talentuar), që vite më parë ka bërë poeti i njohur nga Kosova, Skënder Zogaj. Ato flisnin për  Nafie Salihajn, e cila sapo bënte hapat e parë në udhën e bukur të poezisë. Ndër të tjera, ai shkrunte:

Tre vjet më parë, në redaksitë e gazetave të  Tiranës kishte zbritur dhe çika nga  fshati Zogaj, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), Nafie Bajram Salihaj. Me atë ndrojtjen e natyrshme të saj, bashkë me një tufë vjershash, hyri në ndonjë redaksi gazete dhe në RTVSH. Megjithëse nuk ishte e njohur më parë, ajo tërhoqi  vëmendjen e botuesve të shtypit. Mbajtën disa nga ato vjersha, të cilat u publikuan në gazetat: "Mësuesi", "Rilindja", " Republika", "Kosova", "Emigranti Shqiptar", "Drita", revistën "Bota ime" dhe i transmetoi Radio-Tirana, në emisionet e veta. Ajo u nderua dhe me çmime në konkurset kombëtare. Traditat e shquara atdhetare, shpirti liridashës e demokrat i malësorëve, ndjenjat e pastra rinore, ishin ato që i kishin sjellë frymëzimin e parë…  ».

Pastaj S.Zogaj kishte zgjedhur për publikim në gazetën e krahinës, «Ylberi i Zogajve  », disa poezi të Nafies. Ishte koha, kur populli kosovar, me UÇK-në në ballë dhe i mbështeur nga  Bashkësia Ndërkombëtare, po luftonin pa u ndalur kundër regjimit të gjatë dhe të egër serb, për të fituar lirinë e pavarësinë. Por edhe ishte bërë shpërngulje masive e popullsisë, si shkak i terrorit serb. Prandaj dhe titujt e disa  prej krijimeve të saj lidheshin me atë situatë, dramatike e heroike dhe ishin domethënës, si:  «  Nuk e duron Kosova robërinë  », «  Të gjithë në një sofër  » e «Arbëria», por dhe me tematikë tjetër: «Dua t’u përshëndes», «Drejt botës sime» e «Pse të dua».

Tani, kur kanë kaluar disa vite nga ajo kohë, poetja Nafie Salihaj është «pjekur» në udhën e krijimtarisë letrare. Besoj që mjafton të themi se, deri tani, ka publikuar tre libra me poezitë më të zgjedhura, pa i llogaritur ato, që i ka dorëshkrim dhe presin radhën e mundësinë e botimit, në përmbledhje të  veçanta.

2.

Meqenëse e vendosa edhe titullin e këtij shkrimi modest, për krijimtarinë e bashkëkrahinases sime, Nafie Salihaj, po ndalem shkurtimisht në poezitë e vëllimit, me titullin grishës dhe këshillues për të gjithë, «Mos e vrisni dashurinë»(Tiranë, 2007).

 

Kopertinat e librave të poetes N.Salihaj

Hyrjen e këtij libri e ka shkruar miku im i kahershëm, pra i viteve të rinisë, Lirim Deda, që ishte edhe redaktori i tij. Pasi e vlerëson shpirtin e butë poetik në Nafies dhe frymëzimin e natyrshëm të saj, i cili i buron edhe nga krahina nga ajo vjen, me Shkëlzenin kryelartë e Valbonën  kaltëroshe, me bjeshkët alpine kreshtëbardha e me borë të përhershme etj., ai nënvizon  se poezitë e saj, «…e bëjnë lexuesin ta ndjejë veten në një kopsht me trandafila të spoçelur dhe ai, vetëvetiu, përfiton aroma, tinguj e ngjyra, që do të kishte dashur t’i kishte përfituar qyshëkurse, varg e vistër, të rejat tona u radhitën, krahas të rinjve të talentuar në leterësinë shqipe».

