Kulturë
Rrustem Geci: Kronikë e jetës së pashkruar
E diele, 23.03.2014, 07:00 PM
KRONIKË E JETËS SË PASHKRUAR
Nga Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani
Hilmi
Veliu u lind më 20. 03. 1955 në fshatin Gllamnik të Komunës së Podujevës.
Hilmiu shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë –
drejtim ekonomik. Që në moshë të vogël, Hilmiu u ballafaqua me realitetin e
hidhur. Hilmiu, fëmiu i dytë i Ismajlit dhe Hasimes, që i ri e ndjeu në kurriz
peshen e jetës së rëndë. Familja e Ismail Veliut, prindit të Hilmiut, nuk ishte
familje e pasur. Ata posedonin një tokë si gjithë fshatarët e tjerë të
Gllamnikut. Beteja me tokën, për bereqetin, dhe beteja me armikun, ishin beteja
të përditshme tek të gjithë qytetarët e Kosovës. Lufta për të ruajtur statusin
e qytetarit të varfër, rrëfen Hilmiu, ishte një luftë brenda kraharorit tonë.
Ajo luftë ishte e pashpallur. Mbase, gjërat mund të bëheshin edhe më keq, të
humbisnim edhe ato pak të ardhura, dhe të bienim në uri, pa kurrfarë të
ardhurash. Kjo dramë e qytetarit tonë nën pushtues, vërtitej si fantazmë, tek
të gjithë anëtarët e familjes Veliu e më gjerë. Vajtja e Hilmiut në shkollën e
mesme ekonomike në Prishtinë, Hilmiut i krijon shumë mundësi për t´u njohur me
miq dhe shokë. Pas kryerjes së shkollës së mesme ekonomike, Hilmiu punësohet në
një ndërmarrje tregtare të ushqimeve. Loja e pushtetit me popullatën e varfër
ishte e përditshme. Ngritjet e çmimeve, paradite e pasdite ishin një ogur i keq
për përplasje të ardhshme. Hilmiu ishte natyrë e urtë, dhe dinte ta lexonte
realitetin ashtu si ishte. Kjo dhunti Hilmiut, i ndihmoi shumë që të kalojë
ferrin e së keqes, nga tregëtarët e së keqes. Unë s´di si i kam mbijetuar atij
kalvari aq primitiv dhe njëherit vrasës. Në vitet e fundit të okupacionit serbë
në Kosovë, Kosova e arit dhe e argjendit, vuante për kafshatë të bukës. Mirëpo,
tregon Hilmiu, unë atë kalvar e kalova me faqe të bardhë, falë bashkëshortes
sime, Saharës, e cila në të gjitha vështërsitë e jetës ishte krah i fuqishëm i
imi, dhe një motiv më shumë, për t´i rritur e shkolluar, 3 fëmijët tanë;
Mimozën, Besartin dhe Getoarin. Në vitin 1997 të gjithë mbetëm pa punë. Lufta
për liri ishte e domosdoshme. Armiku na luftonte edhe me varfëri, edhe me uri.
Mirëpo, falë dashurisë për gjuhën dhe tokën, ne bëmë atë që duhet bërë, i
mbetëm besnik Kosovës. Lufta pa armë më thotë Hilmiu ishte aq e rëndësishme sa
gishti në këmbëzën e pushkës. Liria është mundësi e madhe. Mirëp, krijimi i
shtetit, dhe i institucioneve të shtetit të Republikës së Kosovës, nuk është aq
i lehtë. Duhet kohë dhe durim. Armiku më i madh i periudhës së shtet-ndërtimit,
shprehet Hilmiu, mbetet korrupsioni, krimbi gjigant që e ha paranë e popullit.
E thashë edhe më lartë më thotë Hilmiu, se unë isha me fat që kam grua
bashkëshorten time Saharën, e cila me punën e saj të vazhdueshme, m´u gjend çdo
herë afër, dhe ishte ndihmë e madhe për mua. Më fëmijët shprehet Hilmiu, jam
shumë i kënaqur. Mimoza ka mbaruar Fakultetin Filozofik, Gjuhë Frënge, ndërsa
Besarti dhe Getoari janë në vazhdim të shkollimit. Rruste më thotë Hilmiu, jeta
qenka më e papushtueshmja, por, kam një vërejtje s´e shumë gjërat nuk po ecin
ashtu s´i duhet. Edhe pas 6 vjet të Pavarësisë së Kosovë, mundësitë e punësimit
të fëmijëve tanë sinqerisht më shqetësojnë. Vetëpunësimi, nuk është zgjidhje
për të gjithë, ai do të të kesh kapital, ndryshe, e vërteta gërryen. Jeta jonë
më thotë Hilmiu na iku në përpjekje nga
më heroiket. Unë jam lindur në shekullin e kaluar, ndërsa fëmijët tanë janë
shekulli i ri, shekulli i Republikës së Kosovës.