E marte, 03.12.2024, 02:50 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Motin e Madh e kemi te pragu i shtëpisë

E hene, 17.09.2012, 07:05 PM


MOTIN E MADH 2012 E KEMI TE PRAGU I SHTËPISË

NGA KALOSH ÇELIKU

Njëqindvjetorin e Shtetit të Pavarur Shqiptar, anembanë Atdheut në këtë Ditë të Madhe e feston mbarë Shqiptaria. Edhe, e meriton dhe duhet ta festojë këtë Ditë historike të Motit Madh, secili ashtu siç mendon, mundet dhe di me të gjitha forcat e Trurit dhe zemrës. Farën e Shtetit Shqiptar e mbollën të parët tanë Rilindasit, ne sot pasardhësit e tyre duhet ta vadisim dhe ta korrim një ditë para Dimrit që rri gati me drapër në dorë. Thasët t’i mbushim me grykë me bereqet, ngarkojmë në qerre dhe rrasim hambarët për Dimër, të dalim në Pranverë. Edhe, ajo Ditë e Madhe nuk është larg, vjen me kalë me shalë në 28 Nëtorin e Madh 2012. Nusen e sjellin krushqit me koçi nga përtej shtatë maleve me këngën e njohur të dasmave të shpeshta shqiptare: Hajdeni bini djemtë e Shalës, përmes Sarajeve të Pashës.

Në hyrje të Katundit, krushqit edhe qesin pushkë. Lajmi përhapet në të katër anët e Shqiptarisë të Atdheut: Nusja e maleve vjen me koçi e mbuluar me qilima kuqezi të qëndisur me këmbë arushe. Krushkat copë-copë i bëjnë dajret me këngë e valle. Babai e nxjerrë mauzerrin nga hatullat dhe shkrep pushkë, e paralajmëron Katundin.

Dhëndri e shikon Nusen nga dritarja e Shtëpisë dhe fërkon duart. Gëzimin nuk mund ta përmbajë brenda si kaçak mali, pasardhës i atyre grave e  burrave trima me pushkë e penë në luftë për liri e Shtet të Pavarur Shqiptar. Nagantin e nxjerrë nga brezi për dritare. Tymeflakë si rrufe krisma e tij çanë qiellin. Nëntë plumba ia numron Natës në ballë. Erdhi Dita  e gëzimit, edhe Shtëpia jonë të festojë me këngë e valle. Mjaftë më me vite e shekuj u përpoqëm nateditë nëpër pusi këtë Nuse ta zbresim nga malet. Ditënatë kaluam nëpër prita e zjarre të armëve. Qerrja na është thyer disa herë me radhë në rrugë, dhe na e kanë ndërruar Nusen me një tjetër Xhadi.

Dudumët, sot në Motin e Madh 2012 kot përpiqen të na ngatërrohen nëpër këmbë si ferra me shpifje e etiketime. Haramët që për arsimin dhe kulturën shqiptare nuk e kanë dhënë as edhe një kafe. Minimizojnë veprimet e Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar. Hapat e saj, që i ka bërë nga themelimi i Universitetit të Tetovës. Nuk i shohin gjurmët e thella para syve, për ta si dudumë të rrasur në batak deri në fyt. Nënshkrimet e dhëna nëpër ato dokumente historike në atë kohë të vështirë, kur të shkonte edhe koka si qenit në rrush, siç thotë populli. Hë për hë, jashtë u ka mbetur vetëm koka. Bythën dhe barkun e madh si tinar të lakrave turshi, moti e kanë arratisur në hurdhë. Bataku historik, ku janë rrasur këmbekokë dhe një ditë do t’i gëlltisë të gjallë me duart lartë për ndihmë. Njeri nuk do të kenë pranë t’ua zgjasë as dorën e shpëtimit në mes të Lumit. Ne, nuk na mbrojnë theshethemet, shpifjet dhe etiketimet e tyre trusakate, po puna dhe gjurmët që i kemi lënë pas udhës për në Baba Tomor aq të thella, që nuk i fshin dot asnjë furtunë, asnjë borë e madhe, asnjë Dimër. Vargu shqip kur hyri i pari me shokë në Bit-Pazar të Shkupit, ata ende ishin në gjumë dhe gërhisnin në prehër të Xhadisë mes ëndrrave të ditës duke sharruar shelgje në livadh. I përdridhnin bythët nëpër Bit-Pazar si rrospi katundi për një asht, një torbë taxhi.

Takimet nën Rrap sot fesotojnë pesëmbëdhjetë vjetorin e themelimit si manifestim kulturor i veçantë i poezisë erotike, në Shkup. Poashtu, edhe revista e pavarur letrare STILI 97 (56 numra), organ i Lidhjes të Shkrimtarve Shqiptar, që në këtë anë të Atdheut erdhi si një zë i ri kryengritës në letërsinë shqipe. Hapi dyert krah më krah edhe të krijuesve të rinj, sidomos të femrës krijuese rebele shqiptare. Sot një numër i tyre që kanë kaluar nëpër gjirin dhe djepin e Lidhjes të Shkrimtarve Shqiptar në Shkup, janë emra të njohur në Letërsinë Shqiptare mbarëkombëtare, po edhe atë botërore. Njëqind vjet shtet shqiptar nuk janë pak në këtë Ditë të Madhe. Poashtu, nuk janë pak edhe njëzet vjet veprimi të Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup. Nën Rrap ka jehuar vargu i poetëve shqiptar më të njohur anembanë Atdheut dhe botëror edhe para tytave të tanksave. Nata e Madhe është përcjellur me poezi, këngë e valle deri në agim.

Nën Rrap, unë sonte i shoh poetët e gjallë edhe të vdekur fizikisht kokë më kokë, siç i shihni edhe ju brez për brezi në valle. Ngrejnë dolli për Ditën e Madhe. E shoh matanë tavolinave Fredrik Rreshpen, Pano Taçin. Zyhdi Moravën, Hida Halimin, Mehmadali Hoxhën, Sadudin Gjurën, Abdylazis Islamin, Murat Isakun, Ramadan Sinanin, Daut Gurrën, Fadil Bekteshin, Shaqir Sadikun dhe qindra poetë të tjerë të gjallë duke filluar nga Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu me Visar Zhitin e përfunduar te Vahit Nasufi e Gani Xhafolli me shokë se si e heqin vallen e Lirisë nën Rrap. Vetëmse, nuk i shoh dudumët. Ngatërraçët e dështuar, që na janë ngatërruar rrugës nëpër këmbë dhe janë strukur sonte si sorra nga vargu kryengritës i fuqishëm shqiptar nëpër birucat e tyre të errta ta festojnë humbjen historike.

Përsëri u ngjitëm maleve. Patjetër, Nusen e vërtetë duhet ta sjellim në Katund. Edhe, siç duket e sollëm kësaj radhe edhe në Shkup, në këtë Njëqindvjetor të Shtetit Shqiptar. E zbritëm në lëmë me këngë e valle. Cucat copë - copë i bënë dajret. Kënga dhe vallja nuk pushon deri në agim. Vargu shqip, ky nagantë i trashëguar i Rilindasve tanë edhe sot si dje e zgjon Shkupin nga gjumi shekullor rrëzë Kalasë Dardane.

Lidhja e Shkrimtarve Shqiptar këtë vit festiv të Njëqindvjetoit të Shtetit Shqiptar i organizon dy Manifestime kulturore tradiocinale ndërkombëtar bashkë, njëri pas tjetrit: Takime nën Rrap (29, 30 shtator dhe 1 tetor 2012), në Shkup dhe Ditët e Humorit dhe Satirës: Xha Deralla (01, 02 dhe 03 tetor 2012), në Kërçovë. Ditën festive  të 28 Nëntorit të Motit Madh 2012, nën Rrap do ta mbajë edhe Natën e Madhe Poetike me poezi, këngë e valle deri në agim.

Mirëse erdhe Nusja jonë hallëmadhe nga pas shtatë maleve larg. Derën e madhe të Shtëpisë moti ta kemi hapur krah më krah. Vallen e kaçakëve hiqe edhe sot si dikur përpara Shtëpisë me shami, që Nesër të na e mbushësh Lëmën plot me fëmijë trima me lapsa në brez e libra në dorë, brez pas brezi t’i dalin zot Atdheut…



(Vota: 136 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora