E shtune, 27.07.2024, 02:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Fliste heshtja për trajtimet mizore

E hene, 04.11.2013, 08:38 PM


FLISTE HESHTJA PËR TRAJTIMET MIZORE...!

Nga Ryzhdi Baloku

Për të siguruar sa më shumë prova materiale rreth veprimtarisë së pjesëtarëve të ilegales, që kohë më parë ishin arrestuar dhe tashmë gjendeshin në paraburgim, milicia, sigurimi i shtetit, gjyqtari hetues dhe prokuroria publike e qarkut zhvilluan hetime intensive për disa muaj resht. Mbështetur në provat e grumbulluara të hetuesisë, me 6 gusht të vitit 1964 prokurori i këtij institucioni shtetëror Miro Matoviç ngriti aktakuzën e përbashkët për të dy organizatat ilegale, në të cilën mes tjerash shkruan: Të akuzuarit gjatë veprimtarisë së tyre ilegale ishin angazhuar me tërë potencialin posedues për ta rrënuar rendin kushtetues, me pretendim që Kosovën dhe trojet tjera në Jugosllavi që janë të banuara me shumicë shqiptare t’ia bashkëngjisin Shqipërisë.

Meqë sipas procedurave paraprake tanimë kishin përfunduar të gjitha përgatitjet përkatëse për mbajtjen e këtij gjykimi, kryetari i trupit gjykues e caktoi datën për nismën e seancës gjyqësore. Lidhur me këtë, edhe avokatët e palëve në procedurë u njoftuan me kohë, përmes ftesave që i morën brenda afatit të paraparë ligjor.

Kur deshi të nisë shqyrtimi kryesor i këtij gjykimi, korridoret e gjykatës u mbushen me milicë e udbashë. Nga numri i madh i njerëzve që ishte brenda dhe vapa e madhe që mbretëronte jashtë, në gjykatore ndjehej një zagushi prej të cilës zihej fryma. Ndërkaq te hyrja e kësaj ndërtese dhe rrugëve përreth vërehej një përqendrim i shtuar i milicëve të armatosur me pushkë e automatikë, e që një tendosje e tillë hetohej edhe në qytet.

Nga burgu në gjykatë, të akuzuarit u sollën të lidhur me pranga, nën përcjelljen e dyfishuar të milicëve. Ata ngarendnin njëri pas tjetrit në resht shkallëve përpjetë. Kur arritën në katin e epërm, kolona e tyre dukej e pafund në korridorin e gjatë që çonte kah salla e gjykimeve. Ndonëse të drobitur, të pandehurit përpiqeshin për të ecur pa u përkulur,  edhe pse paraprakisht iu kishin thënë nën kërcënim se do të ndëshkohej secili prej tyre që nuk do ta mbajë kokën ulur me shikim teposhtë.

Nga përvoja e përjetuar më herët, dihej se të pandehurit trajtoheshin me fasha të lagëta e medikamente mjekuese disa ditë para se t’iu fillonte gjykimi, ngase nëpër procedura të tilla kishin kaluar edhe shumë tjerë s’i këta. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që nga opinioni publik t’i fshihnin pasojat e torturave, megjithëkëtë nga fytyrat e vrenjtura të të arrestuarve që iu përshkonte një tis i ndritur së bashku me shoqërimin e ndonjë prej hijeve çivit të mbetura në mollëzat e disave prej tyre, fliste heshtja që tregonte se nëpër çfarë trajtimesh mizore kishin kaluar ata, gjatë periudhës së marrjes në pyetje.

Në sallën e madhe të gjykatores, të pandehurit i rreshtuan me nga një milic në mes, në rendin e parë të ulëseve. Përball tyre ishte renditur trupi gjykues i përbërë prej pesë anëtarësh, në krye të të cilit qëndronte Zhivojin Cvejiçi në mes, që ishte njëherësh edhe kryetarë i kësaj gjykate qarku në Pejë, ndërkaq përkrah tij rrinte ulur Ngazëllim Sarhoshi, i cili gjithashtu e mbante postin e kryetarit të gjykatës komunale në këtë qytet. Anash tyre nëpër karrige kapardiseshin me azgani gjyqtarët porotë: Shebek Boshkoka, Trajka Angjelkoviç e Serasqer Batakçiu si anëtarë të trupit gjykues dhe po ashtu procesmbajtësja Zorica Malikoviç, që ishte nëpunëse e kësaj gjykate.

Pasi që kryetari i këtij trupi gjykues e hapi seancën gjyqësore me një qëndrim prej vojvode, prokurori publik i qarkut Bozhidar Babiç si një serdar nisi ta shpalosë aktakuzën e ngritur nga kolegu i tij Miro Matoviç, e cila kryesisht mbështetej në procesverbalet e të pandehurve dhe dëshmitarëve të marrë në pyetje nga organet e sigurimit shtetëror, gjyqtarit hetues Novak Tajiç dhe vetë atij, për çfarë pastaj në përmbyllje të këtij leximi iu drejtua trupit gjykues me kërkesë që këto akte të të akuzuarve t’i kualifikojë si vepra të rënda penale.