Poezia e faqes 37, nga e cila e ka marrë titullin tërë ky vëllim, por pak më «i zbutur», është vendosur edhe në kopertinën e fundit, bashkë me fotografinë e Nafies. Aty lexojmë: «Në se të thërras,/ mos m’u përgjigj me zë të lartë./Mos më tulat,/ si zogun kur do të lërë një kafaz,/ mos e tremb dashurinë  !...» Për këtë ndjenjë të pastër gjithënjerëzore ka shkruar autorja në disa poezi tjera të saj, si: «Stil dadaizmi», «Po deshe»,  «Qetësi», «Qielli është i kaltër», «Në se…», «Puthja», «Ndryshe», «Dua…», «I këndoj erosit», «14 shkurt»,  etj. E, kështu, mund të rendisnim edhe titujt e disa poezive të tjera. Te pak vargje të njërës prej tyre, thotë  : «Tani, thirrja ime/ mori tatëpjetën./ Pas përvelimit, buzët/ e shqiptuan fundin e ankthit:/ Të desha,/ të dua,/ do të të dua përjetë  !  ».

Me dashuri e respekt të veçantë u ka thurur poezi autorja edhe njerëzve të gjakut të saj. Një nga ato është për nënën, por dhe për gjyshen shumë të dashur  : «E ndiej  ledhatimin tënd,/ e shtrenjta gjyshe./ Duart e tua mbi flokët e mi/ fërgëllojnë/ butësisht, si dallëndyshe…».

Gjithashtu, poetja malësore Nafie Salihaj është e mbrojtur me ndjenjat e atdhetarizmit të të parëve të saj dhe tërë krahinës, nga ajo rrjedh. Prandaj në mjaft poezi shpërthen furishëm kjo ndjenjë, duke shkruar edhe për disa figura të njohura të prinjësve e luftëtarëve, për liri e pavarësi. Ja, poezi të tilla ia ka kushtuar  figurës legjendare të Gjergj Elez Alisë, por dhe Shahin Kolonjës, i cili thërret  : «  Ndihmë,/ ndihmë,/ Drita, ime bijë,/ në këto eshtra s’ka më ç’ lëpin,/këto eshtra ngjajnë si fyej,/ fyej që përcjellin kohët,/ këngët,/ vajet,/ humbjet dhe fitoret  ».

3.

Por edhe në librin e parë më poezi, me titullin simbolik «Forma e shkrirjes» (Tiranë, 1999), temat e mësipërme janë të pranishme. Në atë kohë ishte në hapat e parë të krijimtarisë, por  Nafia dëshmonte se do të kishte të ardhme të mirë, në këtë fushë. Ndërsa libri i tretë, që shënon një pjekuri të dukshme letrare të saj, me titullin «  Fati im  » (Tiranë, 2011) dhe me 180 faqe, gjithashtu, janë tubuar poezi të bukura dhe me tematikë të larmishme. Mund të shënonim këtu mjaft nga ato, të cilat ua ka kushtuar Kombit tonë, vendlindjes, vëllait, poetit Din Mehmeti etj. Po shkëpus vetëm pak radhë, të njërës prej tyre, kushtuar prindërve  :  «…Sytë e nënës/ më ndjekin dhe mbrëmjeve,/ kryqëzuar me sytë e babait tim./Sytë e prindërve,/ dritë e frymëmarrjes së agimit/ edhe në udhëkryq,/ ku kalimtarë jemi,/ që nga Eva,/ gjer te foshnja engjëllore  ».

Në fund të këtyre radhëve, lexuesi mund të pyesë: Ku ndodhet poetja Nafie Salihaj dhe a e vazhdon krijmtarinë e saj? Jeton e punon, por dhe krijon në vazhdimësi, në kryeqytetin tonë. E  kam takuar shpesh në përurimet e librave të rinj të kolegëve e miqëve krijues.  Ajo ma ka thënë edhe një «sekret», se po i tubon poezitë më të zgjdhura, nga krijimtaria e saj dhe mendon t’i botojë në një libër tjetër. Prandaj e urojmë atë nga zëmra, për tre librat e botuar dhe  gjithë krijimtarinë e saj, të bukur e të frymëzuar!



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora