Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Hutat cofin duke kënduar
E shtune, 17.08.2013, 04:38 PM
HUTAT E BARDHA COFIN DUKE KËNDUAR
NGA
KALOSH ÇELIKU
Herët si fëmij e kam dëgjuar nga im
Atë një thënie kërçovare: Nuk do të rrojmë me hutat e bardha. Në atë kohë si
fëmij nuk i kam vënë shumë rëndësi kësaj urtësie të popullit shqiptar. Përçudi,
kësaj mençurie të popullit deri më sot nuk i janë qasur me seriozitet edhe
studiuesit e letërsisë popullore. Mendja ma thotë se, kjo perlë e popullit e ka
burimin në Kërçovë. Shkak ky, që nuk njihet dhe nuk është përhapur aq shumë me
të madhe në popull.
Vite më vonë, në prag të Lirisë nuk e
di se kush ma dërgoi nga qielli si porosi këtë thënie të popullit. Edhe, t’i vë
gishtin kokës: Çka ka dashur të thotë im Atë me këtë filosofi antologjike?!
Nateditë e vrava mendjen, dhe më në fund mezi erdha në përfundim: Hutat e
bardha rrojnë shumë gjatë nëpër pyje. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe këtë
fjalë e shpjegon disi në këtë mënyrë: HUT/Ë, a~A: f. sh. ~A, ~AT, 1. zool.
Femra e hutit. Zogu i hutës. Ra huta në pula. 2. Fig. Grua a vajzë e trashë nga
mendja; femër e shushatur e matufe. Kishte marrë një hutë. Edhe, atë leximin mes rreshtave: vetëm hutat
e bardha na i grabisin pulat para syve në lëmë, mes Ditës Madhe. Ose, ajo
tjetra: nuk do të jetoj gjithë jetën, që t’ua baj gajlen në shoqëri. Edhe, unë
gati gjithë jetën përmes shkrimeve të mia publicistike ju them me vite: ja, ku
është ujku. Ju, jo janë gjurmët e ujkut. Unë, përsëri: ky është ujku. Jo, ju më
përgjigjeni: janë gjurmët e egërsirës. Inatë çoni me vetëveten në këtë kohë
rreziku për Atdheun. Përpiqeni, me këmbëngulje të më bindni se janë gjurmët e ujkut.
Vazhdimi, është humbje kohe, që t’ua mbushë mendjen edhe në të ardhmen se,
është ujku me këmbën e lyer me miell pas porte, e nuk janë gjurmët e tij në
Lëmë.
Askushët ende përpiqen me thashetheme
e përralla arabe ta përqajnë popullin shqiptar nëpër katunde e qytete. Cili
katund, apo qytet ka derdhë më shumë gjak për liri e ka shpallur më shumë
komandantë e dëshmorë lufte në familjet e tyre mes varreve. Dudumët, që shtihen
gjoja se nuk e dinë, kush e bëri Luftën
e fundit në Kosovë e Maqedoni. Tekefundit, historikisht populli shqiptar nuk ka
bërë luftë vetëm me pushkë maleve nëpër shekuj, po edhe me penë në mes të
Stambollit. Një popull për të arritur te qëllimi historik, në ballë duhet t’i
ketë burrat e ditur, pastaj vijnë të pasurit dhe në fund veten e tij si ushtri
popullore. E, a i ka sot populli shqiptar këto tre faktorë kryesor?!
Fatkeqësisht, ende jo. Nesër, me siguri do të flasë vetë koha. Sot për sot,
dimë vetëm për “luftën e tyre heroike” flakë më flakë matanë gardhit, që soji i
tyre kur krisi pushka e parë në Drenicë
e Tanushë, ikën me të katra me gjithë familje në bregdetin shqiptar dhe pas
lufte erdhën të parët të na “çlirojnë” nga hordhitë barbare për poste politike.
Gjenitë lindin dhe vdesin një ditë, po
nuk jetojnë aq gjatë siç thoshte shpesh im Atë, me hutat e bardha, që t’i
bindin këto fundërrina anadolli se, ujku na troket pas porte. Dorën në zemër,
jetojnë veprat e tyre nëpër shekuj. Populli shqiptar jeton gjatë kohë me shekuj
maleve me hutat e bardha për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan.
Kulminacioni i këtij shkrimi: herë pas here e kam përsëritur nëpër shkrimet e
mia se, mua më lejohet edhe gabimi i rastit si shkrimtar, po jo edhe politikanëve teknefesë që janë sot në ballë
të popullit shqiptar. Fundi i fundit, më mirë të gaboj unë si shkrimtar, sesa
udhëheqësit tanë politik. Shkaku se nëse gaboj unë, pasojat kombëtare do të
jenë më të vogëla në krahasim me ato të politikanëve shqiptar. Tjetër punë
është ajo se, ai në Ditën e sotshme
udhëhiqet nga hutat e bardha. Fatkeqësi kombëtare.
Hutat e bardha ma kujtojnë edhe një
ngjarje historike në shkollën fillore “Liria”, në Shkup. Kuvendin e
jashtëzakonshëm zgjedhor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar, i thirrur para
kohe (1998), kur një grusht i arratisur komunistësh deshën me dhunë të më
shkarkojnë nga posti i kryeatarit, i fituar në atë kohë me punë dhe vota të
lira demokratike. Ministrin e atëhershëm të informatave (R. Z.), që nxirrte
edhe shkumë nga goja për shkarkimin tim si kryetar. Këlyshin e Llagut, që e
kisha rritur gjithë jetën me bukë misëri te mulliri i Arapit, Këlysh Langaçin
me një asht në gojë, që para syve tanë u rrok fytas me poetin e ndjerë Ramadan
Sinani. Hojdodolen, që bënte “luftë heroike” në atë kohë qorre duke lëvizur
bishtin t’i kërcejë një Qen Sharri në shpinë. Këlysh Sharri i Nënës Parti me
gjuhën jashtë dy pëllëmbë nga vapa, që edhe atij i kisha hudh në atë kohë të
vështirë një copë buke pas porte. Ngjarje historike, të cilën unë do ta
përjetësoj në bibliotekë te libri im me drama: Kopeja me zgjebe ndjek Autorin
(2000).
Situatën e asaj lufte të ashpër
“artistike e qetësoi” shkrimtari Murat Isaku, edhe atë, pas ndërhyrjes të
bashkëvendasit të tij Ramadan Sinani, kur tha më në fund i zemëruar se: do t’i
hapim letrat. Poeti i ndjerë Ramadan Sinani, nuk është më në mesin tonë,
poashtu edhe Murat Isaku. Megjithatë, e njihnin mirë njëri-tjetrin si studentë
të Beogradit. Doktorziu, edhe ky student Beogradi, që e udhëhiqte betejën
policore pas dere duke i ndërsyer me gisht këlyshët me zgjebe, ende është
gjallë me dy-tre pensione shtetërore e honorare si anëtar i tre akademive
shkencore. Këlyshët me zgjebe me nga një asht në gojë, poashtu ende janë gjallë
me bishtin ndër këmbë (me përjashtim të ndonjërit që zvarritet ende para cofjes
rrugëve të Bit-Pazarit), dhe si dje edhe sot turren me të katra pas partive
politike, posteve në Qeveri si dhelpëra pas dashit mos i bien udhës.
Realiteti sot, është në duart e
Komisionit Lustrues, i cili i ka nëpër duar dosjet policore dhe duhet t’i
nxjerrë rrufjanët në sipërfaqe si kunguj Stambolli. Përsëri, mu si sot më
kujtohet ajo kohë e gjuajtjeve të “irredentistëve”, atëherë kur ndërhyri Murat
Isaku për ta qetësuar situatën, hedhë një kovë ujë zjarrit: Kryetari i tanishëm
(K. Ç.) le ta vazhdojë mandatin e kryetarit edhe një vit, me kusht që në fund
të vitit para kohe ta thirrë Kuvendin zgjedhor. Rrumaduci, edhe ky një këlysh
besnik komunist i tyre me zgjebe (trim pas lufte), u ngritë si një spec i
skuqur Kopështi në Katund dhe vendosi “pajtimin kombëtar”. Tek tashti, unë e
pash se me cilët “shkrimtarë” oborri kam punë organizative krijuese në gojë të
Ujkut. Gabimin tim si kryetar, që nuk desha të merrem me të kaluarën e tyre
komuniste “të flijimeve artistike” për të mos shkaktuar përçarje edhe në mesin
e shkrimtarëve, po me të tashmen dhe të ardhmen artistike për Ditën e Nesërme.
Nuk desha të krijoj në Shoqatë hendeqe të thella krijuese. Po, e gjithë kjo
përpjekje për t’i bërë bashkë të gjithë krujuesit nën një çati, qe e kotë mes
këtij bërlloku shqiptar i grumbulluar me vite në sistemin komunist. Populli
thotë: Uji fle, po hasmi nuk fle. Dudumët, pas disa viteve vullnetarisht e
lëshuan Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptar, kaluan në atë maqedonase për
përfitime e interesa personale.
Vite më vonë gjatë lustrimit të
bashkëpuntorëve të UDBA –ës jugosllave, Ministri i informatave na doli spiun si
kungull fushe mbi ujë. Spiunë na dolën dhe vazhdojnë të na dalin edhe disa
“shkrimtarë” të tjerë oborri, që në kohën komuniste e kishin shitur veten lirë:
një vend pune në redaksi, një banesë ose një torbë taxhi. Doktorziun, përpiqen
me çdo kusht ta shpëtojnë “vëllezërit” nga “përmbytja e madhe”, po vetëm
përkohësisht edhe ndonjë ditë, bythët i kanë dalë moti mbi ujë. E di, denoncime
me thasë kanë dërguar në polici duke i spiunuar krijuesit. Ndonjëri me
direktiva policore do t’i sulet në gazetë edhe Ismail Kadaresë. Shumica e
rebelëve, do të përfundojnë edhe në burg. Ose, do t’i përzënë nga vendi i
punës: Sadudin Gjura, Mehmedali Hoxha, Abdulazis Islami, Vahit Nasufi, Teki
Dërvishi, Fadil Bekteshi, Shaqir Sadiku e ndonjë tjetër poet. Daut Gurrën do ta
përcjellin para kohe në varr. Radhën e presin ato “patriotët kuqezi” të strukur
nëpër parti politike, hiç më pak 20 halldupë në numër me emër e mbiemër, që në
atë kohë me nënshkrimet e tyre më dërguan në “bisedë informative” në polici si
armik i shtetit, gjoja se: unë qënkam i dërguar nga Kosova të veproj në këto
anë: i paskam patur disa takime të fshehta në Bullgari, i kam dërguar me
dhjetra mijëra marka Partisë Socialiste në Shqipëri, dhe Çështjen shqiptare dua
ta zgjidhë me luftë (1993)?! Kopeisht m’u sulën me shkrime serike policore në
gazetën Flaka e vëllazërimit (gazetën e tyre të famshme neokomuniste). Sulmet e
tyre pas shpine, ende “flejnë” mes faqeve të asaj gazete policore, në
bibliotekë. Përveç etiketimeve të lartëpërmendura, kësaj radhe edhe se, unë
kisha shkruar nëpër libra: “Kur’ani është burim i gënjeshtrave”. Linçe
itelektuale e fizike, të kurdisura mirë në zyrat e radaksisë policore nga kulturofagët
për të më shti mes dy zjarreve: Policisë së Shtetit dhe Bashkësisë Fetare, në
Maqedoni. Përçudi, “ajka intelektuale” shqiptare ende si nuk delë në
sipërfaqe?! Gjurmët e thella i kanë shti rrugës deri në fyt, cila dhelpër ua
fshin sot me bisht?!
Interesante. Dhe, është shumë aktuale
edhe në Ditën e sotshme kjo puna e hutave të bardha që rrokan kësaj radhe jo
nëpër pyje, po në mesin e shqiptarëve. Krah për krahu me Zogun e Keq edhe sot
duke na kënduar këngë kobëzeza vajtuese mbi çati. Përmëtepër, kur patjetër brez
për brezi duhet të hipim në Baba Tomor. Malin e shenjtë të Perëndive. Tyrben,
ku pihet vera me shtamba, shkruhet poezia dhe bëhet dashuri…