Në parim, provat e paraqitura në këtë aktakuzë, nuk i mohuan as të pandehurit e pranishëm, por gjatë marrjes në pyetje, secili prej tyre që fliste, në  përgjigje shtonin: Për ta stimuluar shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, ky regjim po ua mohon atyre të gjitha drejtat njerëzore, me qëllim që pastaj këto treva t’i kolonizojë me serbë e malazezë. Pos kësaj, secili i pandehur po ashtu sqaronte pa e fshehur synimin që e kishte pasur për çlirimin e të gjitha trojeve të okupuara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, duke konsideruar këtë si një të drejtë universale që i takon çdo populli për të jetuar i lirë në shtetin e vet. Mirëpo të këto komente, ndërhynte kryetari i trupit gjykues me fjalë kërcënuese, se nuk do t’i tolerojë e as t’i lejojë që të flasin jashtë pyetjeve të parashtruara.

Meqë numri i të akuzuarve dhe dëshmitarëve ishte bukur i madh, gjykimi zgjati për disa ditë rresht.

Në ditën e përmbylljes së kësaj maratone gjyqësore, mbretëroi një qetësi varri. Të gjithë që ishin në sallë u ngritën në këmbë kur fjalën e mori Zhivojin Cvejiçi, kryetar i këtij trupi gjykues, i cili po ashtu ishte edhe violina e parë e orkestrës së koncertit të muzikës funebër që ekzekutohej nga UDB-ja jugosllave në krye me ministrin e brendshëm Aleksandër Rankoviç dhe xhelatët tjerë të udhëhequr nga partia komuniste. Të gjithë nga publiku u bënë sy e vesh për ta dëgjuar me kujdes shpalljen e këtij aktgjykimi, që nisi ta lexojë ai. Në gjykatore, fytyrat e familjarëve dukeshin të mpira, sikur të ishin para pushkatimit. Të pandehurit u shpallen fajtorë. Të gjithëve me radhë iu shqiptuan dënimet, që kryesisht silleshin në kohëzgjatje prej katër e deri në katërmbëdhjetë vite burg të rëndë, duke e llogaritur aty edhe kohën nga dita e arrestimit.

Kur trupi gjykues u tërhoq, familjarët nisen me dalë të kalamendur nga salla. Me fytyra të ngrysura, kolona e tyre ecte korridorit si një kortezh i përmortshëm. Me kokë të ngritur e çehre të vrenjtur Sokol Malësori ecte në mesin e njerëzve duke i lëvizur hapat ngadalë, ndërsa menjëherë mbrapa tij i shkonte mbas e reja Tringa në një gjendje kujtese krah përkrah me vjehrrën e saj Zojën, që në pamje shihej se nga pikëllimi zemra po i pikonte gjak. Përgjatë kësaj kolone, diku pak më tanë shihej edhe e shoqja Zekës - Nifa, e cila mezi mbahej në këmbë, e që e reja e saj Hana ia kishte vënë dorën nën krah me qëllim që ta ndihmonte për të ecur me lehtë, ndërkaq Petriti i cili ishte sugari i kësaj shtëpie, ecte avash para tyre me një pamje zemërimi.

Të nesërmen, sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve “Tanjug”, mediumet shtetërore e bënë publike përfundimin e këtij gjykimi. Në tekstet e publikuara, radioja dhe gazetat kryesisht parafrazuan fjalët: “Grupet terroriste që vepruan kundër Jugosllavisë, i morën dënimet e merituara”.

Menjëherë pas këtyre publikimeve, si një lukuni ujqish që lëshohet mbi pre, strukturat e caktuara të Partisë komuniste dhe Lidhjes socialiste kaluan në ofensivë për t’i dhënë përkrahje pushtetit lidhur me këto dënime.

Kësaj lufte speciale psikologjike, e cila në Kosovë u përhap si epidemi, iu bashkëngjiten edhe organizatat tjera politiko-shoqërore.

Pos mbledhjeve të shpeshta që ato filluan t’i mbanin me strukturat e veta në çdo nivel, nëpër  organizatat e Lidhjes socialiste të lagjeve, iniciohej izolimi dhe “leçitja” e të gjitha familjeve të të burgosurve politikë. Po ashtu u dha urdhër që institucionet shtetërore e publike, kooperativat e ndërmarrjet ekonomike të vihen nën kujdestari përnatë.

Me këtë rast, anëtarët e partisë komuniste u bënë vasalët më aktivë të UDB-ës, ndërsa e ashtuquajtura “milicia popullore”, intensifikoi patrullimet nëpër fshatra e lagje të qyteteve, sa që me veprimet e veta u ngjanin langonjve kur lëshohen në gjah.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora