Mendime
Baton Haxhiu: Shamia
E marte, 20.08.2013, 08:50 PM
Shamia
Një dokument është në Qeveri dhe i diskutuar edhe në komisionin parlamentar të Kuvendit të Republikës. Fjala është për shaminë. Pyetja që shtrohet për Kuvendin dhe qeverinë është, cili është urdhri më legjitim: Ai i Kushtetutës dhe qeverisë apo i “Zotit” të këtyre njerëzve…
Nga Baton Haxhiu
Ka një
kohë të gjatë që një grup njerëzish, deputetë, politikan që ushqejnë dëshirën
për votë, ushtarak, komunist të kthyer në besimtar përtacësh, profesor gjysme
të ditur dhe të pasuksesshëm në profesionin e tyre, biznesmen që dëshirojnë t’i
lajnë mëkatet e tyre duke përkrahur islamin politik – të gjithë këta bëjnë
duvan e përditshme duke thënë së shamia mbi kokën e një femre duhet të jetë e
drejtë e çdo femre dhe e lirisë së saj.
Shamia si
mbulesë e “turpit” të femrës, e harruar për një kohë dhe e mbetur si relikt,
është rishfaqur pas kaq vitesh në Kosovën e pavarur dhe po bëhet temë politike
e shqyrtimit.
Nuk kam
asgjë kundër që kjo të bëhet debat në oda dhe familje, nëpër hapësira të
kulteve fetare, por jam krejtësisht kundër që një grup fanatikësh të imponojë
si agjendë të shtetit dhe atdheut tonë të përbashkët e laik.
Pse duhet
që në shtetin laik ta diskutojmë temën e shamisë nëpër institucione është një
pyetje që shtrohet si formë e retorikës imponuese. Përgjigjja është e qartë, Cdo kush që merr
guximin që ta bëj si temë të shtetit, do të thotë të hyj në temën e
besimit të fanatikëve tribu.
Mënyra
imponuese e hapjes së temës së shamisë është forma e parë mashtruese e fillimit
të islamit politik. E islami politik dihet mirë ku e ka fillimin dhe ku
fundin. Eshtë e thjeshtë dhe e ditur
botërisht. Fillimi është me shaminë dhe fundi është me luftën civile dhe me
marrjen e pushtetit.
E gjithë
çështja është se ata kërkojnë që mos të jenë të vetmuar në atë që besojnë.
Sepse duhet t’u ngjash atyre.
Ne, duhet
të besojmë në zotin e tyre – vetëm nëse
hamë njëlloj si ata, jetojmë me ta,
qeshim dhe zemërohemi kur qeshin dhe zemërohen ata. Prandaj, neve të
“pafeve”, që nuk mendojmë si ata – nuk na takon i njëjti zot –sepse, sipas
tyre, ne jetojmë ndryshe nga ata.
E di që,
Ju, që keni votat e qytetarëve të Kosovës dhe frikoheni nga ata që dëshirojnë
shamia, keni ndjekur filmat
evropian, disa prej jush keni lexuar
Kadarenë, Sartrin, Zolën, Kunderën, Pamukun, dhe keni nuhatur dhe e dini qartë
se e ardhmja jonë është vetëm Evropa – nuk besoi që duke qenë të tillë do të
qëndroni si spektator të zhvleftësimit nga një grup radikalësh dhe rrënuesish
të kulturës tonë evropiane.
Ndonëse
ju bëheni të paditur, heshtak, hipokrit, në atë që po ndodh nëpër xhamitë tona,
por ta kemi të qartë se intelektual si JU dhe deputetë si Ju (hiq AAK-ne e
vendosur) që nuk dinë se çka duan, janë
të ligë.
Jeni të
ligë sepse, bërtisni për Evropën dhe demokracinë dhe bashkëpunoni me fetarët,
bërtisni për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe kërkoni të vendosni një shëmti
mbi bukurinë e femrës edhe ashtu të “ vrarë” me pushtetin e mashkullit,
Përmendni Evropën dhe i lëpiheni dhe frikoheni nga islami radikal që janë armiq
të përbetuar të perëndimit, flisni për
feminizmin dhe mbështesni burrat dhe islamikët radikal që i mbulojnë gratë e
tyre.
Kësisoj
po e mashtroni veten. Sepse mund të diskutoni gjithë ditën por nuk do te
nxjerre askush asgjë në dritë rreth kësaj teme.
As shteti
nuk duhet të pranojë vajzat me shami në shkolla dhe as vajzat nuk janë gati të
kthehen në kulturën iraniane të shamisë. Si mund të bëhet pjesë “ajeti” i
tridhjetë i një të syres Nur(ku thuhet se gratë duhet të mbulojnë kryet dhe
fytyrën) dominues para shtetit me kushtetutë laike.
Dhe
shpjegimin më ofendues në arsyen se pse duhet të mbulohen po e japin
hoxhallarët tanë në kultet fetare…”Sepse, thonë ata, të mbuluarit shpëton gratë nga instinktet
shtazore të burrave të huaj dhe nga të shndërruarit në një objekt pa vlerë që
stoliset për të fituar garën si gruaja më tërheqëse”.
Dhe, kur
nuk Ju bëhet mjaftë dhe nuk e fitojnë betejën me shijen dhe dëshirën e grave,
vjen urdhëri me fjalinë, “ E ç’të keqe
nëse mbulohet qoftë edhe pa dëshirë”… Paramendojeni çka thuhet në ligjërimin e
këtyre njerëzve klerikë islam!
Si shenjë
refuzimi ndaj idesë së tyre, po them publikisht se ndihem fajtorë që asnjëherë
se kam besuar zotin e të pashkolluarve,
zotin e të moshuarve të paditur,
Zotin e mixhave me tespi në dorë, zotin e vajzave kokë mbuluara dhe të deputetëve që
ditën tregojnë moralin e shamisë dhe përdorin kurvërinë si model të besimit.
Shkruaj
kështu sepse kam një lloj krenarie në laicizmin tim dhe besoj në zotin i cili e
ka qytetëruar dhe përmirësuar njeriun. Jam ateist për faktin se këta radikal të
islamit politik, si shumë tjerë nëpër botë,
fyejnë fenë dhe zotin, kurse unë nuk e kam fyer asnjëherë profetin.
Kam
drejtë të mos besoj, por s’jam i pasjellshëm ndaj fesë. Asnjëherë.
Këta të
tjerët që ditën vishen me kravatë dhe në errësirë flertojnë me varfërinë
mendore të këtyre njerëzve, duke menduar se mund t’i manipulojnë lehtë, nuk e kanë krejtësisht këtu arsyen e
heshtjes: Shumë prej tyre janë të
përfshirë në panik për t’u kthyer në besimtarë para se fetarët të vijnë në
pushtet!
Por dihet
qartë se si sillen këta kur i fitojnë të gjitha, dhe natyrisht, gjithmonë e
nisin me shaminë dhe ndalojnë të gjitha që nuk përshtaten me fenë…
Nëse një dokument po sillet gjithandej nëpër zyre dhe s’keni guxim të thoni asgjë për të sepse keni zgjedhje, një pyetje qëndron pezull mbi ndërgjegjen tuaj: Pyetja është, cili është urdhri më legjitim: Ai i Kushtetutës dhe qeverisë apo i “Zotit” të këtyre njerëzve.