E enjte, 02.07.2020, 08:02 AM (GMT+1)

Kulturë » Drita

Drita Lushi: Burri i vjeshtës

E marte, 05.11.2013, 09:59 PM


BURRI I VJESHTËS

-tregim-

NGA DRITA LUSHI

Alma, Vlora dhe unë uleshim thuajse çdo ditë së bashku për kafenë e pasdites ne kafé “Redi” të lagjes sonë.

Kishim qenë të tria në të njëjtën klasë në të mesme, dhe e ruanim endé shoqërinë po aq të bukur sa atëherë. Ndonse vitet kishin bërë punën e tyre, e kishim krijuar familjet tona,kur bashkoheshim, ne ishim po ato “adoleshentet” e dikurshme, me shaka,të qeshura e me “hidh e prit”- mes nesh.

“Vajza”- tha gati në të thirrur Vlora një moment.

“Kam një mendim”- vazhdoi duke na parë në sy në mënyre çapkëne, a thua se çfarë fshihte e sikur do të na thoshte sekretin apo zbulimin më të madh.

Ne ishim mësuar me këto “çapkënllëqe” të saj dhe bëmë sikur s’e dëgjuam e sikur s’e kishim mendjen. E dinim që ajo do “merrte zjarr’’

E keshtu, gjoja e zemëruar nga “mosvëmendja” jonë, trokiti lugën e kafesë në gotën e ujit që kish para, e ne pamë nga ajo, gjoja të çuditura dhe qeshëm të papërmajtura.

Ja, këto ishin ndër të tjera, ato që na bënin ta ruanim miqësinë me  njëra-tjetrën, por mbi të gjitha ne e njihnim mirë në brendësi sho-shoqen e s’kish’ nevojë për shumë fjalë.

Nje çast Vlora ndaloi të qeshurën dhe vazhdoi: “Përse të mos fillojmë të dalim pasditeve të ecim, është pranverë…”

E pastaj, filloi me shprehjet e veta, ironike dhe qesëndisëse:”Jo vetëm që është pranverë,por tani mbi dyzet vjeç, fillojnë të na zënë ndryshk këmbët”e qeshi, duke na përfshire dhe ne, në atë gurgullimë të qeshure.

“Natyra, ecja në natyrë është lindje”- foli sikur mbante fjalim ajo, e ne bëmë sikur e duartrokitëm.

“U tha u bë”- ndërhyri  Alma.

“Tani është  pranverë, dhe ta kërkon edhe shpirti  të marrësh aromë lulesh në sy,e në trup”- vazhdoi Alma që ne e quanim “romantikja”, për shkak se fliste gjithmonë me simbole e metafora në bisedat me ne.

Të dyja panë nga unë.

“Ç’më shihni” – u thashë, “Unë, jam me ju, nuk ka pse më merrni leje e t’më hidhni vështrime” vazhdova, me duart kryqëzuar duke ndjekur gjithë bisedën e dialogjet e këndshëm.

Vendosëm duart mbi njëra tjetrën duke formuar një “kala”, zakon ky, mbetur që nga gjimnazi.

Filluan ditët tona të reja…

Pasi ktheheshim nga puna,niseshim të tria veshur sportive, dhe ecjet tona nga kodrat e qytetit ishin vërtet argëtuese dhe sirilindje për ne. Shpesh uleshim e pushonim pak në stolat  ngulur në kodrat e blerta që rrethonin qytetin si kurorë.

Në këtë stinë, ato mbusheshin plot me njerëz.Ne lëshonim batuta pa fund, merrnim ndonjë kafé  në barin me xhama të artë që ish ndërtuar atë vit.

S’ishin prej ari vërtet, por ne na pëlqente ta quanin ashtu sic i cilesova unë, sepse xhamat vërtet ishin shumë të bukur.

Pranverën e verën  pothuajse si ndjemë fare.Ndiheshim  më të gjalla e aktive.

Ne verë, u shkëputem një muaj në gusht, për arsye se vajtëm në det me familjet.

Në shtator u mblodhëm përsëri dhe vijuam ecjet tona të shoqëruara me të qeshura, shaka, e batuta.

Uleshim pak në “stolin tonë”,e ndonjëherë në kafé, dhe rituali ynë vazhdonte i njëjtë dhe i këndshëm ,derisa pamë atë burrin ulur në stolin afër me tonin, me një bllok  ngjyrë të kuqërremtë,që diç shkruante.

“Paska akoma të tillë, që shkruajnë nëpër blloqe!?”- tha gati me zë të lartë Vlora.”Mendoja se tani, të gjithë  shkruajnë në kompjutër”- vazhdoi ajo.

“Sa bukur duhet të jetë”- thashë unë, dhe ato të dyja kthyen kokat në drejtimin tim, e qeshën fort, aq sa burri ktheu kokën nga ne.

Unë flisja më rralle se ato, nuk isha aq impulsive, por kur thoja diçka do të thoshte që vërtet më kish tërhequr vëmendjen, e kish lënë gjurmë tek unë.

Burrin e shihnim çdo ditë, ulur në stolin bri tonit, duke shkruar nën një ritëm e përqëndrim të bukur.E gjinim aty edhe në kthim, e po aty e linim.

“Ku ishe në pranvere o njeri?!”- filloi të recitonte më zë të lartë Alma  duke iu drejtuar burrit në stol, por kuptohet që së largu. Përshëndeteshim me të pa të keq, sepse dukej shumë miqësor e i paqtë.

“Çfarë shkruan aty?”- e pyeti Vlora një ditë.

“Çdo gjë që mund të shkruhet”- tha ai.Kryesisht shkruaj në shtëpi, por vjeshtën dua ta marr në çdo ind, dua ta prek, ta shoh, ja, sic ju shoh juve kaq të bukura.

Zëri i tij, kish një timbër aq të butë, të avashtë dhe të këndshëm, sa të vinte të mbështesje kokën në atë melodi…

Ne qeshëm, ndërsa ai vuri lehtaz buzën në gaz, e uli përsëri kokën.

Nuk di se si, por Alma tha një ditë :”Ja “burri i vjeshtës” edhe sot qenka po aty, ndonse veson shi… “

Përshëndeteshim çdo ditë, i ngrinim dorën së largu edhe kur nuk uleshim në stol.

Ai ngrinte kokën, na shihte,duke na hedhur vështrime “bajame” si ngjyra e syve të tij.

Një vështrim i butë që të krijonte  admirim e simpati.

Dukej sikur ne dhe burri, ishim më “stoikët” ndonse ditët kishin nisur të ftoheshin.

“Kushedi kë ka marre sot si personazh nga ne të trija,”- thoshte duke qeshur Vlora.

Nuk e pyetëm kurrë as për emrin, as çfarë librash kish botuar. Na mjaftonte aq: “Burri i vjeshtës”, të cilin e simpatizonim të tria.

Ditët u ftohën dhe ne futeshim shpesh në barin xham-artë,  ndërsa ai, rrinte po në stol me bllokun e kuqërremtë.

Një ditë, një ditë e pamë me një grua në kafé duke biseduar e qeshur.

“Me në fund”- tha Alma.

Te gjitha kthyem kokat në drejtimin ku ajo vështronte, dhe pamë “burrin e vjeshtës” të përqëndruar në bisedë me një grua.

Nuk u futëm në kafé, por Vlorës nuk iu durua pa e përshëndetur me një ngritje të lehtë të dorës.

Ai na përfshiu të triave në buzëqeshjen e tij shpirtmirë e të butë si vjeshta, dhe të njëjtën përgjigje mori edhe nga ne.

Ngriti edhe ai dorën e na përshëndeti.

Unë veç e vështrova me një buzëqeshje të lehtë, e zhytur në mendime të çastit.

Gruaja që ish me të, na pa me një vështrim të shpërndarë, që nuk shprehte asgjë.

“Ndoshta tani ai shkruan në sytë dhe vështrimet e saj” – mendova.

Nga njëra anë, më erdhi mirë që ai kishte një grua në krah, e cila e bënte edhe të qeshte, por… nuk di pse …

…dukej, sikur i mungonte blloku i tij ngjyrë kuqërremtë si vjeshta…

Ndërsa ne, ne do na mungonte vështrimi i tij ngjyrë bajame…



(Vota: 20 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora