E premte, 13.12.2024, 08:46 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Fitorja historike

E merkure, 27.03.2013, 05:59 PM


FITORJA HISTORIKE

NGA KALOSH ÇELIKU

Duartrokitje! Dhe, e dini, çka?! Jo, nuk e dini. Madhështore është Dreka festive e Fitores historike pas zgjedhjeve lokale (2013) me një maçorr trim siç është Dr. Gaçi. Krah për krahu me një mace nën Rrap, Zonjën Di. Asnjëri nuk kemi libreza partiake, nuk i takojmë ndonjë partie politike. Megjithatë, edhe ne i takojmë një partie politike demokratike: Partisë të Shqiptarëve. Përmëtepër, maçorri dhe macja janë patriotë të dëshmuar në Bit - Pazar me mustaqet vesh më vesh në gjuajtjen e minjve. E duan Rrapin, komandantët e vet heroik të luftës. Shkaku se, vetëm nën Rrap mes Bit - Pazarit kanë liri, ushqim ndonjë asht kur politikanët ua hedhin si shpërblim nën tavolinë.

Armiqtë më të mëdhenj të kësaj shoqërie, shtetit – kishin qenë politikanët teknefesë me një torbë taxhi për qafe. Pas tyre vijnë, “patriotët analistë kuqezi”, që nuk kishin ditur vite me radhë në “demokraci” se, cila Nënë i kishte pjellë pas porte në mes të Dimrit Madh. Nuk prituan edhe kësaj radhe të shkruajnë  kollumna (arsyetojnë veten si vizionarë), hedhin fajin popullit shqiptar në mjetet e tyre të “pavarura” të informacionit: Humbën shqiptarët – fituan partitë politike. Edhe atë, nga autori papagall: Patrioti i vonuar. Autori i kollumnave, që gjithë kohën i thirrte shqiptarët në protesta përpara Qeverisë për bojkotim të zgjedhjeve lokale. Bërlloku shqiptar, që merr guximin ende të shes mend se kush ka fituar e kush ka humbur në këto zgjedhje lokale. Edhe, thotë: votuesit u ndjenë të kënaqur, ngaqë jo vetëm që shëtisnin falas me makina luksoze rrugëve të Shkupit nga një qytet në tjetrin, por shumica e tyre morën nga 50 euro nga më shumë parti politike, e që pastaj të mos votonin për asnjërën. Madje, edhe pse më të dobëta se kudo qoftë, partitë shqiptare kanë një përparësi: të kushtëzojnë VMRO-DPMNE si kurrë më parë, ngaqë numri i përbashkët i votave shqiptare mjafton që partia opozitare maqedonase, LSDM-ja të vijë në pushtet. Andaj, liderët shqiptarë partiakë, sikur të ishin të mençur, tani do duhej t’i kishin mbyllur telefonat celularë, me çka do e çonin Gruevskin t’i kërkonte nëpër fshatrat e Maqedonisë perëndimore e t’u premtonte se nuk është duke kërkuar vasalë të nënshtruar, siç i kishte gjer më tani BDI -në e PDSH -në, por bashkësundues të shtetit që do jenë të barabartë me palën maqedonase. Por sidoqoftë, t’i parashikosh gjërat në Maqedoni, është si të merresh me paragjykimin se kur një vullkan do mund të shpërthejë. Nëse ka diçka që gjer më tani është e qartë, ka të bëjë me zgjedhjet mirë të organizuara dhe me përfitimet e vogla që nxorën votuesit shqiptarë, duke marrë ndonjë lekë nga partitë konkurruese. Nxënësit dhe studentët, ndonjë notë kaluese në shkollë  dhe fakultet. Dhe, shikuar nga ky këndvështrim, mund të thuhet se: humbën partitë politike, por fitoi Kërçova historike. Edhe, atë: falë mërgimtarëve që kur e panë në rrezik Atdheun, i erdhën nga të katër anët e botës nga toka e qielli ta shpëtojnë vendlindjen. Dhe, ma kujtuan poezinë e Nolit të Madh të asaj kohe revolucionare për Shqipërinë, Jepni për Nënën: … Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’ Amerikë!...

Tjetri: Analizë politike bën pas zgjedhjeve: çka ndodhi me shqiptarët? Dum Dumi shqiptar, që thirret në emër të shkencës dhe të “vërtetës shkencore” me çdo kusht do t’ju pri shqiptarëve për Liri. Edhe atë, shet mend në çdo derë të hapur nga ndonjë parti politike: Disa ditë pas zgjedhjeve, disa mediume bëjnë analiza, me të drejtë se, pse rezultatet e anketave të instituteve dhe agjencive për matjen e pulsit të popullit gabuan në prognozimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 24 marsit (2013).

Edhe ne vetë si Institut publik, organizatë që merremi mes tjerash edhe me hulumtimin e opinionit publik e kemi për detyrë të analizojmë dhe të shohim se çka ndodhi, jo për hirë të asaj që të arsyetohemi e mbrohemi, nuk e kam ndërmend të bejë një gjë të tillë, por për hirë të shkencës, dhe hulumtimit të opinonit publik si një formë dhe proces i matjes së disponimit të qytetarve, dhe për hirë të së vertetës shkencore e jo të manipulimit publik dhe jepjes kahje të gabushme publikut se gjoja janë manipuluar dhe abuzu anketat. Gjthësesi se, unë këtu mundem të flas vetëm në emër të Institutit që udhëheq, dhe të argumentoj dhe analizoj atë që ne e prognozuam.

Si do që të jetë, parashtrohet pyetja se në të vërtet çka ndodhi? Ndodhën tre gjëra kyçe që ndryshuan gjthçka, e që me hulumtim nuk mundeshte të parashikohet, me që efekti ishte psikologjik, e jo logjik. Populli shqiptar edhe kësaj radhe në këto zgjedhje lokale u pa se, nuk votoi për individë, po për lider dhe parti politike. Në Kërçovë votoi për Ali Ahmetin, në Çair të Shkupit për Izet Mexhitin, në Tetovë për Sadi Bexhetin dhe BDI –në dhe në Gostivar për Rufi Osmanin dhe BDI -në. Dukuri negative politike kjo te shqiptarët, që në këto zgjedhje lokale (2013) do ta detyroj Izet Zeqirin pasi nuk e fitoi besimin e popullit, të tërhiqet nga pozita e deputetit të popullit. I cili do të deklarojë: “Edhe pas korrjes së keqe, përsëri duhet me mbjellë” duke thënë se, do të jetë në pozitën e sekretarit të Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Interesant, populli shqiptar kur është bashkë në veprime politike, nuk i mungon edhe fitorja historike. E “shpëtoi” Ali Ahmetin në larjen e duarve nga “politika madhore”. Kërçova ishte provimi politik i shkollimit të lidershipit. E pati vështirë gjatë studimeve në Prishtinë, pastaj në Luftën e fundit të 2001 -shit si komandant i UÇK -ës në IRJ të Maqedonisë, po më vështirë e ka pasur në këto zgjedhje lokale vendimtare si politikan me përgjegjësi, në vendlindje (Kërçovë). Mezi e dha me shumë vështirësi provimin historik duke mos i larë duart nga “politika madhore”. Tashti, duhet t’i përveshi mëngët dhe tirqit deri në gju, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shkaku se mund të na gëdhijnë papritur si të parakohshme pas porte. Tjetër punë është ajo se, Hojdodolja u kthye me “fitore”  nga Velesi (Tito), kur shqiptarëve u digjej zjarr mbi kokë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë e Strugë. VMRO – DPMNE në rrethin e parë fitoi 40 komuna, BDI 8, LSDM 2 dhe PDSH dhe RDK, asnjë komunë. Rezultat, që Cërvenkoski i dëshrpauar në këto zgjedhje lokale, në raundin e dytë paralajmëron bojkotimin – përsëri daljen në rrugë, në vend që t’i lajë duart nga skena politike.

Në raundin e dytë, fitorja nuk mvaret nga partitë politike nacionale, po kush me cilin do të bëjë marrveshje politike mes partive shqiptare dhe maqedonase. Ali Ahmeti e mbajti fjalën. Edhe pse, në politikë nuk ka sinqeritet dhe besë.  Gjatë shpalljes së fitores në blokun shqiptar tha, se: në Strugë do të mbështesë kandidatin e PDSH –ës, një marrëveshje që është arritur edhe më herët mes kandidatëve. Pyetje tjetër është ajo se, pse partitë politike shqiptare këtë veprim politik nuk e bënë më herët që në rrethin e parë në Tetovë, Gostivar dhe Strugë, që të fitonte kandidati shqiptar. Punë që nuk është e imja dhe do një analizë të thellë më vete, po e Kryesive të partive politike shqiptare që në të ardhmen të merren pak më shumë me këtë fenomen të çuditshëm shqipar, i cili vite me radhë na ngatërrohet nëpër këmbë dhe jemi duke ia parë sherrin.

Instituti… edhe njëherë thekson se kjo analizë nuk ka për qëllim të arsyetojë apo mbrohemi, por t’i shiqojmë faktet, dhe elemetet që ndikuan në një rezultat që askush nuk e parashikoi në këto zgjedhje euforike lokale.

Deledashi shqiptar, që bashkë me partizanët politik neokomunistë fotografoheshin para kamerave televizive të “pavaruara” anembanë Atdheut: Edhe ne i paraprijmë fushatës parazgjedhore me “aktivitete kulturore” konfuze. E, unë them: Humbën partitë politike – fitoi Kërçova historike. Vetëm populli shqiptar nuk hanë më bar. Vdiq ajo kohë qorre. Mjaftë më e përçatë nëpër fe e parti politike popullin shqiptar si “shpëtimtarë” duke e shitur shumë lirë te “vëllezërit”! Vërtet, i humbi në raundin e parë disa qytete shqiptare, ndoshta edhe ndonjë tjetër në raundin e dytë, por ka filluar të punojë dhe veprojë me kokë. E di se, kujt duhet t’ia japë votën, besimin për Ditën e Nesërme. Nuk është ai populli i sistemit komunist për të cilin ju derdhni lot nëpër debate televizive edhe sot e kësaj dite, të shkojë pas hoxhës dhe gomarit me samar në shpinë. Fatin e vet e ka në duart e veta, dhe një ditë do t’ia arrijë qëllimit historik. Patjetër, nuk ka tjetër rrugë!

Amani! Mjaftë më me themelimin e partive politike shqiptare! Këshillave kombëtar. Shoqatave “joqeveritare”. Edhe ashtu i kemi me bollëk sa që kanë të hanë edhe qentë. Nuk kemi politikanë të aftë, nuk kemi intelektualë guximtar, nuk kemi vizionarë për një të Nesërme. Ose, i kemi, po nuk mund të vijnë në shprehje, ngrejnë krye nëpër parti politike e institucione të shtetit nga dudumët shqiptar që shtyhen me bërryla nëpër parti politike për poste dhe vite me radhë na ngatërrohen nëpër këmbë.

Vazhdojnë parashikimet teknefese të “analistëve” deledash: Si konkluzione, pa mos hyrë në debate, se ku gabuam e ku jo, dhe si të dilet në rrugë për në Baba Tomorr. Mundemi të themi se këto zgjedhje lokale, ishin më specifike që deri tani nuk i kemi pasur, dhe që do të rezulutojnë me fshirjen e partive të vogla, që në fakt vetëm dëmtuan votën opozitare, dhe krijimin e qartë të dy blloqeve politike të ndarë në të dy kampet politike nacionale për pushtet.

Në rregull, të themi, o burra pushteti! Por, mos është për ju pak si vonë për zgjim politik e kombëtar. E, themelimin e partive të reja politike shqiptare?! Pasi u thye qerrja, gjetëm plot rrugë. Po, pse nuk kërkuam rrugë para se të thyhet qerrja me gjithë këto parti politike, “patriotë kuqezi”, analistë politik e shoqata “joqeveritare”?

Realiteti: Prognozimet e Partive politike dhe analistëve me shumicë e pakicë që na i ka dhënë Zoti, fatkeqësisht këtë popull e fusin edhe më thellë në huti, qorrsokak politik. Analistët e këtij soji neokomunist që me vështirësi japin shpirt, nuk dinë ku e kanë kokën e ku bythën. E lëre më në Ditën e sotshme historike, kur zjarr na digjet mbi krye, t’i prinë në ballë popullit shqiptar për Ditën e Nesërme.

Dhe, vazhdimi: E njejta gjë ndodh edhe me Tetovën dhe Gostivarin, ku Dy partitë plitike shqiptare (BDI dhe RDK) do të bëjnë luftë të ashpër edhe në raundin e dytë për postin e kryetarit të Komunsës, shtëpi për shtëpi, sokak më sokak, katund më katund.

Demagogji fantastike, gjoja në emër të shqiptarëve. E përsëris: Humbën partitë politike – fitoi Kërçova historike. Kulminacioni: tashti, përsëri do t’i shohim pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në Kuvend me diskutime të zjarrta patriotike, replika dhe bojkotim të Kuvendit. Edhe kësaj radhe, të marrin rroga deputeti pa punë fare në Shtëpinë ligjore në emër të popullit. Shqiptarët, e kanë edhe atë rrugën tjetër pas Çuke, le t’i përgadisin çiftelitë me dy tela, kavallët, fyellin e Bariut të staneve të Sharrit, dajret dhe lodrat. Edhe, le të heqin valle, le t’i këndojnë “fitores” nëpër dasmat politike me atë këngën e njohur popullore: “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.”

Edhe, burrat e botës rrahin kot ditë e natë ujë në tavan. Njëri thumbit, tjetri patkonit. Dudumët, që shqiptarët në Maqedoni gjithë jetën i trajtuan si pakicë shqiptare, me 25 përqind e popullatës. Gjuhën shqipe si gjuhë të dytë zyrtare. E kurrë nuk e ngritën zërin se, populli shqiptar në Maqedoni është popull shumicë. E them këtë, se: ende është populli i vetëm në botë që lind dhe vdes në këtë shtet “demokratik” pa nështetësi. E ka lehtë populli “vëlla maqedonas” që e bëjnë popull shumicë dhe shtet: bullgarët, shqiptarët, vllehët, serbët, turqit, boshnjakët, romët, torbeshët…

Analistë të vonuar janë njëzet vjet me radhë që i përsërisin fjalët si papaglli në kafaz. E ka thënë këtë dikushi para njëzet vjetëve, në kohën e PPD –së (K. Ç.), edhe atë, me një stil artistik në libra: Gabimi më i madh i yni, shqiptarëve është që ne me “vëllezërit” maqedonas i ndajmë lugët dhe enët. E jo, pasurinë e patundshme: arat dhe Shtëpinë. Vetëm se, fatkeqësia ishte se ju në atë kohë gërhisnit gjumë të thellë me nga dy-tre vende pune nëpër redaksi komuniste dhe institucione të shtetit. E dyta: pushteti dhe ekonomia merren me politikë dhe luftë. Shqiptarët e kanë provuar edhe politikën, edhe luftën. Përfundimi, shkaku paaftësisë politike, përsëri shqiptarët edhe sot vazhdojnë të merren me ndarjen e lugëve dhe enëve, mbesin me gishta në gojë.

Rrugë?! Ende kemi rrugë. Edhe atë, vetëm me një kusht që në të ardhmen mos i prinë në ballë politikanët humbës këtij populli! Shqiptarët për një kohë duhet ta flugin euforinë dhe “fitoret” e përkohshme politike: çiftelitë, dajret dhe lodrat duke i vajtuar familjarët dhe farefisin për së gjalli me këngë epike nëpër  dasma e përvjetore. Koha është, i madh e i vogël t’i përveshin mëngët e këmishave deri në bërryla, pantollonat deri në gjunj. Hedhin në përrua interesat e ngushta personale, familjare e partiake. Trurin e këtij populli që e kanë përzënë nga partitë politike ta vënë në përdorim në vend të rrufjanëve. Edhe, do të shihni se si fitohet Liria. Shteti Shqiptar.

Shqipëri Etnike nuk fitohet me këngë tallava. Patriotizëm të rrejshëm. Parti Politike Neokomuniste. Poezi patetike. Po, me punë. Djersë. Dhe, tru…

Fundi i këtyre zgjedhjeve lokale sipas meje për parashikimet e Ditës së Nesërme: Humbën partitë politike – fitoi Kërçova historike. Duarve binu shuplakë!

Dhe, Dita e Nesërme sipas meje, autorit të këtij shkrimi: Patjetër, do të fitojnë shqiptarët – do të humbin partitë politike



(Vota: 54 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora