E premte, 25.07.2025, 10:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Zog Hysenaj: Ku e ka shqipja folenë?

E premte, 21.03.2014, 09:27 PM


Ku e ka shqipja folenë?

-Prej nga po vini zotri?

-Prej faqes zezë, -më tha i skuqur, -prej Juniki bre vlla jam he mos kofsha.

Nga Zog Hysenaj

E nderuar Redaksi e ZSh-së,

I dashur Zeqir!

Këtë vjershë e kam bërë në një pasdite, në Kampin (që i thoshin “i refugjatëve”) e kosovarëve në ish repartin ushtarak në Qafë të Rrashbuallit, 100 metra posht shtëpisë së Dervish Shaqës. Ishte reparti siç ka qënë më parë i rrethuar me një mur rrethues beton të lartë dhe një portë hekuri e shkruar emri i kampit. Në të dy anët qëndronin dy ushtarë shërbimi të armatosur me helmeta. Unë asokohe isha shofer i fondacionit amerikan IRC. Një ditë shkuam për të bërë rregjistrimin e “refugjatëve”, që kur e dëgjoja këtë emër më dukej fyes dhe më vinte të shaj me sa zë që kisha. Ata ishin shqiptarë në vendin e tyre në Shqipëri e jo refugjatë. Kur i pashë ata njerëz copë-copë, më “lëshoi toka”.  Aty u vinin shpesh njerëz, herë nga perëndimi – rrugëtarë për në luftë e herë nga lufta për një kohë të shkurtër sa të shikonin a i kanë aty pjestarët e familjes së humbur nga represioni serb e lufta e përgjakshme në Kosovë. I shikoja me shumë dhimbje ata njerëz e s’kisha se çfarë të bëja. Ajo që e bëra mirë, e mirë fort, ishte se u mërzita e s’i mbaja lotët. Atë e bëra mirë Zeqir vëllai, qajta me dënesë. Gra, fëmijë të vegjël, pleqë e plaka vërdalloseshin nëpër atë repart siç “ajrosen” të burgosurit. Për fëmijët më dukej se ishte trishtues ai ambjent i rrethuar me ushtarë të huaj, të armatosur, me helmeta. Ata, në pamje të parë, më shumë terrorizonin fëmijët. Më duket se ishin me shkrimin KFOR.

I thirra një burri të gjatë e jo shumë të shëndoshë, me flokë bjond, rreth të 35 tave, i sapoardhur që hyri te dera kryesore dhe u drejtua turmës së njerëzve me dorë mbi sy, dhe e pyeta:

-Prej nga po vini zotri?

-Prej faqes zezë, -më tha i skuqur, -prej Juniki bre vlla jam he mos kofsha.

-Jo bre burr, mos u mërzit. Kë ke këtu?

-Nuk di kurrgjo. Kurrgjo nuk po die, por po kqyri a mos po gjoj kan. Vi prej lufte bre e ka lypi fëmijët e bashkëshorten. U damë si në luftë: unë n’mal me luftue me shkanë, e ata për Shipni me kojshitë tanë me ik prej tyne.

-Ishalla po i gjenë, i thash, por s’dija se çfarë t’i them e si ta ngushëlloj. Zbrita nga makina dhe iu bashkangjita e u nisëm bashkë. Nuk peshoja as 10 kile Zeqir, nga frika se po merr ai burr ndonjë lajm të keq për fëmijët dhe gruan e vet. Pas pak minutash e njohu njërin aty dhe iu afrua. Unë nuk i shkova pas, por e pashë që u gëzua kur idha lajmin e mirë me siguri, dhe u nisën bashkë drejtë çadrave të tyre.

Atë ditë po zhvillohej edhe takimi i mirëpritur e shumëpritur i përfaqësuesve të Kosovës me personalitete të Europës dhe Amerikës, në Rambuje të Francës, ku ndahej fati i Kosovës njëherë e mirë. Sot bëhej marrëveshja e Rambujesë me përfaqësuesit serb, kriminelin Sllabodan Millosheviç. Për shqiptarët ishte dita më decisive e historisë së tyre.

Në pritje të drejtorit tim, Polit, unë përditë merrja gazetat, të cilat i lezoja dhe zgjidhja fjalë kryqet sa për ta kaluar kohën, e atë ditë, në vend të fjalëkryqeve, shkruajta këtë vjershë, të cilës nuk po ia heq dhe nuk pa ia shtoj asnjë presje

Kur më erdhi Poli, drejtori dhe më pa në atë gjendje, më tha:

-Mos nuk je mirë?

-Jo, i thash, jam shumë keq. Jam shumë i mërzitur dhe bëhem keq kur i shoh këta njerëz në këtë gjëndje. Më dhëmb shpirti, i thash.

-Po këtë, ç’e ke?

Një vjershë ia u kushtova vëllezërve të mijë që janë të shpërndar si zogjtë e korbit, i thash.

Ia futi në të qeshur dhe ma vuri dorën në kokë e ma fërkoi. Ty të njoh si gazetar (unë botoja çdo ditë shkrime në gazeta asokohe dhe e lexonin të gjithë në rezidencën e IRC-së) por si poet jo. Megjithatë, edhe ne e kemi këtë shprehje, tha ai dhe heshti pak .

-Lets gou, -me tha, dhe u nisëm.

Gjatë rrugës i thash çfarë do të bëhet me Kosovën? Ai me një gëzim që nuk e mbulonte dot, më tha: Kosova do të jetë shumë shpejt e çliruar dhe shtet në vete, prandaj bëje edhe një tjetër vjershë dhe qeshi. Kurrë më shumë s’e kam ndjer veten më të lirë në shpirt.

Kjo vjershë me emrin “Zogjtë e shqipes krahë prerë”, është tani plot 15 vjece , e jam i sigurt që do t’ma prisni mirë.

E çfarë mund të bëja tjetër atë ditë?

 

 

Zogjtë e shqipes krahë-prerë

 

Ku e ka shqipja folenë?

N’Gur të shpuar deri n’Çamëri

Zogjtë e saj ku mund të jenë

Nëpër Botë, një Zot e di.

 

Përtej shqipes u kan mbetë

Zogjt e shqipes me krah t’premë

Larg Kosovës, vaj medet,

Ma kan m’sy sot Rambujenë.

 

N’Rambuje Kosova a hyp

Ka dal shqipja po iu thërret

Zogjt e vet shqipja po lyp

Që i kan hup qe njëqind vjet.

 

Ka ra gjaku n’tok të zezë

Dëshmi dheu kujtim i gjallë,

N’Gur të Shpuem deri n’Prevezë

Sa zogj shqipes n’luft i ranë.

 

Ra foleja krejtë asht djegë,

Përmbi flokët e përzhelitun

Sa shumë shqipja është përpjekë,

Po i kërkon zogjtë e pa rritun.

 

I kërkon zogjtë se ku i ka

Shumë i shkuan për kët’ liri

Me lirinë s’bashku pa i da

E dhan jetën disa mijë.

 

-Kampi Italian i Kosovarve Rrashbuall - Durrës 1999-

--------------------

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga Tirana, Mars 2014-



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx